Nga Dafina Hysa
Kur 13 vite më parë hyri e veshur nuse në atë derë, e vetmja gjë që nuk i shkonte ndër mend, ishte se pikërisht aty, në strehën e dashurisë, do t’i varej jeta në fije të perit. Por tetë vite më pas Sonila, gjeti guximin t’i thotë “stop” dhunës ndaj saj dhe dy djemve. Edhe “TI” mund t’a bësh!
Asokohe 25-vjeçe, e bindur se kishte gjetur shpirtin binjak, Sonila D. rendi pas njeriut, që prindërit e saj nuk do t’a pranonin asnjëherë. Ata e konsideronin të papërshtatshëm për bijën e tyre, duke e njohur nga lidhja e parë e miqësisë,martesa e djalit të tyre, me kushërirën e të dashurit të Sonilës. 38-vjeçarja rrëfen se në fillim gjithëçka shkonte mirë, por lumturia për të, do tëzgjaste veçse pak muaj. Partneri jo vetëm nuk punonte, por shpenzonte në “lojëra fati” edhe rrogën e saj, si ndihmës kuzhiniere. Një vit pas bashkëjetesës, Sonila sjell në jetë djalin e parë, të cilin partneri i saj i larguar jashtë vendit për të siguruar të ardhura për familjen, refuzoi t’a njihte si fëmijën e tij.
“Më ka dhunuar vazhdimisht, derisa humbja dhe ndjenjat. Nga goditjet në kokë edhe sot kam probleme. Por më e rëndë për mua, ishte kur nuk pranoi djalin, si të tijin. Atëherë vendosa të kthehem tek prindërit e mi, edhe pse vjehërrit me të cilët jetoja, më kanë mbështetur gjithmonë”.
Por me ardhjen në Shqipëri të partnerit të saj, Sonila “harroi” gjithcka. Duke besuar se kishte ndryshuar, por edhe për të bashkuar të birinme të atin, ajo tregon se mori vendimin, për të vijuar bashkëjetesën.Por tashmë vec saj, dhunës nuk do t’i shpëtonte as fëmija. Madje38-vjeçarja thotë, se ardhja në jetë e djalit të dytë, vetëm sa e përkeqësoi edhe më shumë gjendjen.
“Humbi shtëpinë në kazino dhe përfunduam në një çadër ushtrie. Dhuna fizike e psikologjike, u bë e pandarë. Godiste edhe tëëmën, që më dilte në mbrojtje. Duroja se s’kisha ku shkoja. Nuk doja as të prishej martesa e vëllait. Por kur rrëzoi dhe djalin 3-muajsh me gjithë djep, nuk munda të duroj më”.
Nuk e denoncoi partnerin e saj, por prej 5-vitesh po përpiqet të krijojëlarg tij, një jetë mëtë mirë për veten dhe dy djemtë. Makthet nga vitet e kaluara mes dhunës, e ndjekin pas, njësoj si edhe hallet.Që nga nisja e pandemisë, kur biznesi ku punonte falimentoi, ajo humbi edhe vendin e punës si ndihmës kuzhiniere.
Pandemia shtoi dhunën në familje
Studimet tregojnë se gjatë periudhës së pandemisë, dhuna ndaj grave shqiptare në familje pësoi rritje, edhe pse zyrtarisht u regjistuan 4177 raste, ose 17% më pak krahasuar me vitin 2019. Specialistët theksojnë se ky numër në të vërtetë është shumë më i lartë, por të dhunuarat ngurojnë të denoncojnë për shkaqe të ndryshme. Adisa Teliti psikologe pranë gjykatës së Durrësit, e vë theksin tek ndërgjegjësimi i shoqërisë, kundër dhunës.
“Izolimi gjatë pandemisë shtoi rastet e dhunës në familje, pasi vështirësitë ekonomike, pasiguria për jetën dhe shëndetin por edhe të ardhmen shtoi ankthin dhe stresin te cdo familje shqiptare. Dhunuesit kanë vetëvlerësim të ulët, ndaj e shohin dhunën si formë të fuqizimit të tyre.
Krahas tipareve të personalitetit, vështirësitë ekonomike apo modelet familjare, ku dhuna ka qënë aktive, e drejtuar ose jo kundrejt tyre, shërben si model, i cili me kalimin e kohës brendësohet.
Edhe pse janë forcuar ligjet dhe ndëshkimet kundrejt dhunuesve, fenomeni është present, sepse shoqëria nuk është ndërgjegjësuar sa duhet. Ndikim pozitiv jep edhe promovimi i modeleve positive të zgjidhjes së rasteve në të cilat janë ndëshkuar dhunuesit.
Për t’ju kundërpërgjigjur përshkallëzimit të dhunës në familje, gjatë viteve të fundit ka pasur disa ndryshime në Kodin Penal si edhe në ligjin e posaçëm 125/2020, ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare. Por as ashpërsimi i masave të dënimit për autorët, apo parashikimi ligjor për nxjerrjen e menjëhershme të dhunuesve nga banesat pas denoncimit, nuk kanë dhënë ndikim pozitiv. Monitorimi i Qendrës “Aleanca Gjinore për Zhvillim”, në disa bashki të vendit, sipas Koordinatores Esmeralda Hoxha, nxjerr në pah mosfunksionimin e “Urdhërave të mbrojtjes”.
“Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim” që prej vitit 2017 ka monitoruar Mekanizmat e Koordinuar të Referimit në disa bashki të vendit, si në: Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër, Korçë, Elbasan dhe në vitin 2020 e ka shtrirë monitorimin edhe në Pukë, Berat e Kurbin. Vihet re gjatë këtyre viteve, se megjithë angazhimin e institucioneve shtetërore të linjës, organizatat lokale dhe kombëtare që operojnë për të drejtat e grave apo ofrimin e shërbimeve, numri i rasteve të viktimave të dhunës në familje të evidentuara ka pësuar rritje vit pas viti. Edhe numri i kërkesave për Urdhra Mbrojtje dhe Urdhra të Menjëhershëm të Mbrojtjes drejtuar gjykatave ka pësuar rritje. Por, ajo çfarë bie në sy është se një përqindje e konsiderueshme e këtyre kërkesave janë rrëzuar apo/dhe pezulluar nga gjykatat respektive”.
Nga studimet rezulton se gratë dhe vajzat i druhen denoncimeve të dhunuesve të tyre brenda familjes, si nga frika e paragjykimit ashtu edhe pamundësia financiare për të përballuar jetesën. Anjeza Bojaxhiu, koordinatore për dhunën ndaj grave në Bashkinë e Tiranës evidenton vështirësitë e rehabilitimit dhe rikthimit të të dhunuarave në jetën normale.
“Trajtimi i grave të dhunuara, deri në riintegrimin e tyre në shoqëri, kalon në disa faza dhe kërkon shumë kohë, madje deri në disa vite. Ndaj edhe angazhimi i Sektorit të Përfshirjes Sociale dhe Barazisë Gjinore ne Bashkine e Tiranes, konsiston që në sigurimin e mbrojtjes, informimit, strehimit, paketave ushqimore, si edhe këshillimit psikologjik dhe ligjor.
Nëse i referohemi vitit 2020, Mekanizmi i Koordinuar i Referimit në Tiranë ka trajtuar 794 raste të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore. 127 raste janë asistuar dhe trajtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga struktura pranë Bashkisë së Tiranës. Një fokus i vecantë i është dhënë punësimit të këtyre grave. Në bashkëpunim me Drejtorinë e Nxitjes së Punësimit janë punësuar 50 gra e vajza, ndërsa 20 të tjera kanë përfituar grant prej 500 mijë lekesh për biznese ekzistuese apo start-up”.
Pavarësisht ndryshimeve ligjore apo nismave sensibilizuese nga shoqëria civile, dhuna me bazë gjinore vijon të mbetet një nga problemet më të mprehta të shoqërisë shqiptare. Shumë vajza dhe gra,përjetojnë ferrin aty ku duhet të jetë strehëza e tyre më e sigurtë, shtëpia. Specialistët e vënë theksin tek koordinimi dhe bashkëpunimi i institucioneve të linjës, por mbi të gjitha tek ndërgjegjësimi i shoqërisë, duke nisur me fëmijët,që në fazat më të hershme, për format e dhunës por dhe mënyrat e denoncimit të saj.
Alert.al


