Në emisionin “Alert”, moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, u diskutua tema “Turizmi mes pritshmërive dhe luftës”, ku i ftuar ishte Zak Topuzi, Kryetar i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit.
Topuzi theksoi se konfliktet në Lindjen e Mesme pritet të sjellin një riorientim të flukseve turistike në nivel global, duke favorizuar destinacionet europiane.
“Çdo krizë krijon zhvendosje. Turistët do të orientohen drejt Europës dhe Afrikës,” u shpreh ai.
Sipas tij, rajoni i Lindjes së Mesme përbën një treg prej rreth 100 milionë turistësh, ndërsa për shkak të situatës aktuale pritet një rënie e fluksit nga 27% deri në 38%.
Topuzi nënvizoi se edhe në rast të përfundimit të shpejtë të konfliktit, rikthimi i besimit, veçanërisht për turizmin elitar, kërkon kohë.
“Besimi nuk rikthehet menjëherë. Turizmi elitar është shumë i ndjeshëm ndaj sigurisë dhe mund të zhvendoset për një periudhë të gjatë,” theksoi ai.
Sipas tij, një pjesë e këtyre turistëve pritet të kalojnë drejt destinacioneve alternative, duke krijuar mundësi konkrete për Shqipërinë.
Ai shtoi se nëse situata nuk përshkallëzohet më tej, pritet një rritje e lëvizjeve ajrore dhe turistike me rreth 7-8% krahasuar me një vit më parë.
Topuzi veçoi si element kyç zhvillimin e infrastrukturës ajrore, duke theksuar rëndësinë e aeroportit të Vlorës për të ndryshuar qasjen ndaj turizmit në vend.
“Aeroporti i Vlorës do ta vendosë Shqipërinë në një tjetër nivel, pasi turistët nuk janë të prirur të përshkojnë disa orë rrugë nga Rinasi drejt jugut,” u shpreh ai.
Sipas tij, ky investim do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e aksesit dhe në konsolidimin e Shqipërisë si destinacion turistik në rajon.


