Pas helmimit të 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, ditën e djeshme në Tiranë dhe masave të marra nga AKU për zbulimin e shkakut, Qendra ALERT ka mundur të mësoje se çfarë është gjetur e çfarë inspektorët kanë dërguar për analiza. Por, këto analiza mund të mos dalin me probleme për disa arsye.
Siç ka njoftuar dhe vetë AKU, në ambientet e Kuzhinës në Akademinë e Policisë, ku nuk gatuhej, por ushqimi shkonte i gatshëm, është gjetur pilaf, makarona, fasule, sallam dhe kos i hapur gati për shërbim, nga të cilat u bllokuan 85.9 kg. produkt dhe u mor mostër për analizim mikrobiologjik, që u dërguan pranë laboratorit të ISUV.
Më pas, në kuadër dhe të ndjekjes së gjurmueshmërisë, AKU ka shkuar në Garnizonin “Skënderbej”, pranë Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, ku janë konstatuar në ambientet e Kuzhinës produkte të pagatuara, më konkretisht djathë i bardhë lope, kos lope, vezë, sallam për analizim të ngarkesave mikrobiologjike, konkretisht 67.3 kg produkte dhe 1350 kokrra vezë.
Por, çfarë ka dërguar konkretisht AKU për analizë në laborator?
Nga ushqimi i gjetur në mencën e Akademisë së Sigurisë, në orën e mbrëmjes së datës 6 maj, u dërguan për analizë në ISUV, pilaf, kos i hapur, fasule e gatuar, sallam i gatuar dhe makarona.
Më vonë, ndoshta në orët ë para të mëngjesit të datës 7 maj, pas marrjes së mostrave në Garnizonin „Skënderbej“, pikërisht aty ku gatuhej ushqimi e që më pas shpërndahej me „catering“, AKU mori mostra të produkteve; Sallam KMY Luisiana, Vezë Ovvital, Djath lope Zepa Natyral dhe Kos Zepa Natyral.
Këto produkte, sipas burimeve nga AKU do të analizohen për E.Coli, Salmonella spp., Enterobactere dhe Listeria.
Analiza mund të vonojnë disa ditë, deri në një javë, ndërkohë që rezultati i tyre mund të mos jetë treguesi i saktë I helmimit të studentëve. Kjo, pasi kur inspektorët e AKU kanë mbërritur në ambientet e Akademisë së Sigurisë, nuk kanë gjetur asnjë mbetje nga ushqimi i drekës së studentëve dhe mostrat e marra janë nga ato të darkës. Duke ditur që helmimi nga ushqimi sujell probleme apo simptoma disa orë mbrapa, logjika dhe deklarimet e lidhen ngjarjen me drekën, pasi në orët e pasdites e mbrëmjes ata janë paraqitur në spital.
Ndërkohë, nëse do të shfaqin probleme në analiza, pra rezultatet e mostrave dalin jokonform, mund të quhen shkaktare ato që janë marrë të pagatuara në kuzhninë e që janë dërguar pas mesnate në ISUV. Pa diskutuar më pas se nuk është gjetur dhe marrë asnjë kampion i ushqimit të drekës sipas menusë; sallatë petime të ziera, gjellë patate/tavë me presh, mish, biskotë, banana, bukë, përveç makarona/pilaf, që janë gjetur por nuk është saktësuar se janë mostra nga dreka apo darka.
Kompania “Sori-AL” ka një kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë (përveç shumë institucioneve të tjera) dhe në ambientet e Garnizonit “Skënderbej” që e ka të marrë me qira, ka ngritur një kuzhinë, nga e cila furnizon me ushqim catering Akademinë e Sigurisë, studentët e Forcave të Armatosura etj.
© Qendra ALERT


