Nga Granit Sokolaj
Subjekti “Saranda-al” dhe abuzimi i tij me sigurinë ushqimore, nxorri në pah paaftësinë apo/dhe papërgjegjshmërinë e institucioneve që duhet të garantojnë sigurinë ushqimore në vendin tonë. Kjo, pa dashur të mendojmë për nivelin e lartë të korrupsionit në institucionet shqiptare.
Pamjet e publikuara nga emisioni “Stop”, e bënë mjaft të qartë situatën e “banjos publike” që ushqente shqiptarët, si nga kushtet higjeno-sanitare, por dhe abuzimi e mashtrimi që rrezikonte seriozisht jetën e konsumatorëve, veprimtari kjo që zhvillohej hapur nën hundën e inspktorëve të autoritetit kombëtar të ushqimit.
Qendra ALERT dhe Alert.al kanë mundur të mësojnë se që nga viti 2019 e deri tani, “Saranda-Al” është inspektuar të paktën 6 herë. Ndërsa vetëm në 3-4 muajt e fundit është inspektuar 3 herë. Konkretisht, më 23 nëntor 2020, inspektorët e AKU e kanë kontrolluar subjektin në fjalë, duke gjetur “shkelje të papërfillshme” dhe si masë disiplinore ndaj tij, janë lënë disa detyra.
Më pas, në dhjetor 2020, sërish subjekti është inspektuar, ndoshta për të verifikuar nëse ishin zbatuar detyrat e lëna në nëntor. Inspektorët e AKU kanë konstatuar vetëm një problem “të vogël” dhe i kanë lënë detyrë ndarjen e produkteve sipas natyrave. Pra, për ta thënë më thjesht, të ndahen në ambiente të ndryshme përpunimi e paketimi vaji i ullirit, nga djathi kaçkavall apo produktet me natyra të tjera. Gjithmonë, duke i lënë vetëm detyra, pa marrë asnjë masë tjetër administrative (edhe lënja e detyrave, ligjërisht konsiderohet masë administrative).
Ndërsa “qershia mbi tortë” e përgjegjshmërisë së AKU dhe e cilësisë së inspektimit, është kontrolli i ushtruar në këtë subjekt më 8 shkurt 2021. Ky inspektim është mbyllur, pra procesverbalet, referuar Nenit 47 të Ligjit Nr. 10433, datë 16.6.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”. Referuar këtij neni, që është pasqyruar në procesverbalin e mbajtur nga inspektorët, kuptohet qartë që nuk ka pasur shkelje, pra gjithçka ishte e ligjshme dhe konfirm legjislacionit për garantimin e sigurisë ushqimore të konsumatorit.
Po çfarë thotë konkretisht neni 47?
“Përfundimi i procedimit kur nuk konstatohen shkelje:
1. Kur konstatohet se nuk ka shkelje të kërkesave ligjore, procedimi administrativ i inspektimit
përfundon me një vendim që pasqyrohet në fund të procesverbalit apo me vendim përfundimtar,
pas shqyrtimit, sipas nenit 46 të këtij ligji.
2. Në vendimin e pasqyruar në procesverbal apo në vendimin përfundimtar përcaktohen edhe
arsyet për përfundimin e procedimit.
3. Vendimi përfundimtar, sipas pikave 1 dhe 2 të këtij neni, i njoftohet subjektit të inspektimit”.
Pra, referuar këtij neni, duket që inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, nuk kanë konstatuar asnjë shkelje, madje kanë deklaruar në procerverbal edhe se, “subjekti disponon dokumentacionin shoqërues për produktet, faturat tatimore të blerje-shitjeve” etj. Inspektimi i fundit, por edhe dy të tjerat para tij, ato të nëntorit dhe dhjetorit 2020, tregojnë qartë që inspektimet e AKU kanë qenë nën nivellin e duhur. Arsyet mund të jenë të ndryshme: Ose inspektorët nuk kanë kuptuar çfarë ndodh e si duhet të ndodhë procesi brenda subjektit “Saranda-al”; ose procesverbalet e inspektimit i kanë hartuar të ulur në lokalet afër subjektit, ku në tavolinë mund të kenë pasur përfaqësuesin e kompanisë; ose janë korruptuar në çdo inspektim që kanë bërë; ose, siç ndodh rëndom në Shqipëri, kanë marrë porosi me telefon (që të mos lihen gjurmë me tekst në sms apo e-maile) nga eprorët, që t’i rrinë larg tij subjekti me penalizime. Opsionet janë të ndryshme, por logjikisht njëri nga këta duhet të qëndrojë. Ndryshe, nuk do kishim ngrënë të gjithë ne nga këto produkte, përfshirë edhe familjet e fëmijët e punonjësve të AKU, të Ministrisë së Bujqësisë, të prokurorisë, të SPAK e të policisë.
Kjo e fundit, sot njoftoi arrestimin e administratorit të “Saranda-al”, Mihail Kote, i cili në krimin e tij, ka rrezikuar rregullisht shëndetin dhe jetën tonë. Por, meqë viktimë e tij janë dhe familjet e fëmijët e uniformave blu, a mendohet se ky person ka pasur dhe bashkëpunëtor e këta të fundit, padyshim duhet të akuzohen për bashkëpunim, për ndihmë e favorizim të autorit, apo për fshehje të provave? Ndërsa çështjen e korrupsionit të mundshëm, tashmë e ka marrë në dorë Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili i gjendur rastësisht në AKU për kontrollet vjetore, ka marrë dhe po verifikon dy procedurat e fundit të inspektimit të subjektit në fjalë.
Ndërkohë, “Saranda-al” ka qenë subjekt me precedentë për AKU-në. Në vitin 2018, kjo kompani është gjobitur me 2 milion lekë (të reja) pasi ushtronte aktivitetin e tij pa QKL, si dhe kishte mungesë të theksuar të etiketimit të produkteve. Më pas, subjekti e mori QKL, një për dhomën frigoriferike, një për prodhim, përpunim e ambalazhim produktesh me origjinë shtazore (djathi kaçkavall etj) dhe të tjetrën për prodhim, përpunim e ambalazhim produktesh me origjinë joshtazore (vaj ulliri etj). Në këto kushte, të paktën deri në dhjetor 2020, ky subjekt është inspekturar nga dy trupa inspektuese të ndryshme të AKU, njëra për produktet me origjinë shtazore dhe tjetra për ato joshtazore. Dhe një asnjë rast, dy trupat, me nga 2 inspektorë së paku secila prej tyre, nuk kanë arritur të konstatojnë shkeljet, kushtet higjenosanitare, mashtrimin me përzjerjet e vajit dhe as me djathrat e mbledhura nga “mbeturinat”, grirjen dhe riambalazhimin e tyre???!!!
Detyrë tjerër e inspektorëve të AKU, kur kanë dyshime, është edhe marrja e mostrave. Madje, për këtë AKU ka dhe një plan vjetori marrje mostrash (të paktën në letër). Dhe në 6 inspektime, inspektorët kanë marrë vetëm një herë një mostër djathi kaçkavall, që është analizuar në laboratorin e Drejtorisë Rajonale të AKU në Tiranë, e cila ka rezultuar edhë ajo, konform rregullave të sigurisë ushqimore.
Nga të gjitha faktet, duket qartë që subjekti “Saranda-al” ka pasur mbështetje të madhe për të vazhduar aktivitetin në dëm të konsumatorëve, pa i ndodhur asgjë. Ndërkohë, për të verifikuar “zinxhirin” e mbështetjes dhe favorizimit, strukturat shtetërore si KLSH, policia dhe prokuroria i kanë të gjitha mundësitë. Kanë procerverbalet e inspektimeve, kanë pamje filmike të mjaftueshme. Mjafton të mendojnë vetëm për ushqimin që iu vënë në tavolinë fëmijëve të tyre!
Qendra Alert / Alert.al
LEAVE A COMMENT