Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut në Kosovë, gjatë këtij viti ka sekuestruar një numër të madh të lodrave për fëmijë të cilat nuk plotësonin standardet.
Elma Krasniqi, Zëvendësuese e Kryeinspektores së Inspektorati Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ka thënë në emisionin “Alert” me Granit Sokolaj në Radio Prishtina, se në vazhdimësi ka kampanja për vetëdijesimin e konsumatorit që të mbrohet nga produktet që nuk plotësojnë standardet.
“Në vazhdimësi kemi kampanja vetëdijesuese në raport me mbrojtën e konsumatorëve. Inspektorati Qendror për Mbikëqyrjen e Tregut gjatë këtij viti ka arritur të sekuestroi 1464 copë lodra të cila janë sekuestruar për shkak të pasigurisë së tyre në tregun e brendshëm, të cilat mbase kanë pasur shenjë të konfirmitetit të vendosur, por pas verifikimit të dosjes teknike, atëherë ne me automatizëm , kërkojmë që përmes deklaratës së konformitetit, personi që është importues kërkojmë test raportin, mirëpo raporti i testimit duhet të jetë nga një trup i notifikuar nga BE-ja”, tha Krasniqi.
Ajo shtoi se ka edhe produkte të tjera të rrezikshme, ku përmendi që para festave janë duke zhvilluar një aksion të përbashkët me Doganën për dritat dekorative, për të cilat tha se shumë nga to nuk i plotësojnë standardet.
“Ne jemi duke vazhduar një aksion me Doganën, i cili është duke u zhvilluar në të gjitha vendet e rajoni, në të njëjtën kohë jemi duke mbikëqyrur dritat dekorative, gjithçka po shkon mirë dhe deri tani është duke vazhduar”.
“Shumë nga to nuk po i plotësojnë standardet që po kërkohen, mirëpo të njëjtat po lejohen të hyn në tregun e brendshëm por ne po tentojmë që këto produkte të jenë në përputhje të plotë me standarde ndërkombëtare”, tha Krasniqi në Alert.


