Menu

mina me telekomande

Mina me telekomandë të lidhura me celular, në shitje për 3 mijë euro

Në Durrës janë kapur nga Policia e Shtetit tri mina me telekomandë të lidhura me celular, gati për t’u shitur. Sipas njoftimit, tre të arrestuarit janë nga Sukthi dhe po shkonin për t’i çuar mjetet shpërthyese tek klientët e tyre.

Njoftimi i Policisë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Muzeu”.

Operacioni i zhvilluar nga  strukturat e DVP Durrës, për goditjen e veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe shitjes së minave me telekomandë.

Kapen dhe arrestohen në flagrancë 3 shtetas.

Sekuestrohen tri mina me telekomandë.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Sektorin e Trafiqeve të Paligjshme dhe te Krimeve Kundër Personit në DVP Durrës në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se disa persona me tendencë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së minave me telekomande po tentonin të shisnin disa mina me telekomandë, kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me patrullat e përgjithshme kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Muzeu”.

Në kuadër të këtij operacioni, në vendin e quajtur “Muzeu”, në lagjen nr. 9 në Durrës, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetaseve:

 – I. A., 47 vjeç, B. Ç., 31 vjeç dhe E. B ., 37 vjeç, të tre lindur në Dibër dhe banues në Sukth, Durrës.

Këta shtetas u kapën duke udhëtuar me një automjet tip “Volvo” me drejtues shtetasin I. A.  dhe pasagjerë shtetasit B. Ç. dhe E. B. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet nga shërbimet e Policisë u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale tri mina të montuara dhe të lidhura me telefon.

Nga hetimet paraprake rezultoi se  këta shtetas do të shisnin disa mina me telekomandë në qytetin e Durrësit, kundrejt shumës 2500-3000 euro copa.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

alert.al/