Menu

Transporti publik në Tiranë, shërbimi që nuk njeh përmirësim për konsumatorët

Nga Dallandyshe Xhaferri*

Transporti publik i Tiranës nuk përdoret vetëm nga qytetarët e saj, por edhe nga studentë të qyteteve të tjera, si Elbasan dhe Durrës, të cilët përmes urbaneve u drejtohen autobuzave që i dërgojnë në shtëpi çdo ditë.

Për çdo përdorues të ri të transportit urban në Tiranë është mjaft i vështirë orientimi.

Mungesa e informacionit bën të mundur që udhëtarët të mos dinë se cilën linjë të marrin për të shkuar në destinacionin e tyre; të dinë oraret e autobusit; tarifat e shërbimit duke përfshirë edhe abonetë; të kenë dijeni për kompaninë që ofron shërbimin dhe kontakte për ankesa etj. Kjo mungesë informacioni i bën qytetarët konfuz, ua vështirëson orientimin.

Ana D. është studente e mjekësisë në Tiranë, që çdo ditë përdor trasportin publik për t’u kthyer në qytetin e saj, Elbasan.

Çdo ditë ajo vjen nga Elbasani drejt kryeqytetit për t’u arsimuar duke përdorur transportin publik. Por sfidat e saj të përditshme janë gjithnjë të lidhura me marrjen e këtij shërbimi në kryeqytet, Tiranë.

“Për të marrë urbanin që më dërgon në Terminalin Lindor harxhoj shumë kohë. Ndonjërerë rri 30 minuta duke i pritur,”– thotë studentja, e cila pranon se, nuk kanë munguar rastet kur vonesat e urbaneve të linjave që dërgojnë pasagjerët në Terminalin Lindor u kanë kushtuar atyre qëndrimin në Tiranë.

“Ka patur edhe rast ekstrem që kam pritur që në orën gjashtë e njëzetë të pasdites (18:20) në stacionin pranë qendrës së Tiranës deri në orën tetë pa dhjetë(19:50) për urbanin e linjës së terminalit.  Atë natë kam mbetur në Tiranë, sepse në orën tetë (20:00) largohet nga terminali autobusi i fundit që dërgon pasagjerët në Elbasan”,- thotë Duraku.

Por vonesa e urbaneve nuk është e vetmja problematikë me të cilën përballen përdoruesit e transportit publik në Tiranë. Edmond Çera tregon se gjatë realizimit të një studimi rreth vështirësive të marrjes së këtij në Tiranë, rezultoi se problematikat fillojnë që në marrjen e shërbimit në kohë, tek mbipopullimi dhe mosfunksionimi i kondicionerëve.

“Sipas gjetjeve të këtij studimi vihet re se në rreth 39% të rasteve autobusët kanë qenë ngarkuar aq shumë me pasagjerë sa ishte e vështirë të lëvizet ose e pamundur për të lëvizur brenda tij apo për të zbritur prej tij (31% dhe 8% të rasteve në mënyrë respektive)”,- shkruhet në studimin e realizuar nga Çera.

Në përgjigjen e kërkesës për Informacion dërguar në adresën e Bashkisë Tiranë dhe deleguar pranë Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit (AMK), nënvizohet se një nga detyrat funksionale që AMK-ja ka lidhet me kontrollin e shërbimit të transportit publik, të strukturuar në një sektor të ngritur për këtë qëllim, deri në konstatim dhe dënim të kundërvajtjeve administrative.

“Thënë kjo, përveç numrit të ankesave të ndryshme që na vijnë çdo ditë në adresat tona të vendosura në dispozicion të konsumatorit, ne ushtrojmë kontrolle në mënyrë të vazhdueshme nëpërmjet inspektorëve tanë, çdo ditë, dy herë në ditë, kryesisht në oraret e pikut të fluksit të qytetarëve, që udhëtojnë me mjetet e transportit urban, në të dy senset e udhëtimit (sensi orar/kundërorar), në të gjitha linjat e transportit publik që operojnë në Bashkinë e Tiranës”,- shkuan AMK-ja në përgjigjen e kërkesës për informacion.

Një tjetër problematikë lidhet me mënyrën se si ofrohet shërbimi nga ana e faturinove. Sipas të dhënave të nxjerra nga studimi, rezulton se faturiton shpesh nuk kanë një mjet identifikues.

“Sipas të dhënave të grumbulluara nga studimi vihet re se pjesë problematike për fatorionon është mosmbajtja e një bexhi (etikete) që tregon emrin dhe përshtypja që lë tek pasagjeri si profesional apo jo10 si dhe veshja e uniformës. Në rreth 68% të rasteve fatorino nuk ka mbajtur një etiketë për emrin, 40% të rasteve nuk është dukur profesional dhe në 29% nuk ka mbajtur një uniformë (jelek apo bluzë sipas standardit)”,- shkruhet në studim.

Përfundimisht, problemet në sistemin e transportit publik në Tiranë janë të qarta dhe ndikojnë në përdoruesit e tij në mënyrë të drejtpërdrejtë. Në këtë kontekst, mungesa e informacionit dhe vonesat e autobusëve janë vetëm disa nga sfidat që ballafaqohen përdoruesit si Ana D. dhe shumë të tjerë. Për të përmirësuar këtë situatë, është e rëndësishme që autoritetet lokale dhe operatorët e transportit të ndërmarrin masa për të siguruar qasje të lehtë dhe të drejtë për të gjithë përdoruesit, duke përfshirë një mënyrë më efikase të ofrimit të shërbimeve dhe sigurimin e informacionit të nevojshëm për udhëtarët. Vetëm nëpërmjet përmirësimeve të tilla mund të arrihet qëllimi i një transporti publik më të efektshëm dhe të përshtatshëm për nevojat e komunitetit.

*Autorja ka mbaruar studimet Bachelor për Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe prej vitesh punon si gazetare pranë organizatave me fokus hulumtimin.

 

Related Posts