Menu

zgjedhjet

Vula e zgjedhjeve/ Komisioni Rregullator i KQZ certifikon rezultatin e 25 prillit, jepen mandatet për 140 deputetët e rinj

Komisioni Rregullator në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve i ka vënë kapak përfundimisht procesit zgjedhor të 25 prillit, duke certifikuar rezultatin.  Komisioni ka miratuar në parim rezultatin e saktë dhe shpërndarjen e mandateve për 140 deputetët e ardhshëm. Aktualisht është duke u miratuar nen për nen i gjithë akti.

Në parim projekt- vendimi është miratuar me 3 vota pro dhe 2 kundër.

Në 25 prill, Partia Socialiste ka marrë 74 mandate, PD-AN 59 mandate, LSI 4 mandate dhe PSD 3 mandate. Opozita ka kërkuar që këto zgjedhje të shpallen të pavlefshme dhe ripërsëritjen e tyre, por Kolegji Zgjedhor hodhi poshtë pretendimet e tyre. Tani më  lista e 140 deputetëve që do të hyjnë në parlamentin e ardhshëm është e plotë, me emra të rinj dhe të vjetër.

alert.al/

A e kthen vendimi i Kushtetueses ndarjen e mandateve të deputetëve? Përgjigjet Celibashi

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilrjan Celibashi tregohet i kujdesshëm në komentin mbi vendimi i Gjykatës Kushtetutese, që shfyqëzoi përcaktimin ligjor të shpërndarjes së mandateve për deputetë sipas herësit.

“Sot nuk e them dot këtë! Do duhet të shikojmë arsyetimin e vendimit dhe ajo çfarë vlen më shumë është që duhet të presim kur ky vendim të hyjë në fuqi”, deklaroi Celibashi.

Kryekomisioneri Celibashi ka marrë vendimin për shpërndarjen e mandateve për deputetë në të gjitha qarqet. Ndërkohë që vendimi për shpalljen zyrtarisht të rezultatit përfundimtar të të 25 Prillit do merret javën e ardhshme nga Komisioni Rregullator.

“Në kuptim të shpërndarjes së mandateve kjo konsiderohet e përfunduar. Do të duhet që formalisht Komisioni Rregullator të shpallë rezultatin në mënyrë përfundimtare zyrtarisht. Por në kuptim të shpërndarjes së mandateve, kush janë kandidatët fitues dhe numrit të votave që ka marrë çdo subjekt zgjedhor, nuk ndryshon asgjë. Kjo është përfundimtare”., tha ai.

Kodi Zgjedhor detyron KQZ që pas nxjerrjes së rezultatit përfundimtar, të rinumërojë të jo më pak se 10% të qendrave të votimit. Rezultatet verifikimit paszgjedhor mund të bëhen objekt i hetimit nëse dalin të dhëna dhe krijohen dyshime për kryerjen e veprave penale në zgjedhje.

“Nesë nuk do të kishim këto vonesa, mundet që gjatë këtij muaji t’a kishim kryer këtë si procedurë. Mesa duket do mbetet për muajin shtator”, tha Celibashi.

 

KQZ shpërndan mandatet për deputetë, Celibashi: Pranohet kërkesa e PD për koalicionet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi është duke lexuar mandatet që ka marrë çdo forcë politike në të 12 qarqet e vendit.

Partia Socialiste ka marrë nga zgjedhjet 74 mandate deputetësh Partia Demokratike 59, Lëvizja Lëvizje për Integrim 4 dhe Partia Social Demokrate 3.

“Vlerësojmë që pretendimi i PD në lidhje me përcaktimin e përkatësisë politike të kandidatëve fitues të rastit, kur këto parti politike janë pjesë të një koalicioni qëndron dhe do e reflektojmë në zgjedhjen e projektaktit.

Në rastet kur kandidatet fitues janë pjesë e listës shumëemërore të një koalicioni, do të jetë e përcaktuar dhe partia politike ku i përket ai fitues. Në lidhje me numrin e mandateve të cilat iu shpërndan çdo subjekti zgjedhor për çdo qark.

Meqenëse nuk kemi diskutime të tjera, me lidhje me numrin e mandateve që përfiton një subjekt zgjedhor në çdo qark, atëherë i miratojmë sipas projekt vendimeve të paraqitura dhe konkretisht fillojmë me qarkun e Gjirokastrës. Shpërndarja e mandateve, është si më poshtë, PS 3, PD, 1.

Në Qarkun e Dibrës shpërndarja e mandateve është, PD 3, PS, 2 mandate. Në Qarkun Durrës, shpërndarja e mandateve është: PS 8, PD 6 mandate. Qarku Tiranë, shpërndarja e mandateve është si më poshtë. PS 18 mandate, PD 15, LSI 2 dhe PSD 1.

Shkodër PD 5, PS 3, PSD 2, LSI 1. Qarku Berat, PS 5, PD, 2. Qarku Kukës, PD 2, PS 1 mandat. Qarku Korçë, PS 6 mandate dhe PD 5. Qarku Lezhë, PD 4 mandate PS 3 mandate. Qarku Vlorë PS 8 mandate, PD 4 mandate. Qarku Elbasan, PS 8 mandate, PD 6 mandate.

Qarku Fier, PS 9 mandate, PD 6 mandate dhe LSI 1 mandat. Këto ishin vendimet në lidhje me numrin e mandateve për çdo qark.

Kundër këtyre vendimeve bëhet ankesa në KAS brenda 3 ditësh e ky vendim hy në fuqi menjëherë në fletoren zyrtare”, tha Celibashi.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda tre ditëve, në Kolegjin e Ankesave dhe Sanksionave, nga dita e sotme që u bënë publike rezultatet. Vendimi me urdhër të Celibashit ka hyrë në fuqi menjëherë.

Qarqet dhe mandatet për çdo parti:

Gjirokastër
PS: 3 mandate
PD-AN: 1 mandat

Dibër
PD-AN: 3 mandate
PS: 2 mandate

Durrës
PS: 8 mandate
PD-AN: 6 mandate

Tiranë
PS: 18 mandate
PD-AN: 15 mandate
LSI: 2 mandate
PSD: 1 mandat

Shkodër
PD-AN: 5 mandate
PS: 3 mandate
PSD: 2 mandate
LSI: 1 mandat

Berat
PS: 5 mandate
PD-AN: 2 mandate

Kukës
PD-AN: 2 mandate
PS: 1 mandat

Korçë
PS: 6 mandate
PDD-AN: 5 mandate

Lezhë
PD-AN: 4 mandate
PS: 3 mandate

Vlorë
PS: 8 mandate
PD-AN: 4 mandate

Elbasan
PS: 8 mandate
PD-AN: 6 mandate

Fier
PS: 9 mandate
PD-AN: 6 mandate
LSI: 1 mandat

alert.al/

Kallëzimi i AIS tek Celibashi, 8.5 miliardë lekë për favorizimin në zgjedhje të PS-së në Durrës

Qeveria ka shpërndarë në Durrës para zgjedhjeve 8.5 miliard lekë, në shkelje të Kodit Zgjedhor dhe të ligjit për Buxhetin e Shtetit. Kallëzimi është bërë te Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, nga Instituti Shqiptar i Shkencave (AIS).

Letra e firmosur nga drejtuesja e Institutit AIS, Aranita Brahaj, thekson se “Në total Qeveria Qendrore në datën 25 Mars – 25 Prill 2021, data të Fushatës Zgjedhore, ka krijuar Transferta të Pakushtëzuara për Bashkitë e dëmtuara, përmes Fondi Rindërtimit në vlerë 8.5 miliard Lekë ose rreth 69.1 milion Euro. Kjo transfertë “zgjedhore” është sa 30% e Fondit Program Rindërtimi për vitit 2021”.

Paratë e Rindërtimit shkuan tek individët

Në katër muajt e parë të vitit 2021, sipas AIS, Qeveria Qendrore transferoi tek Bashkitë e prekura nga Tërmeti, 56% të totalit të Fondit Programi i Rindërtimit pas Tërmetit. Në vitin 2020, Qeveria gjithsej në 12 muaj, në nivel Qendror dhe Lokal shpenzoi për Rindërtimin vetëm 52% të programit duke përqendruar shpenzimet në vit dhe data të fushatës zgjedhore.

Në datën 31 Mars 2021 Këshilli Bashkiak Durrës me vendimin Nr. 43, vendosi që ky fond të përdoret si Transfertë tek Individët (dhe jo si Shpenzime Kapitale). Po njësoj prioritet ju dha Individëve (më shumë në numër) me dëmtime nivel i lehtë si DS1, DS2 dhe DS3 kundrejt emergjencës vulnerabël të grupeve DS4 dhe DS5 këta të fundit totalisht pa banesë, më pak në numër përfituesish sikurse më pak në numër votuesish.

Në datat 31 mars, 14 dhe 20 Prill 2021 (data të fushatës zgjedhore) Bashkia Durrës miratoi Grant dhe Lista për dhënie të Ndihmës Financiare për Individ.

“Këshilli Bashkiak veproi në data të Fushatës Zgjedhore, 16 muaj pas emergjencës së krijuar dhe katër 3 muaj pas fillimi të Vitit Buxhetor. Lista nuk përmban informacion mbi faktin nëse përfituesve u është prishur banesa që shërben si “strehë” dhe janë “në nevojë për ndihmë financiare”. Në mënyrë abuzive nuk është vlerësuar gjendja e përfituesit të parave publike. Në lista mund të ketë emra individë pronar banese për mirëqenie, gjenerim fitimi apo qëllime luksi si parakushte për të mos përvetësuar fonde buxhetore në formë ndihme”, argumenton AIS në denoncimin dërguar KQZ-së.

Mekanizmi i favorizimit të Partisë Socialiste

Sipas Institutit, në total ne datën 14 Prill 2021 janë miratuar vendime të Këshillit Bashkiak Durrës (VKB) katër Lista Emërore, miratim ky i vonuar me 16 muaj pas tërmetit. Bëhet fjalë për Lista për Grant dhënie DS1, DS2 dhe DS3 me nivel grant për fatkeqësi, vlera nga 100 mijë deri 500 mijë Lekë.

5 (VKB Nr. 50 Datë 14.04.2021 Përfitues Lista Emërore vlera 459 900 000 Lekë 6 dhe VKB Nr. 59 Datë 20.04.2021 Përfitues Listë Emërore vlera 81 900 000 Lekë 7). Vetëm 9 ditë përpara zgjedhjeve janë miratuar ndryshime dhe shtesa vlerë përfitimi, nga Niveli i dëmtimit DS1 në DS2 apo DS3.

Pra për disa individ nga 100 mijë lekë granti i rindërtimit shtohet në 500 mijë Lekë. Duke krahasuar transfertat e kryera para zgjedhjeve dhe pas tyre, sipas AIS, kjo tregon qartë synimin dhe përqendrimin e shpërndarjes së parasë në data zgjedhore për qëllim favorizim subjekti zgjedhor në pushtet, Partisë Socialiste.

Po njësoj vlen të theksohet se Bashkia Durrës vijon të paguaj çdo muaj bonus qiraje për personat që kanë mbetur pa banese, çka dëshmon se me grantdhëniet e datave të Fushatës Zgjedhore, janë paguar Përfitues për dëmtime të lehta ose aspak të dëmtuar dhe nuk ka marrë zgjidhje problemi i banorëve që janë totalisht pa banesë.

Sipas Institutit AIS, këto janë fakte dhe prova të mjaftueshme për fillimin e hetimi administrativ nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.

alert.al/

Basha me demokratët e Kavajës: Duhet platformë përballë vjedhjes industriale të votave

 “Vjedhjes më të madhe industriale të votave në histori do t’i përgatisim bashkë shumë shpejt një platformë për t’i rikthyer legjitimitetin dhe demokracinë vendit”, deklaroi në Kavajë kreu i PD-së, Lulzim Basha. Ai vazhdoi turin e takimeve sot në Kavajë, Rrogozhinë dhe njësitë administrative 15-16, ku ka takuar nga afër demokratët. Gjatë fjalës së tij, Basha tha se PD-ja do t’i bindë aleatët për atë çka e cilësojnë masakrën zgjedhore.

Mes të tjerash ai tha se bashkë me aleatët do të përgatisin një platformë për t’i rikthyer legjitimitetin dhe demokracinë Shqipërisë. Mes të tjerash Basha tha se PD-ja do të vijojë misionin që peshon më shumë se partia, që sipas tij është pesha e fateve të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Fjala e plotë e Bashës

“Faleminderit zoti kryetar! Zonja drejtuese politike, kandidat, drejtues të strukturave të Partisë Demokratike në degën e Kavajës. Veteran, themelues, qëndrestarë, drejtuese të Forumit të Lidhjes Demokatike të Gruas, të rinj e të reja të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, më lejoni së pari të shpreh kënaqësinë më të thellë nga zemra që jam sot në mesin tuaj e t’ju falënderoj për këtë mikpritje të jashtëzakonshme!

Më keni qëndruar në krah në sfidat e betejave të mëparshme atëherë dhe më pas në sfidat e qeverisjes të Partisë Demokratike, të cilat i kthyem në realitet, i kthyem në mirësi për njerëzit, e më keni qëndruar në krah në beteja e pareshtura dhe sakrificat e jashtëzakonshme të përballjes me Edi Ramën dhe regjimin e tij duke bërë kështu të mundur, pra, që jo vetëm të rrisnim e të projektonim projektin tonë politik të ndryshimit, por duke e konsideruar veten time në këtë mënyrë një investim tuajin duke ju patur në krah prej ditës së parë e në vazhdim në të gjitha betejat dhe në të gjitha sfidat.

Ndaj, siç më keni pritur me zemër të hapur, ashtu e kam zemrën e hapur për t’ju thënë sot faleminderit dhe mirënjohje të thellë për gjithçka që keni bërë! Fjalët dhe qëndrimet që kam mbajtur gjatë këtij turi nuk janë thjesht ndjenja që burojnë nga zemra, por janë mbi të gjitha frymëzimi që marr kur shoh, kur ju takoj demokratëve anembanë vendit, sfiduar nga makineria më e madhe dhe më e përbindshme e korrupsionit dhe e krimit elektoral që ka njohur Shqipëria në 30 vite, por në të njëjtën kohë ballëlartë sepse nuk i ikët betejës, zgjodhët të qëndronit, zgjodhët të përballeshit anembanë vendit, zgjodhët të përballeshit me dinjitetin më të madh dhe me trimërinë që e keni trashëgim nga orët e para të përmbysjes së diktaturës, nga orët e para të demokracisë, që janë orët e Kavajës dhe të rinisë së Kavajës.

Këtë e dinë të gjithë, e di dhe kundërshtari, i cili njësoj si në ato vite, edhe kësaj radhe u përpoq ta përgjakte qëndresën tonë. Me sulmin barbar ndaj Bled Okshtunit, po asgjë dhe askush nuk mund ta thotë më mirë sesa Vullneti, i ati i tij, kur e pyetën sa kohë ka që është aktivizuar Bledi me Partinë Demokratike, tha që kur ka lindur. Që kur ka lindur dhe që do të vazhdojë sa të ketë frymë. I kam dëgjuar, lexuar, e rilexuar disaherë shprehjet e tij pas sulmit barbar në zyrat tona. Sepse nga njëra anë, padiskutim më shkaktonin një emocion të thellë, siç ma shkaktojnë edhe sot, po nga ana tjetër janë një frymëzim i jashtëzakonshëm për mua dhe për këdo ku ndodhemi këtu, në këtë tokë të demokracisë, ku kurrë, asnjëherë pishtari i ndezur nga rinia e Kavajës për liri dhe demokraci nuk është shuajtur.

As në ditët më të errëta ku qyteti, bashkia dhe komunat ranë në dorë të llumit dhe të kriminelëve. Ndaj më vjen mirë që ndodhem mes jush dhe ju shoh, ashtu siç shoh anembanë Shqipërisë që në shpirtrat tuaj, në zemrat tuaja dhe në sytë tuaj, mërzia, dëshpërimi, zhgënjimi i orëve të para, i kanë lënë vend zemërimit për padrejtësinë e 25 prillit, por po kështu vendosmërisë për të vazhduar misionin tonë, mision i cili peshon me gjithë peshën e tij mbi supet e demokratëve, peshë e cila është shumë më e madhe se Partia Demokratike. Sepse është pesha e fateve të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Ndaj më vjen mirë që ju gjej ballëlartë dhe krenar për betejën e kryer përball një mekanizmi, një makinerie të paparë të masakrës zgjedhore që kombinonte në vetvete dogmatizmin dhe urrejtjen patologjike për kundërshtarin politik të regjimit komunist, me harbutërinë dhe poshtërsinë dhe terrorin e regjimit të korruptuar të 2001, dhe bandat, shoqëruesit e pandarë të pushtetit të Edi Ramës si në 2017 dhe akoma më shumë në 2021.

E pra përkundër zmadhimit të kësaj makinerie, agresionit të drejtpërdrejtë ndaj gjithsecilit prej jush, demokratët e Kavajës jo vetëm qëndruan, por i ofruan betejë shtëpi më shtëpi, lagje më lagje, fshat më fshat, nuk u tundën për asnjë çast dhe arritët përkundër këtij presioni jo vetëm të mbeteshim në këmbë e të qëndronim, por të rriteshim, të bëheshim më të fortë dhe më të mëdhenj. Ishte angazhimi juaj dhe shpirti i vetmohimit që pash atë natë kur u godit zyra jonë, ishte vendosmëria për t’i shkuar deri në fund betejës këtu në Kavajë sikundër anembanë Shqipërisë. Faktori kryesor se pse me gjithë angazhimin e kundërshtarit në këtë masakër zgjedhore, ne dolëm nga beteja më të mëdhenj dhe më të fortë seç hymë.

Më të mëdhenj jo thjesht në kuptimin numerik të shqiptarëve që zgjodhën të na besonin e të na ndiqnin, ku në fakt në duart tona s’kishte asgjë, asnjë pushtet njësoj si në 91-shin. Por zemrat i kishim ploë me shpresë, me besim, me qëllime të mira për të zgjidhur problemet e panumërta që ky regjim j’ua ka ngarkuar kapicë mbi shpinë, që ky regjim j’ua ka zbrazur tavolinat dhe xhepat. Dhe nga ana tjetër, erdhëm në këtë betejë pas disa betejave të tjera të cilat kanë faktuar se Partia Demokratike është e vetmja forcë në Ballkan dhe në Europën Lindore që i ka mbijetuar fatit dhe historisë për një arsye të vetme: sepse kurrë nuk e ka parë pushtetin si asgjë tjetër, përveçse një mjet për t’i shërbyer qytetarëve.

Ky ishte dhe elementi kryesor i besimit që u ngjall në zemrat e kavajasve dhe të gjithë shqiptarëve. Ata e kuptuan se beteja nuk bëhej për karrigen time dhe karriget tuaja, ata e besuan dhe e besojnë se përballë një pakice harbutësh të korruptuar të cilët kishin dhe kanë për qëllim ta mbajnë vendin peng për xhepat e tyre kishte vetëm një alternativë: familja jonë politike. E vetmja familje vlerash. Ata me kriminelë e analfabete si Aqif Rakipi me shokë e ne me njerëz të vlerave, kulturës, intelektualë .

Ata me dhunë, shantazh, terror shtetëror banditësh me një polici në rastin më të mirë në gjunjë para krimit dhe në shumicën e rasteve shoqëruese e mbrojtëse e krimit, ne me program, me ide, me vizion, me zgjidhje për hallet e panumërta të shqiptarëve të cilat për katër vjet i prekëm derë më derë e shtëpi më shtëpi.

daj dua t’ju shpreh mirënjohjen time më të thellë sepse nuk ka qenë thjesht një betejë e pabarabartë. Por ka qenë një masakër kapilare zgjedhore ku ditë për ditë dalin e zbulohen fakte, prova e dimensione të reja të kësaj masakre.

Jeta e gjithsecilit prej nesh, e gjithsecilit prej atyre që përfaqësonin këtu demokratët e Kavajës, e qytetarëve, bashkëqytetarëve tuaj shënohet nga momente të veçanta dhe unë besoj se ky është një nga ato momente të veçanta kur na duhet të marrim vendime të mëdha. Padiskutim këto kanë qenë vite të vështira, nuk kanë qenë vite as privilegjesh e as përkëdhelje, as për mua dhe lidershipin tim, por as për ju dhe ju jeni vetë dëshmitarë e kësaj që po them sepse keni qenë bashkëshoqëruesit e bashkëluftëtarët e këtyre sakrificave.

Por ajo që kemi arritur së bashku nuk mund të hidhet përtokë, as të bëjmë sikur s’e shikojmë për interesa apo mërira të çastit. Ne kemi arritur bashkimin më të madh të zemrave për shkak të vlerave tona, për shkak të synimeve tona, për shkak të programit tonë. Ne kemi arritur frontin më të madh opozitar në 30 vjet pluralizëm dhe bashkimin më të madh shoqëror me të gjithë grupet e interesit dhe të gjithë qytetarët që është edhe arsyeja sepse regjimi kreu masakrën më të madhe zgjedhore.

Ajo që ka ndodhur me 25 prill nuk është një proces tjetër zgjedhor me disa probleme. Me 25 prill ka rënë perdja e hekurt dhe është asgjësuar instrumenti i vetëm i ndryshimit që kishte mbetur që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ka rënë demokracia.

Demokraci do të thotë vullnet i shumicës dhe kur vullneti i shumicës tjetërsohet dhe pakica i mbivendoset me të gjithë mekanizmat, atëherë nuk kemi të bëjmë më me demokraci, atëherë kemi të bëjmë me një regjim. Sepse njësoj si në 91-shin , 25 prilli njësoj si me 31 mars kishte zgjedhje pa zgjidhje.

Pa zgjidhje sepse vullnetit të shumicës për ndryshim, për rotacion, aspiratës dhe shpresës së shumicës së shqiptarëve për të larguar regjimin e 8 viteve dhe për t’i hapur rrugë ndryshimit, iu mbivendos me dhunë dhe me mekanizmat e shtetit të krimit pakica.

Pra, beteja sot nuk është më një përballje midis dy kampeve politike dhe nuk është një përballje thjesht dhe vetëm për të rritur e shtuar mbështetjen elektorale. Beteja sot është ekzistenciale, do të kemi apo s’do të kemi demokraci në këtë vend. Detyra jonë është që në këtë betejë të organizojmë dhe të marrim me vete pikërisht atë shumicë të dhunuar të 25 prillit e cila sot pikëpyetjet e para 25 prillit i ka edhe më të mëdha. Atë shumicë që votoi për ndryshim dhe që dhunshëm iu mohua përkohësisht ndryshimi, e cila sot jo vetëm nuk është e kënaqur, por është e shokuar, e tronditur, e zhgënjyer nga njëra anë, dhe nga na tjetër akoma më e dëshiruar për ndryshimin.

Kjo është gjendja që ju e njihni. Tani çështja është kush do ta bëjë këtë punë. Kush përveç nesh e ka forcën për ta bërë këtë punë? Kush përveç nesh e ka moralin për ta bërë këtë punë? Kush përveç nesh e ruajti besimin e shqiptarëve për ta çuar deri në fund misionin dhe kërkesat e vullnetin e tyre për ndryshim? Ndaj kemi një detyrim të dyfishtë jo vetëm përpara sakrificës së demokratëve të cilët ju pritë në këtë betejë, por mbi të gjithë para fateve të Shqipërisë, para fateve të shqiptarëve dhe familjeve tyre për ta çuar betejën deri në fund.

Dhe ne e kemi matur veten tonë këto 30 vite jo me sa herë na ka rrëzuar fati apo tekat e historisë, por me sa herë kemi ditur të ringrihemi dhe me çfarë fuqie kemi ditur të ringrihemi dhe si e kemi projektuar këtë fuqi tek individët, tek qytetarët për t’i marrë me vete në këtë betejë.

Pra, njësoj si në zemrat e shqiptarëve, zemëratës së ligjshme për padrejtësinë e 25 prillit, po i lë vend pikëpyetjet për hapat që do të hedhim, ne na lind detyra që pas zemëratës t’i japim përgjigje këtyre pikëpyetjeve.

Përgjigja e parë që keni marrë nga kryetari i Partisë Demokratike që në ditët e para që duhet të kumbojë fort nga Kavaja e kudo në Shqipëri edhe njëherë, është që ne as i njohim dhe as nuk do ta pranojmë kurrë masakrën zgjedhore të 25 prillit. Ne do t’i bindim aleatët tanë për masakrën zgjedhore, për vjedhjen më të madhe industriale të votave në histori dhe do të përgatisim bashkë me ta shumë shpejt një platformë për t’i rikthyer legjitimitetin dhe demokracinë vendin. Ne jemi shpresa e vetme për demokraci dhe arsyeja se pse jemi të tillë është aleanca që kemi krijuar me njerëzit, ndaj duhet ta thellojmë këtë aleancë me shoqërinë, me të gjithë shtresat dhe me të gjithë njerëzit e ndershëm të këtij vendi që janë shumica absolute përballë një pakice të pakicës.”, tha Basha.

alert.al/

Basha përgatit PD-në për zgjedhje të parakohshme: Kush flet për 2025, është dorëzuar!

“Kush flet për 2025-ën, është dorëzuar tashmë. Unë nuk jam dorëzuar dhe unë e di që ju s’jeni dorëzuar”, deklaroi kreu i PD-së Lulzim Basha gjatë takimit me demokratët e Kamzës, Vorës dhe njësisë 11.

Ai tha se Partia Demokratike nuk do të lejojë përçarjen, ndërsa veten, e konsideron lider sakrificash dhe jo privilegjesh.

“Dhe lidershipi im në krye të Partisë Demokratike, nuk ka qenë kurrë një lidershipi privilegji, as për vete dhe as për ju, por sakrificash. E kush më mirë se ju është dëshmitari i këtyre sakrificave? pavarësisht të gjithë përpjekjeve të kundërshtarit për të na përçarë, jo sot, por sot e mot, që në muajt e parë të lindjes së kësaj partie janë thyer njëra pas tjetrës si shkopinj. Ai e ka kthyer partinë e tij në një stallë lopësh. Ne bëjmë garë, ne bëjmë debat, ne bëjmë konkurrencë, ne vendosim një anëtarë një votë, dhe ky është një avantazh i padiskutueshëm.”

Demokratëve i garantoi edhe një herë se opsioni i bashkëpunimit me Ramën, nuk ekziston.

“Nuk ka bashkëpunim me regjimin e Edi Ramës, Tom Doshit me shokë, por ka atë që bën çdo qytetar me dinjitet në Europë, çdo familje politike me dinjitet ka përballje me anti-vlerat”

Sipas tij Rama e ka kthyer PS në një “stallë lopësh”.

“Kjo që po bëjmë tani është një nga vlerat që na distancon me çdo parti tjetër, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan. Ai e ka kthyer partinë e tij në një stallë lopësh. Ne bëjmë garë, ne bëjmë debat, ne bëjmë konkurrencë, ne vendosim një anëtarë një votë, dhe ky është një avantazh i padiskutueshëm. Po brenda këtij avantazhi ka dhe një risk për të cilin jam shprehur dhe dua ta përsëris, në kushtet kur me gjithë masakrën zgjedhore ka përballë një Parti Demokratike më të fortë, më të madhe sesa ç’u fut në betejën e 25 prillit, hileja e dytë që do të përdor është përpjekja për të na e kthyer këtë proces por ndoshta dhe proceset e tjera, në një mekanizëm përçarjeje”, shtoi Basha.

Bashkë me 3 kandidatët e tjerë të vendosur përballë tij, Basha ka kohë deri më 11 Qershor për të bindur anëtarësinë ta votojë, ndërsa është i vetmi mes tyre që nuk ka paraqitur një program për reformimin e PD.

alert.al/

“Ulni gjakrat! Boll me sharje!”, demokratja i drejtohet Edit Harxhit gjatë takimit

Kandidatja për kryetare e Partisë Demokratike, Edit Harxhi i përballë sot me kërkesën e një gruaje që i kërkoi të ulet tensioni në PD. Gjatë takimit një grua kujtoi me lot vuajtjet në sistemim komunist dhe kërkoi nga Harxhi që të ulen gjakrat brenda PD-së.

 “Unë jam demokrate. Ulni gjakrat. Nuk duam më sharje. Boll na ikën” tha ajo. Vërejtja u bë gjatë takimit të Harxhit me gratë demokrate.

“Unë dhe Basha kemi qenë miqtë më të mirë, në parti e dinë mirësinë time me Bashën, por kjo është çështje partie. Mos mendoni se do të bëja një përballje personale kundër Bashës dhe askujt”, tha ajo.

Ajo tha se nëse do të votohej do të hapte partinë jësoj siç bëri Berisha në vitin 2005, duke rikthyer të djathtët në pushtet.

“Do të doja që PD të kishte një zonjë në krye, por sido që të ndodhë do të më keni në këtë shtëpi deri kur të kem frymën e fundit dhe jo në një parti tjetër. Kush ka mundësi të kthehet që është i djathtë të kthehet në këtë shtëpi. Gjithçka të zgjidhet me votë, edhe ata që kthehen të futen në votëbesim. Sikur e bëri Berisha në 2005, të hapen partia duke lënë të gjitha hatërmbetjet. Bashkim pa pasur paragjykim për ndasi, përveç të majtës. Duhet qarkullim elitash” tha ajo.

alert.al/