Një ngjarje e rëndësishme që vuri në pah potencialin ekonomik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar të Maqedonisë së Veriut u zhvillua së fundmi në Düsseldorf, ku një panel i nivelit të lartë trajtoi temën: “Mundësitë e investimeve të huaja në Maqedoninë e Veriut”.
Ky takim nuk ishte thjesht një diskutim formal, por një platformë konkrete që bashkoi politikën, diplomacinë dhe biznesin në funksion të zhvillimit ekonomik.
Paneli u organizua nga Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Gjermani, nën drejtimin e ambasadorit, Shkëlqesia e TIj, Prof.Dr. Ylber Sela, në bashkëpunim me Wirtschaftsclub Düsseldorf.
Pjesëmarrja e gjerë e biznesmenëve nga Gjermania dhe Maqedonia e Veriut, si dhe prezenca e përfaqësuesve të lartë institucionalë, i dha panelit një peshë të veçantë.
Një dimension i rëndësishëm i kësaj ngjarjeje ishte edhe përfshirja dhe interesi i diasporës shqiptare, e cila vazhdon të luajë rol kyç në ndërtimin e urave ekonomike mes vendeve.
Një nga figurat që tërhoqi vëmendjen dhe respektin e të pranishmëve ishte Filantropi Lazim Destani. I njohur për kontributin e tij të vazhdueshëm në biznes dhe filantropi, Destani u përshkrua si një personalitet që ka ruajtur me përkushtim emrin dhe arritjet e tij, duke mbetur gjithmonë modest dhe i afërt me njerëzit. Prania e tij në ngjarje të tilla shihet si një vlerë e shtuar, jo vetëm për përfaqësimin e suksesshëm të biznesit shqiptar, por edhe si frymëzim për brezat e rinj. Gjatë diskutimeve, Bekim Sali, Zëvendëskryeministër i Parë dhe Ministër për Çështjet Europiane, theksoi përkushtimin institucional për të përmirësuar klimën e investimeve. Ai nënvizoi se reformat strukturore, siguria juridike dhe harmonizimi me standardet e Bashkimit Europian janë elemente kyçe për tërheqjen e kapitalit të huaj.
Paneli solli në fokus sektorë konkretë me potencial zhvillimi si energjia, infrastruktura, teknologjia dhe industria prodhuese. U diskutua gjithashtu për lehtësirat fiskale, mbështetjen për investitorët dhe përpjekjet për të rritur transparencën dhe efikasitetin institucional.
Ajo që e bëri këtë takim të veçantë ishte natyra e tij praktike dhe e orientuar drejt rezultateve. Dialogu i drejtpërdrejtë mes përfaqësuesve të institucioneve dhe biznesit krijoi një ambient besimi dhe bashkëpunimi, duke hapur rrugë për projekte konkrete dhe partneritete të reja. Në këtë ngjarje nga Zvicra, ishte i pranishëm edhe Florim Useini, kryetar nderi i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qëndrore.
Filantropi Lazim Destani e përshkruan me këto fjalë:
Këto ditë mora pjesë në një panel diskutimi me temë: “Mundësitë e investimeve të huaja në Maqedoninë e Veriut”. Takimi u mbajt në Dyzeldorf ndërsa u zhvillua diskutim i drejtpërdrejtë dhe strategjik mbi këtë temë që sot është kyçe për zhvillimin ekonomik dhe pozicionimin ndërkombëtar të vendit. Rëndësinë e këtij paneli e dëshmoi pjesëmarrja e një grupi biznesmenësh nga vendi ynë dhe Gjermania, por edhe prania e Zëvendëskryeministrit të Parë dhe Ministër për Çështjet Europiane, Bekim Sali, që tregon përkushtimin serioz institucional ndaj tërheqjes së investimeve të huaja dhe avancimit të agjendës europiane. Në këtë ngjarje, diskutimet nuk u kufizuan vetëm në aspektin teorik por u fol konkretisht për potencialin real ekonomik të vendit, për lehtësirat dhe reformat e ndërmarra, si dhe për nivelin e sigurisë dhe garancive që u ofrohen investitorëve të huaj.
Për mua si pjesëmarrës, ky ishte një moment i rëndësishëm për të vlerësuar nga afër se sa konkurruese është sot Maqedonia e Veriut në tregun ndërkombëtar të investimeve dhe cilët sektorë paraqesin mundësitë më të mëdha për zhvillim. Nën organizimin e Ambasadës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me ambasadorin Ylber Sela dhe në bashkëpunim me Wirtschaftsclub Düsseldorf, kjo ngjarje konfirmoi se dialogu i drejtpërdrejtë mes institucioneve dhe biznesit është thelbësor. Takimet e këtilla nuk janë vetëm diskutime, ato paraqesin platforma konkrete që ndërtojnë mirëbesim, krijojnë partneritete dhe hapin rrugën për investime reale dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.”
Në një kohë kur konkurrenca globale për investime është gjithnjë në rritje, roli i diasporës dhe i figurave të suksesshme si Lazim Destani bëhet edhe më i rëndësishëm.
“Kur flasim për Diasporën dhe për faktin nëse po bëjmë mjaftueshëm për të, kam një kërkesë konkrete edhe për ministrat që janë sot prezent. Kërkoj që diaspora të ketë vende të rezervuara në parlamentet tona. Kjo është një praktikë që zbatohet me sukses në shtete të ndryshme, si Kroacia dhe vende të tjera. Në panelin e parë të diskutimit me temë ‚Diaspora mbarëshqiptare: A po bëjmë çfarë duhet bashkarisht?‘. Me këtë kërkesë për autoritetet zyrtare shqiptare, e nisi diskutimin e tij Z.Lazim Destani, filantropi dhe biznesmeni i njohur nga Tetova, kërkesë kjo e tij personale, por edhe në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Koordinues të Diasporës Shqiptare. Kërkesa e tij erdhi gjatë Samitit të IV të Diasporës, mbajtur në Tiranë, në datat 13, 14 dhe 15 prill, samit ky i organizuar nën moton “Përmes rrënjëve lartësohemi”. Në këtë samit të konceptuar si një kuvend për të kthyer lidhjet në veprim dhe potencial në rezultate konkrete për Shqipërinë, u mblodhën në kryeqytetin e Shqipërisë mijëra shqiptar nga të gjitha shtetet dhe kontinentet e botës, përfaqësues të diasporës mbarëshqiptare”.
“Sot jemi dëshmitarë të një realiteti të ri. Diaspora shqiptare nuk ka qenë kurrë më e fortë, më e madhe dhe më e suksesshme se sot. Nga Amerika në Evropë, nga Australia në çdo cep të botës – shqiptarët kanë ndërtuar histori suksesi, kanë ngritur biznese dhe kanë arritur majat në shkencë, art dhe politikë. Ne kemi nevojë për një qasje të re. Për një Shqipëri dhe një hapësirë shqiptare që u hap dyert bijve të saj. Që krijon kushte reale për investime. Që heq barrierat dhe garanton dinjitet“, tha Z.Destani në fjalën e tij para Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Z.Ferit Hoxha, si dhe panelistëve të tjerë, Glauk Konjufca nga Kosovë, Ali Ahmeti nga Maqedonia e Veriut, Abazoviç nga Mali i Zi, deputetit shqiptar në Suedi, Arbër Gashi, si dhe në praninë e qindra pjesëmarrësve që ndiqnin këtë panel diaskutimi.
Më tej, Z.Destani theksoi se, „diaspora nuk kërkon privilegje. Ajo kërkon mundësi, kërkon besim, kërkon një vend ku të investojë jo vetëm kapitalin financiar, por edhe kapitalin më të çmuar – dijen dhe përvojën.
Më herët, kjo kërkesë nga Z.Destani iu parashtrua dhe Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Z.Ferit Hoxha, gjatë një takimi që ky i fundit pati me Këshillin Koordinues të Diasporës.
Në fjalën e tij, Z.Destani uroi Ministrin Hoxha për detyrën që ka marrë së fundmi, si dhe falenderoi dhe Agjencinë Kombëtare të Diasporës e personalisht Drejtoren e Përgjithzhme, Znj.Xhafa për angazhimin dhe bashkëpunimin me KKD e diasporën në tërësi.
“Në vijim të këtij bashkëpunimi, do të vlerësonim shumë orientimin tuaj lidhur me disa çështje me rëndësi për funksionimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të KKD-së:
A parashikohen hapa të mëtejshëm drejt konsolidimit dhe strukturimit të KKD-së, me synim rritjen e profesionalizmit dhe efikasitetit të saj?
Kur mund të pritet plotësimi i numrit të anëtarëve me përbërje të re?
Në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve, a parashikohet mundësia e propozimeve nga vetë KKD-ja, apo ky proces zhvillohet në mënyrë të centralizuar nga Ministria?”, tha Z.Destani, teksa parashtroi dhe kërkesën e KKD-së për rëndësinë dhe domosdoshmërinë e vende të lira në partalemt, kuotave për përfaqësimin e diasporës. Sipas Z.Destani, kjo duhet të ndodhë në Shqipëri dhe në Kosovë.
Gjatë ditëve të mbajtjes së Samitit, Z.Destani dhe KKD ishin pjesë e ceremonive gala të mbajtura në Pallatin e Kongreseve dhe në Teatrin Kombëtar të Operas së Baletit, ku vec fjalëve përshëndetëse të Presidentit Begaj dhe Kryeministrit Rama, u nderuan me vlerësime dhe dhjetra persdonalitete të spikatura të diasporës shqiptare.
Gjithashtu, Z.Destani, si dhe anëtarët e KKD, morën pjesë në panelet dhe takimet e diskutimeve për fusha të ndryshme ku diaspora mund të jetë pjesë active e bashjkëpunimit me autoritetet shqipare.
Ndërkaq, KKD dhe Z.Destani, zhvilluan dhe disa takime me përfaqësues të shtetit, si dhe partive të opozitës e Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.
“Më lejoni që, në emër të Këshillit Koordinues të Diasporës, t’ju shpreh mirënjohjen tonë më të thellë për pritjen e ngrohtë dhe për kohën që po ndani sot me ne dhe me përfaqësuesit e diasporës sonë. Siç jeni në dijeni, Këshilli Koordinues i Diasporës zhvillon aktivitetin e tij në shumë vende të botës, duke përfaqësuar me përkushtim bashkëkombësit tanë që sot janë pjesë e këtij takimi. Prania jonë këtu është dëshmi e lidhjes së fortë që diaspora ruan me atdheun. Një falënderim i veçantë shkon gjithashtu për institucionet shtetërore dhe Qeverinë, për praninë dhe angazhimin e tyre në këtë proces të rëndësishëm bashkëpunimi. Besojmë se gjatë këtij samiti u dëgjua qartë zëri i diasporës dhe u trajtuan me seriozitet shqetësimet dhe aspiratat e saj. Ky është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një bashkëpunimi më të qëndrueshëm dhe më të fuqishëm, tha Z.Destani në takimin me Presidentin Begaj, ku sërish u shtrua çështja e kuotave të lira për diasporën në Parlamentin e Shqipërisë.
Takimi tjetër ishte me Kryetarin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Z.Celibashi, i cili nderoi Këshillin Koordinues të Diasporës me Certifikat Mirenjohje, “Për kontributin e vyer e domethënës në realizimin e parë të votimit të diasporës në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datësa 12 maj 2025”. Por, gjatë diskutimit me Z.Celibashi, Z.Destani sërish ngriti çështjen e kuotave të lira për shqiptarët e diasporës në Parlamentin e Shqipërisë.
Në Akademinë e Shkencave me kryetarin Skënder Gjinushi, Z.Lazim Destani vlerësoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit institucional dhe nënvizoi nisma në fushën e ruajtjes së trashëgimisë kombëtare, përfshirë përpjekjet për identifikimin dhe mbrojtjen e objekteve me vlera historike, si ndërtesa ku u mbajt Kongresi i Manastirit, e njohur ndryshe si “Shtëpia e Alfabetit”.
Më pas, Këshilli Koordinues i Diasporës, u prit dhe nga Kryetari i Partisë Demokratike. Z.Sali Berisha. Ky i fundit shtroi nevojën e thellimit të bashkëpunimit të Shqipërisë dhe trojeve tjera shqiptare me diasporës, si dhe ngritui disa shqetësime në lidhje me ikjen e shqiptarëve.
Z.Destani, në emër edhe të anëtarëve të KKD, falënderoi Z.Berisha për pritjen, si dhe për angazhimin tuaj të palodhur në aktivitetin e tij.
“Siç jeni në dijeni, ne si Këshill Koordinues i Diasporës kemi qenë të pranishëm këtu në Tiranë në kuadër të Samitit të 4-të të Diasporës. Ky samit mblodhi bashkë shqiptarët e diasporës nga të gjitha anët e botës, me një pjesëmarrje të gjerë dhe domethënëse. Ne, si KKD, jemi shumë të përkushtuar që të japim kontributin tonë në vendet ku jetojmë dhe veprojmë, duke pasur gjithmonë në vëmendje rolin e rëndësishëm të diasporës shqiptare kudo në botë.
Po ashtu, jemi shumë të interesuar dhe i ndjekim me vëmendje të madhe zhvillimet aktuale që po ndodhin në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni, Preshevë dhe Mal të Zi.
Ne besojmë se diaspora ka një rol shumë të rëndësishëm në këto zhvillime dhe mund të jetë një kontribuese e madhe, si në zhvillimin ekonomik, ashtu edhe në atë politik.
Njëherësh, siç e kemi diskutuar dhe me institucione e drejtues të tyre, ne kërkojmë dhe nga ana juaj mbështetjen për diasporën në kuadër të vendeve të lira, kuotave për përfaqsim të diasporës në parlamentin e Shqipërisë”, tha Destani. Kjo ide u mirëprit nga Berisha, i cili tha se, kjo është një çështje mjaft e rëndësishme.
Përveç këtyre, Z.Destani zhvilloi takime me shumë përfaqësues të diasporës që gjendeshin në Tiranë, si dhe me miq, deputetë e politikanë shqiptar. Më poshtë mund të gjeni një prej fjalimeve të Z.Destani, të mbajtur në një prej aktiviteteve të kuadër të Samitit të IV të Diasporës Shqiptare:
“Të nderuar përfaqësues të institucioneve më të larta të shtetit shqiptar,
Dita e sotme, nuk është një ditë e zakonshme, është një ditë që në këtë sallë këtu në Tiranë, na ka mbledhur nga të gjitha trojet tona, si dhe nga e gjithë diaspora, që nga Australia e deri në Amerikë. Pra këtu na ka bërë bashkë ndjenja, shpirti dhe gjaku ynë që nuk njeh kufij, nuk njeh distanca dhe nuk njeh asnjë lloj dallimi mes nesh.
Më lejoni që në këtë Samit të Diasporës Shqiptare, si Kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës dhe si njëri prej jush, por edhe si një shqiptar që e di mirë se si është të jetosh larg atdheut e të mos jesh kurrë larg shpirtit të tij, në emër të gjithë diasporës shqiptare të shpreh mirënjohjen më të sinqertë ndaj Qeverisë Shqiptare për organizimin e këtij Samiti.
Është ky Sami i katërt me radhë, i strukturuar me koncept dhe frymë të re, të ndërtuar mbi mesazhin „Përmes rrënjëve lartësohemi“.
Jam i bindur dhe është për t’u vlerësuar lart kjo qasje e re që synon një diasporë jo vetëm të mbetet e lidhur emocionalisht me atdheun dhe historinë tonë, por të përfshihet konkretisht në ndërtimin e së ardhmes sonë të përbashkët.
Në këtë pikëpmje dhe me këtë rast, dua ta theksoj nevojën për një qasje bashkëpunuese e të unifikuar ndërmjet institucioneve të vendeve tona të origjinës, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi, e me radhë, pasi harmonizimi më i ngushtë dhe veprimi i përbashkët e forcojnë dhe e rrisin efektivitetin e angazhimit të diasporës.
Të dashur bashkatdhetarë,
Sot jemi dëshmitarë të një realiteti të ri.
Diaspora shqiptare nuk ka qenë kurrë më e fortë, më e madhe dhe më e suksesshme. Nga Australia e deri në Amerikë, në çdo cep të botës, shqiptarët kanë ndërtuar histori suksesi, kanë ngritur biznese, kanë arritur majat e shkencës, artit dhe politikës. Dhe mbi të gjitha – nuk kanë harruar kurrë se kush janë.
Kjo është forca jonë.
Ky është identiteti ynë.
Për dekada me radhë, diaspora ka qenë shtylla e heshtur e qëndresës sonë ekonomike dhe sociale. Ka qenë dora që ka mbajtur familjet tona, ka qenë shpresa që ka mbajtur gjallë besimin mbi të ardhmen tonë.
Janë remitancat tashmë me miliarda euro që nga diaspora vijnë në trojet tona për çdo vit, dhe pas këtyre miliardave është një mal me sakrifica, net pa gjumë, dhe plot mall e dashuri për atdheun.
Andaj sot, ne duhet ta themi një gjë me seriozitet e sinqeritet:
Ne nuk mund të mbetemi e të mjaftohemi me remitancat.
Atdheu nuk zhvillohet vetëm me ndihmë – por me strategji e me vizion.
Është koha të kalojmë në një etapë të re.
Nga mbështetja – në zhvillim.
Nga largësia – në bashkëpunim.
Nga kujtimi – te kthimi në atdhe i aq shumë vlerave.
Ne kemi nevojë për një qasje të re. Për një Shqipëri dhe hapësirë shqiptare që i hap dyert e krijon kushte reale për investime, që garanton siguri dhe dinjitet.
Diaspora nuk kërkon privilegje, ajo kërkon mundësi dhe besim.
Kërkon një mundësi ku të investojë jo vetëm kapitalin financiar, por edhe kapitalin më të çmuar – dijen, përvojën dhe ëndrrat.
Të dashur ju të rinj të diasporës sonë,
Ju që shkëlqeni në universitetet më të mira të botës, në kompanitë më prestigjioze, në laboratorët shkencorë dhe në skenat artistike – Shqipëria, Kosova dhe gjithë hapësira shqiptare kanë nevojë për ju.
Sepse kur dija kthehet në atdhe, atëherë ndërtohet e ardhmja e vendeve tona.
Të nderuar, ky Samit, krahas bukurisë që ka, duhet të jetë dhe një pikë kthese.
Një moment ku fjalët marrin jetë. Ku bashkëpunimi bëhet real. Ku vendimet ndihen në jetën e çdo shqiptari – në trojet tona e kudo në botë.
Si Kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës, por mbi të gjitha si një shqiptar që beson thellësisht në fuqinë e këtij kombi, uroj që ky Samit të shndërrohet në një plan konkret veprimi.
Çdo vit që kalon, na afron më shumë me njëri-tjetrin.
Çdo hap që bëjmë së bashku, na afron më shumë me Shqipërinë që duam, me Kosovën që rritet me energjinë e rinisë së saj, e me hapësirën shqiptare që çdo ditë po bëhet gjithnjë e më e fortë.
Le të ndihemi krenarë e të fortë.
Kemi një gjuhë, kemi një histori të lashtë e të lavdishme, kemi një zemër, dhe jemi një komb.
Zoti i bekoftë trojet tona, e popullin shqiptar!
Faleminderit!”
Në Aarburg të Zvicrës, Rrjeti i Miqësisë organizoi një tryezë të mbyllur debati me temën: “Si ta motivojmë brezin e ri shqiptar në diasporë për ruajtjen e shëndetit, gjuhës dhe besimit: rol dhe bashkëpunim institucional.”Aktiviteti u zhvillua në Xhaminë e Bardhëdhe mblodhi përfaqësues të diplomacisë, akademisë, komunitetit fetar, mjekë, përfaqësues të biznesit dhe figura të njohura të diasporës shqiptare.
Takimi synoi të nxisë një bashkëpunim më të strukturuar mes institucioneve dhe profesionistëve shqiptarë në Zvicër, për të mbështetur brezin e ri në ruajtjen e identitetit, gjuhës dhe vlerave kulturore.
Një nga momentet më të spikatura të aktivitetit ishte prania e filantropit të njohur shqiptar Lazim Destani, i cili udhëtoi posaçërisht nga Gjermania për të marrë pjesë në këtë tryezë. Angazhimi dhe prezenca e tij u konsideruan si një mesazh i fortë mbështetjeje për komunitetin shqiptar në diasporë dhe për përpjekjet për të forcuar lidhjen e brezit të ri me gjuhën dhe traditën.
Tryeza u moderua nga Florim Useini, kryetar i Rrjetit të Miqësisë, i cili theksoi se brezi i ri shqiptar në diasporë ka nevojë për më shumë koordinim dhe bashkëpunim mes institucioneve, profesionistëve dhe komuniteteve që punojnë çdo ditë me familjet shqiptare.
Diskutimet u përqendruan në tri fusha kryesore që ndikojnë drejtpërdrejt te fëmijët shqiptarë në diasporë: arsimi, shëndeti dhe jeta fetare. Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e edukimit shëndetësor, ruajtjes së gjuhës shqipe dhe rolit të vlerave kulturore e fetare në formimin e identitetit të brezave të rinj.
Në aktivitet morën pjesë gjithashtu përfaqësues të tri ambasadave shqiptare në Zvicër, drejtues të shkollave shqipe, akademikë, mjekë, përfaqësues të biznesit dhe mediave shqiptare. Ngjarjen e nderoi me praninë e tij edhe futbollisti i Kombëtares së Zvicrës Ardian Bajrami, lojtar i klubit Benfica.
Pjesëmarrësit ranë dakord se për të motivuar brezin e ri shqiptar në diasporë nevojiten mesazhe të qarta dhe të unifikuara, si dhe një bashkëpunim më i fortë institucional mes shkollave shqipe, profesionistëve të shëndetësisë dhe komuniteteve fetare.
Aktiviteti u përmbyll me një iftar të përbashkët, ku pjesëmarrësit vijuan diskutimet në një atmosferë miqësore dhe bashkëpunuese. Tryeza u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit institucional dhe mbështetjes së brezit të ri shqiptar në Zvicër.
Festa e Flamurit mblodhi në Prishtinë, në një aktivitet solemn me rastin e 28 Nëntorit, përfaqësues të diasporës, politikës dhe artit të Kosovës. Në një koncert të titulluar “Të festojmë shqip”, organianizuar nga Shoqata “Yje që nuk vdesin”, që u mbajt në kryeqytetin e Kosovës, ishin ftuar përfaqësues të politikës së Kosovës, përfaqësues të diasporës shqiptare, të UÇK-së dhe artit e kulturës, të gjithë ata që kanë kontribuar për çlirimin e Kosovës dhe që kanë kontribuuar për trojet shqiptare.
I ftuar në këtë aktivitet ishte dhe sipërmarrësi shqiptar nga Tetova, filantropi Lazim Destani, por edhe shumë figura tjera të diasporës tonë. Mes diskutimeve të ndryshme, fjalimeve, si dhe këngëve e valleve me motive patriotike, organizatorët kishin menduar dhe për të vlerësuar disa prej pjesemarrësve dhe mbështetësve të këtij aktiviteti. Filantropi dhe Kryetari i Bordit Këshillimor të Ecolog Internacional, kompani ndërkombëtare në pronësi të familjes Destani, Z.Lazim Destani u nderuar me Çertifikatë Mirenjohjeje, “Për kontributin të pakarahasueshme në çështjen shqiptare”.
Në fjalën e tij të rastit, Z.Destani uroj dhe falenderoi organizatorët e e pjesëmërrësit për këtë aktivitet mbresëlënës në mes të Prishtinës. “Shfrytëzoj rastin t’ju uroj të gjithëve ju këtu dhe ata që e ndjekin më pas këtë aktivitet e veçanërisht diasporën, Urime Dita e Pavarësisë dhe Dita e Flamurit”!
Shqiponja e Pavarësisë ka “flutuar“ në alpe. Me 7 nënton, në muajin që përkon dhe me Festën e Flamurin dhe 113-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, shqiponja monumentale që më parë ishte vendosur në Tiranë, është ngritur në Kukës.
Në një ceremoni madhështore, u inagurua monumenti “Shqiponja”, një vepër artistike voluminoze që prej 7 nëntor 2025 do të qëndrojë në hyrje të qytetit, aty ku kryqëzohen rrugët që lidhin Kukësin me Rrugën e Kombit, me zonën e Hasit, një trekëndësh që përket dhe me rrugët që e lidhin Kukësin me Dibrën e Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut. Kjo vepër arti është një dhuratë nga filantropi tetovar Lazim Destani, i njohur për kontributin e tij të vazhdueshëm në mbështetje të projekteve kulturore dhe kombëtare shqiptare. Në ceremoninë e organizuar me pjesëmarrjen e institucioneve vendore morën pjesë kryetari i Bashkisë së Kukësit, Albert Halilaj, ish-kryeministri i Shqipërisë Pandeli Majko, përfaqësues të pushtetit vendor, shoqërisë civile dhe qytetarë të shumtë.
Në shenjë vlerësimi për kontributin e tij të vazhdueshëm për Kukësin, Kryetari i Bashkisë Z.Albert Halilaj i dorëzoi filantropit dhe biznesmenit nga Tetova, Z.Lazim Destani “Çelësin e Qytetit”, simbol i mirënjohjes dhe respektit të përbashkët. “Kukësi është qyteti që i bashkon të gjithë shqiptarët përmes Rrugës së Kombit. Falë njerëzve si Z.Destani, ne ndërtojmë ura bashkimi dhe kujtese kombëtare,” deklaroi Halilaj. Ndërsa ish-kryeministri Pandeli Majko vlerësoi gjestin e Destanit si shembull të rrallë të filantropisë dhe përkushtimit ndaj identitetit kombëtar.
Mikpritja dhe atmosfera e pritjes u vlerësuan si tepër të ngrohta dhe dinjitoze. Kryetari Halilaj, gjatë fjalës së tij përshëndetëse, u shpreh se ky vlerësim shkon “në duart e duhura”, duke theksuar kontributin e pandalshëm të Z.Destanit për qytetin dhe kombin shqiptar në tërësi.
Në përurimin e instalacionit të shqiponjës në fjalën e tij, Destani u shpreh se “shqiponja ka fluturuar nga Tirana në Kukës, sepse ajo me sa duket i përket maleve të larta”, duke theksuar lidhjen simbolike me trevat veriore. Ai vlerësoi me veçanti çmimin e marrë, duke u shprehur se ky është një ndër titujt më domethënës për të: “Kam marrë shumë çmime gjatë jetës, por ky është i veçantë. Të mbash çelësin e një qyteti do të thotë të jesh pjesë e tij. Nëse deri dje pyesja ‘a kam miq në Kukës’, sot ndihem se jam në shtëpinë time”.
Pas dorëzimit të Certifikatës së Mirënjohjes dhe Çelësit të Qytetit, aktiviteti u zhvendos pranë Monumentit “Shqiponja”, ku u pre shiriti i përurimit të saj, ndërsa pjesëmarrësit shprehën vlerësimet e tyre për këtë aktivitet dhe dhuratën e filantropit Destani.
“Faleminderit Z.Destani! Shqiponja mbi Kukës është tashmë simbol i shpirtit tonë krenar e bashkues”, tha ndër të tjera kryebashkiaku Halilaj.
Ndërkohë, Z.Destani, nëpërmjet rrjeteve sociale, ka ndarë kënaqësinë e tij për aktivitetin e 7 nëntorit në Kukës, ku ndër të tjera thotë:
“Me rastin e inaugurimit të Shqiponjës monumentale në qytetin e Kukësit, dje pata kënaqësinë të kaloj një ditë të bukur këtu, në këtë qytet të njohur me epitetin ‘Qyteti i mikpritjes dhe bujarisë’. I ftuar nga Kryetari i Bashkisë – Kukës, z. Albert Halilaj, fillimisht pata nderin të realizoj një vizitë miqësore te kjo Bashki. Me këtë rast, në atmosferë të ngrohtë e vëllazërore, nga Kryetari Halilaj pranova titullin “Çelësi i Qytetit” të Kukësit si dhe Çertifikatën e Mirënjohjes. Krahas drejtuesve të Bashkisë, në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe një grup nga miqtë e mi, të ardhur nga trojet tona e nga diaspora. Këta më thanë, erdhëm këtu për të qenë sot pranë teje, por më shumë, për ta nderuar qytetin e Kukësit, banorët e kësaj ane, dhe mbi të gjitha, në nderim të simbolit tonë kombëtar, Shqiponjës monumentale që sot po inaugurohet këtu në këtë qytet”.
“Me përfundimin e takimit në Bashki, të gjithë së bashku u nisëm për te rreth-rrotullimi i Gostilit, vendi i përurimit të Shqiponjës monumentale. Sado që ishte mot me shi, këtu gjetëm shumë banorë të zonës që ishin tubuar për ta ndjekur ceremoninë.
Për ftesën si dhe për mirënjohjen që pranova nga Bashkia e Kukësit falënderoj Kryetarin Albert Halilaj së bashku me stafin e tij si dhe gjithë kuksianët. Në mënyrë të veçantë falënderoj mikun tim Pandeli Majko për praninë këtu dhe për angazhimin e tij personal që kjo Shqiponjë të fluturojë nga Tirana për t’u vendosur në folenë e vet, në malet e Kukësit”.
Më poshtë, mund të gjeni fjalën e plotë të Z.Destani në ceremoninë e inaugurimit të Shqiponjës monumentale:
Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që sot ndodhem në mesin tuaj këtu në Kukës, ku po promovohet përurimi i kësaj Shqiponje, simbol dhe krenari e jona kombëtare.
Siç e dimë, kjo Shqiponjë fluturoi nga Tirana për tu vendosur këtu në Kukës. Në Tiranë, vendit ku qëndroi për disa vite, i dha emrin “Sheshi Shqiponja”, ndërsa erdhi këtu sepse siç duket, Shqiponjat i duan malet e larta.
Për angazhimin që kjo Shqiponjë të vendoset në Kukës, ju falënderoj personalisht juve zoti Halilaj si dhe stafin e Bashkisë që ju drejtoni.
Juve zoti Pandeli Majko ju falënderoj gjithashtu për angazhimin tuaj që kjo Shqiponjë të vijë këtu në Kukës, në këtë qytet me tradita të lashta kombëtare, e të njohur për moton “Qyteti i mikpritjes dhe bujarisë”.
Të nderuar qytetarë të Kukësit dhe gjithë ju bashkëkombës të dashur, si dhurues i kësaj vepre arti, sot në këtë ceremoni kam të njëjtat emocione siç i kisha kur ky monument u vendos në Tiranë me rastin e shënimit të 100-vjetorit të Pavarësisë. Gëzimi dhe emocionet janë të njëjta pasi Shqiponja Dykrenare është në zemrën e çdo shqiptari.
Unë vij nga katundi Bozovcë i malësisë së Sharrit, rrethi i Tetovës, dhe këtë katund ku linda e u rrita, vetëm pak kodra e ndajnë nga Kukësi. Me këtë rast dua të sjell këtu një moment të veçantë nga fëmijëria ime, dhe që lidhet jo vetëm me mua por me gjithë shqiptarët e asaj ane. E kam fjalën për vitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, e në vazhdim. Brezi ynë si dhe ata pas nesh, jemi rritur me zërin amënor e me tingujt e bukur të këngëve që vinin nga valët e Radio Kukësit. Zëri që na vinte nga ky qytet ka qenë ushqim shpirtëror i përditshëm për ne, ka qenë zëri që na mbushte zemrën me gëzim, na mbushte me frymë dhe energji të reja, dhe mbi të gjitha, na e forconte ndjenjën e dashurisë ndaj atdheut.
Ky ka qenë motivi që më ka bërë edhe këtë qytet ta ndiej si qytetin tim. Në ato kohëra si fëmijë nuk do ta kisha imagjinuar kurrë se pas më shumë se gjysmë shekulli qyteti i Kukësit do të më nderojë me titullin “Çelësi i Qytetit”. Andaj, mirënjohja që pranova sot nga Bashkia juaj, për mua është ndër më të veçantat. Sot e tutje, sa herë që do vij në Kukës, do ta çel portën e këtij qyteti me po atë ngrohtësi që e çel portën e shtëpisë sime në Tetovë!
Për Kukësin, për Shqipërinë, për të gjitha trojet tona uroj më të mirën, zhvillim ekonomik dhe përparim shoqëror e kulturor. Pandalshëm le të punojmë së bashku për forcimin e vendeve tona e për realizimin e aspiratave tona kombëtare. Të palëkundur le të ecim drejt integrimit të vendeve tona në Bashkimin Europian, sepse ne shqiptarët krahas gjeografisë, këtu e kemi edhe historinë tonë të lavdishme, si dhe përkatësinë tonë kulturore.
Meqenëse jemi në muajin nëntor, në Nëntorin e Festës së Pavarësisë dhe Ditës së Flamurit, juve këtu dhe gjithë bashkëkombësve ju uroj;
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), z. Agim Shahini, është takuar me z. Lazim Destani, një personalitet me vizion botëror dhe humanizëm të jashtëzakonshëm. Takimi u zhvillua në një atmosferë të hapur dhe bashkëpunuese, ku u diskutuan sfidat aktuale që po përballen Kosova dhe bota.
Në qendër të bisedës ishin kriza ekonomike globale, pasojat e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, tensionet në Lindjen e Mesme, si dhe situata politike në vend, e cila sipas z. Shahini po pengon zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarëve.
Shahini theksoi se për të përballuar me sukses këto sfida, është i domosdoshëm një bashkëpunim i ngushtë midis sektorit privat, institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile në të gjitha nivelet. Ai nënvizoi angazhimet e AKB-së në disa fusha kyçe:
Forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit me institucionet qeveritare për krijimin e një klime të qëndrueshme për investime dhe zhvillim ekonomik,
Promovimin e iniciativave që mbështesin bizneset vendore dhe nxisin punësimin,
Organizimin e aktiviteteve edukative dhe mentorimit për gjeneratat e reja të sipërmarrësve,
Lobimin për politika të qëndrueshme që zbusin efektet e krizave globale dhe vendore.
Nga ana e tij, z. Destani ndau përvojat dhe idetë e tij për përballimin e sfidave bashkëkohore duke theksuar rëndësinë e solidaritetit, përgjegjësisë sociale dhe përfshirjes së diasporës në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Kosovës.
Takimi u vlerësua si i frytshëm dhe shënoi një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të urave të bashkëpunimit për të përballuar sfidat dhe për të krijuar një të ardhme më të qëndrueshme. /Kosova.info/
Çlirimi i Kosovës u përkujtua më 12 qershor edhe në Gjermani. Diplomatë të Kosovës, përfaqësues të institucioneve publike, por edhe përfaqësues të diasporës u mblodhën në Dyseldorf, për të kujtuar sakrificën e popullit shqiptar dhe martirëve të luftës. Po në Dyseldorf u mbajtën dhe punimet e Forumit Ekonomik Kosovë – Nordrhein-Westfalen (NRW), organizuar nga Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane.
Në këto aktivitete ishte i pranishëm dhe i ftuar nderi dhe filantropi e biznesmeni Lazim Destani, si përfaqësues i Këshillit Kombëtar të Diasporës, ku gjatë fjalës së tij theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës sonë historike dhe rolin e diasporës në forcimin e lidhjeve tona me atdheun.
Në rrjetet e tij sociale, Kryetari i Bordit Menaxhues të kompanisë Ecolog-International, njoftoi për pjesëmarrjen në këto aktivitete.
Më poshte mund të gjeni dhe postimin e plotë të Z.Destani:
“Dje pata nderin e kënaqësinë që si përfaqësues i Këshillit Koordinues të Diasporës të marr pjesë në ceremoninë festive për shënimin e 12 Qershorit, Ditës së Çlirimit të Kosovës. Për shënimin e kësaj feste kombëtare, 26-vjetorin e çlirimit të vendit, aktiviteti u mbajt në Dyseldorf të Gjermanisë nën organizimin e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në po këtë qytet.
Në këtë ngjarje të bukur e të denjë, së bashku me përfaqësues të institucioneve, intelektualëve dhe figurave publike nga Kosova e Gjermania, miq të Kosovës e bashkatdhetarë nga Gjermania, u mblodhëm për të reflektuar e nderuar vlerat e larta që përfaqëson kjo ditë: përpjekjet e sakrificat shekullore për liri e pavarësi, dëshmorët e lirisë, si dhe dinjitetin e unitetin tonë kombëtar.
Në emër të Këshillit Koordinues të Diasporës, pata nderin t’i përshëndes të pranishmit me një fjalë rasti, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës sonë historike dhe rolin e diasporës në forcimin e lidhjeve tona me atdheun. Lavdi të rënëve për lirinë e atdheut!
Me mbarimin e kësaj ceremonie, në po këtë ambient, vazhduam me punimet e Forumit Ekonomik Kosovë – Nordrhein-Westfalen (NRW), organizuar nga Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane. Këtu ishin të pranishëm afaristë të shumtë nga Kosova e nga diaspora shqiptare në Gjermani. Forumet e këtilla nuk janë vetëm platforma bashkëpunimi ekonomik – ato janë dëshmi e gjallë se diaspora është një faktor kyç, me ide dhe kapacitete investuese, për zhvillimin ekonomik dhe përparimin e Kosovës.
U diskutua për mundësi konkrete bashkëpunimi, sfida të përbashkëta dhe hapat e mëtejshëm për krijimin e një rrjeti funksional ekonomik, të fuqishëm e të qëndrueshëm, që lidh Kosovën me diasporën. Me vizion e bashkëpunim, arrijmë çdo synim!
Me këtë rast falënderoj Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Düsseldorf për organizimin dhe mikpritjen. Po ashtu, falënderoj Unionin e Bizneseve Shqiptare në Gjermani, që me përkushtim të madh po punon për forcimin e këtij partneriteti mes Republikës së Kosovës dhe komunitetit të bizneseve tona në mërgatë”.
Në një botë ku shpesh mbisundon zhurma e fjalëve boshe, figura e Lazim Destanit qëndron si një monument i heshtur, por i fuqishëm i humanizmit të vërtetë.
Ai nuk ka folur shumë për atë që ka bërë, sepse vepra e tij flet vetë – qartë, thellë dhe me një rezonancë që shtrihet përtej kohës dhe kufijve. Ai nuk ka ndërtuar thjesht ndërtesa, por ka ngritur ura edhe atë ura midis brezave, midis të mundurve dhe mundësisë, midis ëndrrës dhe realitetit. Ka qenë kudo ku shpresa ka pasur nevojë për frymë.
Në arsim, ka mbjellë dije. Në shëndetësi, ka sjellë shpresë. Në sport, ka frymëzuar. Në kulturë, ka ruajtur historinë. Në çdo sferë ku njeriu lufton për të qëndruar i denjë, ai ka qenë aty – me mbështetje, me zemërgjerësi dhe me vështrim largpamës. Ai është shembulli se si një njeri mund të bëhet shtyllë e heshtur por thelbësore e një shoqërie që kërkon të rritet me dinjitet.
Ka njerëz që ndërtojnë pasuri. Ka të tjerë që ndërtojnë histori. Por janë të rrallë ata që mbushin zemrat me shpresë, dinjitet dhe besim, Z. Lazim Destani është pikërisht një nga ata njerëz që, përmes filantropisë së tij të palodhur, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërgjegjen tonë kolektive.
Me një thjeshtësi që i bën nder çdo madhështie, ai ka zgjedhur të jetë afër njerëzve – jo për të marrë duartrokitje, por për të zgjidhur nyje jete, për të çelur horizonte, për të ndriçuar rrugë dhe perspektiva të reja. Ka investuar në arsim, sepse ka besuar se se dija e bën njeriun të lirë. Ka ndihmuar pa bujë, sepse ka ditur se dhurata më e bukur është ajo që bëhet në heshtje.
Çdo veprim i z. Destanit nuk ka qenë vetëm akt bujarie, por një deklaratë e qartë se ky komb ka njerëz që nuk i harrojnë rrënjët, që nuk kthejnë shpinën nevojës, që nuk e shohin suksesin si qëllim në vetvete, por si një mjet për të ndihmuar të tjerët të ecin përpara sepse e ka kultivuar tek vetja filozofinë se ajo që shpërndahet shumëfishohet dhe asesi nuk paksohet.
Shumë shkolla, shumë studentë, shumë familje, shumë të rinj dhe të moshuar mbajnë në kujtesë dhe në zemër dorën e ngrohtë të këtij njeriu që kurrë nuk kurseu për të mirën e përbashkët andaj më 7 Mars 2025, në një atmosferë solemniteti dhe krenarie kombëtare, Universiteti i Tetovës ndau Çmimin Kombëtar “Fadil Sulejmani” filantropit të mirënjohur shqiptar, z. Lazim Destani, në kuadër të shënimit të Ditës së Mësuesit – një datë që i përket historisë sonë arsimore e kombëtare, me rrënjë të thella në themelet e shkollës së parë shqipe në Korçë.
Ky çmim, që tashmë është ideuar, etabluar dhe jetësuar me shijen e pagabueshme të kryeveprës, përfaqëson më shumë se një dekoratë nderi – ai është një porosi sublime, një dritë udhëzuese për brezat që vijnë, një kujtesë për figurat që me vizionin, përkushtimin dhe dashurinë ndaj dijes dhe kombit, lanë gjurmë të pashlyeshme në jetën shoqërore dhe kulturore.
Kontributi i tij në fushën e arsimit, në ndërtimin e shkollave, mbështetjen e studentëve, dhe fuqizimin e identitetit shqiptar, dëshmon për vizionin e tij afatgjatë dhe ndjenjën e thellë të përgjegjësisë kombëtare.
Ky çmim shkëlqen nga fakti i arsyetimit të stërholluar nga Senati i Universitetit të Tetovës, i cili më 27 shkurt 2025, me unanimitet të plotë, vendosi që ky nder i madh t’i takojë një figure që përfaqëson më së miri idenë e përparimit përmes dijes dhe solidaritetit. Ishte një vlerësim i merituar, një akt që thekson rëndësinë e njohjes së kontributit të atyre që nuk kursejnë asgjë për të parë kombin të ecë përpara.
Në fjalën e tij, z. Destani shprehu mirënjohjen për këtë nder dhe përkujtoi me emocion rrugëtimin e gjatë dhe të suksesshëm të Universitetit të Tetovës. Ai theksoi se çdo sakrificë dhe investim në arsim sjell fryte të pashmangshme në përparimin e një kombi dhe uroi që ky institucion të vazhdojë të jetë një pikë referimi për dijen, zhvillimin dhe dinjitetin kombëtar.
Çmimi “Fadil Sulejmani” 2025 mbetet një dëshmi se kombi shqiptar ka figura që ndriçojnë si fanarë në horizontin e së ardhmes. Z. Lazim Destani, me personalitetin e tij vizionar, me porositë e tij sublime dhe me kontributin e vazhdueshëm në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë e të arsimuar, e bën këtë çmim të fitojë kuptimin e tij më të lartë. Ai është shembulli se si vlerësimi i së mirës, kur bëhet me zemër dhe me mendje të kthjellët, shndërrohet në vepër të përjetshme.
Në përmbyllje nuk mund të mos theksojmë rolin që i faturohet Çmimit Kombëtar “Fadil Sulejmani” si shumë më tepër se një trofe. Ai përmban përveç dimensionit simbolik edhe atë historik që bart në vetvete historinë e përpjekjes për dije, sakrificën për përparim dhe krenarinë për vlerat tona kombëtare.
Vetë jeta dhe vepra e z. Destani është një shembull për t’u admiruar – një testament i gjallë se filantropia, humanizmi dhe përkushtimi ndaj arsimit janë ndër aktet më fisnike që mund të shërbejnë si udhërrëfyes për brezat e rinj.
Ky çmim nuk është vetëm një falënderim për atë që është bërë, por një ftesë për të gjithë ne, që të besojmë, të veprojmë dhe të ndërtojmë me dashuri e vizion, ashtu siç bëri z. Lazim Destani.
Emri i tij do të kujtohet jo për çfarë ka arritur vetë, por për çfarë ka ndihmuar të tjerët të arrijnë.
*Autori është Profesor në Universitetin e Tetovës „Fadil Sulejmani“ dhe ish-Rektor i këtij universiteti
Filantropi dhe biznesmeni Lazim Destani priti në zyrat e kompanisë Ecolog International në Dubai një trup diplomatik krejt të veçantë. Z.Destani, nëpërmjet rrjeteve të tij sociale, ka njoftuar se në zyrat e kompanisë ndërkombëtare që drejtohet nga familja e tij, ka pritur 3 ambasadorët shqiptare, konkretisht atë të Maqedonisë së Veriut, të Kosovës dhe të Shqipëritë, të akredituar në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Sot, në zyrat e kompanisë sonë në Dubai, pata nderin e kënaqësinë t’i pres për një vizitë miqësore Ambasadorët tanë të akredituar në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Ambasadorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut Abdylkadër Memedi, Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Ridi Kurtezi dhe Ambasadorin e Republikës së Kosovës Xhabir Hamiti”, shkruan Z.Destani në rrejetet e tij zyrtare. Siç ka bërë të ditur ai, “krahas bisedave miqësore, gjatë këtij takimi zhvilluam diskutime edhe mbi tema me karakter ekonomik, pasi të shumta janë mundësitë për investime kapitale nga EBA në trojet tona, në Shqipëri, Kosovë e në Maqedoninë e Veriut”. “Për vizitën e tyre kushtuar kompanisë sonë falënderoj Ambasadorët e nderuar, ndërsa i uroj për suksese gjithnjë në rritje në misionin e tyre diplomatic”, shtoi Z.Destani.
Kjo vizitë e diplomatëve shqiptarë në zyrat e Ecolog në Dubani nuk është e para. Dy djet më parë, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Emiratet e Bashkua, Xhabir Hamiti, nderoi me një certifikatë mirënjohje filantropin dhe biznesmenin Lazim Destani, si dhe kompaninë që drejtohet nga familja e tij, Ecolog International. Diplomati nga Kosova, vizitoi zyrat e Ecolog në Dubai, ku u prit nga Kryetari i Bordit Mbikqyrës, biznesmeni nga Tetova, Z.Lazim Destani. Certifikata e mirënjohjes, siç njofton vetë Z.Destani, “u dorëzua në shenjë falënderimi për kontributin tim modest me rastin e festimit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës në Abu Dabi”.
Zyrih, 5 prill 2025 – Një mbrëmje solemne dhe me emocion të veçantë u mbajt në „Oda Kërçovare“ në afërsi të Zyrihut, e cila mblodhi së bashku disa mërgimtarë të suksesshëm shqiptare në Zvicër për të kremtuar 16-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Ndërgjegjes, një ditë me vlera të mëdha njerëzore e universale.
Ngjarja u organizua me iniciativën e Z.Florim Useinit, Kryetar Nderi i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër dhe u përkrah fuqimisht nga Ambasadori i Maqedonisë së Veriut, Shkëlqesia e Tij, Z.Rexhep Demiri, i cili njihet për afërsinë me mërgatën dhe për mbështetjen që i jep zhvillimit ndërkulturor.
Një rol thelbësor në këtë organizim kishte edhe Meti Krasniqi, kryetar i Rrjetit të Miqësisë me miq, qendra mediale SAM24.info, me në krye kryeredaktorin Dashnim Hebibi, i cili u vlerësua falë punës së tij mbi 30 vjeçare në gazetari si një nga zërat më të rëndësishëm në informimin dhe bashkimin e diasporës shqiptare.
Të pranishëm ishin personalitete të shquara të jetës publike shqiptare në diasporë, përfshirë diplomatë, shkencëtarë, afaristë, artistë, sportistë dhe veprimtarë, të ardhur nga Zvicra, Gjermania, Austria e më gjerë.
Ndwresa mysafir special i mbrëmjes ishte Z.Lazim Destani, filantrop i shquar, biznesmen I suksesshwm dhe vizionar, si dhe simbol i humanizmit në gjithë trevat shqiptare.
Ai me fjalën e tij të thellë dhe inspiruese, theksoi: “Mos harroni: Duhet guxim, punë, besim dhe shpresë. Shpresa është shumë me rëndësi. Me korrektësi dhe origjinalitet, qëndron gjatë në çdo treg e në çdo fushë.”
Ai bashkëbisedoi me të pranishmit me modesti, si gjithnjë, duke ndarë përvoja jetësore dhe këshilla të vlefshme për të rinjtë dhe afaristët shqiptarë, duke theksuar: “Mos premtoni atë që s’mund ta realizoni. Jepuni zemrës dhe qëllimit tuaj një drejtim të ndershëm. Unë e dua të drejtën, e dua paqen, e dua korrektësinë.”
Ambasadori Demiri, i cili u paraqit pa kostum zyrtar për të qenë më afër qytetarëve, theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të mira ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, të cilat si anëtare të NATO-s, janë të përkushtuara për paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore.
Ai vlerësoi fuqishëm edhe rolin e mërgatës dhe investitorëve shqiptarë në përparimin e rajonit.
Kryeredaktori i SAM24.info, z. Dashnim Hebibi, u vlerësua publikisht nga z. Destani si një zë i paqes dhe unitetit:
“Z. Hebibi është engjëll i dorës së djathtë – gjithmonë në shërbim të të vërtetës, informimit dhe paqes. Jo rastësisht, ai mban titullin e ambasadorit të paqes.”
I emocionuar, z. Hebibi u ngrit në këmbë dhe falënderoi për vlerësimin, duke premtuar vazhdimin e misionit të tij në shërbim të komunitetit dhe të vlerave të pastra shqiptare.
Dita Ndërkombëtare e Ndërgjegjes, e shpallur nga OKB më 19 korrik 2019, thekson rëndësinë e reflektimit moral dhe etikes njerëzore, për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë, më të ndjeshme dhe më të përfshirë. Në këtë kontekst, gjatë mbrëmjes u përcollën thirrje që diaspora të kontribuojë edhe më shumë për ruajtjen e mjedisit me ndoj projekt dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të tokës shqiptare, duke marrë shembull nga Zvicra dhe vendet e tjera evropiane.
Në ndejën tradicionale që vijoi, e shtruar me gatime shqiptare, çaj e kafe, si dikur në odat tona, u zhvilluan biseda miqësore, shkëmbime përvojash dhe ide konkrete për bashkëpunime të ardhshme.
Të pranishëm në këtë mbrëmje ishin edhe:
Atdhe Jasiqi dhe Milaim Berisha, afaristë të njohur dhe kontribues të çmuar në zhvillimin ekonomik edhe ate nga Lozana që kishin bërë mbi dy orë rrugë.
Meti Krasniqi, kryetar i Rrjetit të Miqësisë, i cili shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar edhe më tej me të gjithë miqtë dhe veprimtarët për nisma të reja për paqen dhe harmoninë.
Gjithashtu, me respekt të veçantë u përmend kontributi i z. Destani në Maqedoninë e Veriut, ku qindra familje përfitojnë nga mundësitë që ai ka krijuar përmes ndihmës dhe investimeve të tij.
Në fund të mbrëmjes, z. Destani falënderoi të gjithë përzemërsisht, duke kujtuar se gjithmonë ka qenë dhe do të mbetet mirënjohës ndaj Zotit, familjes dhe bashkëpunëtorëve të tij.
“Vetëm me bashkim, korrektësi dhe ndërgjegje do të jemi të respektuar jo vetëm në Zvicër, por në mbarë botën.”
Ngjarje si kjo, theksuan të pranishmit, janë më se të nevojshme për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe për forcimin e lidhjeve midis diasporës dhe vendlindjes.Nuk mungoi edhe kënga e bukur shqipe me instrumentist të mrekullueshëm, ku nuk mungoi violina, harmonika dhe padyshim qiftelia. Mbrëmje e përmbushur me gëzim.
Të gjithë të pranishmit falënderuar edhe z.Florim Useini për këtë bashkim dhe të gjithë të tjerët që e kanë ndihmuar dhe mikpritjen e jashtëzakonshme të drrejtuesve të Odës Kërçovare, një odë tipike si në atdhe.
Krejt në fund të mbrëmjes u ndanë edhe mirënjohje nga Oda Kërçovare për z. Lazim Destani, Afrim Imeri, Milaim Berisha dhe Atdhe Jasiqi për kontributin e tyre humanitar dhe atdhetar. Këto takime i duhen mërgatës dhe ky ekip miqësh me z. Florim Useini dhe me përkrahjen e diplomatit me plot kuptimin e fjalës, Ambasadorin e Maqedonisë së Veriut, Shkëlqesinë e Tij, z. Rexhep Demiri, pastaj të Meti Krasniqi me shokë, kryetar i Rrjetit të Miqësisë. Ide e projekte, do të realizohen për një të ardhme të sigurt edhe për brezat e rinj që do të vijnë.