Stabilimenti i përpunimit të peshkut “Posseidon” me administratore një shtetase italiane, prej vitesh është shdërruar në një kërcenim serioz për banorët e Shëngjinit, por edhe turistët. Era e rëndë që përhapej çdo ditë nga shkarkimet e ujrave dhe mbetjeve në rrjetin e largimit të ujrave të zeza, bllokonte frymëmarrjen e banorëve dhe turistëve.
E ndodhur në qytet, në anë të rrugës kryesore, ishte e turpshme teksa shikoje turistë të huaj të vendosnin maska rrethanore, teksa kalonin në qytet, çdo sezon turistik. Atëherë kur Covid19 nuk ekzistonte, për banorët dhe turistët më i rrezikshëm ishte virusi “Posseidon”.
Pavarësisht se, banorët ishin ankuar disa herë në institucionet qëndrore, rajonale e lokale, si edhe e kishin ngritur shqetësim në çdo takim elektoral asnjë, nuk e kishte vënë ujin në zjarr për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi shumë vjeçar. Ndërkohë me sa duket problemi u fut në rrugen e zgjidhjes.
Burime zyrtare nga Policia e Shtetit kanë bërë të ditur se, specialistët për Hetimin dhe Parandalimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë proceduan penalisht shtetasin G.Alçani 37 vjeç, banues në Ishull Lezhë. Shërbimet e Policisë dhe IKMT-së, gjatë kontrollit konstatuan se, fabrika e përpunimit të peshkut “Posseidon” në qytetin e Shëngjinit shkarkonte mbetjet në rrjetin e kanalizimeve të ujrave të zeza dhe të bardha të ujësjellësit në Shëngjin. Sipas komunikatës zyrtare për shtyp të Policisë së Shtetit mësohet se, IKMT-ja e ka gjobitur subjektin me masë administrative 500 mijë lekë, si dhe do të ndërpresë lidhjen e stabilimentit me rrjetin e kanalizimeve.
Kjo masë e marrë në prag-fillimi të sezonit turistik do të jetë një zgjidhje për këtë problem shumëvjeçar, jo vetëm për komunitetin, por edhe turizmin për të cilin deri më dje të gjithë titullarët dhe dikasteret kanë heshtur përpara këtij realiteti, ku sipas banorëve administratorja italiane siç dukej i kishte shtrirë tentakulat në të gjitha hallkat, pa i hyrë gjemb në këmbë. Banorët falenderojnë policinë e shtetit dhe IKMT-në për zgjidhjen e ofruar, duke shpresuar që derdhjet e mbetjeve nga kompania të mos vijohen në një tjetër drejtim për të shkaktuar ndotje mjedisore.
Autori: LINDITA KOKAJ, Lezhë
Qendra ALERT / Alert.al


