Menu

Lojerat Olimpike

Bashkia e Tiranës miraton fondin për financimin e ekipit shqiptar në Lojërat Olimpike të Tokyos

Bashkia e Tiranës do të mbështesë financiarisht përfaqësuesit e ekipit shqiptar në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”. Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar një fond prej 9,470,500 lekë, si mbështetje financiare për pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike të sportistëve tanë elitarë, si shtesë buxheti i Klubit Sportiv “Tirana”.

Sportistë olimpistë si Briken Calja, Luiza Gega, Izmir Smajlaj, Erkand Qerimaj, Indrit Cullhaj, Matvei Petrov, Manuela Delilaj, Nikol Merizaj dhe Kledi Kadiu prej kohësh po zhvillojnë përgatitjet dhe po stërviten për eventin më të madh sportiv i cili për shkak të vitit të vështirë pandemik u shty për këtë vit.

Bashkia e Tiranës ka mbështetur edhe më herët sportistët në garat kualifikuese, ndërsa tashmë, sic ka premtuar, po financon edhe grumbullimin e ekipit Olimpik 40 ditë para Lojërave Olimpike, udhëtimin drejt Tokios, Japoni dhe sërvitjen e tyre për këtë event të rëndësishëm sportiv.

Veliaj me kampionin e botës në gjimnastikën artistike Matvei Petrov: Na ndero edhe në Lojërat Olimpike!

Pasi u shpall kampion bote në Gjimnastikën Artistike për ngjyrat kuqezi, objektivi i radhës i gjimnastit rus, Matvei Petrov, tashmë është medalja e parë në historinë e Shqipërisë në Lojërat Olimpike. Së bashku me trajnerin Alon Hasa, sportisti rus, i cili përfaqëson Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, ka marrë përgëzimet e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Përmes një bisede online, Veliaj e uroi Matvein për medaljen e arit në Kupën e Botës në Osijek të Kroacisë, ndërsa i ka uruar të njëjtin sukses edhe në Olimpiadën e Japonisë.

“Je zyrtarisht numri një në botë! Le të sigurohemi që kjo të zgjasë për një kohë të gjatë,” u shpreh Veliaj, i cili nga ana tjetër siguroi se në Tokio gjithçka është gati për stërvitjen e kampionit. “Kam lajme të mira: Sot do t’ju kalojmë sponsorët që të keni fonde për përgatitjet në Japoni. Do kesh mundësi të shfrytëzosh palestrën në periferi të Tokios, që kur të transferohesh te fshati olimpik të jesh super në formë,” deklaroi kryebashkiaku i Tiranës.

Ndërkaq, Veliaj tha se suksesi i gjimnastëve që krenojnë Shqipërinë në kompeticione ndërkombëtare duhet të na shërbejë edhe si frymëzim për formimin e një brezi të ri sportistësh të motivuar. Kjo falë edhe mundësisë që ka krijuar Tirana me shkollat e reja ku një standard të ri kanë krijuar edhe ambientet sportive.

“Shpresoj që shembulli yt të shihet si mundësi për të ndërtuar bashkë një program, me anë të të cilit të inkurajojmë fëmijët e vegjël. Jemi në proces të përfundimit të disa shkollave të reja dhe kemi rënë dakord nga hera e kaluar që një nga palestrat të jetë e specializuar për gjimnastët,” deklaroi Veliaj. “Për shumë njerëz nuk është interesante, por ne nuk e bëjmë vetëm për veten. Të tjerët duhet ta shikojnë, gjimnastika ka ndryshuar vitet e fundit,” u shpreh Matvei.

Kjo nuk është hera e parë që gjimnasti, Matvei Petrov, i cili erdhi nga Rusia për të përfaqësuar Shqipërinë, lartëson vendin tonë. Më herët, Shqipëria fitoi medaljen e artë në Kampionatin Europian të Gjimnastikës i cili u zhvillua në Turqi.

alert.al/