Menu

Shqiperi-Kosove

Takim mes AKU dhe AUV për standardet evropiane të sigurisë ushqimore

Kosova dhe Shqipëria kanë dakordësuar masa të reja për lehtësimin e tregtisë ushqimore dhe harmonizimin e procedurave të kontrollit, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian. Marrëveshja u arrit gjatë takimit në Prishtinë mes Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, Bekim Hoxha, dhe Drejtoreshës së Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit të Shqipërisë, Blerina Gjylameti.

Në qendër të diskutimeve ishin reduktimi i barrierave administrative mes dy vendeve, harmonizimi i certifikatave sipas modeleve më të fundit të BE-së, koordinimi për trajtimin e njoftimeve RASFF, si dhe bashkëpunimi për njohjen reciproke të analizave laboratorike dhe produkteve që rieksportohen mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Drejtori i AUV-së, Bekim Hoxha, vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm mes dy institucioneve në fushën e kontrollit ushqimor, duke theksuar se lehtësimi i procedurave për bizneset do të shkojë paralelisht me ruajtjen e standardeve të sigurisë për konsumatorët në të dy anët e kufirit. Ai bëri të ditur se Kosova ka arritur rreth 90% të procesit të digjitalizimit të shërbimeve dhe kontrolleve, në kuadër të reformave të orientuara sipas modeleve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Nga ana tjetër, Drejtoresha e AKU-së, Blerina Gjylameti, prezantoi reformën e thellë që po zbatohet në Shqipëri në fushën e sigurisë ushqimore, duke nisur nga ristrukturimi i mekanizmave shtetërorë dhe forcimi i trupave inspektuese, deri tek rritja e kapaciteteve laboratorike dhe monitorimi i gjithë zinxhirit ushqimor “nga ferma deri në tryezë”.

Gjylameti theksoi se përmbushja e standardeve të Kapitullit 12 për sigurinë ushqimore mbetet një nga prioritetet kryesore të Shqipërisë në procesin e integrimit europian. Sipas saj, puna po zhvillohet në disa drejtime njëkohësisht, duke përfshirë kontrollin në ferma, pikat kufitare, laboratorët, si dhe vetëkontrollin e bizneseve ushqimore sipas legjislacionit të BE-së.

Takimi vijoi edhe në nivel teknik, ku ekspertët e dy institucioneve diskutuan për harmonizimin e certifikatave aktuale dhe procedurat e reja të plotësimit të tyre nga inspektorët në terren, me synimin për të krijuar një sistem sa më të unifikuar kontrolli dhe monitorimi mes dy vendeve.

Autoritetet veterinare të Kosovës kthejnë në Shqipëri 510 krerë bagëti të futura ilegalisht

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës njofton se ka kthyer në Shqipëri një grup prej 485 deles dhe 25 qingjash, të cilat ishin futur ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës. Vendimi është marrë pas ndalimit të tufës më 16 nëntor 2025Prizren, gjatë një kontrolli të përbashkët të Policisë Kufitare, Doganes dhe Shërbimit Veterinar.

Sipas autoriteteve kosovare, kafshët e llojit dele dhe dhi kishin hyrë nga Shqipëria në mënyrë të paautorizuar dhe nuk posedonin certifikata shëndetësore veterinare, dokument i domosdoshëm për transport ndërkufitar. Mungesa e tyre paraqiste rrezik për përhapjen e sëmundjeve ngjitëse, ndaj Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë vendosi kthimin e menjëhershëm të kafshëve në vendin e origjinës.

AUV bën të ditur se veprimet janë kryer në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, Policinë Kufitare, Doganen dhe Prokurorinë e Shtetit, duke respektuar të gjitha procedurat veterinare dhe ligjore për raste të tilla.

 

Institucioni thekson se vijon monitorimin e rreptë të gjendjes shëndetësore të kafshëve dhe lëvizjeve brenda territorit, me qëllim parandalimin e futjes dhe përhapjes së sëmundjeve ngjitëse që mund të rrezikojnë fondin blegtoral dhe ekonominë bujqësore.

Po ashtu, AUV rikujton se importi i kafshëve të gjalla lejohet vetëm në pikat kufitare të autorizuara, ku zbatohen kontrollet e detyrueshme dokumentare, identifikuese dhe veterinare, për të garantuar sigurinë ushqimore, shëndetin e kafshëve dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

Elisabeta Katiaj: Investimet në Porto Romano dhe Logjistikë do të Nxisin Zhvillimin Ekonomik dhe Tregtinë Ndërkombëtare për Shqipërinë dhe Kosovën.

Në emisionin Alert, të moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, Elisabeta Katiaj, Nënkryetare e DHBDSH dhe Eksperte Kontabël, ka theksuar se Shqipëria është një vend që prodhon për disa nga markat më të mëdha botërore në industri si moda, por akoma nuk ka arritur të krijojë marka shqiptare që të hyjnë në tregun ndërkombëtar dhe të bëhen marka globale. Ajo theksoi rëndësinë e krijimit të brendeve shqiptare që mund të konkurronin në tregun e lirë dhe që të plotësonin standartet e tregut ndërkombëtar.

Katiaj theksoi se vitin 2024 për sektorët e ndërtimit dhe energjisë mund të konsiderohet si një cikël i suksesshëm dhe se zhvillimi i këtyre sektorëve do të vazhdojë edhe në vitin 2025. Ajo shpreson që investimi i shumëpritur në Porto Romano të bëhet fakt, i cili do të sjellë një zhvillim të qëndrueshëm për të paktën 10 vitet e ardhshme, jo vetëm në zonën përkatëse, por edhe në gjithë komunitetin dhe vlerën e zinxhirëve që do të ndikojnë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë.

Ajo gjithashtu theksoi se impakti i zhvillimit të investimeve ka filluar të ndihet, sidomos në sektorin e logjistikës, i cili do të kthejë Shqipërinë në një fokus të rëndësishëm për tregtinë ndërkombëtare. Sipas Katiaj, Shqipëria ka mundësinë të shfrytëzojë logjistikën dhe transitin për Ballkanin, duke u pozicionuar si një qendër e rëndësishme për transaksionet tregtare dhe investimet fizike.

Kosovë-Shqipëri, kontroll të përbashkët qendrave shëndetësore për pushuesit në plazhe

Inspektoriatet shtetërore të shëndetit të Shqipërisë dhe Kosovës po kontrollojnë qendrat shëndetësore dhe subjektet që ofrojnë shërbime në zona turistike në Shqipëri. Aktiviteti bashkëpunues vjen për herë të parë dhe synon, sipas dy inspektoriateve, për të siguruar shëndetin e qytetarëve të dy shteteve, gjatë sezonit turistik.

Kryeinspektori i Kosovës Dr. Shaban Osmanaj thotë për Zërin e Amerikës se veprimi përbashkët midis dy inspektoriateve shëndetësore shënon ngritjen në një nivel më të lartë të bashkëpunimit të nisur pas marrëveshjes së përbashkët, nënshkruar pesë vite më parë. Osmanaj thotë se inspektorët po kryejnë veprime konkrete në zonat turistike për të parë kushtet shëndetësore.

“Ky është qëllimi inspektimeve të përbashkëta, për të parë, për të shkëmbyer informacionin, si ofrohet shërbimi, në cfarë kushtesh. Ne këtë projekt e kemi paraqitur bashkarisht këtë vit me homologët shqiptarë për një sezon turistik të shëndetshëm”, tha Osmanaj.

Ndërsa Kryeinspektorja e Shërbimit Shtetëror shëndetësor në Shqipëri, Vjollca Braho thotë se të dy inspektoriatet kanë bartur një barrë të madhe të përgjegjësive në menaxhimin e situatës me COVID-19. Sipas saj ato kanë mundësi të ndihmojnë njëra tjetrën me përvojën e krijuar.

“Ne po vijmë nga një përvojë e vështirë që ka kaluar Shqipëria, Kosova dhe mbarë bota. Ne kemi qenë institucioni që kemi zbatuar të gjitha protokollet të miratuara për pandeminë e coronavirusit nga Ministria e Shëndetësisë dhe aktet normative të qeverisë shqiptare për të gjitha subjektet që kryejnë shërbime në Shqipëri. Tani jemi në një periudhë kur një pjesë e protokolleve janë lehtësuar, por vëmendja e dy inspektoriateve duhet të jetë e qëndrueshme, sidomos ndaj varianteve të reja të coronavirusit”, tha Braho.

Braho thotë se qendra shëndetësore të reja janë hapur këtë vit në zonat turistike për të qenë në gatishmëri të ndihmës mjekësore.

“Për sezonin turistik nga Ministria e Shëndetësisë janë hapur këtë vit 29 qendra të reja shëndetësore gjatë gjithë vijës bregdetare për të qenë sa më afër pushuesve. Përveç qendrave ekzistuese ky shtim është për të pasur një sezon sa më të shëndetshëm dhe të sigurt për gjithë pushuesit që do vijnë në Shqipëri”, shprehet ajo.

Trupat e inspektimit vlerësojnë se masat për situatën e pandemisë së coronavirusit, ndonëse të lehtësuara, kërkojnë vëmendje të vazhdueshme ndaj varianteve të reja. Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka konfirmuar rastet e para me variantin “Delta” të coronavirusit.

Gjatë situatës së pandemisë dhe gjysmës së parë të këtij viti turistët nga Kosova zunë pjesën kryesore të pushuesve, nga jashtë vendit, në Shqipëri. Sipas Institutit shqiptar të Statistikave vetëm gjatë majit hynë në Shqipëri rreth 144 mijë shtetas nga Kosova, gati dy herë më shumë se njëjta periudhë e vitit 2019, para situatës së pandemisë.

Ndërkohë 5-muajt e parë të këtij viti në Shqipëri vlerësohet nga të dhënat zyrtare se kanë hyrë mbi gjysmë milionë turistë nga Kosova, për të pushuar në zonat turistike shqiptare. VOA