Menu

TIRANATHLON

U shpëtuan në mes të detit, historia frymëzuese e Abdullahut nga Siria dhe Shoaibit nga Afganistani që garuan në TiranaThlon

Abdullahu nga Siria dhe Shoaibi nga Afganistani nuk e kishin menduar se Shqipëria do të behej atdheu i tyre i dytë ku mund të gjenin jo vetëm paqen e dëshiruar, por edhe vendin ideal për të jetuar me familjet e tyre të reja.
Ata u shpëtuan nga marina greke, teksa përpiqeshin të mbijetonin në ujë, pas përmbysjes së anijes së tyre.
Tani, që të dy e kanë ndërtuar jetën e tyre në Tiranë dhe janë bërë baballarë të dy djemve, ndërsa janë ambientuar më së miri në vendin tonë.
Dje, ata notuan përsëri, por tashmë jo në një betejë mes jetës dhe vdekjes, por në TiranaThlon për Ditën Botërore të Refugjatëve.
Ata u vlerësuan nga Bashkia e Tiranës dhe me certifikatë për pjesëmarrjen e tyre në këtë garë duke na frymëzuar të gjithëve se asgjë nuk është e pamundur.

alert.al/

Ndahen çmimet e fituesve të Tiranathlone, Veliaj: Forcojmë bashkëpunimin mes vendeve të rajonit

Është përmbyllur me sukses edicioni i parë i Tiranathlone në Tiranë, një aktivitet i rëndësishëm i tregarëshit, i organizuar nga Bashkia e Tiranës dhe Ambasada e Greqisë në vendin tonë. Për gati tre orë sportdashësit kanë garuar në ambientet krejtësisht të reja të “Parkut Helen” në Liqenin e Farkës në tre disiplina: not, çiklizëm dhe ecje sportive.
Pjesëmarrësit nga Gjermania, Italia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Austria dhe natyrisht edhe nga Shqipëria dhe Greqia u angazhuan në gara noti 750 metra, garë çiklistike 20 km, dhe ecje sportive 5 km për burra dhe gra.
Në përfundim janë shpërndarë edhe çmimet për sportistët që kryesuan në këto gara. Fituese e Tiranathlone për femrat është shpallur Stefani Polihroniadis, nga Greqia, e ndjekur nga Deborah Keci dhe Rita Zeqiri nga Shqipëria.
Ndërsa për kategorinë e meshkujve, fitues janë Panagiotis Bitados, Strahinja Trakic dhe Panagiotis Polyzos.
Gjatë ceremonisë së shpërndarjes së çmimeve, kryebashkiaku Veliaj falënderoi homologun e tij grek, Kostas Bakoyannis, për bashkëpunimin, si dhe theksoi rëndësinë e aktiviteteve sportive e kulturore në forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona, duke iu referuar edhe historisë së dy refugjatëve nga Afganistani dhe Siria të cilët tashmë jetojnë në Shqipëri.
“Po ndalem te historia e dy të rinjve, emigrantë. Njëri vinte nga Afganistani, nga Kabuli, një vend në luftë, tjetri vinte nga Damasku, nga Siria, një tjetër vend në luftë. Të dy i kishin hipur gomoneve në ujërat greke. Gomonet ishin përmbysur dhe të dy ishin shpëtuar nga marina greke. Pas Greqisë kanë gjetur shtëpinë e tyre në Shqipëri, shpresoj një ditë do të bëhen shtetas shqiptarë, sepse kanë vendosur të jetojnë këtu. Jo vetëm i kemi lidhur fatet me fqinjët tanë, me komshinjtë tanë, me vendet rreth nesh, por edhe fatet e të tjerëve, fatet e atyre që vijnë nga Afganistani, nga Siria, ashtu siç ishim ne përpara 30 vitesh që hipnim nëpër gomone, anije, apo nëpër dyert e ambasadave. Ne jo vetëm kemi në dorë prej këtij bashkëpunimi fatet e rajonit tonë, por ne mund të përmirësojmë dhe fatin e atyre që nëpërmjet rajonit tonë kërkojnë të shpëtojnë jetën edhe familjet e tyre, si historia e Shuaipit dhe Abdullahut që shpëtuan nga marina greke dhe kanë bërë shtëpinë e tyre dhe të ardhmen e tyre këtu në Shqipëri dhe në Tiranën tonë”, u shpreh Veliaj.
Ndërsa kryetari i Bashkisë së Athinës Kostas Bakoyannis sfidoi kryebashkiakun Veliaj të garojë bashkë me të në maratonën e ardhshme. “Do jap një premtim që, nëse herës tjetër kryetari i Bashkisë së Tiranës do të garojë në triathlonën e ardhshme, edhe kryetari i Bashkisë së Athinës do të garojë bashkë me të,” u shpreh Kostas Bakoyannis.
Sakaq, kryebashkiaku Veliaj tha se, së bashku me homologun e Athinës po punohet për të hapur një qendër kulturore për shqiptarët që janë në Athinë, ndërkohë që dy ditë më parë në Tiranë u përurua “Parku Helen”. Ky park është një variant i ri zgjedhjeje që do t’u ofrojë çlodhje, argëtim, kulturë dhe aktivitete sportive banorëve të Tiranës, si dhe çdo vizitori të hapësirave pranë liqenit të Farkës.

alert.al/

TIRANATHLON, starton trigarëshi ndërkombëtar tek Parku Helen në Tiranë

Liqeni i Farkës në kryeqytet është shndërruar ditën e sotme në një arenë të vërtetë garash sportive. Dhjetëra të pasionuar pas notit, çiklizmit dhe sporteve janë bërë pjesë e Tiranathlone, një aktivitet i rëndësishëm i tregarëshit, i organizuar nga Bashkia e Tiranës dhe Ambasada e Greqisë në vendin tonë.

Gara e cila startoi paraditen e sotme, në orën 10.00, u zhvillua në ambientet krejtësisht të reja të “Parkut Helen”, në Liqenin e Farkës në periferi të Tiranës, që u përuruan dy ditë më parë nga kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj dhe homologu i tij në Athinë. “Parku Helen” është një variant i ri zgjedhjeje që do t’u ofrojë çlodhje, argëtim, kulturë dhe aktivitete sportive banorëve të Tiranës.

Sakaq, në garën e sotme, pjesëmarrësit në “TIRANATHLON” u angazhuan në gara noti 750 metra, garë çiklistike 20 km, dhe ecje sportive 5 km për burra dhe gra.

Qëllimi i këtij aktiviteti sportiv dhe kulturor, është që të sanksionohet si një trigarësh i rëndësishëm ndërkombëtar, tek i cili do të fokusohet për vit interesimi botëror i botës sportive në kryeqytetin shqiptar. Në garë marrin pjesë sportistë nga Gjermania, Italia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Austria dhe natyrisht nga Shqipëria dhe Greqia.

alert,al/