Menu

Kimisti Sokol Abazi: Bizneset analiza vetëm për eksporte, etiketat s’kanë lidhje me atë që deklarohet

Në një lidhje Skype për emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Sokol Abazi, kimist dhe administrator i “Noval” ka folur për ndërgjegjësimin e bizneseve për të bërë analiza për të rritur sigurinë ushqimore. Abazi tha se fatkeqësisht një numër i vogël biznesesh kryejnë analiza, ndërsa tha se me rëndësi është certifikimi i laboratorëve pasi AKU nuk ka kapacitetet për të përballuar të gjitha analizat.

“Laboratori që disponoj i përgjigjet të gjitha problematikave të bizneseve. VKM e re, që më 19 korrik 2011 parashikon penalitete dhe gjoba ndaj bizneseve që nuk janë në përputhje me ligjin. Është një numër shumë i vogël i bizneseve që drejtohen për të bërë analiza. Ka edhe nga ato biznese që vijnë e deklarojnë se çfarë ka bërë ndonjë biznes tjetër, por pa iu nënshtruar analizave për proteinat, sheqernat. E gjithë puna fillon me ndërgjegjësimin e bizneseve, të cilat duhet të rishikojnë etiketat dhe të bëjnë analizat e produkteve. Është jo korrekte që të vetmet biznese që bëjnë analiza për produkte janë ato që eksportojnë, por për popullatën shqiptare a nuk është e rëndësishme që të bëjnë kontrolle për produktet që ne hamë? Është një punë voluminoze, AKU nuk i ka kapacitetet t’i përballojë të gjitha analizat, duhet certifikim edhe i laboratorëve të tjerë sipas kritereve që të bëjnë përzgjedhjen e duhur. Janë investuar para për etiketimin dhe për fat të keq pothuajse gjysma e etiketave nuk ka përshtatshmëri me atë që deklarohet. Një biznes vaji kishte deklaruar për vajin e ullirit që ishte ekstra i virgjer, por në fakt nuk kishte lidhje me ullirin dhe nuk është i këshillueshëm për konsumim”-tha Abazi.

Sokol Abazi ngriti problemin e financimit nga shteti, që sipas tij është i mangët dhe nuk përballon ngarkesën, ndërsa apeloi për deklarimin e përbërësve në etiketë, pasi në të kundërt mund të ketë përballje edhe me drejtësinë.

“Është përgjegjësi e operatorëve të biznesit, roli i AKU është t’i sensibilizojë bizneset, për detyrimet e tyre. AKU merr kampione dhe i analizon, por a është i mjaftueshëm?
Është për të ardhur keq se financimi nga shteti është i mangët dhe nuk mund të përballojnë ngarkesën. Në Itali ka laboratorë të akredituar që ofrojnë mbështetje për këto subjekte për etiketa. ISUV dhe AKU nuk mundet t’i ofrojnë të gjitha analizat, ndaj duhen laboratorë të tjerë të certifikuar për të përballuar flukset. ISUV ka rolin e Gjykatës së Lartë, është institucion reference dhe i takon të vendosë parimet për bizneset, pasi akoma operohet me metoda para demokracisë. Duhen metoda me standarde, të kontrollojë jo vetëm AKU, por të gjithë labortorët privatë që funksionojnë, ku disa prej tyre operojnë me metoda të brendshme, dhe jo me standarde ndërkombëtare.
Siguria ushqimore kushton, por dëmi që shkakton tek qytetarët është shumë herë më i madh. Duhet të ketë investime në këtë drejtim, nevoja është shumë e madhe. Akreditimi është i domosdoshëm, Drejtoria e Akreditimit është e certifikuar dhe shpërndan certifikata të njohura kudo në botë. Akreditimi është i domosdoshëm, numri i trupave të akredituara po rritet çdo ditë. 30% e investimit shkon për standarde, përgjegjësinë më të madhe në çdo rast e kanë subjektet prodhuese. Mospërputhja e etiketës me produktin quhet falsifikim, mund të përballen edhe me drejtësinë, pasi prani pesticidesh në produkte rrezikojnë shëndetin e populates”-deklaroi Sokol Abazi.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts