Menu

Tekstilet e këpucët “mbyten” nga kërkesat për punë nga “Dolce Gabbana”, “Geox”..

Në këtë fillimviti, fabrikat e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve po përballen me rritje deri në 200% të porosive, si rrjedhojë zhvendosjes së prodhimit, pas problematikave që po vijnë nga zinxhirët e furnizimit nga Azia dhe çmimet e larta të transportit. Emra të njohur të industrisë së modës, si “Polo”, “Clarks”, “Geox”, “Dolce Gabbana” po rrisin porositë në Shqipëri, por fabrikat po kthejnë shumicën e tyre mbrapsht, për shkak të mungesës së punonjësve. Por kërkesa po shtyn përpara investimet në teknologji dhe në ciklin e mbyllur. Fabrikat po përzgjedhin mes kërkesave ato me çmime më të larta, si dhe po rrisin administrimin e burimeve njerëzore.

Emra të njohur të botës së modës në prodhimin e veshjeve si “Polo”, këpucët “Clarks”, “Geox”, “Dolce Gabbana”, “Gian Franco Ferre”, “Zara”, “Triumph”, “Wolf Lingerie”, për veshje të brendshme e shumë të tjera, dy vitet e fundit kanë shtuar kërkesën për të prodhuar në Shqipëri, në atë masë sa fabrikat shqiptare nuk mund t’i përballojnë.

Për herë të parë pas shumë vitesh, industria shqiptare e tekstilit po kthen mbrapsht porositë, ose ka luksin të përzgjedhë ndërmjet tyre, duke u fokusuar te markat që sjellin më shumë fitime. Ajo që nuk ka ndodhur prej tre dekadash, mund të ndodhë tani, që të krijohet klasteri për veshje dhe këpucë për produkte mbi mesataren dhe Shqipëria të dalë njëherë e mirë nga prodhimet fason me porosi të fragmentuar dhe nga klientë që kërkojnë vlerë të ulët.

Është momenti që fabrikat e veshjeve dhe këpucëve të negociojnë me partnerët e mëdhenj dhe të vendosin çmime dinjitoze, me të cilat të mund të përballojnë mirëmbajtjen e fuqisë punëtore, që është kthyer në problem dhe po pengon zgjerimin e industrisë.

Kërkesa për të prodhuar në Shqipëri nuk është e kufizuar vetëm për sektorin veshjeve dhe këpucëve. Industria ushqimore dhe ajo automjeteve janë në fokus të klientëve të huaj, të cilët po vuajnë problematikën e zinxhirëve të furnizimit nga vendet aziatike.

Porositë nga jashtë, në disa fabrika, janë rritur me 200%

Kompania SAM, që operon në sektorin e konfeksioneve dhe tekstileve, nga të parat që ka realizuar ciklin e mbyllur, do të zgjerojë me 50% prodhimin këtë vit, për të përballuar vetëm një pjesë të kërkesës, që administratorja Mimosa Vojka ka nga tregu ndërkombëtar për porosi në Shqipëri.

SAM, që prodhon produkt të gatshëm, bazuar në inovacion, ku mbizotërojnë proceset e automatizuara, ndërsa shitjet bëhen kryesisht me porosi nga interneti, tha se, kërkesa këto kohë është më e lartë se mundësitë për zgjerim. Gjergj Liqezja, i cili zotëron fabrikën e prodhimit të veshjeve “Madish”, tha se është rritur kërkesa për veshje të brendshme për markat e njohura si “Triumph”, “Wolf Lingerie”.

Në të njëjtat kushte janë pothuajse të gjitha fabrikat në industrinë tekstile, si ato me cikël të mbyllur, edhe ato që punojnë me porosi. Ato po përballen me kërkesë jo të zakontë pas pandemisë, e cila po nxitet edhe nga problematika në zinxhirët e furnizimit nga vendet e largëta të Azisë. Kostot e larta të transportit dhe në shumë raste, vonesat e dërgesave, kanë krijuar boshllëqe në tregje.

Kërkesa e lartë për mallra pas pandemisë nxori në pah logjistikën e dobët të transportit. Menjëherë u shfaq mungesa e punonjësve të transportit detar, anije të pamjaftueshme, mungesë e theksuar kontejnerësh, etj. Mungesat sollën amulli në transportet ndërkombëtare, me çmime të larta, vonesa, ngatërresa të dërgesave dhe në finale, një valë në rritje çmimesh për të gjithë artikujt.

Shumë kompani europiane tani kanë nisur diversifikimin e burimeve të prodhimit, duke sjellë një pjesë të prodhimit në “shtëpi”. Kjo situatë e paralajmërua që në fillim të pandemisë, kur bota u fut në karantinë totale dhe sistemet shëndetësore u gjendën pa furnizime të mjaftueshme maskash dhe veshjesh mjekësore. Për Europën, “Ballkani” mund të ishte “Fabrika” e kontinentit dhe Shqipëria, me përvojë të admirueshme në fushën e tekstilit, do të ishte një përfituese e madhe. Mirëpo emigrimi i lartë i fuqisë punëtore dhe sidomos të rinjve dhe deficitet në teknologji po pengojnë industrinë të rrisë përfitimet. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts