Menu

Zbavitje

Si të inkurajojmë fëmijët që të ushqehen në mënyrë sa më të shëndetshme?

Përzgjedhja apo refuzimi i ushqimit është një problem i zakonshëm me të cilin përballen të gjithë prindërit në një moment të caktuar, duke u kthyer shpesh në një vuajtje të madhe për prindërit.  Në shumicën e rasteve është vetëm një fazë e cila kalon shpejt, por shpeshherë ka të bëjë dhe me hedhjen e bazave të një ushqyerje sa më të shëndetshme me të cilët fëmijët mësohen që gjatë fëmijërisë.

Më poshtë po iu prezantojmë një listë të thjeshtë të gjërave të cilat duhet bërë ose jo nga prindërit.

Gjerat që duhet të bëni: 

  • Duhet të kufizoni konsumin e qumështit për fëmijën në një gotë në ditë;
  • Duhet që pijet dhe lëngjet të lejohen vetëm pas ushqimit;
  • Duhet të mundësoni që fëmija të pijë ujë atëherë kur është i etur;
  • Duhet ta lavdëroni shumë atëherë kur ushqimi është ngrënë;
  • Duhet ti ofroni shpesh ushqime të reja dhe ato të cilat i ka refuzuar më parë;
  • Duhet ti jepni mundësinë e zgjedhjes midis dy ushqimeve të cilat nuk i ka të preferuara;
  • Duhet ti ofroni çdo ditë 3 vakte të plota dhe 3 vakte të ndërmjetme. Bëhuni krijues në mënyrën sesi ia ofroni ushqimin fëmijëve.
  • Duhet ta kufizoni kohën e ushqimit 30 minuta për vaktet e plota dhe 15 minuta për vaktet e ndërmjetme.
  • Duhet të ushqeheni sëbashku me fëmijën, dhe kthejeni të ngrënit në një kohë të gëzuar për të gjithë familjen;
  • Duhet të përfshini fëmijët gjatë përgatitjes së ushqimit;
  • Duhet të mbani një listë të ushqimeve që fëmija do të hajë dhe shtoni ushqimet e reja të cilat nuk i njeh ose nuk i ka provuar më parë;
  • Mund të lexoni një histori apo përrallë gjatë ushqimit në mënyrë që fëmija të harrojë ushqimet që nuk i ka preferuara.

 

Gjerat që nuk duhet të bëni:

  • Nuk duhet të lejoni që fëmija të ushqehet me qumësht ose më lëngje përpara ose pas ushqimit;
  • Nuk duhet të ofroni një ushqim alternativ atëherë kur ushqimi i parë refuzohet;
  • Nuk duhet të bërtisni atëherë kur ushqimi refuzohet;
  • Nuk duhet të mendoni që nëse ushqimi refuzohet një herë atëherë ai do të rezufohet gjithmonë;
  • Nuk duhet ti jepni mundësinë e zgjedhjes midis një ushqimi që e pëlqen dhe një ushqimi që nuk e pëlqen;
  • Nuk duhet që ta lini fëmijën për një kohë të gjatë pa ushqim;
  • Nuk duhet ta zgjasni shumë procedurën e ushqimit të fëmijës;
  • Nuk duhet ta ndiqni fëmijën me pjatë nga mbrapa kur ata ngrihen nga tavolina;
  • Nuk duhet ta tregoni frustrimin tuaj si prind;
  • Mos i lejoni fëmijët që të ushqehen ndërkohë që po shohin televizor.

Burimi: www.SafeFood.net

Qendra Alert

alert.al 

Zbulohen lloje të reja të luleve mishngrënëse

Shkencëtarët kanë zbuluar një lloj të ri të bimëve mishngrënëse të cilat janë identifikuar në afërsi të zonave urbane në brigjet e Paqësorit të Amerikës së Veriut.

Çarls Darvin studioi bimët mishngrënëse si pjesë e një serie veprash që lidheshin me teorinë e tij të evolucionit të përzgjedhjes natyrore, por që nga koha e tij vetëm 11 lloje lulesh të tilla ishin të njohura.

Tani studiuesit kanë gjetur një lloj të ri me një kurth unik për kapjen e gjahut të saj dhe thonë se afërsia e saj me qendrat kryesore urbane sugjeron që bimë të ngjashme mund të mbeten akoma për t’u zbuluar.

Lulja, i quajtur triantha occidentalis, ishte e njohur më parë për shkencën, megjithëse askush nuk e kishte kuptuar se ishte mishngrënëse.

Një studim i ri i botuar në Proceedings of the Natural Academy of Sciences përshkruan sesi kjo lule e kap gjahun duke përdorur një kurth ngjitës i cili rritet sëbashku me lulet e saj.

Kjo lule mishngrënëse ushqehet vetëm me insekte të vogla, dhe nuk ushqehet me flutura apo me bletë.

Studiuesit nga Universiteti i British Columbia (UBC) dhe Universiteti i Wisconsin-Madison zbuluan se bima rritet në zona të varfra me lëndë ushqyese, të lagështa, por të ndritshme në bregun perëndimor të Amerikës së Veriut, nga Kalifornia në Alaskë.

‘Bimët mishngrënëse kanë magjepsur njerëzit që nga shekulli i 19-të për faktin se kthejnë në të kundërt rendin e zakonshëm të gjërave, kemi të bëjmë me një bimë që ushqehet me kafshë, sado të vogla të jenë ato.

Burimi: National Geographic

Qendra Alert

alert.al

NASA po kërkon vullnetarë që të pretendojnë se po jetojnë në planetin Mars

Agjencia Hapësinore Amerikane (NASA) po kërkon vullnetarë që do të paguhen për të kaluar një vit duke jetuar në një habitat marsian Dune Alpha, i bazuar në Johnson Space Center në Houston, Texas. Aplikantët e suksesshëm do të punojnë në një mision simulimi për të eksploruar planetin marsian, përfshirë edhe shëtitjet në hapësirë.

Agjencia hapësinore dëshiron që njerëzit të aplikojnë në mënyrë që të përgatitet në të ardhmen  për dërgimin më në fund të astronautëve në planetin e kuq.

Aplikimet janë hapur tashmë dhe personat e përzgjedhur do të jetojnë në një habitat marsian 1700 metra katrorë.

Ambienti nuk do të ketë dritare dhe aplikantët do të konsumojnë vetëm ushqim të gatshëm, i njëjtë me atë që konsumojnë astronautët në hapësirë.

Misioni do të përfshijë ecje në hapësirë, komunikime të kufizuara me të afërmit, ushqim të kufizuar si dhe raste emergjence, në të cilat pajisjet nuk do të punojnë.

Aplikantët duhet të kenë mbaruar studimet për inxhinieri ose matematikë, të paktën master shkencor, ose të kenë përvoja të mëparshme pilotimi.

Gjithashtu, agjencia njofton se vetëm qytetarët amerikanë ose banorët e përhershëm amerikanë kanë të drejtë të aplikojnë për eksperimentin, i cili ngjan me filmin e vitit 2015 të Matt Damon ‘Marsiani’.

Ata duhet të jenë të moshës midis 30 dhe 55 vjeç dhe me shëndet të mirë fizik, pa probleme dietike dhe të mos kenë prirje ndaj sëmundjeve që kanë të bëjnë me lëvizjen.

Ndërkohë, roveri më i ri NASA -s në Mars,  i quajtur Perseverance, dështoi në përpjekjen e tij të parë për të marrë një mostër shkëmbi për t’u transportuar më pas në Tokë.

Edhe pse stërvitja dukej se funksiononte ashtu siç ishte menduar fillimisht, mesa duket asnjë shkëmb nuk përfundoi në tubin e mostrës.

Burimi: Sky News 

Qendra Alert

alert.al 

Kjo është loja më e famshme këtë verë

Loja ‘Pop It’ është një lodër ngacmuese dhe tërheqëse ku përdoruesit duhet që të shtypin në mënyrë të përsëritur topthat brenda dhe jashtë – e cila është shumë e ngjashme me mbështjellësin plastik me flluska që përdoret për të transportuar gjëra delikate.

Është një cikël që nuk mbaron, sepse pasi të keni mbaruar nga njëra anë, mund ta ktheni nga ana tjetër dhe të ri-filloni përsëri.

Pop It është shndërruar vërtet në një lojë shumë popullore sidomos edhe në TikTok me hashtagun #PopIt duke marrë më shumë se 2.5 miliardë shikime.

Dyqanet e lodrave në Mbretërinë e Bashkuar kanë marrë parasysh trendin në rritje duke blerë miliona Pop It për dyqanet e tyre.

Hayley Dolman, sipërmarrës në The Works, u shpreh për BBC se: ‘Kemi qenë protagonist të shitjeve fenomenale, duke shitur mijëra lojëra të këtij lloji çdo javë’.

 

Burimi: BBC

Qendra Alert

alert.al

Një personazh i mirënjohur rikthehet në serialin televiziv 'Beautiful'

Seriali i mirënjohur Beautiful ose siç njihet ndryshe Bold & Beautiful, saga e të cilit vazhdon prej më shumë se tre dekadash, me shumë fansa dhe në Shqipëri, do të rikthejë një personazh shumë të famshëm.

Bëhet fjalë për personazhin Sheila Carter, e cila interpretohet nga aktorja Kimberlin Brown.

Seriali vazhdon që të transmetohet dhe të ndiqet nga shumë shikues në kanalin televiziv amerikan CBS.

Akoma nuk dihet se çfarë do të kombinojë Sheila këtë herë, por të gjithë kujtojmë rivalitetin e saj me Stefani, Brooke dhe Amber.

alert.al

Aktorja Jennifer Aniston: Nuk kam më frikë të ushqehem me bukë dhe me makarona

Aktorja e njohur Jennifer Aniston është shprehur për revistën People, se ajo po konsumon më shumë bukë dhe makarona në jetën e saj.

Ylli kinematografik më parë i përmbahej një diete me pak karbohidrate dhe me shumë sallata, vezë dhe smoothies.

Ajo tani po shijon në mënyrë të moderuar karbohidratet, për të cilat ekspertët shprehen se është një strategji e mirë për të pasur një ushqyerje sa më të shëndetshme.

‘Jam në anën e karbohidrateve dhe jam kthyer në një përkrahëse të konsumimit të moderuar të tyre. Pas një kohe të gjatë që i kisha të ndaluara në dietën time, kam filluar që të shijoj makarona dhe sanduiçe’ u shpreh ajo për Revistën People në një intervistë të fundit’.

‘Të gjithë kanë shumë frikë nga shporta e bukës, dhe unë nuk kam më frikë, derisa konsumi të jetë në një masë të moderuar’,  tha Aniston.

Më parë, aktorja shprehej se ushqimi kryesor i saj përfshinte ujë limoni, vezë, avokado, smoothie me proteina dhe sallata, dhe ajo i konsideronte makaronat dhe ushqimin meksikan një kënaqësi shumë të rrallë.

Ekspertët bien dakort që nuk është e nevojshme që të hiqni bukën ose makaronat për të ngrënë shëndetshëm, apo edhe për të humbur peshë. Karbohidratet shpesh demonizohen padrejtësisht, sipas nutricionistëve, kur shpesh në të vërtetë shkaktarë që pengojnë humbjen e peshës mund të jenë produkte të tjera të tilla si gjalpi i kikirikut, djathi apo majoneza.

Burimi: Yahoo Life

Qendra Alert

Alert.al

Botanistët: Specat janë fruta

Jemi duke iu paraqitur pyetjen tonë të ditës: A janë specat fruta, apo bëjnë pjesë në familjen e perimeve? Nëse thoni, ‘Të dyja!’, Urime – jeni fitues të këtij raundi. Nëse jeni thjesht të hutuar, na lejoni të japim disa shpjegime.

Me siguri keni dëgjuar se domatet dhe avokadot – janë teknikisht fruta. Në fakt, çdo botanist do t’iu tregojë se ajo që e dallon një frut nga një perime është se e para sipas përkufizimit shkencor është një pjesë e prodhimit që mbart farën. Domatet kanë një tufë farash të vogla, avokadot kanë një të madhe dhe si të tilla, të dyja janë teknikisht fruta. Me këtë në mendje, është e qartë se specat, djegës apo jo, i përshtaten gjithashtu profilit të frutave. Nëse nuk na besoni, mund të konsultoheni me përkufizimin e enciklopedisë britanike për specat për të konfirmuar këtë fakt argëtues: Specat, janë një lloj fruti, që na jepet nga një bimë me lule.

Por, çfarë thonë botanistët për përkufizimin e perimeve? Nuk është se thonë shumë gjëra në fakt. Mesa duket fjala ‘perime’ është një term i përgjithshëm për bimësinë – ose për një pjesë të bimësisë- qoftë ai frut apo jo. Thënë kjo, njerëzit e zakonshëm që nuk janë botanistë, janë më shumë të interesuar për përkufizimin funksional sesa atë teknik. Kështu që në këtë mënyrë, nuk ka asgjë të keqe që nga ana funksionale specat të vazhdojnë të quhen sërish perime.

Të njëjtin problem kanë dhe bimë të tjera si ulliri, patëllxhanët, kungujt, misri dhe bizelet – duke shtuar dhe domatet dhe avokadot – të cilat teknikisht janë të gjitha fruta, por që njerëzit kanë dëshirë ti mendojnë si perime. Me fjalë të tjera, specat nuk janë vetëm.

Burimi: Yahoo Life

Qendra Alert

alert.al

Franca i jep çdo adoleshenti 350 dollarë për ti shpenzuar për kulturën, por ata blejnë libra komikë

Qeveria franceze ka nisur një iniciativë me anë të një aplikacioni në telefon, në të cilën çdo 18 vjeçar në vend, mund të blejë shërbime apo produkte kulturore, të tilla si libra apo muzikë, bileta për ekspozita apo për performanca artistike të ndryshme. Por në vend që të zgjidhnin veprat më të mëdha artistike, shumë prej tyre kanë zgjedhur produkte të masmedias që i dëshironin dhe i pëlqenin edhe më përpara.

Instikti më i madh i të rinjve nuk ishte që të blinin veprat e Prustit apo që të rreshtoheshin për të parë Molierin.

Deri tani, librat përfaqësojnë 75% të blerjeve të bëra me anë të aplikacionit, që kur ai u aktivizua gjatë muajit maj të këtij viti, dhe shumica prej tyre janë libra komikë.

Adoleshentët mund të blejnë produkte fizike nga libraritë, dyqanet muzikore ose instrumente të muzikës. Mund të marrin bileta për shfaqje, teatro, koncerte ose ekspozita të ndryshme në muze. Gjtihashtu ato mund të regjistrohen për kërcim, pikturë apo klasa vizatimi.

Në fjalimin e inagurimit të këtij projekti, presidenti Emmanuel Macron, i cili e kishte premtuar këtë iniciativë gjatë fushatës së tij, tha që Franca do të korrte një fitore të paharrueshme sepse të rinjtë nuk do të thonin më që ‘kjo vepër arti nuk është për mua, ky film nuk është për mua’.

Ndërkohë që kritikët argumentojnë që t’iu japësh para 825 000 adoleshentëve dhe ti lësh afër qendrës më të afërt tregtare është një humbje naive e lekëve të taksapaguesve francezë.

Marrë me shkurtime nga: New York Times

alert.al

Fitimet e gjigantëve të teknologjisë rriten derisa pandemia vazhdon

Gjigantët e teknologjisë raportuan fitime në rritje, pasi konsumatorët i rinovuan pajisjet e tyre gjatë izolimit që shkaktoi pandemia e koronavirusit. Kompania Apple është shprehur se fitimet e kompanisë gati u dyfishuan në 21.7 miliardë dollarë, në tremujorin e dytë të vitit. Kompania tha se klientët blenë pajisje iPhone 5G, të cilat kanë çmim më të lartë.

Microsoft ështëshprehur se në çerekun e dytë fitoi 16.5 miliardë dollarë – që do të thotë 47% më shumë se nga periudha e njëjtë e vitit të kaluar – për shkak të kërkesave për shërbime të ruajtjes së materialeve dhe lojëra.

Kompania simotër e Google, Alphabet, gjithashtu tha se shitjet dhe fitimet e saj tremujore kanë arritur rekorde. “Jemi krenarë që shërbimet tona ndihmuan kaq shumë konsumatorë dhe biznese”, tha shefi i gjigantit të kërkimeve në internet, Sundar Pichai. Disa analistë paralajmërojnë se shifrat mund të çojnë në thirrje për frenimin e ndërmarrjeve të teknologjisë.

Në Shtetet e Bashkuara, presidenti Joe Biden nënshkroi një urdhër ekzekutiv, në përpjekje për të promovuar më shumë konkurrencë.

Sipas urdhrit, problemet kanë lindur për shkak se firmat e mëdha të teknologjisë mbledhin shumë informacione personale, blejnë konkurrentë të mundshëm dhe konkurrojnë padrejtësisht me bizneset e vogla.

Urdhri përfshin disa rekomandime, të tilla si ndalimi i metodave të padrejta të konkurrencës në tregun e internetit.

 

Burimi: Radio Evropa e Lirë

alert.al

Si të marrim vitaminë D nga dielli?

Vitamina D është e domosdoshme për shëndetin e kockave dhe pjesën më të madhe të kësaj vitamine e marrim përmes ekspozimit në diell. Trupi ka nevojë për vitaminën D për të përthithur kalciumin dhe fosforin nga ushqimi. Këto minerale marrin pjesë në mbrojtjen dhe zhvillimin e kockave.

Mungesa e vitaminës mund t’i bëjë eshtrat më të dobët dhe të brishtë, gjë që mund të shkaktojë deformim të tyre. Tek fëmijët, mungesa e vitaminës D mund të shkaktojë deformim të kockave. Tek të rriturit, ajo mund të shkaktojë osteomalaci, një çrregullim që shkakton dhimbje dhe ndjeshmëri të kockave.

Si e marrim vitaminën D?

Trupat tanë kryesisht e marrin vitaminën D gjatë ekspozimit në diell. Vitaminën D e marrim edhe përmes disa ushqimeve, si vezët, mishi dhe peshku i yndyrshëm (salmoni, sardelet). Vitamina D u shtohet produkteve të qumështit, drithërave për mëngjes, produkteve nga soja apo lëngut të portokallit.

Sa kohë duhet ta kalojmë në diell

Nuk ekziston ndonjë rregull i përgjithshëm. Kjo është për shkak se koha e cila nevojitet për ta kaluar të ekspozuar ndaj diellit që trupi juaj të fillojë të prodhojë vitaminë D varet nga shumë faktorë. Këto janë mosha juaj, koha e vitit apo edhe koha e ditës.

Ekspozimet afatshkurtra ndaj diellit pa mbrojtje, por në intervale, janë zakonisht të mjaftueshme për shumicën e njerëzve që trupat e tyre të prodhojnë vitaminë D. Hulumtimet tregojnë se më së miri është të ekspozohemi në intervale të shkurtra në diell në mes orës 11:00 dhe 15:00.

Ekspozimi i shkurtër ndaj diellit nënkupton disa minuta. Mjafton të ekspozoheni ndaj diellit vetëm 10 deri në 15 minuta për ta fituar sasinë e mjaftueshme të vitaminës D. Sa më shumë lëkurë që e ekspozoni ndaj diellit, aq më shumë trupi juaj do të prodhojë vitaminë D. Megjithatë, personat me lëkurë më të errët duhet të kalojnë më shumë kohë të ekspozuar ndaj diellit, në mënyrë që të prodhojnë të njëjtën sasi të vitaminës D.

Sa më gjatë që ekspozoheni ndaj diellit pa mbrojtje, aq më i lartë është rreziku nga kanceri i lëkurës. Mos harroni ta mbroni lëkurën me ndonjë veshje të lehtë pasi t’i keni kaluar 15 minuta në diell pa mbrojtje.

Kush janë më të rrezikuar nga mungesa e vitaminës D

Disa persona i takojnë grupit të rrezikut, apo përballen me një rritje të rrezikut të mungesës së vitaminës D në trup dhe ata duhet të konsultohen me ndonjë mjek rreth marrjes së suplementeve të vitaminës D. Këtu përfshihen:

  • Gratë shtatzëna dhe ato gjidhënëse
  • Foshnjat dhe fëmijët e moshës 6 muaj deri në 5 vjeç
  • Të moshuarit, të moshës mbi 65 vjeç
  • Personat të cilët nuk ekspozohen mjaftueshëm në diell
  • Personat me lëkurë më të errët.

A mund ta teproni me vitaminë D

Personat të cilët marrin suplemente të vitaminës D, në ditë duhet të marrin jo më shumë se 25 miligramë të vitaminës D, sepse më shumë se kaq mund të ketë efekte të dëmshme për shëndetin. Nivelet e tepërta të vitaminës D në trup mund të shkaktojnë nivele jashtëzakonisht të larta të kalciumit, dhe kjo mund të shkaktojë vjellje, konfuzion, ritme abnormale të zemrës dhe madje edhe gurë në veshka.

Ekspertët thonë se ka shumë pak gjasa që do të keni nivele të tepërta të vitaminës D në trup vetëm nëpërmjet ekspozimit ndaj diellit. Shumica e rasteve të nivelit të tepërt të vitaminës D në trup janë rezultat i suplementeve.

alert.al