Menu

Aktivitete të ALERT

Qendra ALERT dhe Avokati i Popullit, memorandum bashkëpunimi për adresimin dhe trajtimin e ndërsjellë të ankesave të konsumatorëve

TIRANË – Qendra ALERT dhe Avokati i Popullit nënshkruan sot një memorandum bashkëpunimi për orientimin apo adresimin e ndërsjellë të ankesave të qytetarëve/konsumatorëve, me qëllim që çdo denoncim apo shqetësim i tyre të mos mbetet i patrajtuar deri në zgjidhje. Duke pasur parasysh dhe fushën e veprimtarisë, Avokati i Popullit do të trajtojë çështje që lidhen me administratën publike, mosndërhyrjen e saj në rastet e gjetjeve të deleguara nga Qendra ALERT dhe ankesave të konsumatorëve, ndërsa institucioni i Avokatit të Popullit do të adresojë pranë ALERT ankesat e konsumatorëve në marrëdhëniet me subjektet private.

Memorandumi u nënshkrua në zyrat e institucionit, nga Avokati i Popullit Z.Endrit Shabani, dhe Drejtori Ekzekutiv i Qendrës ALERT, Granit Sokolaj.

Sipas memorandumit të bashkëpunimit, kur Avokati i Popullir konstaton se, një ankesë ka si objekt cënimin e të drejtave të konsumatorëve në një marrëdhënie ndërmjet subjekteve private, jashtë juridiksionit të tij, ai i kthen përgjigje ankuesit, duke e informuar për organet kompetente shtetërore dhe krahas tyre për mundësinë e asistencës nga Qendra ALERT.

Ndërsa kur Qendra ALERT konstaton nëpërmjet numrit të gjelbër 08002626 apo mënyrave të tjera të ankesave/denoncimeve, se një rast ka si objekt veprime ose mosveprime të organeve të administratës publike, e informon qytetarin për të drejtën e ankimit pranë Avokatit të Popullit dhe për mënyrat e depozitimit të ankesës, apo ia përcjell rastin drejpërdrejt Avokatit të Popullit.

Ky memorandum mes Avokatit të Popullit dhe Qendrës ALERT e çon në një tjetër nivel trajtimin e ankesave të konsumatorëve, duke bërë që ato të adresohen më vendin dhe mënyrën e duhur, si dhe do të mund të jenë më gjithëpërfshirëse, për çështje më të shumta që i shqetësojnë qytetarët. Gjithashtu, rrit dhe numrin e rasteve të zgjidhura në favor të konsumatorëve.

Qendra ALERT, e cila falenderon Avokatin e Popullit, Z.Endrit Shabani, po zbaton projektin “Linja e gjelbër për mbrojtjen e konsumatorit – Siguria ushqimore dhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri nëpërmjet fuqizimit të OSHC-ve lokale”, financuar nga Bashkimi Evropian (IPA III/2024), që po zbatohet nga Qendra ALERT në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA). Në sajë të këtij projekti, është krijuar dhe Linja Kombëtare e Konsumatorëve, një numër i gjelbër 08002626, ku konsumatorët mund të telefonojnë falas dhe të adresojnë ankesat e tyre. Këto të fundit, ALERT i adreson pranë subjekteve private apo enteve publike, për zgjidhje.

Sipas memorandumit të sotëm, tani e në vijim, për rastet që kanë lidhje me mosveprime të institucioneve publike, Qendra ALERT do t’i adresojë ato pranë Avokatit të Popullit për ndërhyrje dhe e anasjellta për ankesat për subjekte private pranë Avokatit.

Vizitë studimore, funksionimi në praktikë i Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë dhe roli i tij në garantimin e sigurisë ushqimore

Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) dhe Qendra ALERT në bashkëpunim me  Insitutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, organizuan një vizitë studimore në mjediset e ISUV-it, me qëllim njohjen nga afër me veprimtarinë e institutit dhe funksionimin e pesë departamenteve përbërëse të tij. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, ekspertë të pavarur të sigurisë ushqimore dhe profesionistë të rinj, të interesuar për të kuptuar më mirë rolin e ISUV-it, si një laborator kombëtar reference, në varësi të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, i cili disponon rreth 1945 teste të akredituara, sipas ISO 17025:2017 dhe standardeve të BE-së.

Gjatë fjalës hyrëse, Granit Sokolaj, Drejtor Ekzekutiv, Qendra ALERT, theksoi se ISUV është një qendër reference, por sistemi laboratorik dhe i testimit është shumë më i gjerë dhe  ISUV është institucioni që mbikëqyr të gjithë këtë sistem. Ai më tej shtoi se laboratorët duhet të jenë të akredituar, por në treg funksionojnë edhe laboratorë privatë. Në këtë pikë, është e rëndësishme të kuptohet më qartë i gjithë zinxhiri, problematikat kryesore që hasin operatorët e biznesit ushqimor dhe më pas perceptimi i riskut nga konsumatori, sepse perceptimi nuk është gjithmonë i lidhur me realitetin.

Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), nënvizoi se nëpërmjet kësaj vizite studimore preket edhe pjesa e zbatimit praktik e standardeve, sidomos në laboratorë dhe në sistemin e sigurisë ushqimore. Kjo është një çështje që na prek drejtpërdrejt si qytetarë, si konsumatorë dhe si persona të interesuar për këtë fushë, jo vetëm si pjesë e procesit të integrimit, por edhe në raport me shëndetin tonë. Ai u shpreh se bashkëpunimi i vazhdueshëm me median është shumë i rëndësishëm, sepse përmes komunikimit publik procesi nuk duhet të mbetet vetëm teknik. Nuk mjafton vetëm nënshkrimi i traktatit të aderimit në BE; ky është një proces në vazhdimësi dhe qytetarët kanë nevojë për informim të vazhdueshëm edhe pas anëtarësimit.

Më tej, Znj. Jonida Boçi, Drejtore e Përgjithshme, ISUV, gjatë prezantimit të saj, sqaroi se përmes analizave dhe kontrolleve të vazhdueshme, ISUV siguron cilësinë e zinxhirit agro-ushqimor, garanton sigurinë e produkteve dhe mbron shëndetin e kafshëve dhe biodiversitetin. Kjo rrit besimin e konsumatorëve, mbështet prodhuesit vendas dhe forcon konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare. Ajo sqaroi se nëse nuk kemi ferma sipas standardeve të BE-së, kafshë dhe bimë të shëndetshme, nuk mund të kemi siguri ushqimore, pasi gjithçka lidhet me produktin final që del në treg. Në këtë zinxhir qëndron ISUV, ndërsa nga ana tjetër edhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), i cili kontrollon sigurinë ushqimore për produktet që tregtohen brenda vendit dhe eksportohen jashtë. Ruajtja e ekuilibrave mes veprimtarisë së operatorëve të biznesit ushqimor dhe shtetit është shumë e vështirë në këtë fushë, por është realizur një punë e madhe në këtë drejtim. Për shembull, në vitin 2006 filluan kërkesat nga operatorët e biznesit për eksportin e peshkut dhe molusqeve, në një kohë kur Shqipëria kishte ende njohuri të kufizuara mbi mënyrën se si funksiononte BE-ja dhe standardet e saj. Ndërkohë, në vitin 2011 arritëm të kishim legjislacion të harmonizuar dhe progres konkret në këtë fushë, megjithëse procesi i integrimit mbetej ende i paqartë. Përmes trupës italiane të akreditimit, u arrit të siguroheshin gjashtë analizat e para të akredituara për këtë lloj eksporti. Këtu vlen të përmendet se procesi i akreditimit është shumë i ndërlikuar dhe zë rreth 70% të punës së institucionit, dhe në atë kohë trupa italiane ishte shumë kërkuese dhe detajiste. Më pas, kur trupa shqiptare e akreditimit u njoh nga organizmat europianë për certifikimin e laboratorëve, procesi u bë më i lehtë për vendin tonë. Më tej, znj. Boçi theksoi se është krijuar një departament i menaxhimit të cilësisë, i cili funksionon pikërisht për procesin e akreditimit. Ky departament realizon auditime të brendshme gjatë gjithë vitit për të gjitha pikat e rëndësishme, para ardhjes së trupave akredituese.

U nënvizua se ndryshimi i standardeve dhe kritereve vjen si rezultat i politikëbërjes dhe këto standarde janë të detyrueshme për operatorët e biznesit ushqimor. Për shembull, ekziston një plan mbetjesh për produktet me origjinë shtazore. Sot eksportet shqiptare lidhen më shumë me produktet me origjinë bimore dhe ende, për shkak të kapaciteteve prodhuese, nuk kemi  hapur tregje në BE për eksporte të produkteve me origjinë shtazore, jo për shkak të mungesës së politikave apo kapaciteteve institucionale. Pra, nuk lidhet vetëm me përmbushjen e standardeve, por edhe me kapacitetin prodhues për të përballuar kërkesën në rritje të tregut. Përveç legjislacionit dhe inspektimeve, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka pasur një rol të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve njerëzore. AKMBV dhe AKU kanë burime njerëzore për inspektimet, por ngritja e kapaciteteve duhet të zhvillohet vazhdimisht në terren, duke nisur që nga fermeri dhe ndërgjegjësimi i tij për sigurinë ushqimore.

U sqarua më tej se qeveria shqiptare ka disa strategji për sigurinë ushqimore dhe bashkëpunon me organizata të ndryshme ndërkombëtare, si Organizata Botërore e Shëndetësisë, përmes workshop-eve dhe programeve të ndryshme. Për këtë arsye është futur edhe kuadri “One Health”, ku përfshihet edhe Ministria e Mjedisit. Një hallkë tjetër shumë e rëndësishme është sistemi laboratorik. ISUV është laboratori qendror kombëtar për sigurinë ushqimore dhe mbulon programet kombëtare, monitorimin e sëmundjeve, si dhe raportimet e detyrueshme në organizatat ndërkombëtare për sëmundjet me ndikim ekonomik dhe kufitar. Sot shtrohet pyetja nëse kemi më shumë nevojë për kapacitete kontrolli apo për burime njerëzore. Në fakt kemi nevojë të jemi të aftë të kontrollojmë në mënyrë efikase. U theksua se ka rregullore për çdo proces dhe operatorët e biznesit kanë detyrimin t’i zbatojnë ato, ndërsa shteti ka detyrimin të kontrollojë zbatimin e tyre për të garantuar një produkt të sigurt. Rrjedhimisht, operatorët e biznesit nuk kanë më pak përgjegjësi se shteti shqiptar për sigurinë e produktit që hedhin në treg. Në këtë mënyrë kuptohet se siguria ushqimore nuk është kurrë absolute; edhe nëse plotëson standardet, problematika mund të ketë gjithmonë, sepse gjithçka lidhet me reagimin e kafshëve, produktit dhe gjithë zinxhirit. Për këtë arsye edhe strategjia e komunikimit me publikun është shumë e rëndësishme.

Drejtoresha sqaroi gjithashtu se kemi 7 laboratorë rajonalë, ku 4 prej tyre janë më të fuqizuar, dhe, në bashkëpunim me projektin e Bankës Botërore, si edhe me dy projekte të tjera të BE-së, është punuar intensivisht për strategjinë e laboratorëve rajonalë. Në fillim nuk ishin të qarta nevojat konkrete, ndaj janë analizuar modele të ndryshme europiane. Fillimisht u mor në konsideratë modeli irlandez, ndërsa më pas fokusi kaloi te modeli kroat, pasi konsiderohet më i përshtatshëm dhe më afër realitetit shqiptar. Në këtë proces janë marrë në konsideratë shumë indikatorë, sepse numri i laboratorëve nuk do të thotë domosdoshmërisht që ke më shumë kapacitete; në disa raste mund të tregojë edhe mungesë efikasiteti në kontroll. Sipas vlerësimeve të atëhershme, 1–2 laboratorë të fuqishëm do të ishin të mjaftueshëm për Shqipërinë për t’iu përgjigjur edhe rasteve të alarmeve nga institucionet ndërkombëtare apo AKU, jo vetëm për eksportet, por edhe për importet, të cilat paraqesin të njëjtat problematika.

Për sa i përket strukturës së ISUV-it, përveç Departamentit të Menaxhimit të Cilësisë, ka edhe katër departamente të tjera kryesore. Për të shmangur kontaminimet e kryqëzuara, laboratori funksionon me standarde shumë të larta biosigurie dhe me sistem të mbyllur. Zona e pritjes së kampionëve është e organizuar sipas standardeve të sigurisë dhe nuk ka kontakt me materialet biologjike apo kafshët e ngordhura. Dikur laboratorë të tillë ndërtoheshin jashtë zonave urbane, ndërsa sot funksionojnë edhe brenda qyteteve, duke respektuar standardet moderne të biosigurisë. Një nga departamentet kryesore është

Departamenti i Mbrojtjes së Shëndetit të Bimëve, i cili mbulon çështjet që lidhen me shëndetin bimor dhe pesticidet. Një tjetër departament është ai i Toksikologjisë dhe Cilësisë, me monitorimin e mbetjeve në produktet me origjinë shtazore dhe kafshët e gjalla. Ndërkohë, Departamenti i Mikrobiologjisë Ushqimore merret me parametrat higjienikë dhe kriteret e higjienës sipas standardeve HACCP. Ky departament ka nisur procesin e akreditimit që në vitin 2011 dhe aktualisht ka mbi 100 teste të akredituara. Gjithashtu përfshin sektorin e ujërave, akuakulturës, molusqeve, rezervateve të peshkut dhe lagunave, si edhe sektorin e cilësisë së produkteve industriale.

Gjatë sesionit të diskutimit, pjesëmarrësit ngritën shqetësime mbi nevojën për të kuptuar më qartë të gjithë zinxhirin e sigurisë ushqimore, problematikat kryesore që hasin operatorët e biznesit ushqimor, si edhe perceptimin e riskut nga konsumatori, duke theksuar se perceptimi publik nuk është gjithmonë i lidhur drejtpërdrejt me realitetin. U nënvizua gjithashtu se është e pamundur të ketë inspektorë për çdo subjekt në treg dhe se inspektimet realizohen mbi bazën e vlerësimit të riskut.

Në diskutim u trajtua edhe procesi i akreditimit të ISUV-it nga trupa të huaja akredituese. U sqarua se ky proces ka funksionuar deri në vitet 2020–2021, por për shkak të kostove shumë të larta është ndryshuar qasja. Ardhja e trupës italiane të akreditimit kushtonte rreth 10 000 euro dhe procesi realizohej nga “Italian Accreditation Body”. Zgjidhja erdhi pasi trupa shqiptare e akreditimit u njoh nga organizmat europianë dhe mori certifikimin përkatës. Për këtë arsye, sot ISUV aplikon standarde shumë më strikte edhe ndaj laboratorëve privatë. U theksua se një laborator privat nuk mund të autorizohet për kontrolle zyrtare pa miratimin e ISUV-it, ndërsa ministria jep autorizimin vetëm pas këtij vlerësimi.

Pjesë e diskutimeve ishte edhe çështja e analizave mikrobiologjike për mbetje dhe kontaminantë, si dhe mundësia që ISUV të realizojë analiza për paketimet që janë në kontakt me ushqimin. U sqarua se Ministria e Bujqësisë e Zhvillimit Rural ende nuk e ka nisur zyrtarisht këtë proces, megjithatë, për shkak të kërkesave të reja, është zgjeruar lista e kontaminantëve që analizohen. Aktualisht ofrohen kryesisht parametra mikrobiologjikë për sëmundjet virale dhe jo bakteriale.

U diskutua gjithashtu se fusha e mbetjeve është aktualisht e centralizuar në ISUV. Laboratori i Fierit pritet të fokusohet në analizimin e mbetjeve të pesticideve për produktet e serrave, pasi aty përqendrohet pjesa më e madhe e prodhimit, ndërsa një laborator tjetër në Shkodër është planifikuar për analizimin e mbetjeve të pesticideve në bimët medicinale.

U theksua se ISUV është i akredituar për analizimin e mbetjeve të pesticideve në bimët medicinale dhe aktualisht mbulon rreth 250 parametra të akredituar.

Diskutimet u fokusuan edhe te problematikat kryesore që hasin operatorët e biznesit ushqimor, veçanërisht për produktet me origjinë shtazore, si dhe laboratorët që përdorin për analizat. U sqarua se operatorët e biznesit ushqimor kategorizohen sipas standardeve që plotësojnë dhe kapaciteteve eksportuese, ndërsa edhe fermat kategorizohen sipas numrit të krerëve dhe standardeve të stabilimenteve, pasi kjo lidhet drejtpërdrejt me cilësinë e produktit final. U theksua se përgjegjësia për ruajtjen e standardeve brenda stabilimenteve bie mbi vetë operatorët e biznesit. Në momentin që biznesi kryen autokontrollin, ai garanton sigurinë e lotit që nxjerr në treg. Ndërkohë, ISUV realizon kontrolle zyrtare në tregje, ferma dhe pika kontrolli. Në rastet kur konstatohet manipulim apo probleme në analizat e laboratorëve privatë dhe produkti kapet me mbetje gjatë eksportit, kostot dhe përgjegjësitë bien mbi operatorin e biznesit, duke përfshirë edhe kostot e asgjësimit të mallit. Në këto raste operatori futet në listën e monitorimit nga autoritetet shqiptare.

Në diskutim u përmend edhe rasti i Kroacisë, ku gjatë procesit të përafrimit me standardet europiane një pjesë e madhe e prodhuesve të qumështit dolën jashtë tregut. Për këtë arsye, sektori i qumështit është identifikuar edhe në dokumentin e pozicionit të përbashkët të BE-së për Grupkapitullin 5 si një sektor që kërkon rregullim dhe vëmendje të veçantë. Gjithashtu u theksua se procesi i përafrimit duhet trajtuar me kujdes, pasi zbatimi i standardeve kërkon kohë edhe pas miratimit të legjislacionit.

Pas përfundimit të diskutimeve, u zhvillua një vizitë njohëse në laboratorët e ISUV-it, përfshirë laboratorin e liquid-kromatografisë për analizën e medikamenteve; ku pjesëmarrësit u njohën nga afër me procedurat e testeve e mënyrën e trajtimit të kampionëve.

*Kjo vizitë studimore zhvillohet në kuadër të projektit “Linja e gjelbër për mbrojtjen e konsumatorit – Siguria ushqimore dhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri nëpërmjet fuqizimit të OSHC-ve lokale”, financuar nga Bashkimi Evropian (IPA III/2024), që po zbatohet nga Qendra Alert në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA).

Linja e Gjelbër për Konsumatorët dhe fuqizimi i OSHC për të drejtat e konsumatorëve, takimi i 6-ë zhvillohet në Vlorë

Sesioni i radhës për fuqizimin e Organizatave Lokale të Shoqërisë Civile në lidhje me Mbrojtjen e Konsumatorit, u zhvillua më 17 dhjetor 2025 në qytetin e Vlorës. Qendra ALERT organizoi në Vlorë trajnimin e fundit në kuadër të projektit “Linja e Gjelbër për Mbrojtjen e Konsumatorit Siguria ushqimore dhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri përmes fuqizimit të OSHC-ve lokale”, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga Qendra ALERT në partneritet me Lëvizjen Europiane në Shqipëri.

Sesioni i trajnimeve me qëllim rritjen e kapaciteteve të organizatave lokale të Shoqërisë Civile për mbrojtjen e konsumatorit u zhvillua në Vlorë, me qëllim përfshirjen aktive e OSHC-ve në politikëbërje, ndërtimi i një rrjeti kombëtar për mbrojtjen e konsumatorit dhe mbështetja e integrimit në BE.

Sesioni i trajnimit u fokusua në njohjen e legjislacionit të Bashkimit Evropian mbi të drejtat e konsumatorit, zbatimin e tij në Shqipëri dhe rolin e aktorëve të ndryshëm në mbrojtjen e konsumatorëve. Trajnimi ofroi një pasqyrë të qartë mbi detyrimet ligjore të Shqipërisë për transpozimin e legjislacionit europian, duke përfshirë implementimin e gjashtë akteve të reja evropiane në legjislacionin kombëtar.

Pjesëmarrësit u njohën me strukturat qendrore dhe vendore që ofrojnë mbrojtje për konsumatorët dhe rëndësinë e këtyre mekanizmave, veçanërisht në kontekstin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. U trajtuan raste praktike të mbrojtjes së konsumatorëve, duke përfshirë procesin e ankimimit për produkte ushqimore dhe joushqimore, si dhe mënyrat e trajtimit dhe zgjidhjes së ankesave.

Gjatë sesionit, pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu problematikat lokale me të cilat përballen konsumatorët në komunitetet e tyre, duke identifikuar sfidat kryesore dhe duke shqyrtuar alternativa dhe zgjidhje të mundshme për tejkalimin e tyre. Kjo qasje praktike i ndihmoi ata të lidhin njohuritë ligjore me situata reale dhe të mendojnë strategji konkrete për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve në nivel lokal.

Trajnimi gjithashtu përfshiu informacion mbi politikat dhe strukturat kombëtare për mbrojtjen e konsumatorëve, duke theksuar rolin e Organizatave Shoqërisë Civile (OSHC) në rritjen e kapaciteteve të tyre për të mbështetur komunitetet, për të ofruar informacion dhe ndihmë konkrete, dhe për të fuqizuar konsumatorët në mbrojtjen e të drejtave të tyre. Raste praktike të trajtimit të ankesave nga OSHC-të u përdorën për të ilustruar qasje efektive dhe praktike në këtë fushë.

Në përfundim, sesioni kontribuoi në rritjen e njohurive dhe aftësive të pjesëmarrësve për të kuptuar legjislacionin kombëtar dhe europian mbi të drejtat e konsumatorit, si dhe për të vepruar në mënyrë aktive në mbrojtjen e konsumatorëve në komunitetet e tyre.

Konsumatorët dhe zgjidhja e ankesave nga Linja e Gjelbër e Qendrës ALERT, prezantohen rezultatet e një viti dhe pyetësori për konsumartorët

Mbrojtja e konsumatorëve dhe adresimi i shqetësimeve të tij mbeten thelbësore për një treg të drejtë dhe të sigurt. Në këtë kuadër, në ambientet e Europe House në Tiranë, u zhvillua aktiviteti “Prezantimi i gjetjeve të ankesave të konsumatorëve dhe shqetësimeve të ngritura nëpërmjet pyetësorit”, ku u prezantuan të dhëna dhe analiza mbi problematikat kryesore të evidentuara nga vetë konsumatorit, nëpërmjet Linjës Kombëtare Jeshile për Mbrojtjen e Konsumatorëve, 08002626.

Aktiviteti u çel nga Drejtori Ekzekutiv i Qendrës ALERT, Z. Granit Sokolaj, i cili prezantoi projektin “Linja e Gjelbër për Mbrojtjen e Konsumatorit – Siguria ushqimore dhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri përmes fuqizimit të OSHC-ve lokale”, duke theksuar rëndësinë e trajtimit të ankesave të konsumatorëve dhe përdorimit të tyre si bazë për përmirësimin e politikave dhe praktikave institucionale.

Më pas, fjalën e mori Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), Z. Gledis Gjipali, partner në projekt, i cili vlerësoi fokusin e nismës në mbrojtjen e konsumatorit dhe kontributin konkret që projekti jep në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Në vijim, Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Z. Enkelejd Musabelliu, përshëndeti nismën duke theksuar rëndësinë e rritjes së ndërgjegjësimit të konsumatorëve dhe forcimit të rolit të tyre në një treg transparent dhe konkurrues.

Fjalën e mori gjithashtu Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Z. Fatmir Guri, i cili vlerësoi projektin dhe theksoi rëndësinë e informimit të konsumatorit, duke nënvizuar vizionin për një konsumator shqiptar të mbrojtur dhe të ndërgjegjshëm, në përputhje me standardet evropiane.

Në përmbyllje, Menaxherja e Projektit për Sigurinë Ushqimore, Veterinarinë dhe Peshkimin pranë Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Znj. Elisa Teneqexhi, vlerësoi fokusin e projektit dhe riafirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Europian për mbrojtjen e konsumatorit dhe avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit në BE.

Aktiviteti u shoqërua me një diskutim të hapur mes pjesëmarrësve, ku përfaqësues të institucioneve, shoqërisë civile dhe aktorë të tjerë relevantë shkëmbyen mendime dhe sugjerime mbi gjetjet e prezantuara, sfidat aktuale dhe nevojën për bashkëpunim të mëtejshëm në forcimin e mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve.

Gjatë aktivitetit, u prezantuan të gjithe ankesat e konsumatoreve pranë Linjës së Gjelbër dhe në rrugët tjera të komunikimit me Qendrën ALERT, natyra e ankesave, efikasiteti në zgjidhjen e tyre, si dhe u prezantuan gjetjet e pyetësorit për konsumatorët dhe perceptimet e tyre.

*Ky aktivitet u zhvillua zhvillohet në kuadër të projektit “Linja e Gjelbër për Mbrojtjen e Konsumatorit – Siguria ushqimore dhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri nëpërmjet fuqizimit të OSHC-ve lokale”, financuar nga Bashkimi Evropian (IPA III/2024), dhe po zbatohet nga Qendra ALERT në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA).

“Linja e Gjelbër” mbërrin në Gjirokastër/ Trajnime për mbrojtjen e konsumatorëve dhe krijimin e rrjetit të OSHC

GJIROKASTËR – 19.11.2025  / Qendra ALERT organizoi në Gjirokastër trajnimin e radhës në kuadër të projektit “Linja e Gjelbër për Mbrojtjen e Konsumatorit Siguria ushqimore dhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri përmes fuqizimit të OSHC-ve lokale”, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga Qendra ALERT në partneritet me Lëvizjen Europiane në Shqipëri.

Sesioni i trajnimeve me qëllim rritjen e kapaciteteve të organizatave lokale të Shoqërisë Civile për mbrojtjen e konsumatorit u zhvillua në Gjirokastër, me qëllim përfshirjen aktive e OSHC-ve në politikëbërje, ndërtimi i një rrjeti kombëtar për mbrojtjen e konsumatorit dhe mbështetja e integrimit në BE.

Gjatë sesionit u prezantuan parimet kryesore që udhëheqin institucionet qëndrore përgjegjëse për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit, si transparenca, objektiviteti dhe garantimi i aksesit të barabartë për çdo konsumator.

Pjesëmarrësit u njohën me risitë që sjell procesi i integrimit europian, duke përfshirë harmonizimin e legjislacionit, standardet e reja të mbrojtjes së konsumatorit dhe rritjen e përgjegjësisë së institucioneve mbikëqyrëse. U diskutua gjithashtu rëndësia e edukimit të konsumatorëve dhe rritjes së besimit të tyre në mekanizmat institucionalë.

Një pjesë e rëndësishme e trajnimit iu kushtua mënyrave dhe hapësirave ku konsumatorët mund të paraqesin ankesa, kanaleve të komunikimit, si dhe rrugës që ndjek një ankesë nga momenti i paraqitjes deri te shqyrtimi dhe zgjidhja. Institucionet lokale ndanë disa raste konkrete nga praktika e tyre, të cilat ilustruan qartë sfidat dhe rezultatet e ndërhyrjeve efektive.

Trajnimi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, organizatave të shoqërisë civile dhe vetë konsumatorëve, si dhe nevojën për forcimin e mekanizmave të informimit publik. Ky aktivitet kontribuoi në rritjen e ndërgjegjësimit dhe kapaciteteve lokale për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit.

*Kjo seri trajnimesh realizohet në kuadër të projektit “Linja e gjelbër për mbrojtjen e konsumatorit – Siguria ushqimore dhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri nëpërmjet fuqizimit të OSHC-ve lokale”, financuar nga Bashkimi Evropian (IPA III/2024), që po zbatohet nga Qendra Alert në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA).

“Rinia aktive për politika të qëndrushme“, dy trajnime në Kamëz dhe Tiranë

Për dy ditë, u zhvilluan në Tiranë dhe Kaamëz trajnimet me të rintë në kuadër të projektit “Rinia aktiv për politika të qëndrueshme”, mbështetur financiarisht nga Agjencia Kombëtare e Rinisë (AKR).

Në ëorkshop-in e zhvilluar me të rinjtë e Tiranës pjesëmarrësit u njohën me kuadrin ligjor dhe institucional që garanton të drejtat e të rinjve, si dhe me mënyrat konkrete për t’u përfshirë në jetën publike e vendimmarrëse në nivel lokal dhe kombëtar.

Në pjesën e parë u diskutua për strategjitë kombëtare dhe ligjore që mbështesin fuqizimin e rinisë, përfshirë rolin e Këshillit Kombëtar dhe Këshillit Vendor të Rinisë, si struktura që i japin të rinjve zë në politikat publike. U theksua se Ligji për Rininë njeh jo vetëm organizatat rinore, por edhe grupet joformale si nisma që mund të marrin mbështetje financiare dhe teknike nga bashkia apo institucionet përkatëse. Të rinjtë u nxitën të njihen me këto mekanizma dhe të marrin pjesë në mënyrë aktive në konsultime publike dhe iniciativa vendimmarrëse.

Pjesa e dytë e ëorkshop-it u fokusua te aktivizimi qytetar dhe advokimi, duke i ndihmuar të rinjtë të kuptojnë dallimin midis pjesëmarrjes civile, angazhimit politik dhe advokacisë publike. Përmes shembujve praktikë u diskutua sesi një fushatë advokuese ndërtohet në mënyrë të planifikuar,duke filluar nga identifikimi i problemit, mbledhja e informacionit, planifikimi i veprimeve dhe komunikimi me autoritetet publike. U theksua rëndësia e aleancave me organizata të tjera, mediave dhe komunitetit për të rritur ndikimin.

Të rinjtë e Tiranës u angazhuan aktivisht në diskutime mbi çështje që lidhen me mjedisin urban, transportin publik, hapësirat rinore dhe përfaqësimin studentor. Ëorkshop-i ndihmoi pjesëmarrësit të kuptojnë se angazhimi qytetar nuk kufizohet në aktivizëm online, por përfshin edhe pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në proceset që prekin komunitetin.

Ëorkshop-i me të rinjtë e Kamzës u fokusua në temat e aktivizimit qytetar dhe mundësive për angazhim në komunitet. Qëllimi i trajnimit ishte të forcojë njohuritë e të rinjve për pjesëmarrjen në jetën publike dhe për mënyrat praktike se si mund të ndikojnë në përmirësimin e komunitetit lokal.

Fillimisht, pjesëmarrësit u njohën me kuadrin ligjor që garanton të drejtat e tyre për pjesëmarrje, përfaqësim dhe financim të nismave rinore. U prezantua koncepti i grupeve joformale të të rinjve, të cilat, sipas ligjit, mund të përbëhen nga katër të rinj dhe të aplikojnë për mbështetje pranë bashkisë për nisma që lidhen me zhvillimin e komunitetit. U diskutua edhe roli i Këshillit Vendor të Rinisë si urë bashkëpunimi midis të rinjve dhe Bashkisë Kamëz, si dhe rëndësia e përfshirjes në këto struktura këshillimore për të ndikuar në politikat vendore.

Në pjesën e dytë u trajtua koncepti i advokacisë dhe fushatave për ndryshim, ku u theksua se advokimi nuk është vetëm kritikë ndaj institucioneve, por një proces i planifikuar që synon ndikim pozitiv përmes argumenteve dhe bashkëpunimit. U analizuan shembuj konkretë të fushatave të suksesshme që mund të përshtaten në realitetin e Kamzës, si nisma për përmirësimin e hapësirave publike, mbrojtjen e mjedisit apo krijimin e aktiviteteve kulturore rinore.

Të rinjtë e Kamzës morën pjesë aktive në diskutime, duke ndarë përvojat e tyre dhe duke identifikuar problematika lokale që mund të kthehen në fushata advokuese, si mungesa e hapësirave rinore, nevoja për më shumë aktivitete edukative dhe përfshirje në vendimmarrje.

Në përfundim, ëorkshop-i ndihmoi të rinjtë të shohin veten si pjesë aktive të komunitetit, të aftë për të bashkëpunuar me bashkinë, shkollat dhe organizatat lokale. Ata u motivuan të përdorin njohuritë e fituara për të ndërtuar nisma konkrete që reflektojnë nevojat e komunitetit të tyre dhe për të kontribuar në zhvillimin social të qytetit të Kamzës.

Dy ekspertët, Znj.Nirvana Deliu dhe Z.Erjon Tase, gjatë dy trajnimeve, spjeguan për pjesëmarrësit rëndësinë e aktivizmit, legjislacionin shqiptar dhe rrugën që po ndjek vendi drejt integrimit në BE, si dhe raste praktike të mundësisë për angazhimin e të rinjve në shoqërinë civile.

*Këto aktivitete u realizuan nga Qendra ALERT në kuadër të projektit “Rinia aktive për politika të qëndrueshme”, me mbështetjen financiare të Agjencisë Kombëtare të Rinisë (AKR).

Linja e Gjelbër për Konsumatorët dhe fuqizimi i OSHC lokale, dy trajnime në Dibër e Tiranë nga Qendra ALERT dhe EMA

Sesioni i trajnimeve me qëllim rritjen e kapaciteteve të organizatave lokale të Shoqërisë Civile për mbrojtjen e konsumatorit, është zhvilluar në muajin tetor në dy qytete, Peshkopi dhe Tiranë, ku kanë mbedhur ekspertë dhe organizata lokale. Aktivitetet u zhvilluan në kuadër të projektit “Linja e Gjelbër për Mbrojtjen e Konsumatorit Siguria ushqimore dhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri përmes fuqizimit të OSHC-ve lokale”, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga Qendra ALERT në partneritet me Lëvizjen Europiane në Shqipëri.

Qëllimi është përfshirja aktive e OSHC-ve në politikëbërje, ndërtimi i një rrjeti kombëtar për mbrojtjen e konsumatorit dhe mbështetja e integrimit në BE. Në trajnime morën pjesë përfaqësues të institucioneve publike, shoqërisë civile dhe ekspertë të fushës, të cilët diskutuan mbi legjislacionin në fuqi, detyrimet e institucioneve dhe biznesit, si dhe të drejtat themelore të konsumatorëve: siguria ushqimore, shëndeti, e drejta për informacion, ankesa dhe përfaqësim.

Lektoret Ersida Teliti dhe Klotilda Neziri theksuan nevojën për qasje praktike dhe për trajtim të rasteve konkrete si cilësia e shërbimeve telefonike, siguria ushqimore dhe farmaceutike. Organizatat pjesëmarrëse u angazhuan për t’u bashkuar me Rrjetin e OSHC-ve për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Gjatë aktiviteteve u lançua dhe Linja e Gjelbër 0800 26 26  për raportimin e shkeljeve dhe u prezantua rrjeti kombëtar i OSHC-ve për konsumatorin. Në tërësi, ky cikël trajnimesh po kontribuon në ndërtimin e një strukture të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për mbrojtjen e konsumatorit në Shqipëri.

Më 8 tetor, aktiviteti u mbajt në Peshkopi, ndërsa trajnimi i tjetër mbi Mbrojtjen e Konsumatorit u zhvillua më 17 tetor, në ambientet e Europe House në Tiranë, i organizuar nga Lëvizja Europiane në Shqipëri.

Gjatë trajnimit u trajtuan disa çështje kyçe, si roli dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve zbatuese si Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorit (KMK), Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT) dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore;

Raste konkrete ankesash të trajtuara, që lidhen me blerjet online, mashtrimet tregtare dhe zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve (ZAM);

Përmbushja e piketave përmbyllëse në kuadër të procesit të negociatave me BE-në;

Përfshirja e aktorëve joshtetërorë në konsultimet publike dhe platformat kombëtare, sipas udhëzuesit të përgatitur në kuadër të projektit.

*Kjo seri trajnimesh realizohet në kuadër të projektit “Linja e gjelbër për mbrojtjen e konsumatorit – Siguria ushqimore dhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri nëpërmjet fuqizimit të OSHC-ve lokale”, financuar nga Bashkimi Evropian (IPA III/2024), që po zbatohet nga Qendra Alert në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA).

“Linja e Gjelbër” në Korçë dhe Shkodër/ Trajnime për forcimin e organizatave lokale në mbrojtjen e konsumatorit

Më 30 qershor dhe 3 korrik 2025, në qytetet e Korçës dhe Shkodrës u zhvilluan trajnime për rritjen e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve. Aktivitetet u zhvilluan në kuadër të projektit “Linja e Gjelbër për Mbrojtjen e Konsumatorit Siguria ushqimore dhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri përmes fuqizimit të OSHC-ve lokale”, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga Qendra ALERT në partneritet me EMA.

Qëllimi është përfshirja aktive e OSHC-ve në politikëbërje, ndërtimi i një rrjeti kombëtar për mbrojtjen e konsumatorit dhe mbështetja e integrimit në BE. Në trajnime morën pjesë përfaqësues të institucioneve publike, shoqërisë civile dhe ekspertë të fushës, të cilët diskutuan mbi legjislacionin në fuqi, detyrimet e institucioneve dhe biznesit, si dhe të drejtat themelore të konsumatorëve: siguria ushqimore, shëndeti, e drejta për informacion, ankesa dhe përfaqësim.

Lektoret Ersida Teliti dhe Klotilda Neziri theksuan nevojën për qasje praktike dhe për trajtim të rasteve konkrete si cilësia e shërbimeve telefonike, siguria ushqimore dhe farmaceutike. Organizatat pjesëmarrëse u angazhuan për t’u bashkuar me Rrjetin e OSHC-ve për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Këto aktivitete vijojnë pas trajnimeve të mbajtura më 10 qershor në Fier dhe më 14 maj në Tiranë, ku u lançua Linja e Gjelbër 0800 26 26  për raportimin e shkeljeve dhe u prezantua rrjeti kombëtar i OSHC-ve për konsumatorin.

Në tërësi, ky cikël trajnimesh po kontribuon në ndërtimin e një strukture të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për mbrojtjen e konsumatorit në Shqipëri.

Për çdo shkelje apo problematikë, qytetarët mund të raportojnë falas. Mjafton të telefonojnë në numrin 0800 26 26  Linja e Gjelbër për mbrojtjen e konsumatorit.

Fier, zhvillohet trajnimi i parë mbi fuqizimin e organizatave lokale dhe krijimin e Rrjetit të OSHC-ve për Mbrojtjen e Konsumatorit

FIER – 10 QERSHOR 2025 – Në kuadër të projekti “Linja e Gjelbër për Mbrojtjen e Konsumatorit – Siguria ushqimore dhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri nëpërmjet fuqizimit të OSHC-ve lokale”, u zhvillua këtë javë trajnimi për të drejtat e konsumatorit nëpërmjet aktiviteteve të ngritjes së kapaciteteve tq organizatave lokale të shoqërisë civile dhe mundësimin e angazhimit të tyre në procesin e politikëbërjes përmes platformave të konsultimit për legjislacionin dhe reformat që lidhen drejtpërdrejt me çështjet e mbrojtjes së konsumatorit dhe sigurisë ushqimore në procesin e integrimit në BE.

Një nga komponentët e këtij projekti është forcimi i organizatave lokale të shoqërisë civile dhe rritja e kapaciteteve për të drejtat e konsumatorëve, sigurinë ushqimore dhe sigurinë e produkteve joushqimore.

Pjesëmarrësit në këtë trajjnim, përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile, institucionet publike dhe ekspertë të pavarur, morën informacione të vlefshme mbi legjislacionin për mbrojtjen e konsumatorit, cilësinë e shërbimeve, mbi të drejtat si konsumator ose si prodhues; për detyrimet e institucioneve shtetërore dhe sektorit privat për përmbushjen e standardeve dhe kritereve të kërkuara; mbi strukturat dhe politikat, duke mbuluar çështjet më të rëndësishme dhe ndryshimet e pritshme.

Gjithashtu, u diskutua me OSHC-të lokale edhe rëndësia e futjes në objektin e veprimtarisë së tyre dhe të drejtat e konsumatorëve, si një qasje e nevojshme në kushtet e sotme të Shqipërisë e rreziqeve në rritje të shkeljes apo rrezikimit të të drejtave të tyre.

Gjatë këtij trajnimi, që kishte pqë qëllim rritjen e kapaciteteve të këtyre aktorëve në kuptimin, zbatimin dhe promovimin e të drejtave të konsumatorit, në përputhje me standardet e kërkesa të legjislacionit kombëtar dhë atij të BE, organizatat lokale pranuan dhe të bëhen pjesë e Rrjetit të OSHC-ve për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Tematika thelbësore e trajnimit ishte aspekti ligjor i mbrojtjes së konsumatorit.

Lektorët Ersida Teliti, Drejtore e Qendrës Konsumatori Shqiptar dhe Klotilda Neziri, eksperte e të drejtave të konsumatorit dhe Përgjegjëse e Sektorit të Edukimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në MEKI, sollën një analizë të thelluar mbi bazën ligjore ekzistuese në Shqipëri, duke theksuar sfidat që vendi përballet në procesin e harmonizimit të legjislacionit kombëtar me Acquis të BE. Gjithashtu, u diskutuan dhe sfidat që instancat përkatëse përballen në raport me zbatimin e kopetencave dhe qasja e qytetarit për të ushtruar të drejtat e tij në këtë fushë.

Disa nga të drejtat kryesore të konsumatorëve, të cilat parashikohen dhe në ligj janë; e drejta e mbrojtjes së shëndetit, mjedisit dhe sigurisë së jetës, e drejta e mbrojtjes së interesave ekonomikë, e drejta e ankimit, e drejta për dëmshpërblim, e drejta e edukimit, e drejta e marrjes së informacionit, e drejta e përdorimit të shërbimeve publike, e drejta e mbrojtjes ligjore, e drejta e organizimit në shoqata ose bashkime për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe e drejta e përfaqësimit në organet e tyre vendimmarrëse.

Një pjesë e rëndësishme e trajnimit iu kushtua diskutimit të rasteve konkrete, të cilat janë trajtuar nga organizatat e shoqërisë civile apo institucionet përkatëse. Temat që ngjallën interes të veçantë për pjesëmarrësit përfshinin problemet me cilësinë e shërbimeve të operatorëve telefonikë, siguria ushqimore, zbatimi i të drejtave të konsumatorit nga bizneset, siguria e medikamenteve të cilat tregëtohen, etj.

Trajnimi u karakterizua nga pjesëmarrje aktive, ku pjesëmarrësit ngritën pyetje dhe ndanë përvoja të ndryshme nga fusha e tyre e veprimitarisë. Ky shkëmbim kontribuoi në krijimin e një dialogu konstruktiv ndërmjet aktorëve të ndryshëm, duke e kthyer trajnimin në një platformë bashkëpunimi dhe reflektimi për përmirësimin e mëtejshëm të mbrojtjes së konsumatorit në Shqipëri.

*Ky trajnim u realizua në kuadër të projektit “Linja e Gjelbër për Mbrojtjen e Konsumatorit – Siguria ushqimore dhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri nëpërmjet fuqizimit të OSHC-ve lokale”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe që po zbatohet nga Qendra ALERT në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA).

Lëzhë, trajnim me të rinjtë për të drejtat e konsumatorit dhe fuqizimin e zërit të tyre

LEZHË, 15 MAJ 2025 – Qendra ALERT zhvilloi aktivitetin e tretë të raundit të dytë të trajnimeve të të rinjve, dhe përmbyllësin e projektit “Të rinjtë si promovues të Vlerave të BE-së për të Drejtat e Konsumatorit”, projekt i cili synon të ndërgjegjësojë dhe edukojë të rinjtë në raport me të drejtat e tyre si konsumator, si dhe ushtrimin e tyre. Aktiviteti u zhvillua më 15 maj në qytetin e Lëzhës, me pjesëmarrjen e të rinjve nga maturat e shkollave të mesme, por edhe të tjerë më të rritur.

Aktiviteti nisi me fjalën përshëndetëse të Z.Granit Sokolaj, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës ALERT.

Dy trajnerët e ftuar për këtë trajnim, Znj.Ersida Teliti, Drejtore e Qendrës Konsumatori Shqiptar dhe Z.Julian Llupo, ekspert i të drejtave të konsumatorit dhe mbikqyrjes së tregut, përveç prezantimeve të tyre, zhvilluan me të rinjtë dhe biseda praktike për raste konkrete të të drejtave të konsumatorëve, rastet dhe mënyrat e ankesave dhe zgjidhjeve, si dhe për ecurinë e proceseve të Shqipërisë në kuadër të integrimit europian, konkretisht për kapitujt qe lidhet me mbrojtjen e konsumatorëve.

Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Qendrës Rinore, i ndërtuar së fundmi me fondet e Ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët dhe Agjencisë Kombëtare të Rinisë.

* Ky aktivitet u realizua nga Qendra ALERT në kuadër të projekti “Të rinjtë si promovues të Vlerave të BE-së për të Drejtat e Konsumatorit”, me mbështetjen financiare të Agjencisë Kombëtare të Rinisë, (AKR) dhe Ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, (MSHRF)