Java e Demokracisë Vendore 2021 nuk mund të mbyllej ndryshe përveçse duke dhënë shembullin në vetë të parë. Stafi i LevizAlbania dhe dhjetra të rinj e të reja i‘u bashkuan thirrjes që projekti shpalli që në krye të Javës së Demokracisë Vendore. Lumi Mat, i cili ndodhet midis Lezhës dhe Kurbinit, duket se e ka humbur vëmendjen e nevojshme të autoriteteve
vendore për ta ruajtur, pastruar dhe promovuar si një potencial turistik për këtë zonë. Për të kthyer këtë vëmendje, LevizAlbania ka mbështetur në Thirrjen 7 për aplikime nismën individuale të ideuar nga Besnik Hidri, banor i kësaj zone, mësues dhe aktivist, i cili po përpiqet të promovojë vlerat historike dhe turistike të Lumit Mat. Falë mbështetjes së Leviz Albania, ai ka nisur zbatimin e projektit me titull “Ruajtja dhe kthimi në zonë turistike të lumit Mat”. Në kuadër të kësaj iniciative u ndërmor një aksion pastrimi në brigjet e këtij lumi, si dhe u zhvilluan lundrime me kanoe. Kësaj iniciative iu bashkuan aktivistë të shoqërisë civile, autoritete vendore, nxënës, mësues e banorë të zonave përreth.
Erton Kashta, Drejtor Ekzekutiv i Leviz Albania thotë se, synimi kryesor i kësaj iniciative është që komunitetit të jetë aktiv për të bashkëpunuar me Qeverisjen Vendore për shërbime më të mira. “Iniciativa e sotme është në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Mjedisit. Ne, si pjesëtarë të Leviz Albania jemi këtu sot në breg të lumit Mat në afërsi të Urës së Zogut, që të japim një shembull personal, për të nxitur të gjithë qytetarët që të jenë aktiv, të angazhohen në punë që i shërbejnë komunitetit. E dyta jemi këtu për të promovuar dhe vlerat turistike që ka kjo zonë. Vlerat që lidhen me urën e Zogut, por dhe me traditat e zonës përreth. Vetë lumi si një burim natyror mund të ofrojë mundësi për zhvillimin e turizmit dhe zhvillimin ekonomik të kësaj zone. Synimi ynë kryesor është që komuniteti të jetë aktiv dhe përmes këtij shembulli që ne po japim, do i ftonim të gjithë qytetarët që të jenë aktivë, jo vetëm në mbrojtjen e mjedisit dhe burimeve ujore, por edhe të qenurit aktivë në jetën e tyre të përditshme për të kërkuar dhe bashkëpunuar me Njësitë Vendore për shërbime më të mira”, thotë Z.Kashta.
Vullnetarët që iu bashkuan kësaj nisme shprehen se mbrojtja dhe zhvillimi i këtij lumi është në të mirë të të gjithë zonës. “Iniciativa të tilla për mbrojtjen e mjedisit dhe burimeve natyrore janë mjaft të rëndësishme. Ne jemi bashkuar me kënaqësi kësaj nisme dhe u bëjmë thirrje të rinjve të tjerë që të na ndihmojnë, pasi mendojmë se mund t’i kthejmë lavdinë e dikurshme këtij aseti mjaft të rëndësishëm ujor për zonën dhe gjithë vendin”, thotë Angjelina Mikaj, nxënëse vullnetare. I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe administratori i Njësisë Administrative Shënkoll Gjergj Malshi, i cili garantoi mbështetje për iniciativa të tilla, duke shtuar se qeveria shqiptare do të zbatoje një projekt, i cili do t’ia ndryshojë pamjen këtij lumi.
Aksioni pastrimit i organizuar nga LevizAlbania synon të kthehet në një traditë e përvitshme e projektit që mbështet kauzat qytetare që sjellin përmirësim të jetës komuniatare dhe qytetare përmes aksioneve konkrete, ndërgjegjësimit, vullnetarizmit dhe aktivizmit. Ne dhamë shembullin tonë dhe do të vijomë të kontribuojmë për një mjedis sa më të pastër, qytetari aktive dhe demokraci vendore.
Qendra Alert – Alert.al
