Menu

eksploziv

I vunë tritol objektit, operacioni “Eksplozivi” kap autorin e dytë të dyshuar

Policia e Lezhës ka arrestuar 21-vjeçarin Angli Stafuka, nga Fushë Kruja, pasi akuzohet për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mbajtja pa leje e municioneve luftarake” dhe “Kanosja”.

Sipas uniformave blu, ky është i dyti autor që vihet në pranga si i dyshuar për vendosjen e një sasie eksplozivi në një objekt në ndërtim. Disa muaj më parë jane dëmtuar kolonat e një objekti në Shëngjin, në pronësi të biznesmenit Liman Gjoka,

Njoftimi i policisë:

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, pas një pune profesionale hetimore, bënë të mundur identifikimin e një tjetër shtetasi të dyshuar për vendosjen e eksplozivit në një objekt në ndërtim në Shëngjin, më datë 19.11.2020.

Si rezultat i provave të grumbulluara, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit A. S., 21 vjeç, banues në Fushë Krujë.

Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin E. P. (i ndaluar gjatë operacionit “Eksplozivi”, në dhjetor 2020), më datë 19.11.2020, në Shëngjin, Lezhë, dyshohet të ketë vendosur në një nga kolonat e një objekti në ndërtim, në pronësi të shtetasit L. Gj., një sasi lënde plasëse, nga shpërthimi i së cilës u shkaktuan vetëm dëme materiale.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mbajtja pa leje e municioneve luftarake” dhe “Kanosja”.

Objekti me pronar biznesmenin Liman Gjoka, në Shëngjin (montazh)

alert.al/