Menu

Politika nuk i ndal pushimet e serbëve në Shqipëri

Pavarësisht deklaratave të politikanëve në Serbi, të dhënat zyrtare tregojnë se interesimi i qytetarëve serbë për pushimet verore në Shqipëri është në rritje.

Asociacioni Kombëtar i Agjencive Turistike të Serbisë (JUTA) thotë për Radion Evropa e Lirë se, deri në këtë kohë të sezonit, numri i mysafirëve serbë në Shqipëri është rreth 100 për qind më i lartë krahasuar me vitin e kaluar.

Në Serbi ka pasur edhe një fushatë negative për Shqipërinë.

Dragan Markoviq Palma, udhëheqës i Partisë Serbia e Bashkuar dhe deputet në Parlamentin e Serbisë, ka porositur qytetarët që të mos shkojnë “për një coca-cola më të lirë në Shqipëri”.

Në ueb-faqen e partisë së tij, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës në Serbi, Markoviq citohet të ketë thënë se Shqipëria është “fajtore dhe nxitëse e gjithçkaje që shqiptarët e Kosovës u kanë bërë serbëve në Kosovë”.

Por, disa që kanë veruar në bregdetin shqiptar këtë vit, besojnë se Markoviq nuk është dikush që mund të japë këshilla.

“Dragan Markoviq Palma nuk është adresë ku mund të dëgjosh këshilla, çfarëdo, e posaçërisht për temat rajonale”, thotë Jana Vujiq, banore e Beogradit, për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Markoviq është i njohur për publikun në Serbi edhe për udhëheqjen e delegacioneve ekonomike dhe politike në vendpushimet në Greqi dhe Egjipt, që organizohen nga qyteti i Jagodinës në Serbinë qendrore.

Ai e ka nisur karrierën politike në vitin 1993, kur ka formuar Partinë Serbia e Bashkuar, së bashku me Zhelko Razhnatoviq Arkanin, udhëheqës i Gardës vullnetare serbe – një formacion paraushtarak që ka marrë pjesë në luftërat e viteve 1990 në Jugosllavinë e atëhershme.

Shqipëria – një destinacion gjithnjë e më i popullarizuar

Interesimi i qytetarëve serbë për destinacionet në bregdetin shqiptar është rritur ndjeshëm në vitin 2020.

“Para kësaj kohe, më 2018 dhe 2019, ka pasur midis 3 mijë dhe 5-6 mijë turistë nga Serbia në Shqipëri – kryesisht nga jugu i Serbisë dhe rrethinat e Novi Pazarit”, thotë për Radion Evropa e Lirë drejtori i JUTA-s, Aleksandar Seniçiq.

Ai thotë se vitin e kaluar, Shqipëria, për shkak të pandemisë së koronavirusit, ka qenë një nga vendet e pakta të hapura për qytetarët e Serbisë.

Sipas tij, përvojat e atyre që kanë vendosur ta kalojnë verën në Shqipëri në atë kohë, janë të mira, dhe fakti që nuk kërkohen dokumente shtesë për qytetarët e Serbisë as këtë vit, janë arsye për rritjen e interesimit.

“Deri në këtë moment të sezonit, ne kemi rreth 100 për qind më shumë mysafirë se vitin e kaluar, i cili ka qenë dukshëm më i mirë në krahasim me vitet 2018 dhe 2019. Vitin e kaluar, kemi regjistruar rreth 20,000 turistë nga Serbia në Shqipëri”, thotë Seniçiq.

Nëse trendi vazhdon, sipas tij, Shqipëria mund të presë rreth 60-70 mijë turistë nga Serbia deri në fund të sezonit.

 

Burimi: Radio Evropa e Lirë

 

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed