Menu

Vështirësitë energjetike nxisin zhvillimin e biokarburanteve të reja

Lufta në Ukrainë po nxjerr në pah varësinë energjetike të Evropës nga Rusia dhe po nxit zhvillimin e biokarburanteve të reja, me djegie më të pastër. Spanja po bëhet një udhëheqëse në këtë përpjekje pasi vitin e kaluar ajo filloi të përdorte për avionët karburant të prodhuar nga bërthamat e ullirit.

Në Forumin Ekonomik Botëror të këtij viti në Davos Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se nuk duhet humbur kohë në përpjekjet për kalimin në një ekonomi me energji të pastër.

“Në më pak se tre dekada ne duam të arrijmë në nivelin zero të çlirimit të gazeve që shkaktojnë efektin serrë”, tha ajo.

Industria e aviacionit konsiderohet si një nga armiqtë më të mëdhenj në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil thotë se nga mesi i viteve 2030 pritet të ketë jo më pak se 200 mijë fluturime në ditë në të gjithë botën.

Përdorimi i karburanteve më të pastra është mënyra e vetme për linjat ajrore për të realizuar objektivat globale të emetimit të karbonit.

Një nismë në Spanjë po përdor mbetjet organike nga bërthamat e ullirit për të prodhuar karburant të qëndrueshëm dhe të pastër për avionët.

“Në rajonin spanjoll të Andalucias, ne kemi 25 për qind të ullishteve në botë, që do të thotë se kemi një nivel të lartë prodhimi. Pra, këtu, logjikisht, ka shumë interes për të shfrytëzuar dhe transformuar mbetjet bimore në biokarburant dhe në produkte të tjera”, thotë Juan Miguel Romero Garcia nga Universiteti i Haenit.

Në një projekt pilot me prodhuesin e biokarburanteve, “Cepsa”, 200 fluturime nga gjashtë kompani të ndryshme ajrore, duke përdorur 4.5 për qind të biokarburantit të prodhuar nga bërthamat e ullirit dhe mbetje të tjera bimore, bënë fluturime komerciale nga aeroporti i Sevijes në fund të nëntorit.

Tani po bëhen hulumtime për prodhimin e një karburanti të ngjashëm për makinat, pa patur nevojë për ndryshime të mëdha në teknologjinë e prodhimit të tyre, në mënyrë që të funksionojë për makinat që janë në përdorim sot.

“Do të përpiqemi të prodhojmë biokarburant shumë të ngjashëm me atë që kemi tani në një mënyrë që do të kërkonte ndryshime të vogla dhe që mund të përdoret sa më shpejt që të jetë e mundur drejtpërdrejt në transport ose në makina”, thotë Juan Miguel Romero Garcia nga Universiteti i Haenit.

Lëndët djegëse fosile të përdorura në Spanjë janë pothuajse tërësisht me origjinë të huaj, kështu që ka një nxitje të madhe për të zhvilluar teknologji të prodhimit të biokarburanteve nga bërthamat e ullirit ose mbetje të tjera bimore në vend.

Perspektiva e shndërrimit të mbetjeve të ullirit në lëndë djegëse dhe produkte të tjera, si materiale ndërtimi, mund të nxisin ekonominë dhe mund të krijojnë vende të reja pune në një rajon të BE-së me një nga nivelet më të larta të papunësisë. (VOA)

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts

LEAVE A COMMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed