Menu

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Ministri Salla: 5 mijë aplikime në orët e para për Skemën Kombëtare, apel fermerëve për bashkim

Kanë nisur këtë të hënë aplikimet për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi, ndërsa fermerët dhe blegtorët do të kenë afat deri më 25 qershor për të përfituar nga fondi prej 5.2 miliardë lekësh i vënë në dispozicion nga qeveria.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, deklaroi se vetëm brenda pak orësh nga hapja e aplikimeve janë regjistruar rreth 5 mijë kërkesa, duke e cilësuar interesin si shumë të lartë.

“Para se të vija këtu mora një shifër dhe deri tani ka 5 mijë fermerë që janë online duke aplikuar. Në një kohë shumë të shkurtër ka shumë interes”, u shpreh Salla gjatë konferencës për mediat.

Sipas ministrit, aplikimet mund të kryhen online ose pranë agropikave në të gjithë vendin. Skema përfshin 12 masa mbështetëse, ku 9 prej tyre janë financime direkte për sektorë si blegtoria, bletaria, fermat organike, kontrolli biologjik, serrat dhe peshkimi, ndërsa 3 masa të tjera lidhen me investimet për fermerët e rinj, ndërtimin e stanëve dhe blerjen e makinerive moderne.

Lajmi për hapjen e aplikimeve u bë publik edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi skemën si një tjetër hap konkret në mbështetje të prodhimit vendas dhe zhvillimit të qëndrueshëm të bujqësisë shqiptare.

“Një tjetër hap konkret për të mbështetur prodhimin vendas, formalizimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë shqiptare”, shkroi Rama në rrjetet sociale.

Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, u bëri thirrje fermerëve që të aplikojnë përmes portalit e-Albania për të përfituar nga 12 masat mbështetëse.

“Së bashku krijuam skemën kombëtare. Është koha të aplikoni për 12 masa mbështetëse. Më 25 maj hapim thirrjen kombëtare, apliko”, deklaroi Salla.

Një nga prioritetet e kësaj skeme, sipas Sallës, është bashkimi i fermerëve në shoqëri bujqësore apo modele bashkëpunimi përmes bashkive. Ministri tha se deri tani janë përfshirë 26 bashki dhe 334 fermerë në modele të tilla bashkëpunimi.

Ai argumentoi se fermerët që bashkëpunojnë kanë më shumë mundësi për të ulur kostot dhe për të rritur fitimet, por edhe për të përfituar financime nga fondet e Bashkimit Europian.

“Kur fermeri prodhon dhe shet i vetëm, shpesh përballet me kosto më të larta dhe çmime më të ulëta. Ndërsa në bashkëpunimet e shoqërive bujqësore kemi akses dhe mundësi që potenciali të jetë më i madh, por edhe mbulimi ndaj Skemës Kombëtare, të cilën ne e kemi vënë në dispozicion, është 100% i mbulimit të masës që ne kemi vendosur”, deklaroi ministri.

Skema e këtij viti synon të mbështesë më shumë fermat e vogla, ndërsa janë lehtësuar kriteret për përfitim. Për blegtorët është përgjysmuar numri minimal i krerëve që nevojiten për të marrë subvencion.

Për tufat e gjedhit, financimi rritet në 12 mijë lekë për krerë për fermat me jo më pak se 5 lopë, nga 10 mijë lekë që ishte më parë për fermat me minimumi 10 krerë. Ndërsa tek të imtat financimi është rritur nga 1200 lekë në 1500 lekë për krerë për tufa jo më të vogla se 50 krerë, nga 100 krerë që ka qenë me skemën e vjetër.

Për herë të parë mbështetje financiare do të ketë edhe për dosat, me 7 mijë lekë për krerë për fermat me minimumi 5 krerë. Ndërkohë, për bletarinë subvencioni dyfishohet në 20 mijë lekë për zgjua për fermat me të paktën 25 koshere, nga 50 që ishte kushti deri vitin e kaluar.

Skema e re ka hequr naftën pa taksa për fermerët. Ministria e Bujqësisë argumenton se kjo skemë nuk ka funksionuar plotësisht dhe ka pasur raste abuzimi.

Një tjetër ndryshim lidhet me faturimin e produkteve bujqësore. Fermerët duhet të pajisen me faturë nga grumbulluesit apo agroturizmat kur shesin produktet, në mënyrë që të përfitojnë kompensimin 10%, i cili nis nga 1 korriku.

Masat direkte të mbështetjes përfshijnë:

  • Tufën bazë të matrikuluar të gjedhit
  • Tufën bazë të matrikuluar të imtave
  • Mbarështimin e bletarisë
  • Tufën bazë të matrikuluar të dosave dhe/ose paradosave
  • Kontrollin biologjik të dëmtuesve në sera dhe tunele plastike
  • Fermat organike
  • Implementimin dhe certifikimin Global GAP
  • Mbështetjen për sipërfaqet e mbjella
  • Ripopullimin e peshkimit në ujërat e brendshme

Ndërsa masat e investimit përfshijnë:

  • Mbështetje për fermerët e rinj
  • Ndërtim dhe rikonstruksion stanesh
  • Pajisje, makineri dhe mjete për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës.

Salla foli edhe për eksportet bujqësore, duke komentuar rënien me afro 5 mijë tonë në katërmujorin e parë të vitit. Sipas tij, përveç ndikimit nga përmbytjet, një faktor tjetër është edhe rritja e konsumit të prodhimeve shqiptare në tregun vendas.

“Biznesi vendas po kërkon prodhimin shqiptar dhe fermerët janë të interesuar jo vetëm për eksport, por edhe për tregun vendas, për shkak edhe të kompensimit 10%. Ne jemi në një prodhim shumë të mirë këtë vit dhe po i tejkalojmë shifrat e 2025”, tha ai.

Ministri garantoi gjithashtu se fermerët e dëmtuar nga përmbytjet do të vijojnë të kompensohen, ndërsa sqaroi se edhe 22 subjektet që nuk kishin marrë përfitimet nga Skema e Investimeve do të përfshihen në buxhetin e vitit 2025.

“Qeveria nuk është tërhequr, do të vazhdojmë me procedurat e dëmshpërblimeve të fermerëve. Në aspektin e eksporteve, kemi pasur mundësi përafrimi të të gjithë procesit. Prodhimi tani ka dalë në treg, ne po e kalojmë vitin e kaluar. Prodhimi është në sasinë më të madhe që kemi në territor, jemi duke eksportuar dhe kemi kapur të gjitha ato mundësi, pasi janë rritur edhe faturimet. Jemi në prodhim shumë të mirë këtë vit”, deklaroi Salla.

Sipas ministrit, edhe 22 subjektet për të cilat kishte pasur vonesa nuk janë përjashtuar nga skema dhe do të vijojnë të përfitojnë.

“Ka pasur diskutim për 22 subjektet që janë referuar disa vonesa, nuk kanë dalë nga skema, janë pjesë e përfitimit të vitit 2025. Me udhëzimin e ri kemi vendosur që edhe 22 subjektet të jenë pjesë e përfitimit. Brenda pak ditësh, edhe procedurat e tyre janë të përfshira në buxhet”, tha ministri.

 

Ministri Andis Salla nderohet në Romë me “Luani i Artë” të Venecias

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, është vlerësuar në Romë me Çmimin Ndërkombëtar të Venecias “Luani i Artë”, i akorduar nga Komiteti “Leone d’Oro”. Ceremonia u zhvillua në ambientet e Senato della Repubblica, në një aktivitet me karakter institucional.

Sipas njoftimit zyrtar, ky çmim përfaqëson një vlerësim për angazhimin institucional dhe kontributin në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë, duke theksuar bashkëpunimin e qëndrueshëm ndërmjet dy vendeve.

Ministri reagoi edhe në rrjetin e tij social Facebook, ku ndau mesazhin e tij pas ceremonisë. “Me nder dhe përgjegjësi pranova vlerësimin me çmimin ‘Luani i Artë’, i akorduar nga Komiteti ‘Leone d’Oro’ i Venecias, në një ceremoni të zhvilluar në ambientet e Senatit të Republikës Italiane,” shkroi ai.

Në postimin e tij, Salla e cilësoi çmimin si simbol të punës së përbashkët në afrimin e Shqipërisë me familjen europiane, duke theksuar se çdo arritje merr kuptim vetëm kur përkthehet në më shumë standarde dhe rezultate për qytetarët. Ai e përshkroi vlerësimin edhe si dëshmi të miqësisë së fortë mes Italisë dhe Shqipërisë, një marrëdhënie e ndërtuar mbi respekt dhe lidhje të qëndrueshme njerëzore.

Në fund të mesazhit të publikuar në Facebook, ministri shprehu mirënjohje për familjen e tij për mbështetjen dhe përkushtimin e vazhdueshëm.

Skema Kombëtare 2025 / Ministri Salla: 6.4 miliardë lekë mbështetje për fermerët shqiptarë

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, përmes një postimi në rrjetet sociale, bëri të ditur se me aktin normativ të fundvitit mbështetja për fermerët përmes Skemës Kombëtare 2025 arrin në 6.4 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 20,8% krahasuar me një vit më parë. Me këtë akt normativ janë alokuar 2 miliardë lekë shtesë për Skemën Kombëtare, drejtpërdrejt në shërbim të fermerëve.

Sipas Ministrit Salla, kjo mbështetje e shtuar synon uljen e kostove të prodhimit dhe garantimin e vijimësisë së prodhimeve bujqësore dhe blegtorale Made in Albania. Ai theksoi se Skema Kombëtare mbetet një nga instrumentet kryesore të qeverisë për forcimin e prodhimit vendas dhe për mbështetjen konkrete të ekonomisë rurale.

Ministri Salla informoi se deri tani 65 mijë fermerë kanë përfituar nga Skema Kombëtare, ndërsa 49 800 prej tyre janë mbështetur me naftë në masën 100%. Sipas tij, akti normativ garanton pagesën e plotë për çdo fermer të kualifikuar brenda vitit buxhetor, duke siguruar korrektësi dhe transparencë në zbatimin e skemës.