Menu

Raporti i KLSH

EKSKLUZIVE/ Raporti i KLSH 2018-2020: Abuzimi i AKU, qytetarët fotografojnë mungesën e etiketave, inspektorët mbyllin kontrollin pa prova

DRAKU Tiranë, në të shumtën e rasteve i hedh në kosh indiciet e qytetarëve për ushqimet e skaduara apo për mungesën e etiketave në gjuhën shqipe. Kontrolli i KLSH* zbulon se është vepruar me 2 standarde lidhur me inspektimet në të njëjtën periudhë dhe me objekt te njëjtë “me indice të veçanta nga konsumatorët, rrjetet sociale dhe mediat etj.”

Grupi i auditimit ka kontrolluar praktikat e inspektimit, bazuar në e-mailin e datë 26 maj 2020 nga drejtoria e AKU  “për mos etiketim në gjuhën shqipe të produkteve nga subjektet e poshtëshënuara”.

Kështu, inspektorët, për disa subjekte kanë sjellë prova me foto të qarta, ndërsa të tjerat nuk i kanë ilustruar me fakte me foto, që ishte e domosdoshme për sqarimin sa më mirë të ankesave.

Dosje të rregullta

Dosja e inspektimit datë 26 maj 2020, në një Market ushqimor në  Kamzë është një nga dosjet e pakta të rregullta. Ka indicie për mos etiketim dhe rezulton se inspektorët kanë kryer veprimet sipas procedurave duke e kompletuar dosjen edhe me dokumente provë, si foto të qarta të ambienteve dhe produkteve të subjektit. Madje në këto foto, edhe skadenca është e lexueshme.

Po kështu është vepruar tek një njësi tjetër në të njëjtën datë, ku nuk janë konstatuar shkelje dhe dosja disponon dokumente prove me fakte të ilustruara me foto.

Dosje të parregullta

Dosja e inspektimit datë 26 maj 2020, në një Market ushqimor në Tiranë: Kontrolli ushtrohet pasi ka indicie për mungesë të etiketimit në gjuhën shqipe të produkteve ushqimore. Rezulton se inspektorët kanë kryer verifikimin sipas procesverbalit dhe vendimit përfundimtar datë 26 maj 2020, ku nuk kanë konstatuar shkeljen e ankimuar. Por nuk disponojnë dokumente shoqëruese me fakte të ilustruara me foto, siç është vepruar me subjektet më sipër.

Po kështu është vepruar në dy kontrolle të tjera në të njëjtën ditë, ku nuk janë gjetur shkelje dhe dosja nuk disponon dokumente provë me fakte të ilustruara me foto.

Një një rast tjetër, ku ka pasur indicie nga qytetarët për pijen energjike Redbull për mungesë të etiketës në gjuhën shqipe, inspektorët shkruajnë se nuk janë konstatuar shkelje. Ata raportojnë se ka kundër etiketa në gjuhën shqipe për artikullin Redbull, por megjithatë dosja nuk disponon dokumente provë, me fakte të ilustruara me foto.

Rasti më i keq është kur inspektorët nuk i ndjekin indiciet e qytetarëve duke raportuar thjesht “është mbyllur”. Kështu është vepruar me dy subjekte ku nuk është kryer inspektimi për mos etiketim të produkteve, pasi subjekti, sipas tyre, u gjend “i mbyllur”. Ky fakt, sipas KLSH: Nuk vërtetohen me dokumente provë ose foto

Qytetarët denoncojnë me foto, inspektorët përgjigjen pa prova

Në dosjen e inspektimit datë 17 dhjetor 2020, në një subjekt që tregton ushqime në rrugën “Siri Kodra”, Tiranë, rezulton se: inspektorët nuk kanë konstatuar mos etiketim në gjuhën shqipe të artikujve pije joalkoolike, por nuk e kanë justifikuar me foto.

Por vini re, qytetari që ka denoncuar, e ka shoqëruar me foto ankesën për këtë subjekt. Pra, inspektimi nuk është i besueshëm dhe të lë të dyshosh se është favorizuar subjekti për të cilin ka indicie.

Inspektorët nuk e ndjekin denoncimin

E dyshimtë është edhe sosja e inspektimit datë 26 maj 2020, tek një subjekt në Paskuqan, me objekt “me indicie të veçanta nga konsumatorët, rrjetet sociale dhe mediar etj.”. Sipas kësaj praktike rezulton se: Inspektorët nuk kanë trajtuar shkeljen e ankimuar indice për mos etiketim në gjuhen shqipe dhe nuk bëhet fjalë për foto. Kështu kanë vepruar edhe në inspektimin datë 22 maj 2019 në një subjekt në Laknas.

Ndryshe janë sjellë në inspektimin e një subjekti më datë 11 nëntor 2020, ku kanë trajtuar shkeljen, kanë bërë foto të qarta e të lexueshme për çdo ushqim të skaduar (të pasigurt) si dhe kanë bashkëngjitur dokumentacionin shoqërues. Pra, kemi aplikim me 2 standarde të ndjekjes së indicieve të qytetarëve dhe shpesh nuk ndiqen këto denoncime.

*KLSH ka kryer një kontroll në Drejtorinë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Tiranë (DRAKU) për periudhën nga data 1 janar 2018 deri 30 dhjetor 2020. Nga kontrolli rezultojnë shkelje të rënda financiare, të Ligjit për ushqimin dhe vendimeve të qeverisë për kontrollin e cilësisë së produkteve ushqimore, duke mos mbrojtur interesin e konsumatorit.

Qendra Alert

alert.al/

EKSKLUZIVE/ Raporti i KLSH: Abuzimi me karburantin, 1 makinë e DRAKU-së bën 414 km në ditë në Tiranë, u dyfishua konsumi brenda vitit

Abuzimi me konsumin e karburantit të makinave është “korrupsioni i vogël” që ndodh rëndom në çdo institucion, por tek DRAKU ka një rritje eksponenciale. A e dini se DRAKU çdo vit e rrit me 150 % konsumin e naftës, ndërsa numri i makinave është i njëjtë?

KLSH në auditimin e bërë për tre vitet e fundit në DRAKU*, zbulon se konsumi i karburantit, nga 1200 litra në vitin 2018, arriti në 4170 litra në vitin 2020!

Rritja e konsumit të karburantit

Blerja e karburantit është kryer nga AKU Qendër, ndërsa sipas planit dhe nevojave, është shpërndarë në drejtoritë rajonale. Sipas të dhënave të akt-rakordimeve të karburantit të magazinieres X, rezulton se: në vitin 2018 institucioni kishte 1 mjet Land Rover Defender me targa AA720NS, ku janë bërë hyrje 1,200  litra dhe janë bërë dalje 1,084 litra. Diferenca gjendje 116 litra naftë ka kaluar dhe përdorur në vitin 2019.

Një vit më pas, institucioni kishte në përdorim 7 automjete të reja dhe 1 furgon, ku janë bërë hyrje 2,660  litra naftë dhe janë bërë dalje 2,630 litra. Diferenca  gjendje 146 litra nafte ka kaluar dhe është përdorur në vitin pasardhës.

Bumi i harxhimit të karburantit ka ndodhur në vitin 2020. Institucioni kishte në përdorim 8 automjete, pra po aq sa një vit më parë, por janë bërë hyrje 4,170 litra naftë dhe janë bërë dalje 4,166 litra karburant. Tepruan vetëm 150 litra naftë.

Rritja e konsumit të karburantit për të njëjtin numër mjetesh dhe përfafërsisht të njëjtin volum pune të inspektorëve, nuk ka nevojë për koment.

414 km brenda Tiranës një makinë për një ditë!    

DRAKU Tiranë ka hartuar dhe miratuar me komision normativat e konsumit të karburantit për automjetet e veta, sipas aktit teknik nr.3114/6  datë 11.03.2019.      – Janë mbajtur procesverbale të shoqëruara me autorizimet e inspektimit për justifikimin e karburantit të përdorur sipas automjeteve dhe inspektorëve.

Nga auditimi i dokumentacionit të karburantit, KLSH konstaton se: Në fletë-udhëtimet ose përmbledhëset sipas muajve e datave përkatëse, pasqyrohen km e kryera në mënyrë të pasaktë, pasi shtohen km në distancat e linjave  brenda qytetit Tiranë dhe jashtë saj, duke mos u mbështetur në tabelën e miratuar nga DPSHTRR, konkretisht:

– 414 km Tiranë-Tiranë për datën 02.09.2019 me makinën AA937VV,  ku për çdo ditë, maksimumi kryhen 2 inspektime me nga gjysmë dite punë.

-129 km Tiranë-Tiranë për datën 29.11.2019 me makinën AA872VV, ku për çdo ditë maksimumi kryhen 2 inspektime me nga gjysmë dite.

-141 km Tiranë-Kavajë-Tiranë, date 05.11.2019, makina AA912VV, ku për çdo ditë, maksimumi kryhen 2 inspektime me nga gjysmë ditë.

-133 km Tiranë-Kavajë-Tiranë, datë 19.11.2019,  makina AA912VV, ku distanca Tiranë-Kavajë është 50 km (vajtje ardhje 100 km),

-102 km DRAK.U- Njësia 2 dhe 5 Tiranë, datë 12.12.2019, makina AA912VV,

– 960 km Tiranë-Tiranë, muaji korrik 2020, makina TR 3226L.

Dokumentet shkel e shko

Fletëdaljet e naftës paraqiten në disa raste të parregullta,  pasi nuk janë të lexueshme, kanë korrigjime dhe shtesa, mungesë nënshkrimi nga marrësi, mungese urdhër-dalje nga titullari etj.

KLSH rendit në raport disa nga këto fatura me korrigjime. “Fletë dalja nr.163, datë 13.08.2019 për 212 litra naftë nuk ka nënshkrimin e marrësit. Fletë-dalja nr.133, datë  28.06.2019 për 30 litra nafte nuk ka nënshkrimin e marrësit; fletë dalja nr.188 datë 01.10.2019 për 297 litra naftë ka korrigjime në sasi (nga 197, bërë 297 litra) dhe në vlerë. Fletë dalja nr. 268, datë 20.12.2019 për 50 dhe 44 litra naftë ka korrigjime në sasi (nga 40 dhe 30, bërë 50 dhe 44 litra).

Fletë dalja nr. 112, datë 30.06.2019 ka shtesë për 100 litra naftë dhe korrigjime”. Sa sipër, vazhdon raporti i KLSH, evidentimi i lëvizjes, menaxhimit dhe konsumit të karburantit mbi bazën e një dokumentacioni mbështetës të parregullt, të paplotë dhe të paqartë si dhe të pambështetur në dokumente të tjera vërtetuese dhe plotësuese për harxhimin e karburantit si dhe mos argumentimi i rritjes së konsumit  të karburantit është në kundërshtim me: ligjin nr. 10296 date 8.7.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”.

Tender për transportin e reagentëve dhe perdeve

Sikur të mos mjaftonte abuzimi me karburantin e makinave, DRAKU paguan transport me makina të marra me tender. Më poshtë është shembulli kur DRAKU paguan 720 mijë lekë për të transportuar një raft dhe disa arka me reagent nga Siri Kodra tek DRAKU në rrugën “Hamdi Pepa”.

Sipas urdhër shpenzimit datë 24.07.2019, DRAKU  Tiranë ka likuiduar me procedurë prokurimi me vlera të vogla subjektin Y, në vlerën 72,000 lekë të reja, shpenzime transporti për 4 rrugë, për materiale e reagentë 510 kg, 1 raft, ambalazhe, bombola gazi, perde, abazhur, në linjën Siri Kodra deri tek DRAKU Tiranë,  rruga Hamdi Pepa.

Thuhet se materialet u transportuan me 4 rrugë, por nuk citohet lloji i automjetit dhe targa e tij në asnjë dokument të kësaj praktike.

“Fatura e subjektit nr.  60597242,  datë  03.07.2019  është e parregullt, pasi nuk të plotë përshkrimin e mallit, nuk është pasqyruar sasia dhe çmimi pa TVSH, mungon nënshkrimi i transportuesit dhe linja e përshkruar, mungon pasqyrimi i lloji të automjetit dhe targa e tij”, përshkruan raporti i KLSH këtë dokument.

Por, KLSH zbulon edhe një falsifikim në këtë transaksion.

“Fatura nr. 60597242, date 03.07.2019 nuk është e formatit tatimor, sepse shifrat e serive të kopjes së parë të faturës janë me ngjyre blu, në vend që të jenë të kuqe siç janë standardet.

Në këto kushte nga mos lëshimi nga OE i kësaj fature tatimore të regjistruar për shërbime të kryera, ka krijuar evazion fiskal. Blerja e shërbimeve nga furnitori me këtë lloj fature është e kundërligjshme. Për këtë faturë të parregullt nuk është  aplikuar gjoba mbi vlerën e saj si masë dënimi për krijimin e evazionit fiskal nga fumizuesit. Vlera e evazionit fiskal është 12,000 lekë të reja”, raportin KLSH.

Nga ana tjetër, nuk ka arsyetim ligjor mbi pagesën 72,000 lekë. “Kryerja e shërbimit të transportit në mënyre të ndarë (4 rrugë dhe jo vetëm 1, me qëllim uljen e kostos së shërbimit të transportit dhe respektuar parimin e ekonomicitetit) me nga 18,000 lekë/rruga, pasi nuk e justifikon ngarkesa prej 510 kg e cila është e vogël, edhe për një rrugë si dhe nuk justifikohet me këtë distance të shkurtër nga rruga “Siri Kodra” deri tek rruga “Hamdi Pepa”, nënvizon raporti i KLSH. Shpenzimi për qiramarrje mjeti transporti prej 72,000 lekë ka qene jo efektiv, jo i argumentuar dhe i pa nevojshëm, pasi DRAKU Tiranë disponon 10 automjete e veta. “Kjo do të thotë se janë shpenzuar 72,000 lekë, ndërkohë që ky shpenzim mund të ishte shmangur nga DRAKU Tirane, duke e kryer transportin me mjetet e veta”, konkludon KLSH.

Por, jo vetëm kaq, dokumentacioni i kësaj praktike pagese paraqet mangësi. “Procesverbali datë 03.07.2019 i komisionit  (krijuar sipas  urdhrit të drejtorit datë 03.07.2019 dhe tre punonjësve) nuk përcakton llojin dhe targën e automjetit si dhe kilometrat e pershkuara”, shkruhet më tej në këtë raport.

Perfundimisht, nuk ka pasur as konkurrencë ky shpenzim transporti dhe nuk është realizuar qëllimi i prokurimit, sepse ka fituar subjekti me vlerën e barabartë me fondin limit, madje dhe i paargumentuar ky fond.

Pangopësia e disa nëpunësve të këtij institucioni i ka çuar ata të abuzojnë edhe në një rast të tillë flagrant. Megjithëse është një rast qesharak për nga mënyra e realizimit dhe vlera, abuzimi me këto 720 mijë lekë, i përmbush elementët e kryerjes së disa veprave penale si “shpërdorim i detyrës”, “evazion fiskal”, “falsifikim dokumentesh”. (vijon)

KLSH ka kryer një  konktroll në Drejtorinë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Tiranë (DRAKU) për periudhën nga data 1 janar 2018 deri 30 dhjetor 2020. Nga kontrolli rezultojnë shkelje të rënda financiare, të Ligjit për ushqimin dhe vendimeve të qeverisë për kontrollin e cilësisë së produkteve ushqimore, duke mos mbrojtur interesin e konsumatorit.

 

Qendra Alert

alert.al/        

EKSKLUZIVE/ Raporti i KLSH: Morën gjoba nga DRAKU, vetëm 1 në 10 pagoi, një pjesë i shfuqizoi AKU

Drejtoria rajonale DRAKU nuk mbledh as 10% të gjobave që vendosin, madje një pjesë të

konsiderueshme i shfuqizojnë vetë. Pra, nëse tregton ushqime të rrezikshme për shëndetin e konsumatorit dhe kapet në shkelje, risku për tregtarin është i vlogël, si pasojë e mungesës së ndëshkimit.

Auditimi i kryer nga KLSH, raportin e të cilit, Qendra Alert* e diponon, zbulon se niveli i arkëtimit të këtyre gjobave është fare i papërfillshëm.

Kështu, për vitin 2018 janë vendosur 380 gjoba në vlerën 91,100,000 lekë, nga të cilat janë shfuqizuar 800,000 lekë, pra detyrimi është 90,300,000 lekë. Nga këto janë arkëtuar vetëm 51 gjoba në vlerën 6,934,000 lekë, ose rreth 8% të totalit të tyre.

Për vitin 2019 niveli i arkëtimit është skandaloz. Janë vendosur 193 gjoba në vlerën 131,920,000 lekë, nga të cilat është shfuqizuar 1 gjobë në vlerën 1,000,000 lekë, pra detyrimi është 130,920,000 lekë. Nga këto janë arkëtuar vetëm 12 gjoba në vlerën 1,840,000 lekë, ose 1.3%.

Ndërkaq, vitin 2020 janë vendosur 76 gjoba. Pra shumë më pak se viti paraardhës, megjithatë në vlerë ato mbeten përafërsisht sa viti i kaluar, 13,280,000 lekë. Nga këto janë shfuqizuar 1,700,000 lekë, pra detyrimi është 11,580,000 lekë. Arkëtimi si numër gjobash vijon të jetë më i ulët se viti parardhës. Janë arkëtuar vetëm 12 gjoba në vlerën 1,170,000 lekë, ose 10% e totalit të arkëtueshëm.

Pra, sa më sipër, rezulton se niveli i arkëtimit të gjobave të vendosura brenda vitit ushtrimor, është shumë i ulët.  Sipas raportit të auditimit “kjo tregon për mungesë efektiviteti të DRAKU-së Tiranë si dhe të DPAKU, në marrjen e masave për ekzekutimin e gjobave të vendosura”. (Vijon)

* KLSH ka kryer një  konktroll në Drejtorinë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Tiranë (DRAKU) për periudhën nga data 1 janar 2018 deri 30 dhjetor 2020. Nga kontrolli rezultojnë shkelje të rënda financiare, të Ligjit për ushqimin dhe vendimeve të qeverisë për kontrollin e cilësisë së produkteve ushqimore, duke mos mbrojtur interesin e konsumatorit.

Qendra Alert

alert.al/

EKSKLUZIVE/ Raporti i KLSH: Në treg 45 ton djathë pice dhe gjalpë fals nga Polonia, AKU nuk i dëgjon denoncimet

DRAKU jo vetëm që e favorizonte një kompani importi të sillte ushqime false nga Polonia, por edhe e garantonte t’i shiste në tregun shqiptar pa u shqetësuar. Djathë pice fals me etiketën Le Guedete dhe Friendship Butler, që vetëm gjalp nuk ishte. Dhe u shitën të paktën 45 mijë kg nga këto produkte. Kompania e pangopur jo vetëm që mashtronte me etiketat, por i shiste edhe përtej afatit të skandencës.

Mekanizmi korruptiv i DRAKU-t me këtë kompani është zbuluar hap pas hapi nga grupi i auditimit të KLSH. Qendra Alert disponon raportin e auditimit të kryer në Drejtorinë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Tiranë (DRAKU) për periudhën nga data 1 janar 2018 deri 30 dhjetor 2020. Nga kontrolli rezultojnë shkelje të rënda financiare, të Ligjit për ushqimin dhe vendimeve të qeverisë për kontrollin e cilësisë së produkteve ushqimore, duke mos mbrojtur interesin e konsumatorit.

Djathë pice fals me etiketën “Le Guedete”

Ky është rasti se si AKU tallet me denoncimet e qytetarëve për produktet ushqimore false. Pasi morën indicien DRAKU autorizoi inspektimin e subjektit G. Me bazë në tiranë dhe aktivitet: “Tregtimi me shumicë dhe pakicë të artikujve ushqimorë, eksport-import i mallrave, etj.”

Sipas Procesverbalit të inspektimit nr.AKU-TR-2018-002811-2, date 06.06.2018, pasqyrohet se është marrë moster për analizë laboratorike nga produkti djathë pice “Le guedete” në sasinë 2 shufra.

Gjithashtu pasqyrohet informacioni se u krye inspektimi, ku rezultoi se subjekti importon dhe tregton produkte të  ambalazhuara, të cilat “ruhen në kushte të përshtatshme frigoriferike me temperatura të monitoruara. Subjekti disponon dokumentacionin përkatës për produktet si dhe sistemin e gjurmueshmërisë. Gjate inspektimit nuk u konstatuan shkelje të kërkesave ligjore”.

Nuk kryhet asnjë analizë për djathin

Në Fletë-shoqërimin e mostrës për në laboratorin e ISUV, me nr.2381, pasqyrohet sasia prej 2 shufra/3.044 kg secila, ose 6.088 kg në total, për analizë të shtesave bimore të produktit djathë.

Po ashtu pasqyrohet refuzimi i pranimit të saj nga laboratori, për arsye se nuk përputhct me kritërët tcknike të kampionëve.

Më tej, vendimi përfundimtar i inspektimit nr.AKU-TR-2018-002811-5, datë  06.06.2018, nuk përfshin asnjë shkelje dhe masë administrative.

Nga shqyrtimi i praktikës së mësiperme, KLSH konstaton se: mostra e produktit djathë ngeli pa u analizuar dhe indicia e ngritur për këtë produkt nuk u shqyrtua deri në fund, pasi edhe pas refuzimit të analizës laboratorike të mostrës, nuk u mor mostra e re.

Theksojmë këtu se ky subjekt është furnizuar me një sasi të konsiderueshme me djathin Le guedete, pra rreth

20 mijë kg, në dy furnizime në daten 03.02.2018, dhe e ka shitur thuajse të gjithe sasinë në rreth 200 subjekte të tjera (përjashtuar 63 kg, te cilat i kishte gjendje);

Gjithashtu, KLSH konstaton se ankesa ka ardhur për një produkt me origjinë shtazore, ndërkohë autorizohen të bëjnë inspektimin dy inspektorë të sektorit të produkteve me origjinë jo shtazore;

Po ashtu, certifikatat e sigurisë së produktit djathë Le guedete, bashkëlidhur praktikës së importit, janë në gjuhën polake dhe jo në gjuhën shqipe, një detyrim i përcaktuar në nenin 18 të Ligjit të ushqimit, dhe ky fakt nuk duhet të anashkalohej nga inspektorët që kanë bërë inspektimin pranë këtij subjekti, të cilët duhet të kishin marrë masë administrative (minimalisht në vlerën 1,000,000 lekë, por që nuk e kanë bërë), por edhe nga inspektorët e pikës kufitare, prej nga ka hyrë produkti ushqimor.

Sipas raportit të KLSH, sistemi i gjurmueshmërisë nuk është kontrolluar plotësisht, pasi subjekti me produktin djathë Le guedete është furnizuar edhe me datë 27.11.2018 sipas deklaratës së importit R 108687 me datë skadence 01.08.2018, dhe në datën 06.06.2018 që është kryer inspektimi, subjekti ka pasur gjendje nga ky produkt, konfirmuar kjo nga kërkesa e bërë nga subjekti G. me datë 24.10.2018 në DRAKU Tiranë për asgjësimin e disa produkteve ushqimore, pjesë e të cilës është edhe produkti Le guedete me 3 data skadence: 01.08.2018; 09.10.2018 dhe 13.10.2018, ku vetëm per dy datat 09.10.2018; 13.10.2018, inspektorët kanë pasqyruar sistemin e gjurmueshmërisë.

Sa më sipër, grupi i auditimit arrin ne konkluzionin se si pasojë e mosvperimeve të titullarëve dhe të inspektorëve të DRAKU Tiranë, në këtë rast nuk është garantuar siguria dhe cilësia e produktit ushqimor.

Produktet e skaduara nuk asgjësohen

Pak më pas, në inspektimin e subjektit G, nga data 09.11.2018 në datën 12.11.2018, u gjendën produkte me afat skadimi të kaluar, në sasinë 9,110 kg, të cilat mbahen në ambjent të veçantë dhe bashkëngjitur tyre ishte lista me të gjithe produktet, me shënimin për t’u asgjësuar. Subjekti G. me datë 24.10.2018 ka bërë  njoftim në  DRAKU për kryerjen e asgjësimit të tyre, por procedura  nuk është kryer se mungonin inspektorë e mjedisit.

Në praktikën e mësipërmë KLSH konstaton se:

Nga  inspektorët nuk është dokumentuar asnjë veprim,  dokumentacion, mjet, produkt i inspektuar; Nuk ka asnjë foto të produkteve të cilat janë për t’u asgjësuar apo verifikim të sasisë fizike të tyre në krahasim me listën e produkteve që ka nxjerrë jashtë përdorimit subjekti, me qëllim asgjësimin e tyre; Po ashtu, nga inspektorët nuk është dhënë asnjë masë administrative gjobë, për shkeljet të cilat kanë konstatuar, pasi mospërditësimi i temperaturave të mjeteve të transportit, me të cilat kryhet shpërndarja e produkteve ushqimore me origjinë shtazore dhe jo shtazore, është mosrespektim i kushteve të ruajtjes së zinxhirit ftohës në të gjitha fazat (prodhim, paketim, transportim, vendosje në treg të produkteve ushqimore), dhe për këtë shkelje Ligji i ushqimit si dhe aktet nenligjore në zbatim te tij parashikon dënim administrativ.

-Gjithashtu nga inspektorët nuk është marrë asnjë masë me qëllim bllokimin e produkteve që do të asgjësohen, me shenja dalluese, dhe vendosjen e afatit konkret për asgjësimin e tyre. Pavarësisht se subjekti i ka veçuar ato, inspektorët kanë detyrimin ligjor që produktet të cilat janë dëmtuar ose u ka kaluar afati i skadimit, të bëjnë bllokimin e tyre.

Komendia e DRAKU-t vazhdon 10 ditë më pas në subjektin G me vendndodhje Blloku i magazinave frigoriferike në rrugën dytësore, pranë urës së Limuthit. Në procesverbalin e inspektimit pasqyrohet se: Asgjësimi i produkteve nuk u krye, për arsye se produktet nuk ishin të ndara sipas llojit te tyre.

“Përsëri vazhdon që të lihet në dëshirë të subjektit asgjësimi produkteve dhe jo të vendoset detyrimi për asgjësimin e tyre brenda afatit të caktuar, për më tepër kur një nga inspektorët, ka qenë pjesë edhe e inspektimit të mëparshëm, në të cilin janë shprehur se produktet që do të asgjësohen jane grupuar dhe ndarë veç produkteve të tjera”, konstaton KLSH.

“Gjithashtu, -vazhdon raporti,- në këtë inspektim nuk ka asnjë foto për të dokumentuar mënyrën se si ishin grupuar produktet që do të asgjësohen, dhe nëse janë përsëri ato produkte, për të cilat është bërë kërkesa për asgjësimin e tyre”.

Megjithatë KLSH tregohehet e butë në konkluzione, ku raporti përdor termin favorizim, në vend të “shpërdorim detyre”. Dhe të mbajmë parasysh se këto veprime dhe mosveprime cenojnë direkt shëndetin e konsumatorit.

“Nga sa më siper, grupi i auditimit arrin ne konkluzionin se ky subjekt është favorizuar nga inspektorët dhe kryeinspektorët e DRAKU Tiranë, të  cilët kanë lënë në dëshirë të subjektit asgjësimin e produkteve ushqimore, duke mos garantuar sigurinë e konsumatorit për këto ushqime, pasi në çdo moment subjekti mund t’i  ripaketojë ato produkte që janë të dëmtuara dhe mund t’i tregtojë”, konkludon raporti i auditimit.

Si e ndryshoi DRAKU vendimin për gjalpin fals dhe të skaduar

Në inspektimin e subjektit G., Rruga 3 Dëshmorët, Magazina nr.52, kati i parë, 05.06.2019, del se u gjendën produkte të cilave u kishte kaluar afati i përdorimit brenda vitit 2016, 2017, 2018, por edhe brenda vitit 2019.

Këto produkte subjekti nuk i kishte përfshirë në listën e produkteve që kishte dërguar në DRAKU me datë 24.10.2018 me shkresen nr.3172 prot., dhe ajo që është më e rëndësishme, ky fakt nuk është permendur në asnjë rast në dy inspektimet e mëparshme  (të datave 09.11.2018  dhe 19.11.2018, të kryer në këtë subjekt për procedurën e asgjësimit).

Ndaj subjektit G. për shkeljen e kërkesave ligjore u vendosën 7 gjoba në vlerën 5,200,000 lekë (2,000,000 leke për licencën + 100,000 lekë për etiketimin + 200,000 lekë për gjurmueshmërinë + 2,000,000 lekë për importin

200,000 lekë për planin HACCP + 500,000 lekë për nxjerrjen në treg të ushqimeve të pasigurta +200,000 lekë për përgjegjesitë e operatorit).

Vendimi i ndërmjetëm i inspektimit nr.AKU-TR-2019-003318-4, date 05.06.2019, ku është bërë ndalimi i ushtrimit të aktivitetit për arsye të mungesës së licencës në këtë vendndodhje, trajton edhe një sasi gjalpi fals nga Polonia.

Sipas vendimit, bëhet bllokimi i sasisë 425 kg të produktit Friendship Butler, si dhe sasia prej 20,525 kg që subjekti ka shitur nga ky produkt të tërhiqet nga tregu brenda datës 07.06.2019

Nga grupi i auditimit i KLSH, në praktikën e mësipërme konstatohet se kjo vendimmarrje e grupit të inspektimit nuk është plotë dhe e saktë.

“Për bllokimin e produktit Friendship Butler nuk është zbatuar siç duhet ligji, produkti bllokohet dhe administrohet në ambjentet e institucionit që ka konstatuar kundërvajtjen administrative. Veprim i cili nuk është bërë, sepse produkti është lënë në ambjentet e subjektit; Nuk janë vendosur shenjat dalluese të bllokimit të produkteve dhe ndalimit të ushtrimit të aktivitetit, çka e bënë të parealizuar plotësisht masën administrative të inspektorëve, dhe nuk garantohet, nëse subjekti do të tregtojë nga ky produkt apo jo”, thekson raporti i KLSH.

Gjithashtu nuk janë vendosur shenjat dalluese të ndalimit të ushtrimit të aktivitetit, çka nënkupton mbyllje të  subjektit, vendosja e shiritave në hyrje të subjektit dhe  ndalimi i hyrjes së personave të paautorizuar;

Por ka edhe një kleçkë tjetër në këtë inspektim, që e ka zbuluar auditimi nga KLSH, që do ta lejojë subjektin të shesë i qetë “gjalpin” e sjellë nga Polonia.

“Nga masa e marrë në  vendimin e ndërmjetëm në  krahasim me vendimin përfundimtar të inspektimit, lidhur me produktin Friendship Butler, ka ndryshim të saj, pasi në vendimin e ndermjetëm jepet masa e bllokimit dhe tërheqja e këtij produkti, ndërsa në vendimin përfundimtar është lënë detyrimi për tërheqjen nga tregu dhe rietiketimin e tij. Në gjykimin e grupit të auditimit është e pabazuar në ligj, pra në asnjë percaktim në Ligjin e ushqimit si dhe në VKM nr.1344, date 10.10.2008 nuk thuhet se në rastet kur etiketa përmban informacion të gabuar, ajo duhet  te rietiketohet,  dhe veprimi  i inspektoreve  në këtë rast nënkupton që, gabimi i subjektit (mashtrimi  duke  pasqyruar  informacion  jo të vërtetë për produktin)  eshte toleruar”, nënëvizon raporti i KLSH.

Sipas ligjit, ky produkt  ushqimor duhet te hiqet nga tregu, te bllokohet dhe të asgjesohet, dhe jo te rietiketohet. Për më teper kur subjekti nuk ka sistemin e gjurmueshmërisë  për këtë produkt, edhe tërhegjen e tij nga tregu s’ka se si ta bëjë kur ai nuk e di se ku e ka shitur këtë sasi.

Pra, në këtë rast kemi të bëjmë me një ushqim të pasigurt, referuar shkeljeve mbi kushtet e ruajtjes, informacionin, certifikaten e analizës, dhe në këto kushte duhej të bllokohej, të merrej në administrim nga inspektorët dhe të ruhej në ambjentet e institucionit, si dhe të lihej detyrimi që ky produkt të asgjësohet brenda një afati të caktuar.

Gjithashtu, konstatohet se gjoba e vendosur nuk është arkëtuar akoma, si dhe ankimi i bërë nga subjekti më datë 25.06.2019, nuk  është shqyrtuar nga komisioni i ngritur në Ministrinë e Bujqësisë. Sipas KLSH-së më këto sjellje, nga inspektori deri tek Ministria, është krijuar efekt negativ financiar në buxhetin e shtetit në vlerën 5,200,000 lekë.

Grupi i auditimit i KLSH, pas shqyrtimit të veprimeve dhe mosveprimeve të inspektorëve, gjykon dhe arrin në konkluzionin se, ky subjekt është favoriznar në këtë drejtim, dhe nuk është garantuar siguria dhe cilesia e ushqimit, si dhe nuk janë mbrojtur interesat e konsumatorit. Edhe pas rietiketimit, Friendship Butler është i pasigurt dhe jo cilesor, referuar konstatimeve të bëra nga vetë inspektorët e DRAKU-t.

Qendra Alert

alert.al/