Menu

Rektori Hoxha: Tarifa e universitetit do paguhet e plotë për vitin pandemik

Studentët do ta paguajnë të plotë tarifën e studimeve universitare megjithëse i gjithë viti akademik universitar ishte online.

Rektori i Universiteti të Tiranës Artan Hoxha sqaroi edhe njëherë se ndryshimi i tarifës është i pamundur.

“Universiteti nuk duhet parë vetëm në një aspekt, universiteti është i gjithi shërbim për studentët. Ajo që është e shëndetshme është që universiteti të rritet, të forcohet, të japë programe konkurruese,” tha Hoxha.

Ligji i arsimit të lartë i cili ngjalli debate dhe protesta të shumta nga studentët dhe pedagogët, duket se mund të ketë ndryshime.

Rektori u shpreh se në takimin me kryeministrin Rama u diskutua jo formalisht edhe për hapësirat ligjore për arsimin e lartë.

“Sot që flasim jemi akoma në verifikimin e disa hapësirave ligjore. Ajo që ka vuajtur në fakt ka qenë mosmbështetja e këtij ligji në kohë me aktet nënligjore,” tha ai.

Në takimin mes rektorëve dhe kryeministrit vend kryesor në diskutim zuri ndërkombëtarizimi i diplomave shqiptare, në mënyrë që studentët të mos hasin probleme për tu punësuar jashtë vendit.

“Një nga prioritetet që ne mendojmë dhe do t’i shërbente shumë studentëve tanë është ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë, kryesisht vendeve të BE, diploma të përbashkëta apo kërkime shkencore të përbashkëta,” tha rektori.

Nëse situata pandemike në Shqipëri nuk do të vijojë me të njëjtat ritme, atëherë viti i ri akademik duket se do t’i rikthejë studentët në auditore.

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed