Prej disa vitesh, suplementet ushqimore që konsumohen nga shqiptarët, kanë ardhur në rritje. Por, duket se pandemia e COVID-19 i ka shtyrë shqiptarët drejt një konsumi më të madh të këtyre produkteve, një pjesë e të cilave vijnë në territorin tonë në formë vitaminash, proteinash apo produktesh të tjera. Sipas një informacioni të dhënë nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, rreth 400 ton suplemente ushqimore është sasia e importit në Shqipëri, nga janari deri në fund të shtatorit 2020. Ajo çfarë bie në sy është shtrirja gjeografike e vendeve të origjinës së këtyre vitaminave, përfshirë edhe Kinën e Indinë.
Qendra ALERT, i dërgoi një kërkesë për informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe referuar përgjigjes së këtij institicioni, nga të gjitha ngarkesat e importuara në vendin tonë, nuk ka pasur asnjë kthim mbrasht në vendin e origjinës dhe asnjë rast të dyshuar, që do të thotë se, asnjë mostër nuk është çuar në laborator për analizë. Inspektorët e AKU janë mjaftuar vetëm me certifikatën e origjinës dhe raport-analizëën e produktit, referuar Urdhrit të Ministrit të MBZHRAU Nr.374, datë 31.08.2017, Për një ndryshim në Urdhrin Nr. 72, datë 15.03.2011, Për miratimin e akt- kontrollit “Mbi inspektimin e produkteve me origjinë jo shtazore në Pikat e Inspektimit Kufitar dhe lejimin për kryerjen e veprimeve të mëtejshme për zhdoganimin e tyre dhe akt –marrje- mostre”, produktet ushqimore: “Suplemente ushqimore” duhet të disponojnë këto dokumente shoqëruese, Certifikatën e origjinës dhe Raport-analizën. Sipas AKU, gjatë periudhës Janar-Shtator 2020 nuk kemi pasur asnjë kthim në origjinë të këtyre produkteve, në asnjë rast nuk ka pasur dyshime për këto produkte dhe nuk janë marrë mostra për analizim. “Për periudhën e sipërcituar janë importuar në total 384.65 Ton , në tabelën e mëposhtme gjeni sasitë sipas vendeve të origjinës”, thuhet më tej në përgjigjen e AKU.
Produkte të tilla tregtohen në farmaci apo edhe markete, gjithësesi, shqetësim mbetet shitja e tyre online apo nëpërmjet reklamimit në televizione, gjë që në përgjigjen e AKU lë shteg për të menduar se këto produkte janë jashtë çdo kontrolli, duke rrezikuar kështu dhe shëndetin e jetën e konsumatorëve. “Shumë kompani shesin sulpemente ushqimore online, në rrjete sociale ose vetëm me reklamim në TV, tregtimin e bëjnë me postë dhe nuk kanë një dyqan diku. Si kontrollohen këto? A keni pasur raste inspektimi të tilla këtë vit dhe nëse po, si kanë rezultuar?, ishte një nga pyetjet e Qendrës ALERT drejtuar këtij institucioni. Ndërsa përgjigjia ishte si më poshtë: “AKU kryhen inspektime në OBU (Operator të Biznesit Ushqimor), të cilat janë objekt i saj, bazuar ne Planin e Inspektimeve te miratuar nga MBZHR. Nga monitorimi i tregut, si dhe nga indicie apo denoncime te ndryshme rezulton se, këto produkte tregtohen kryesisht në subjekte, të cilat nuk janë objekt i kontrollit nga ana e AKU-se (psh. tregtim produkte kozmetike, farmaci apo para farmaci, medikamente mjekësore). Gjithsesi duke qenë se suplementet janë produkte ushqimore, nga ana e AKU-së janë marrë masa për kryerjen e kontrolleve në rastet e denoncimeve qytetare për parregullsi apo shkelje të ndryshme. Konkretisht gjatë këtij viti janë kryer 5 kontrolle në raste të tilla, ku për shkelje të kërkesave të legjislacionit në lidhje me mungesën e etiketimit të produkteve ushqimore në gjuhën shqipe, janë marrë edhe masa administrative me gjobë.
Shtesat ushqimore janë burime të përqendruara të lëndëve ushqyese (d.m.th. minerale dhe vitamina) ose substanca të tjera me efekt ushqyes ose fiziologjik që tregtohen në formë “dozë” (p.sh. pilula, tableta, kapsula, lëngje në doza të matura). Një gamë e gjerë lëndësh ushqyese dhe përbërës të tjerë mund të jenë të pranishëm në suplementet ushqimore, duke përfshirë, por pa u kufizuar në ato, vitamina, minerale, aminoacide, acide yndyrore thelbësore, fibra dhe bimë të ndryshme dhe ekstrakte bimore.
Shtesat ushqimore kanë për qëllim të korrigjojnë mangësitë ushqyese, të mbajnë një marrje adekuate të disa lëndëve ushqyese ose të mbështesin funksione specifike fiziologjike. Ato nuk janë produkte mjekësore dhe si të tilla nuk mund të ushtrojnë një veprim farmakologjik, imunologjik ose metabolik. Prandaj, përdorimi i tyre nuk ka për qëllim të trajtojë ose parandalojë sëmundjet te njerëzit ose të modifikojë funksionet fiziologjike.
Më poshtë gjeni tabelat me sasitë e suplementeve ushqimore dhe vendet e origjinës:
| Vendi i Origjinës | Sasia në Ton |
| Amerikë | 23.162 |
| Angli | 31.461 |
| Austri | 5.738 |
| Bullgari | 5.805 |
| Belgjikë | 3.1 |
| Ceki | 0.443 |
| Bosnjë Hercegovina | 0.177 |
| Francë | 0.811 |
| Greqi | 31.446 |
| Serbi | 19.548 |
| Itali | 182.571 |
| Hungari | 13.281 |
| Spanjë | 4.981 |
| Gjermani | 12.267 |
| Hollandë | 6.82 |
| Lituani | 1.916 |
| Kroaci | 7.355 |
| Kine | 1.306 |
| Slloveni | 2.573 |
| San Marino | 5 |
| Rusi | 0.118 |
| Poloni | 3.975 |
| Maltë | 0.88 |
| Kanada | 3.788 |
| Indi | 1.77 |
| Rumani | 1.984 |
| Zvicër | 3.42 |
| Turqi | 5.172 | |
| Portugali | 1.774 | |
| Kosovë | R-export Spanjë | 1.11 |
| R-export Itali | 0.673 | |
| Maqedoni e Veriut | 0.225 | |
Qendra ALERT / Alert.al


