Menu

konflikti

Sherri për një gotë raki, autori telefonon gruan: Vrava Rakon dhe plagosa të birin

Të tjera detaje dalin në dritë nga vrasja në Lushnjë, ku një 57-vjeçar qëlloi për vdekje me automatik bashkëfshatarin e tij dhe i plagosi djalin. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 23:47, në fshatin Fier i Ri në Lushnje.

autori i dyshuar i krimit, Sofokli Shani, pak pas ngjarjes i ka rrëfyer gruas në telefon se kishte vrarë 62-vjeçarin Rako Qorri dhe kishte plagosur Kejdi Qorrin. Më pas ai ka pritur në banesën e tij që të vinte policia, e cila bëri të mundur edhe arrestimin e tij. Po ashtu mësohet se Shani ka qenë 15 vite i dënuar para viteve 90 pasi kishte vrarë shokun e tij me thikë. Kujtojmë se ngjarja e mbrëmshme nisi pas një sherri për pije, ku autori kishte kërkuar një gotë raki.

Pasi ishte zënë me djemtë e viktimës, duke u përleshur fizikisht, autori kishte shkuar në banesë dhe kishte marrë prej aty një kallashnikov, dhe ishte kthyer sërish në lokalin e 62-vjeçarit. Pasi ishte futur nga dera e pasme e lokalit kishte qëlluar në drejtim të Rako Qorrit, duke e lënë të vdekur në vend, ndërsa i kishte plagosur të birin, Kejdi Qorrin, 31 vjeç. Ky i fundit aktualisht është në spital në Tiranë, në gjendje të rëndë për jetën.

Njoftimi i Policisë

Kapet nga Policia disa minuta pas kryerjes së krimit autori i vrasjes së 62-vjeçarit dhe plagosjes së djalit të tij në fshatin Fier i Ri, Lushnjë.

Në datë 02.06.2021, rreth orës 23:47, në fshatin Fier i Ri, Lushnjë, shtetasi S.Sh, si pasojë e një konflikti të çastit në lokalin në pronësi të shtetasit R. Q., ka vrarë me armë zjarri shtetasin R. Q., 62 vjeç dhe ka plagosur djalin e tij, shtetasin K. Q., 31 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e Lushnjes nën kujdesin e mjekëve.

Menjëherë shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë  kanë shkuar në vendngjarje dhe falë reagimit në kohë dhe punës së mirëorganizuar, bënë të mundur kapjen e autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasin S. Sh., 57 vjeç, banues në fshatin Krutje e Sipërme.

Gjithashtu Policia ka  sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit automatik me të cilën dyshohet se autori kreu krimin.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

alert.al/