Menu

Sociale

Transporti publik kundërshton rritjen e TVSH-së, shërbimi nis në orën 08:00

Rritja e propozuar e TVSH-së nga 20% në 21% në Paketën Fiskale 2027 ka sjellë reagimin e shoqatave të transportit publik, të cilat kundërshtojnë rritjen e barrës fiskale dhe paralajmërojnë se ajo mund të përkthehet në shtrenjtim të biletave për qytetarët.

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban kanë njoftuar se ditën e enjte, më 26 nëntor, shërbimi i transportit publik në të gjitha qytetet e vendit do të nisë në orën 08:00. Deri në këtë orë, shërbimi nuk do të ofrohet.

Vendimi vjen në prag të seancës plenare të Kuvendit, ku më 26 nëntor është parashikuar votimi i Paketës Fiskale dhe Projektbuxhetit të Shtetit për vitin 2027.

Sipas shoqatave, rritja e TVSH-së do të sjellë shtim të kostove për operatorët dhe për pasojë, rrezikon të reflektohet në çmimin e biletave të transportit publik. Ata kundërshtojnë kalimin e kësaj barre financiare te qytetarët, duke argumentuar se transporti publik nuk është një shërbim luksi, por një nevojë e përditshme për mijëra persona që e përdorin për të shkuar në punë, shkollë, spitale dhe për të marrë shërbime të tjera thelbësore.

Përmes këtij veprimi, shoqatat kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse dhe marrjen në konsideratë të kërkesave të tyre, me qëllim ruajtjen e çmimit aktual të biletës dhe garantimin e vijimësisë së shërbimit publik.

Qendra Alert/Alert.al

Ligji i ri për konsumatorin, Muçaj: Konsultimi të jetë në qendër të vendimmarrjes!

Miratimi i ligjit të ri për mbrojtjen e konsumatorit nr. 116/2026 shënon një hap drejt përafrimit të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian, por zbatimi i tij kërkon më shumë se ndryshime ligjore. Përfshirja e shoqërisë civile, konsultimi me organizatat dhe forcimi i mekanizmave institucionalë janë thelbësorë që të drejtat e konsumatorëve të mos mbeten vetëm në letër.

Ermelinda Muçaj, Oficere Projekti në Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA), e ftuar në emisionin “Alert” në News24, foli për trajnimet, tryezat konsultative dhe rekomandimet e dhëna gjatë procesit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë europian.

“Përveç trajtimit të risive ligjore, por edhe ankesave të konsumatorëve që janë shfaqur gjatë trajnimeve të organizuara, jemi fokusuar edhe te direktivat e reja që së fundmi janë implementuar në BE, me të cilat është përafruar edhe legjislacioni ynë” u shpreh Muçaj.

Ngritja e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile, sipërmarrësve dhe individëve të angazhuar në mbrojtjen e konsumatorit ka qenë një prej drejtimeve kryesore të punës së EMA-s. Paralelisht, përmes tryezave konsultative është synuar që këta aktorë të kenë një rol më të madh në proceset vendimmarrëse.

Muçaj theksoi se diskutimet kanë përfshirë organizata të shoqërisë civile, akademikë dhe institucione përgjegjëse, me vëmendje të veçantë te Kapitulli 12 i negociatave me BE-në, që lidhet me sigurinë ushqimore, politikat veterinare dhe fitosanitare, si dhe përafrimin e paketës ligjore.

“Përveç ngritjes së kapaciteteve, kemi mbajtur tryeza në kuadër të platformave për integrimin në BE, e vetmja platformë ku organizatat e shoqërisë civile mund të marrin pjesë sipas fushës së ekspertizës që mbulojnë” tha ajo, duke përmendur diskutimet edhe për ligjin për kontrollet zyrtare dhe atë për kafshët.

Një nga çështjet kryesore të ngritura në këto konsultime është edhe mënyra se si do të funksionojë Agjencia e re për Mbrojtjen e Konsumatorit, e cila pritet të krijohet. Sipas Muçajt, kjo strukturë nuk duhet të jetë e mbyllur brenda administratës, por duhet të garantojë përfaqësimin dhe konsultimin e shoqërisë civile.

“Shoqëria civile është e rëndësishme të jetë e përfshirë. Agjencia që do të krijohet duhet të ketë një Këshill të përhershëm konsultativ, që vendimet të mos jenë vetëm në dorën e stafit, por edhe organizatat e shoqërisë civile të kenë një zë në vendimmarrje” deklaroi Muçaj.

Sipas propozimit të diskutuar, në këtë këshill parashikohet përfaqësimi i tre organizatave të shoqërisë civile dhe dy përfaqësuesve të agjencisë. Një mekanizëm i tillë synon të sigurojë konsultim të vazhdueshëm, mbikëqyrje dhe më shumë transparencë në vendimmarrje.

Risitë e ligjit, përgjegjësitë institucionale dhe sfidat e zbatimit të tij ishin në fokus të tryezës për Kapitullin 28, “Mbrojtja e Konsumatorit dhe Shëndetit”, organizuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) dhe Qendra ALERT, në kuadër të Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian dhe Konventës Kombëtare për Integrimin Europian.

Qendra Alert/Alert.al

Klajdi Tozaj: Ankesat në “Alert”, 84 nga 120 prejt tyre janë zgjidhur

Mbrojtja e konsumatorit hyn në një fazë të re me miratimin e ligjit nr. 116/2026, i cili synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian dhe forcimin e të drejtave të qytetarëve në marrëdhëniet me bizneset dhe ofruesit e shërbimeve.
I ftuar në emisionin “Alert” në News24, Klajdi Tozaj Oficer Projekti në Qendrën Alert, u ndal te puna për forcimin e kapaciteteve të organizatave, sipërmarrësve dhe individëve që janë përfshirë në nisma për mbrojtjen e konsumatorit.
Sipas tij, projekti ka synuar të përfshijë kategori të ndryshme aktorësh, pavarësisht profilit të tyre, duke i mbështetur përmes trajnimeve dhe duke krijuar një rrjet bashkëpunimi me shtrirje sa më të gjerë gjeografike.
“Ka qenë një sfidë dhe diçka për t’u vlerësuar që, pavarësisht profilit, kanë shprehur dëshirën të përfshihen” u shpreh Tozaj.
Ai theksoi se mbrojtja e konsumatorit nuk është një fushë e izoluar, por lidhet edhe me sektorë të tjerë dhe me akte të ndryshme normative, çka e bën të nevojshëm bashkëpunimin mes aktorëve dhe rritjen e njohurive të tyre.
“Tematikat janë përtej të drejtave të konsumatorit, pasi është një fushë e ndërlidhur edhe me fusha të tjera” deklaroi Tozaj.
Një tjetër element i rëndësishëm i projektit ka qenë krijimi i një rrjeti bashkëpunimi me shtrirje të gjerë gjeografike, duke synuar qëndrueshmërinë e tij dhe angazhimin e të gjitha palëve edhe përtej periudhës së trajnimeve. Sipas Tozajt, kjo ka mundësuar forcimin e kapaciteteve dhe rritjen e mundësive për trajtimin e problematikave, në mënyrë që konsumatorët të kenë më shumë mbështetje dhe përfaqësim.
Sa u përket rezultateve konkrete, Tozaj bëri të ditur se gjatë 2 viteve të zbatimit të projektit janë regjistruar gjithsej 227 telefonata lidhur me ankesat e konsumatorëve. Nga këto, 120 raste kanë plotësuar kriteret për t’u trajtuar si ankesa, pasi jo çdo telefonatë apo kontakt i qytetarëve mund të ndiqet si rast konkret.
“Janë 120 raste të trajtuara deri tani që nga nisja e projektit. Jo çdo telefonatë përmbush kushtet që të ndiqet” theksoi ai.
Nga 120 ankesat e trajtuara, 84 prej tyre ose rreth 69%, kanë marrë zgjidhje. Tozaj nënvizoi se trajtimi i problematikave kërkon kohën e vet, pasi procesi përfshin edhe njoftimin e tregtarit për ankesën dhe pritjen e reagimit të tij.
Tozaj nënvizoi se përtej trajtimit të ankesave, informimi, ndërgjegjësimi dhe denoncimi i problematikave mbeten pjesë të rëndësishme të projektit, me synimin për të rritur njohuritë e konsumatorëve dhe për t’i nxitur ata të kërkojnë respektimin e të drejtave të tyre.

Qendra Alert/Alert.al

Teliti: Ligji i ri për konsumatorin, më shumë mbrojtje dhe transparencë në treg

Ligji i ri për mbrojtjen e konsumatorit synon të sjellë ndryshime të rëndësishme në marrëdhënien mes qytetarëve dhe bizneseve, duke përafruar legjislacionin shqiptar me standardet e Bashkimit Europian. E ftuar në emisionin “Alert”, Ersida Teliti, Drejtore Ekzekutive e Qendrës Konsumatore Shqiptare (QKSH), e konsideron këtë ligj një prej detyrimeve të rëndësishme në procesin e integrimit europian, por edhe një ndryshim në mënyrën se si hartohet dhe zbatohet legjislacioni në Shqipëri.
“Si juriste, mund të them se ligji i ri dhe kuadri ligjor për përmbushjen e detyrimeve kanë ndryshuar edhe teknikën legjislative shqiptare. Nuk kemi më nene të ndara në paragrafë dhe pika, por një strukturë të re, në përputhje me metodologjinë e përafrimit të legjislacionit europian” shprehet Teliti.
Nga transparenca në përcaktimin e çmimeve, te tregtia online, kreditë konsumatore dhe agjencitë turistike, kuadri i ri ligjor parashikon mekanizma më të fortë për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve.
Një prej ndryshimeve që pritet të ndikojë drejtpërdrejt te qytetarët lidhet me metodologjinë e përcaktimit dhe reklamimit të çmimeve. Sipas Telitit, rregullat e reja synojnë të frenojnë praktikat abuzive që shoqërojnë fushatat promocionale, ku çmimet rriten fillimisht për t’u ulur më pas në mënyrë fiktive.
“Black Friday nuk do të ketë më mashtrime të konsumatorëve, pra rritje të çmimeve dhe më pas ulje të tyre, por do të kemi çmime reale” thekson ajo.
Një tjetër risi është forcimi i rolit të Agjencisë së re për Mbrojtjen e Konsumatorit. Sipas Telitit, kjo strukturë nuk duhet të kufizohet vetëm te informimi dhe këshillimi ligjor, por duhet të ketë mundësi t’i drejtohet edhe gjykatës për të mbrojtur interesat e konsumatorëve. Vlerësim pozitiv ajo bën edhe për rregullimin më të qartë të tregtisë online, kredive konsumatore dhe aktivitetit të agjencive turistike, fusha ku qytetarët përballen gjithnjë e më shumë me problematika dhe praktika të padrejta.
Megjithatë, përtej ndryshimeve në ligj, sfidë mbetet zbatimi i tij në nivel vendor. Teliti ngre shqetësimin për funksionimin e zyrave të mbrojtjes së konsumatorit pranë bashkive, veçanërisht pas ndarjes së re territoriale dhe riorganizimit të strukturave vendore.
“Nuk e dimë sa zyra për mbrojtjen e konsumatorit do të kemi. Ajo që parashikon ligji i ri është mbrojtja e konsumatorit pranë këtyre bashkive. Pavarësisht se kemi kërkuar hapjen e këtyre zyrave, kemi pasur rezistencë nga bashkitë, të cilat pretendojnë se kjo është përgjegjësi e strukturave qendrore” shprehet Teliti.
Ajo bën me dije se më shumë se 30 bashki kanë një strukturë minimale, me dy punonjës për mbrojtjen e konsumatorit, ndërsa në një pjesë të tyre kjo përgjegjësi mbulohet nga punonjës që kanë edhe detyra të tjera. Madje, sipas saj, ka raste kur vetë punonjësit nuk janë në dijeni të ekzistencës së kësaj strukture.
Problemi nuk lidhet vetëm me mungesën e kapaciteteve institucionale, por edhe me informimin e qytetarëve për të drejtat që u garanton ligji.
“Pjesa më e madhe e konsumatorëve nuk i njohin të drejtat e tyre, për shembull të drejtën për riparimin e produktit nga tregtari pa asnjë kosto. Këtë mund ta bëjnë zyrat e mbrojtjes së konsumatorit. Ato duhet të informojnë qytetarët dhe të adresojnë ankesat e tyre. Nëse qytetari nuk ka informacionin e duhur, punonjësi i bashkisë mund ta orientojë dhe ta njohë me të drejtat që ka” nënvizon Teliti.
Teliti tha se zhvillimi i turizmit ka sjellë gjithashtu rritje të numrit të ankesave nga konsumatorët e huaj, duke shtuar nevojën për struktura funksionale që garantojnë informimin dhe trajtimin e problematikave të tyre.
Kështu, ndërsa ligji i ri synon të përafrojë Shqipërinë me standardet europiane, mbetet për t’u parë nëse institucionet qendrore dhe bashkitë do të kenë kapacitetin dhe vullnetin për ta kthyer mbrojtjen e konsumatorit nga një detyrim në letër, në një të drejtë që qytetarët mund ta ushtrojnë realisht.

Qendra Alert/Alert.al

Vaji i ullirit bie në 300 lekë/litër, AFI kërkon ndërhyrje urgjente të qeverisë!

Vaji i ullirit po kthehet në një barrë ekonomike për fermerët shqiptarë. Çmimi në treg ka zbritur në rreth 300 lekë për litër, shumë më poshtë se kostot e prodhimit, duke bërë që grumbullimi të bllokohet dhe një pjesë e fermerëve të frenojnë vjeljen. Në disa zona të vendit është mbledhur deri më tani vetëm 20% e prodhimit, ndërsa sasitë e vajit të prodhuar po mbeten stok në shtëpitë e fermerëve.

Për prodhuesit, një çmim prej të paktën 500 lekësh për litër do të ishte i nevojshëm për të mbuluar shpenzimet. Vetëm pagesa e vjelësve varion nga 3.500 deri në 5.000 lekë në ditë, pa llogaritur kostot e tjera të mirëmbajtjes dhe përpunimit të ullirit.

Situata po ngre shqetësime për të ardhmen e sektorit. Albanian Food Industry (AFI) paralajmëron se nëse çmimet vijojnë të mbeten nën koston e prodhimit, fermerët mund të braktisin kultivimin e ullirit, madje edhe të presin plantacionet ekzistuese.

Shoqata i kërkon qeverisë të ndërhyjë urgjentisht përmes Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, duke propozuar një paketë me shtatë masa për të mbështetur fermerët dhe industrinë vendase të vajit të ullirit.

Ndër kërkesat kryesore është krijimi i një grupi pune për të analizuar situatën dhe përcaktuar mekanizmat e mbështetjes, si dhe ngritja e një fondi që do të mundësojë certifikimin falas të vajit të ullirit sipas standardeve ligjore dhe organike, kur plotësohen kushtet. Pagesa për certifikimin do të kryhej ose rimbursohej pas shitjes së produktit.

AFI kërkon gjithashtu ndalimin e përkohshëm të importeve të vajit të ullirit deri në fund të janarit, me argumentin se prodhimi vendas duhet të ketë mundësi të dalë në treg. Një tjetër propozim është zhvillimi i një fushate të përditshme mediatike për të nxitur konsumatorët të zgjedhin vajin shqiptar.

Në paketën e propozuar përfshihet edhe detyrimi që subjektet që kanë përfituar mbështetje nga fondet publike të AZHBR-së apo lehtësira fiskale si investitorë strategjikë, të blejnë deri në qershor vetëm vaj ulliri shqiptar të certifikuar. Për subjektet që nuk zbatojnë këtë detyrim, AFI propozon penalitete financiare dhe përjashtimin për pesë vite nga skemat e mbështetjes publike dhe lehtësitë fiskale.

Shoqata kërkon gjithashtu që importi i vajit të ullirit të vlerësohet me një çmim reference për efekt të detyrimeve fiskale, bazuar në koston e prodhimit vendas, si dhe ngritjen e një task-force me përfaqësim 70% të fermerëve dhe prodhuesve të fabrikave të vajit për të monitoruar zbatimin e masave.

Sipas AFI-së, ndërhyrja duhet të jetë e menjëhershme, pasi dy muajt e ardhshëm janë vendimtarë për shërbimet që u kryhen ullishtave. Nëse fermerët heqin dorë nga mirëmbajtja e tyre për shkak të humbjeve ekonomike, pasojat mund të ndihen edhe në prodhimin e vitit të ardhshëm, duke dëmtuar njëkohësisht fermerët, fabrikat dhe konsumatorët.

 

Deklarata e plotë e AFI për mbështetjen e fermerëve të ullirit

 

Ditët e fundit fermerët shqiptar prodhues të ullirit po ballafaqohen me vështirësi të jashtëzakonshme për sa i përket rënies drastike të çmimit të vajit të ullirit, çka ka vënë ata në pozita që masivisht të deklarojnë se do e braktisin kultivimin e mëtejshëm të tyre edhe madje ka prej atyre që deklarojnë qe do presin masivisht plantacionet ekzistuese.

Duke pasur parasysh se ne 10 vitet e fundit në Shqipëri janë bërë investime shumë të rëndësishme si në kultivimin e pemëve të ullirit por edhe në ndërtimin e fabrikave të vajit të ullirit të cilat llogariten të jenë mbi 270 është e domosdoshme që të bëhet një analizë e thelluar e situatës nga ana e Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave për të vlerësuar dimensionet e problemit, pasojat që mund të sjellë dhe aksionet që ndërmerren në të tilla raste në vendet e BE, kur tregu sillet në mënyrë të tillë që mund të shkaktojë shkatërrimin pa kthim të investimeve shumë të rëndësishme të kryera në dekada, të krijojë probleme sociale të vështirësive ekonomike apo edhe të largimit nga vendi për fermerët, të ndikojë në përdorimin e pasurisë më të rëndësishme që është toka dhe në cenimin e peizazhit dhe së fundmi në ndikimin e përgjithshëm ekonomik e financiar të vendit dhe të buxhetit te shtetit.

Në këtë kuadër pas konsultimeve të shpejta me fermerë dhe prodhues të vajit të ullirit e gjejmë të udhës te japim një set me rekomandime, të cilat natyrshëm i duhen nënshtruar vlerësimit dhe vendimmarrjes në kuadër të grupit të punës që besojmë se do të ngrihet pranë Ministrisë së Bujqësisë për këtë qëllim.

Emergjenca për veprim energjik imponohet edhe nga fakti se 2 muajt e ardhshëm janë muajt në të cilët fermerët kryejnë shërbime ndaj kulturës së ullirit. Heqja dorë nga shërbimet gjatë këtyre 2 muajve do të sjelle një rezultat edhe më të keq vitin tjetër si për fermerët, për fabrikat për ekonominë në tërësi dhe për konsumatorin I cili me siguri do të ballafaqohet pastaj me çmimet monopolistike të importit.

Masat e sugjeruara për ndërhyrje të menjëhershme:

  1. Krijimi i një plan pune nga Ministria e Bujqësisë për analizimin e shpejtë të situatës së krijuar nga çmimet e ulëta të vajit të ullirit pasojat që mund të sjellë dhe masat mbështetëse për fermerët.
  2. Vendosja e një fondi për certifikimin e menjëhershëm të sasive të vajit të ullirit në konformitet me standardet ligjore apo me standardet organike kur ato plotësohen. Ky certifikim të ofrohet falas për fermerët me kushtin e pagesës/ rimbursimit pas shitjes së produktit.
  3. Marrja e masës së menjëhershme të ndalimit të importit të vajit të ullirit deri në fund të muajt Janar.
  4. Promovim i përditshëm në të gjithë mediat vizive i kërkesës për mbështetje të fermerit shqiptar nga konsumatori vendas duke blerë vaji ulliri shqiptar.
  5. Nxjerrja e një Akti Administrativ që të gjithë subjektet që kanë marrë mbështetje nga fondet publike në 5 vitet e fundit nga AZHBR apo kanë marrë lehtësira fiskale si investitorë strategjikë etj kanë detyrimin që deri në muajin Qershor të blejnë vetëm vaj ulliri shqiptar të certifikuar sipas skemës të ndërtuar nga Ministria e Bujqësisë.

 

Në rast të mosrespketimit të këtij rregulli ndaj këtyre subjekteve do të merren 2 masa:

  1. Për çdo blerje të vajit me origjinë jo shqiptare nga ana e subjekteve të nixitura financiarisht apo fiskalisht ndaj tyre, do të aplikohet një tarifë e barabartë me vlerën e blerjes së vajit të ullirit me origjinë jo shqiptare;
  2. Subjektet që nuk respektojnë këtë masë emergjente për mbështetjen e fermerëve shqiptar do të përjashtohen për 5 vjet nga çdo aplikim për marrje fondesh nga AZHBR apo përfitime të lehtësirave të tjera fiskale në kuadër të legjislacionit nxitës turistik.
  3. Importi i vajit të ullirit do të vlerësohet me çmim reference për efekt të pagesave fiskale mbi bazën e kostos së prodhimit të vajit të ullirit të fermerëve shqiptar. Kjo kosto të nxirret nga shoqatat e prodhuesve të vajit të ullirit, dhe QTTB Vlorë e cila është përgjegjëse për kulturën e ullirit.
  4. Ministria e Bujqësisë të krijojë një task forcë e cilat ë ketë në përbërje të saj 70%, pjesëtare, fermerë apo përfaqësues të fabrikave të vajit të ullirit, e cila të verifikojë deri në fund të muajit Shkurt respektimin e këtij akti normativ.

Drejtuar publikut shqiptar

Mbështesni fermerët shqiptarë dhe industrinë prodhuese të vajit të ullirit, duke blerë masivisht dhe pa hezitim vajin e ullirit pranë fermerëve apo fabrikave tuaja të besuara me koshiencën dhe ndërgjegjen e plotë qytetare se po jepni nje kontribut të jashtëzakonshëm për këta fermerë, për industrialistët dhe për gjithë ekonominë e vendit.

Qendra Alert/Alert.al

Pepa: Shteti duhet të mbështesë më shumë bletarinë!

Rritja e numrit të koshereve të bletëve në Shqipëri nuk pasqyron domosdoshmërisht gjendjen e mirë të sektorit të bletarisë. Pavarësisht statistikave pozitive, bletarët përballen me vështirësi ekonomike, mungesë mbështetjeje, përdorim të pakontrolluar të kimikateve dhe shtim të sëmundjeve që prekin kolonitë e bletëve.
Në një lidhje direkte për emisionin “Alert” në News24, mjeku veteriner dhe eksperti i bletarisë, Prengë Pepa theksoi se Shqipëria renditet ndër vendet më të mira europiane për numrin e koshereve në raport me popullsinë, por puna e bletarëve mbetet e vështirë dhe shpeshherë jo fitimprurëse.
Sipas tij, bletët kanë një rol shumë më të madh sesa prodhimi i mjaltit, pasi kontributi i tyre në ushqimin e përditshëm dhe në bujqësi është thelbësor.
“Bletarët duhet të mbështeten, pasi janë shtresa më e varfër e vendit. Është një punë shumë e vështirë” u shpreh ai, duke kërkuar ndërhyrje më të fortë të shtetit, jo vetëm përmes mbështetjes financiare, por edhe me politika konkrete për zhvillimin e sektorit.
Një tjetër shqetësim lidhet me largimin e bletarëve të rinj nga profesioni. Sipas Pepës, në zona të vogla ka raste kur nga dhjetë persona që nisin aktivitetin e bletarisë, pas disa vitesh vetëm dy prej tyre vijojnë të merren me këtë punë. Interesi i të rinjve mbetet i ulët, ndërsa lodhja, kostot dhe rreziku për të dalë me humbje e bëjnë këtë profesion gjithnjë e më pak tërheqës.
Eksperti ngriti gjithashtu shqetësimin për përdorimin e kimikateve të dëmshme për bletët, të cilat, sipas tij nuk kontrollohen në nivelin që parashikon legjislacioni. Paralelisht, kolonitë përballen me sëmundje të shumta, ndërsa jo të gjithë bletarët kanë njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për t’i trajtuar ato. Për këtë arsye, ai e konsideroi të domosdoshëm informimin dhe përditësimin e vazhdueshëm të bletarëve me metodat e reja të trajtimit dhe kujdesit.
Pepa solli si shembull edhe Hungarinë, ku sipas tij, bletarët mbështeten nga shteti për rinovimin e pajisjeve, duke pasur mundësi që çdo 5 vjet t’i zëvendësojnë ato me fonde publike.

Qendra Alert/Alert.al

Mbi 300 startup-e në Shqipëri, qeveria premton Fondin e Inovacionit në 2027

Shqipëria numëron mbi 300 startup-e aktive, ndërsa qeveria paralajmëron një instrument të ri financimi për sipërmarrjet inovative, që synohet të ngrihet gjatë vitit 2027. Premtimi u bë nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj, gjatë çeljes së Javës Globale të Sipërmarrjes 2026 në Tiranë.

Në konferencën rajonale “Inovacioni në Ballkanin Perëndimor”, e zhvilluar nën moton “Ndërto nga Shqipëria”, ministrja foli për zhvillimin e ekosistemit të startup-eve dhe mbështetjen financiare që u është dhënë sipërmarrjeve të reja.

Sipas Ibrahimajt, financimi për këtë sektor u dyfishua vitin e kaluar, duke arritur në 600 milionë lekë dhe duke përfshirë rreth 170 startup-e. Nga kjo skemë, 43 produkte kanë dalë tashmë në treg, ndërsa janë mbështetur edhe tetë struktura lehtësuese, që ofrojnë mentorim dhe asistencë për sipërmarrësit.

Një nga nismat kryesore të paralajmëruara për vitin 2027 është krijimi i Fondit Shqiptar të Inovacionit. Ky mekanizëm synon të ofrojë një tjetër mundësi financimi për bizneset inovative dhe do të zhvillohet në kuadër të reformave të lidhura me Instrumentin e Reformave dhe Rritjes.

“Ky do të jetë një tjetër instrument financimi, i cili ekziston në vende të tjera, por që deri më sot nuk ka qenë i pranishëm në Shqipëri” deklaroi Ibrahimaj, duke bërë të ditur se synimi është që fondi të jetë funksional gjatë vitit të ardhshëm.

Përveç financimit, qeveria parashikon edhe hapjen e Akademisë së Startup-eve, e cila do të ofrojë trajnime dhe mundësi për zhvillimin e aftësive sipërmarrëse në të gjithë vendin. Një tjetër objektiv është rritja e prezencës së startup-eve shqiptare në tregjet ndërkombëtare, përmes panaireve, aktiviteteve dhe bashkëpunimeve me institucione të huaja.

Në fokus do të jetë edhe zhvillimi i GovTech, një model që synon të afrojë sipërmarrjet inovative me sektorin publik, duke u krijuar mundësi të ofrojnë zgjidhje teknologjike dhe shërbime të reja për institucionet.

Ministrja vuri gjithashtu theksin te bashkëpunimi rajonal, duke argumentuar se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bashkojnë kapacitetet dhe ekspertizën për të krijuar projekte të përbashkëta dhe për të konkurruar në tregjet më të mëdha.

Java Globale e Sipërmarrjes 2026 zhvillohet nga 16 deri më 22 nëntor, me rreth 40 aktivitete në Tiranë, Korçë, Pogradec dhe Vlorë. Programi përfshin konferenca, trajnime, workshop-e dhe takime me investitorë e ekspertë ndërkombëtarë, me synimin për të nxitur inovacionin dhe për të zgjeruar mundësitë e bashkëpunimit për sipërmarrjet shqiptare.

Qendra Alert/Alert.al

Pa datë skadence në etiketë, Dogana bllokon 2.1 tonë ushqime dhe lodra për fëmijë

Mbi 2.1 tonë produkte ushqimore dhe lodra për fëmijë janë bllokuar nga autoritetet doganore në Tiranë, pasi gjatë kontrolleve u konstatuan shkelje në etiketimin e tyre. Bëhet fjalë për një ngarkesë prej 156 mijë njësish mallrash të ambalazhuara, të cilat nuk përmbushnin kërkesat ligjore për informacionin që duhet t’i vihet në dispozicion konsumatorit.

Sipas njoftimit të Administratës Doganore, parregullsia kryesore e evidentuar gjatë kontrollit fizik ishte mungesa e datës së jetëgjatësisë minimale ose e afatit të përdorimit në etiketat e produkteve përfundimtare.

Kontrolli u krye nga Dega Doganore Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Monitorimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, në kuadër të verifikimeve të bazuara në analizën e riskut.

Mungesa e këtij informacioni përbën shkelje të kërkesave të përcaktuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 434, datë 11 korrik 2018, “Për etiketimin e ushqimeve dhe informimin e konsumatorit”.

Për shkak të parregullsive të konstatuara, autoritetet kanë vendosur bllokimin e të gjithë ngarkesës dhe mosçlirimin e mallrave, deri në përfundimin e verifikimeve dhe procedurave ligjore.

Ndërkohë, strukturat përgjegjëse janë angazhuar për shqyrtimin e mëtejshëm të rastit dhe përcaktimin e masave që parashikon legjislacioni.

Administrata Doganore deklaron se do të vijojë kontrollet ndaj mallrave të importuara, me synimin për të parandaluar hyrjen në treg të produkteve që nuk përmbushin standardet dhe detyrimet ligjore për informimin dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

Qendra Alert/Alert.al

KFC shpallet "armik" i maleve, McDonald’s nderohet për "Made in Italy"

Produktet e KFC në menutë e dy lokaleve në zonat turistike të Dolomiteve kanë shkaktuar një debat të fortë në Itali. Ministrat e Bujqësisë dhe Turizmit kanë reaguar kundër pranisë së fast food-it në zonat malore, ndërsa polemikat kanë marrë jehonë edhe në mediat ndërkombëtare. Por, në të vërtetë, në Cortina d’Ampezzo dhe Madonna di Campiglio nuk do të hapet asnjë restorant i ri KFC.

Njoftimi i kompanisë amerikane KFC për bashkëpunimin me rrjetin Super G, me synimin për të ofruar produktet e saj në dy pika turistike duke nisur nga 5 dhjetori, ka nxitur reagime të shumta në Itali. Debati ka përfshirë dy ministra të qeverisë italiane, kryetarin e bashkisë së Pinzolos, ndërsa çështja është ngritur edhe përmes një interpelance në Këshillin Provincial të Trentos. Për këtë çështje ka shkruar edhe gazeta britanike “The Guardian”.

Ministri i Bujqësisë, Francesco Lollobrigida e cilësoi kulturën e fast food-it si të papajtueshme me traditën malore. Ndërsa ministri i Turizmit, Gianmarco Mazzi, paralajmëroi për rrezikun e cenimit të identitetit të destinacioneve ikonike italiane.

Megjithatë, reagimet politike duket se e kanë zmadhuar më shumë se ç’duhet përmasën reale të këtij zhvillimi. Kompania Faloria Spa, që administron impiantet në Cortina, sqaroi se aty nuk do të hapet një restorant i ri KFC dhe as nuk do të ndryshojë pamja e atij ekzistues. Imazhi i publikuar nga zinxhiri amerikan, ku ndërtesa shfaqej me logot e kuqe të KFC-së nuk përfaqëson një projekt të miratuar.

Marrëveshja parashikon vetëm përfshirjen e gjashtë produkteve të KFC-së në menunë e bar-kafenesë në katin përdhes, ku aktualisht ofrohen sanduiçe, tost dhe ushqime të shpejta. Ndërkohë, restoranti italian në katin e sipërm do të vijojë aktivitetin e tij pa ndryshime.

Një sqarim i ngjashëm erdhi edhe për Madonna di Campiglio. Edhe në këtë destinacion nuk do të ndërtohet apo hapet një restorant i ri KFC. Bashkëpunimi me Super G konsiston vetëm në përfshirjen e disa produkteve të kompanisë amerikane në ofertën ekzistuese të lokalit.

Fast food-et në sheshet historike italiane

Polemika ngre një tjetër pikëpyetje: Pse prania e pulës së skuqur në një lokal malor në lartësinë 2.100 metra konsiderohet kërcënim për identitetin kulturor, ndërsa prania e zinxhirëve ndërkombëtarë të fast food-it në qendrat historike të qyteteve italiane nuk shkakton të njëjtin reagim?

McDonald’s numëron aktualisht më shumë se 825 restorante në Itali dhe ka shpallur objektivin për të arritur në 1.000 pika deri në vitin 2029. Burger King ka mbi 310 lokale, ndërsa KFC numëron më shumë se 150 dhe synon të arrijë në 250 deri në vitin 2028. Së bashku, këto tre kompani përfaqësojnë afro 1.300 restorante të ushqimit të shpejtë në vend.

Prania e tyre nuk kufizohet vetëm në periferi, por shtrihet edhe në zona me rëndësi të veçantë historike dhe turistike. Në Milano, McDonald’s ndodhet pranë Piazza del Duomo, ndërsa një pikë e KFC-së gjendet në rrugën Orefici. Në Romë, restoranti i parë i McDonald’s në Itali u hap në vitin 1986, në Piazza di Spagna. Edhe në Venecia, logoja e zinxhirit amerikan është e pranishme në Strada Nova, një nga itineraret më të frekuentuara nga turistët.

Ka pasur edhe përpjekje për të kufizuar këtë prani. Në vitin 2016, Bashkia e Firences kundërshtoi hapjen e një restoranti McDonald’s në Piazza del Duomo, por raste të tilla kanë mbetur përjashtim.

Një nga aspektet më të debatueshme të kësaj polemike lidhet me qëndrimin e ministrit të Bujqësisë, Francesco Lollobrigida. Ndërsa sot e konsideron fast food-in të papërshtatshëm për kulturën malore, në vitin 2024 ai mori pjesë në festimet për hapjen e restorantit të 700-të McDonald’s në Itali, ku vlerësoi përdorimin e produkteve italiane nga kjo kompani.

Në dhjetor 2025, ministri mbështeti përfshirjen e mjaltit biologjik italian në ofertën e McDonald’s, duke e cilësuar këtë rrjet si një mundësi për promovimin e prodhimeve vendase te të rinjtë.

Në janar 2026, në Ministrinë e Bujqësisë u prezantua edhe projekti për shpërndarjen e dy milionë paketimeve të vogla me mjaltë biologjik italian në më shumë se 800 restorantet McDonald’s në vend.

Madje, festimet për 40-vjetorin e McDonald’s në Itali u përfshinë në programin zyrtar të Ditës Kombëtare të Made in Italy për vitin 2026. Në këtë aktivitet, Giorgio Salvitti, këshilltar i ministrit, vlerësoi kontributin e kompanisë në zinxhirët agro-ushqimorë italianë.

Kjo e bën edhe më të dukshme kontradiktën mes qëndrimit të sotëm ndaj KFC-së në Dolomite dhe bashkëpunimit të mëparshëm me McDonald’s. Nëse fast food-i mund të shërbejë si një kanal promovimi për prodhimet vendase, mbetet e paqartë pse gjashtë produkte të një zinxhiri tjetër konsiderohen kërcënim për identitetin kombëtar.

Ostrige dhe shampanja në male nuk shkaktojnë të njëjtën polemikë

Një tjetër kontrast lidhet me ofertat luksoze që prej vitesh janë pjesë e turizmit dimëror në zonat alpine. Në vitin 2024, media italiane “Il Fatto Alimentare” raportoi për një bar me produkte deti në një hotel luksoz në Courmayeur, në rrëzë të Mont Blanc, ku ofroheshin ostrige franceze Gillardeau dhe Fine de Claire, të shoqëruara me kokteje me shampanjë.

Oferta të tilla luksoze, me produkte të importuara që nuk lidhen drejtpërdrejt me traditën alpine, janë bërë pjesë e sezonit turistik në shumë destinacione malore. Megjithatë, ato nuk kanë shkaktuar reagime politike të krahasueshme me ato që pasuan njoftimin për KFC-në.

Kështu, debati ngre një pikëpyetje mbi standardet e ndryshme me të cilat vlerësohen produktet e huaja në destinacionet turistike:Ppse luksi i importuar shihet si pjesë e ofertës turistike, ndërsa ushqimi i shpejtë si kërcënim për identitetin kulturor?

Mbrojtja e identitetit të maleve dhe e mjedisit është një çështje që shkon përtej menusë së një lokali. Në rastin e Dolomiteve, kritikat më të forta mjedisore lidhen me ndërhyrjet infrastrukturore të realizuara në kuadër të Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026.

Problemi i vërtetë i Dolomiteve janë ndërhyrjet në natyrë

Mbrojtja e identitetit të maleve dhe e mjedisit është një çështje që shkon përtej menusë së një lokali. Në rastin e Dolomiteve, kritikat më të forta mjedisore lidhen me ndërhyrjet infrastrukturore të realizuara në kuadër të Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026.

Në Cortina, për ndërtimin e pistës së re të bobit, u prenë rreth 500 larshë në pyllin e Roncos, disa prej tyre shekullorë. Projekti kushtoi rreth 120 milionë euro dhe u kundërshtua nga Klubi Alpin Italian (CAI) dhe organizatat mjedisore, ndërsa në diskutim ishte edhe alternativa e përdorimit të pistës ekzistuese në Innsbruck të Austrisë.

Përveç ndikimit në mjedis, pista pritet të ketë edhe kosto të larta mirëmbajtjeje dhe administrimi. Sipas vlerësimeve të raportuara nga RaiNews, shpenzimet vjetore mund të kalojnë 1.1 milionë euro, ndërsa të ardhurat parashikohen të jenë pak më shumë se 500 mijë euro.

Në këtë kontekst, debati për gjashtë produkte pule të skuqur në një bar malor duket se zhvendos vëmendjen nga çështje shumë më të mëdha që lidhen me mbrojtjen e natyrës, ndërhyrjet infrastrukturore dhe kostot e zhvillimit turistik (IlFattoAlimentare)

Qendra Alert/Alert.al

Shqipëria drejt një tkurrje demografike, lindjet arrijnë nivelin më të ulët historik

Shqipëria po përballet me një krizë demografike që thellohet nga viti në vit. Numri i lindjeve po bie me ritme të shpejta, ndërsa emigracioni dhe plakja e popullsisë po zvogëlojnë gjithnjë e më shumë bazën e brezave të rinj. Shifrat e fundit tregojnë se vendi po hyn në një fazë ku rikuperimi demografik bëhet gjithnjë e më i vështirë.

Në tremujorin e tretë të vitit 2026 u regjistruan vetëm 5.787 lindje, 10.5% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të INSTAT, ky është niveli më i ulët për këtë tremujor që prej vitit 2011, kur nis seria e krahasueshme statistikore.

Rënia nuk është një fenomen i përkohshëm, por pjesë e një tkurrjeje afatgjatë. Të dhënat e Eurostat për periudhën 1997-2025 tregojnë se Shqipëria kryeson Europën për rënien e lindjeve. Nga 61.7 mijë lindje në vitin 1997, numri ka zbritur në rreth 22.5 mijë në vitin 2025, një tkurrje prej 63.5%.

Pas Shqipërisë renditen Lituania me 53% dhe Moldavia me 51%, ndërsa rënie të konsiderueshme kanë regjistruar edhe vendet e tjera të rajonit.

Edhe norma e lindjeve për 1,000 banorë tregon përmasat e ndryshimit. Nga 21.7 në mesin e viteve ’90, ajo zbriti në 9.6 në vitin 2025, duke reflektuar transformimin e thellë të strukturës demografike.

Pas kësaj rënieje qëndrojnë disa faktorë që ndërthuren. Emigracioni ka larguar një pjesë të madhe të popullsisë së re, veçanërisht personat në moshë për të krijuar familje. Kjo do të thotë se Shqipëria nuk po përballet vetëm me familje që zgjedhin të kenë më pak fëmijë, por edhe me një numër gjithnjë e më të vogël njerëzish që mund të bëhen prindër.

Ndërkohë, martesat dhe lindja e fëmijës së parë po shtyhen në mosha më të mëdha. Kostot e banimit, shpenzimet për rritjen dhe edukimin e fëmijëve, si dhe pasiguria ekonomike i bëjnë çiftet më të kujdesshme në vendimet për zgjerimin e familjes.

Në këtë kontekst, bonusi i bebes prej 40 mijë lekësh për fëmijën e parë, 80 mijë për të dytin dhe 120 mijë për të tretin, mbetet një mbështetje e kufizuar përballë kostove që shoqërojnë rritjen e një fëmije për vite me radhë.

Pasojat po reflektohen tashmë edhe në popullsinë e përgjithshme. Në fillim të vitit 2026, Shqipëria kishte 2.336 milionë banorë, 1.16% më pak se një vit më parë. Gjatë vitit 2025, migracioni neto rezultoi negativ me 28.5 mijë persona, ndërsa shtesa natyrore ishte vetëm 1,147 banorë.

Një tjetër tregues shqetësues është mosha mediane, e cila arriti në 45 vjeç në fillim të vitit 2026.

Kjo prirje pritet të sjellë pasoja përtej statistikave demografike. Më pak lindje sot nënkuptojnë më pak nxënës në shkolla nesër, më pak të rinj në tregun e punës dhe më pak kontribuues në skemën e pensioneve. Në të njëjtën kohë, rritja e numrit të të moshuarve do të shtojë presionin mbi shërbimet shëndetësore dhe financat publike.

Për ekonominë, tkurrja e popullsisë aktive rrezikon të kthehet në një pengesë strukturore për zhvillimin. Bizneset do të përballen me vështirësi në gjetjen e punonjësve, ndërsa baza e konsumatorëve dhe e kontribuuesve në buxhet mund të vijojë të ngushtohet.

Shqipëria po përballet kështu me një sfidë që nuk zgjidhet vetëm duke nxitur lindjet. Pa politika afatgjata për punësimin, strehimin, kujdesin për fëmijët dhe frenimin e emigracionit, rënia demografike rrezikon të bëhet një proces gjithnjë e më i vështirë për t’u ndalur.

Qendra Alert/Alert.al