Menu

Teatri Kombetar

Shfuqizohet ligji special për Teatrin Kombëtar, Gjykata Kushtetuese pezullon punimet për godinën e re

Gjykata Kushtetuese ka marrë sot vendimin për Teatrin Kombëtar, duke shfuqizuar ligjin special për të, si dhe duke pezulluar ndërtimin e teatrit të ri. Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin e Këshillit të Ministrave për kalimin e Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë së Tiranës.

Njoftimi i plotë:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancat plenare publike të datave 03.06.2021, 15.06.2021 dhe 16.06.2021 çështjen me kërkues Presidentin e Republikës së Shqipërisë, me objekt:
– Shfuqizimi i ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”” (ligji nr. 37/2018), si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.
– Shfuqizimi i vendimit nr. 377, datë 08.05.2020 të Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”(VKM nr. 377/2020), si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.
– Shfuqizimi i vendimit nr. 50, datë 14.05.2020 të Këshillit Bashkiak Tiranë, Bashkia Tiranë, “Për miratimin e shembjes së godinës të “Teatrit Kombëtar”, në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në Akt – Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar” (VKB nr. 50/2020), si i papajtueshëm me Kushtetutën.
– Pezullimin e zbatimit të këtyre akteve deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se:
– Ligji nr. 37/2018 cenon:
Lirinë e veprimtarisë ekonomike të sanksionuar nga neni 11 i Kushtetutës në raport me nenin 17 të saj;

Parimin e shtetit të së drejtës të sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës në raport me nenin 3 të saj, në drejtim të procesit të vlerësimit të identitetit dhe të trashëgimisë kombëtare nga institucionet përkatëse;
Parimin e decentralizimit dhe të autonomisë vendore të sanksionuar në nenin 13 të Kushtetutës.
– VKM-ja nr. 377/2020 cenon:
Parimin e shtetit të së drejtës të sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës.
Ndërsa për sa i përket VKB-së nr. 50/2020 nuk u formua shumica prej 5 votash e parashikuar nga neni 73, pika 4, i ligjit nr. 8577/2000, në lidhje me juridiksionin e kësaj Gjykate për shqyrtimin e saj.

Për këto arsye Gjykata Kushtetuese,

VENDOSI:

1. Pranimin pjesërisht të kërkesës;
2. Shfuqizimin e ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar””, si i papajtueshëm me Kushtetutën.
3. Shfuqizimin e vendimit nr. 377, datë 08.05.2020 të Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”, si i papajtueshëm me Kushtetutën.
4. Rrëzimin e kërkesës për shfuqizimin e vendimit nr. 50, datë 14.05.2020 të Këshillit Bashkiak Tiranë, Bashkia Tiranë, “Për miratimin e shembjes së godinës të “Teatrit Kombëtar”, në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në Akt – Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën.
5. Pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 37/2018 dhe VKM-së nr. 377/2020 deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

alert.al/

Qeveria miraton fondin për ndërtimin e Teatrit Kombëtar, i hapet rruga nisjes së punimeve

Qeveria ka miratuar fondin për ndërtimin e projektit te Teatrit të ri Kombëtar, duke i hapur rrugen nisjes së punimeve për shtëpinë e re të aktrimit, e cila është konceptuar të jetë si zemra kulturore e Tiranës dhe e gjithë Shqipërisë.

Mësohet se me miratimin e fondit, ana procedurale konsiderohet pothuajse e përfunduar, teksa shumë shpejt pritet të nisë puna edhe në terren për ndërtimin e teatrit të ri, ne te njejtin vend ku më parë ka qenë teatri i vjetër.

Projekti, tashmë i përfunduar dhe gati për të nisur nga zbatimi, ofron një godinë të arkitekturës me dizajn modern dhe që krijon një hapësirë unike në qytetin e Tiranës, duke ofruar të gjitha kushtet e nevojshme dhe frymëzuese për zhvillimin e talentit të aktrimit, ashtu edhe për vetë publikun.

Teatri i ri do të jetë disa herë më i madh se i vjetri dhe do të ofrojë kushte sipas të gjithë standardeve. Ai do të ketë të dedikuar disa ambiente të posaçme për shfaqjet dhe aktorët. Gjithashtu, do të ketë një skenë teatri prej 630 metra katror dhe dy salla Black Box prej 200 metra katror secila. Për artistët do të ketë një hapësirë prej 200 metra katror që do përdoret si sallë ndërrimi, një sallë provash prej 200 metrash katror, tualete dhe dushe si dhe një dhomë të gjelbër. Në shërbim të shfaqjeve të ndryshme artistike do ketë një dhomë instrumentesh muzikore, një depo materialesh skenike, një depo dekori, sallë teknikësh, etj. Gjithashtu, do të ketë sallë kursesh dhe të gjitha facilitetet për publikun.

Po kështu, Teatri i ri Kombetar, përvec ambienteve të tjera ndihmëse, do të ketë edhe një parkim nëntokësor që do i shërbejë kësaj godine moderne.

alert.al/

Seanca për Teatrin/ Kushtetuesja i dha kohë Presidencës për provat, juristja e Aleancës: Fitore e momentit, u plotësuan 2 nga 3 kërkesat

Gjykata Kushtetuese i jep kohë për provat shtesë Presidencës deri më 8 qershor Juristja e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, Adriana Kalaja në një prononcim për mediat tha se Gjykata Kushtetuese pranoi 2 prej 3 kërkesave të parashtruara nga ata.

Brenda datës 8 qershor ora 12:00 duhet që të sillen dokumentet e listuara nga kërkuesi, ndërsa la afat datën 10 qershor për shpjegimet shtesë pasi të paraqiten dokumentet e reja.

Teksa e cilësoi si një fitore të momentit, juristja Kalaja tha se është kërkuar që në seancë të paraqitet edhe një ekspert për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, ku do të vërtetohet sipas saj se teatri Kombëtar ka qenë një vepër arti.

“Ne parashtruam disa kërkesa paraprake. Nga këto kërkesa dy nga 3 u pranuan. Kjo është fitore e momentin. Sot e çmojmë se nisi çështja në Gjykatën Kushtetuese. Ato që kemi kërkuar ne, mënyrën se si e kemi ngritur çështjen në Kushtetuese, do ta detyrojmë që të jetë pro teatrit. Krkuam marrjen e provave që daton që në 1937 që kanë të bëjmë me blerjen e votës. Ne kemi parashtruar në kërkesat paraprake se jo vetëm që jemi bashkuar me palën e presidentit, si palë e trete, po kemi kërkuar përveç dëshmitarëve pe të na lënë të paraqesim ekspertë. Eksperti do të jetë në fushën e trashëgimisë kulturore, një ekspert që ka dijeni të posaçme. Ngërçi është se palët e interesuara, duke nisur nga Kuvendi, Kryeministria, ministria e Kulturës dhe asaj të Financave dhe bashkia Tiranë sjellin argumentin se Teatri nuk ka qenë monument kulture. Ne do të vërtetojmë se teatri jo vetëm që ka qenë pjesë e zonës historike, monument kulture, por heqja është bërë për t’ju hapur rrugë prishjes së Teatrit.”, tha Kalaja.

Nga ana tjetër Gjykata Kushtetuese nuk ka vlerësuar thirrjen e dëshmitarëve në këtë proces.
Sipas Kushtetueses, secila palë duhet të paraqitet me nga një ekspert që kanë njohuri të posaçme për çështjen. Seanca e radhës u vendos më 15 qershor 2021.

“Pati një rrëzim të kërkesës për dëshmitarë. Por nga ana tjetër gjykata vlerësoi dhe i dha mundësi palëve në proces të paraqiten me ekspertë të tyre të profesionalizuar për çështje të trashëgimisë kulturore. Kjo është një risi në këtë proces në Gjykatën Kushtetuese, i cili besojmë fort se do të risjellë drejtësinë kushtetuese në Shqipëri, në mbrojtje të vlerave të trashëgimisë kulturore kombëtare, të identitetit tonë kombëtar që për fat të keq u cenuar, por që mundet të rikuperohet dhe ka kohë tani”, deklaroi Bledar Dervishaj, përfaqësues ligjor i Presidentit.

alert.al/

Kushtetuesja/ Seanca për Teatrin, këshilltari Dervishaj: Të thirren si dëshmitarë senatorët italianë

Bledar Dervishaj, Këshilltar i Presidentit deklaroi sot në hapjen e senacës në Gjykatën Kushtetuese, se për Teatrin kombëtar është e domosdoshme që Gjykata Kushtetuese të marrë provat shtesë. Sipas tij janë rreth 19 të tilla, duke theksuar se pa u marrë këto prova nuk bëhet hetim gjyqësor thelbësor.

  1. Kopje të shitblerjes së pronës truall nga Francesko Jakomoni dhe trashëgimtareve të familjes Libohova ku u ndërtua teatri kombëtar
    2. Kopje të lejes së ndërtimit nga Mbreti Zog për ndërtimin e teatrit
    3. Kopje e projektit të arkitektit për ndërtimin e teatrit
    4. Akte që vërtetojnë ndryshimin e qëllimit të përdorimit të Godinës
    5. Kopjen e praktikës së shpalljes së Ansamblit të Teatrit monument kulture
    6. Hartat e përdorura për shpalljen e kësaj zone të trashëgimisë historike
    7. Kopje të diskutimeve shkencore të Monumenteve të Kulturës 2004-2007 që ka vlerësuar monumentet historike në qendrën e Tiranës
    8. Listën e plotë të ndërtesave të përfshira në qendrën historike
    9. Kopje të praktikës institucionale ku pasqyrohet identifikimi i nevojës për miratimin e ligjit special për Teatrin
    10. Konsultimet para dhe pas hartimit të këtij ligji të posaçëm
    11. Mendimet e të gjitha institucioneve të përfshira gjatë konsultimit
    12. Diskutimet në këshillin e ministrave për këtë çështje
    13. Kopje të akteve se si Bashkia Tiranë ka ndërprerë negociatat për godinën
    14. Procesverbalet e komisionit të posaçëm nëse ai ka zhvilluar negociata me kompani të interesuara për të ndërtuar teatrin e ri dhe kostot financiare të secilës ofertë
    15. Kostot e gjetjes dhe përballimit të konsulencës
  2. Si u arrit në përfundimin që Shteti arriti në përfundimin për ta ndërtuar vetë, me para publike, dhe jo me koncesion
    17. Si u kalua trualli nga Ministria e Kulturës në pronësi të Bashkisë Tiranë? Duam praktikën e kësaj procedure
    18. Kopje të akteve të nxjerra para gjatë dhe pas shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar
    19. Veprimet e Kryetarit të Bashkisë Tiranë pas kërkesës së KLSH-së për të pezulluar veprimet me teatrin deri në shprehjen e gjykatës.

Në Padinë e Presidentit thuhet se ligji është antikushtetues pasi paracakton garën. Përfaqësuesi i Presidentit ka paraqitur listën e dëshmitarëve dhe konkretisht kërkon thirrjen si dëshmitarë të dy senatorëve italianë që e kanë ngritur çështjen në parlamentin italian, përfaqësues të Europa Nostra etj.

  1. Erviko Aimi (dhe dy të tjerë), senatorë të Republikës Italiane. Kemi folur paraprakisht, janë dakord të vijnë këtu, pasi kanë interes për mbrojtjen e trashëgimisë së ndërtimeve të bëra nga italianët.
    2. Përfaqësues të Europa Nostra
    3. Përfaqësues të KLSH
    4. Albana Vokshi që e ka mbrojtur çështjen në Komisionin e Medias
    5. Bujar Leskaj, ish-kreu i KLSH
    6. Shoqata e Bashkive të Shqipërisë e përfaqësuar nga Voltana Ademi
    7. Erjon Veliaj
    8. Arbi Mzniku
    9. Toni Gogu
    10. Behar Zeneli
    11. Artan Lame
    12. Artan Shkreli
    13. Mirela Kumbaro
    14. Elva Margariti

alert.al/

Gjykata Kushtetuese nis shqyrtimin e padisë së Presidentit Meta për Teatrin Kombëtar

Gjykata Kushtetuese nis sot shqyrtimin e padisë së Presidentittë Republikës Ilir Meta mbi çështjen e Teatrit Kombëtar. Presidenti Meta në 14 Maj 2020, depozitoi pranë Kushtetueses një padi ku kërkonte shfuqizimin e vendimit të kalimit të pronës së Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë Tiranë, si dhe shfuqizimin dhe shpalljen antilushtetues të p/ligjit që i hapte rrugë ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar.

Presidentit Meta argumentoi në atë kohë se shembja e Teatrit Kombëtar cenonte identitetin kombëtar dhe trashëgiminë kulturore.

Në seancën e sotme, Presidenti i Republikës përfaqësohet nga këshilltari i tij ligjor Bledar Dervishaj. Ndërsa si palë e interesuar është edhe grupimi Për Mbrojtjen eTeatrit, i përfaqësuar nga regjizori Edmond Budina.

Kujtojmë se godina e vjetër i Teatrit Kombëtar u shkatërrua duke u gdhirë 17 Maji i vitit 2020, ku nuk munguan as përplasjet e forcave të policisë me aktorë e qytetarë. Shkatërrimi i godinës së TK pasoi me protesta të shuma qytetare.

alert.al/