Një leje ndërtimi në zonën e “Liqenit të Thatë” në Tiranë, ka çuar në një përplasje ligjore kompaninë e ndërtimit “AL KONSTRUKSION GBI” dhe fondacionin “Nxënësit e Jezusit”. Leja e ndërtimit të një kompleksi pallatesh 3 deri në 4 kate prek edhe pronën e fondacionit “Nxënësit e Jezuesit” si dhe atë të shtetases Zoje Brahja. Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se leja ndërtimore është dhënë me shkelje duke e mbivendosur sheshin e ndërtimit me 123 metra katror në sipërfaqen e tokës të fondacionit “Nxënësit e Jezusit”.
Për këtë shkak është marrë si i pandehur dhe dërguar në gjykatën e kryeqytetit, Agron Sanxhaku, me detyrë specialist topograf në zyrën e kadastrës në Bashkinë Tiranë. Sanxhaku, akuzohet nga prokurori çështjes, Ervin Karanxha, për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, pasi sipas hetimit, me azhonimin e gent-planit që mban datën 26 Maj 2019, nuk ka paraqitur të dhëna të sakta bazuar në gjendjen faktike në terren të dy pasurive të konfirmuara nga Zyra e Hipotekës Tiranë.
Leja e ndërtimit mban datën 9 gusht 2019, për llogari të kompanisë “AL KONSTRUKSION GBI” që administrohet nga biznesmeni Ismaili, duke shtrirë sheshin e ndërtimin plot 123 metra mbi sipërfaqen e tokës së Zoje Brahja dhe fondacionit “Nxënësit e Jezusit”. “…Konkretisht marrja e pronës nga firma “Al- Konstruksion GBI”, është bërë nëpërmjet paraqitjes se rrethanave të rreme dhe lejes së ndërtimit të dhënë nga Bashkia Tiranë…”-thuhet në dosjen hetimore të prokurorisë.
Punonjësit e zyrës së Kadastrës së Bashkisë Tiranë, që kanë hartuar dhe miratuar gent-palanin e datës 26 Maj 2019, mbi të cilin është miratuar leja e ndërtimit në 9 gusht 2019, kanë vepruar hapur në shkelje ligjit, e konkretisht në shkelje të urdhëresës së datës 4 dhjetor 2017 të Kryetarit të Bashkisë Tiranë.
“…nëse do ishte kryer ky veprim sipas kësaj urdhërese të Kryetarit të bashkisë Tiranë, do rezultonte mbivendosje e pasurive të paraqitura nga subjekti ndërtues “Al- Konstruksion GBI” Sh.p.k, me pasurinë e shtetases Zoje Brahja. Ne këto rrethana nuk do të ishte miratuar gent-plani dhe as leja e ndërtimit, pa bërë saktësimin e pasurive objekt.
Ky veprim i paligjshëm ka sjelle pasoja në dëm të shtetases Zoje Brahja, te cilës i është përfshirë padrejtësish një pjesë nga pasuria e saj, brenda këtij gent- plani, ku po zhvillohet leja e ndërtimit nga subjekti ndërtues “Al- Konstruksion GBI” Sh.p.k….”-thuhet në dosjen e prokurorisë. Në ketë mënyrë provohet lidhja shkakësore midis veprimit dhe pasojës së ardhur në rastin konkret.
“…Nga ana tjetër është cënuar rëndë prona e fondacionit “Nxënësit e Jezusit”. Topografi Agron Sanxhaku, e dinte mjaft mirë se prona, ku po jepej leja është në konflikt, e dinte se azhornimi i bërë nga ana e tij, ka cënuar tokën e Kishës si dhe banorët e zonës, duke i futur ata në konflikt me njëri-tjetrin, pasi pas dhënies së lejës kanë ardhur edhe pasoja të rënda”-thotë prokuroria.
alert.al/