Menu

produktet e bllokuara

Ekskluzive / Raporti i KLSH zbulon skandalet: Ushqimet e bllokuara nga AKU janë hedhur në treg?! Kontrolli nuk gjen dokumente asgjësimi

KLSH ka kryer një auditim nga data 5 janar 2021 deri në 5 mars 2021 në Drejtorinë Rajona1e të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Qarku Tiranë (DRAKU) për periudhën nga 1 janar 2018 deri 30 dhjetor 2020 mbi “Mbi funksionimin dhe veprimtarinë ekonomiko-financiare”. Kontrolli zbulon shkelje të mëdha të natyrës financiare, inspektime pa kriter që shkelin ligjin “Për ushqimin”, mungesën e standardeve në marrjen e mostrave dhe kryerjen e analizave si dhe vonesat në nxjerrjen e rezultatit. Raporti i Auditimit, të cilin Qendra “Alert” e disponon, nuk ka arritur të gjejë asnjë dokument asgjësimi të produkteve të bllokuara nga inspektorët.

Ku shkojnë ushqimet e sekuestruara në njësitë tregtare të Tiranës? Pas kësaj pyetje fshihet një skandal me pasoja për shëndetin e konsumatorit. Nuk janë pak, por 27,890 kg mish, 20,000 kg djathë, 20,525 kg yndyrë vegjetale, 9132 kg produkte të ndryshme si mocarella, briosh, djathra, 516 copë pasta Carmelloni, 3 raste të bllokimit të aktivitetit/linjës së prodhimit.

Problemi kryesor i bllokimit të djathit është prania e vajit të palmës, për të cilin ka patur ankesë nga konsumatorët.

Ndërkaq, KLSH konstaton një rast flagrant kur një sasi prej 20,525 kg yndyrë vegjetale, e shitur në treg si gjalpë, për të cilën është lënë detyrë tërheqja nga tregu. Sipas raportit, nuk administrohet informacion se çfarë është bërë me këtë sasi.

Po ka edhe raste të tilla, si ky i përmendur në raport: 4,242 litra vaj të cilat janë shitur, ndërkohë që analiza laboratorike e këtij produkti, e kryer më pas, ka dalë jashtë standardit. Ky vaj nuk u terhoq nga tregu. Pra,  produkti u konsumua nga qytetarët e Tiranës, edhe pse ishte jashtë standardit. I njëjti dokument konstaton se 587 kg yndyre vegjetale ishte shitur në treg si gjalpë.   

Ku ruhet mishi i sekuestruar? 

Nga auditimi i praktikave të inspektimit të produkteve me origjinë shtazore, në 12 raste është konstatuar se produkti mish, i cili u është konfiskuar subjekteve, të cilat kanë qenë në shkelje të ligjit, inspektorët e kanë dërguar në ambjentet e të tjera subjekteve private, si Balcan Zoo Fann sh.p.k., Kazazi sh.p.k. Këtu ka konflikt interesi, sepse këto subjekte jane vetë objekt inspektimi nga DRAKU Tiranë. “Ky veprim është kryer në tejkalim të kompetencave ligjore, pasi për kryerjen e tij, (pra mishin e konfiskuar ta dërgosh në ambjentet e një tjetër subjekti privat), nuk ka patur minimalisht as edhe një kontrate qiraje për dhomë/magazinë frigoriferike, ndermjet AKU dhe këtyre subjekteve, që të lejonte kryerjen e këtij akti”, thekson KLSH.

Raporti auditues rekomandon që DRAKU dhe DPAKU të blejnë dhoma frigoriferike ose t’i marrin me qira, me qëllim që produktet e bllokuara gjate inspektimit, që do të asgjësohen, të ruhen në këto ambjente. Audituesi shkon edhe më tej, duke kërkuar që shërbimi i ruajtjes së produkteve të bllokuara t’u tarifohet subjekteve, deri në momentin e asgjësimit.

KLSH këmbëngul në këtë procedurë pasi dyshohet se këto produkte futen sërish në treg.

Nuk ka dokumente që të tregojnë se produktet u asgjësuan

Nga auditimi i praktikavc të asgjësimit të  produkteve, të cilave u ka kaluar afati i përdorimit ose kanë qenë të dëmtuara dhe nuk mund të konsumohen, është konstatuar se në 59 raste, procedura është kryer në kundërshtim me ligjin “Për ushqimin”.

Në këto praktika nuk administrohen dokumentet, të cilat vërtetojne kryerjen e asgjësimit, si procesverbali, i cili nënshkruhet nga të gjithë pjesëmarrësit në procedurën e asgjësimit, dokumenti i transferimit te mbetjeve në Landfillin e Sharrës, fletëdalja e mallit për asgjësim nga magazina, foto të ngarkimit të produkteve në makinerinë e shkatërrimit dhe dërgimit në landfill.

Nga auditimi i praktikave të inspektimit (kryesisht atyre me ankesë/indicie), në të cilat sipas informacionit të pasqyruar në procesverbalet e inspektimit, është bërë bllokimi i produkteve ushqimore të ndryshme dhe linjës së prodhimit, është gjetur se në 35 raste nuk dokumentohet me shenjat dalluese.

Sipas KLSH, inspektorët e AKU duhet që të pajisen me shenjat dalluese të bllokimit (shiritat ngjitës për bllokimin e produkteve, plumçe per bllokimin e  aktivitetit/linjes se  prodhimit.

Qendra ALERT / Alert.al

vijon….