Menu

Zbulohet varr masiv i viktimave të diktaturës komuniste

Një firmë ndërtuese, e cila po kryente punime në rrugën e lagjes së re në Përmet, ka zbuluar disa varre. Firma ndërtuese ka informuar autoritetet policore dhe këto të fundit tashmë e kanë rrethuar zonën në fjalë në një sipërfaqe prej 100 metra katrorë. Kreu i shoqatës antikomuniste të të përndjekurve politikë Nebil Çika, është shprehur që ata dyshojnë që këto varre të jenë  të të zhdukurve nga diktatura komuniste dhe të të pushkatuarve. Kjo sepse në këtë zonë gjatë diktaturës komuniste ka qenë një repart ushtarak, nga ato repartet famëkeqe të ndjekjes që ndiqnin armiqtë e komunizmit, diversantët, ata që arratiseshin dhe deri në vitin 1991 ka qenë qendra më e madhe e stërvitjes së ushtarëve të kufirit për të gjithë jugun e Shqipërisë. Sipas Z. Çika dhe në bazë të të dhënave të tyre por edhe nga arkivi i ministrisë së Brendshme, por edhe nga dëshmitarët, këto lloj repartesh të izoluara, në varësi të ministrisë së Punëve të Brendshme  dhe të sigurimit të shtetit përdoreshin dhe si vende ekzekutimi për kundërshtarët e regjimit, ata që dënoheshin me vdekje, ata që vriteshin ose kapeshin në kufi, varroseshin në këto vende.

‘Jemi këtu për të denoncuar jo vetëm gjetjen e eshtrave. Dua të falënderoj firmën e ndërtimit të rrugës, e cila është treguar e përgjegjshme dhe e ka rrethuar vendin, ka lajmëruar policinë dhe prokurorinë, ndërkohë që shteti nuk ka marrë asnjë masë. Këtu në bazë të ligjit kemi një skenë krimi. Kemi katër skelete, katër trupa të vdekurish. Normalisht duhet të ishte skenë krimi, e rrethuar me shenjat e policisë dhe duhet të kishte roje të armatosur 24 orë. Mund të vijë dikush në darkë, t’i marrë, t’i heqë sepse nuk ka njeri. Ka dy javë, nuk ka ardhur askush, nuk ka as urdhër prokurorie për të filluar hetimet, nuk ka ardhur as mjek ligjor, as antropolog. Kjo dëshmon indiferencën e shtetit kur bëhet fjalë për të zhdukurit gjatë diktaturës komuniste”, deklaroi Çika.

albeu.al/

Related Posts