Menu

Prokurori Sota

U arrestua nga operacioni "Shpirti", prokurori Maksim Sota sot në KLP, pritet pezullimi nga detyra

Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të vendosë sot për prokurorin e Vlorës, Maksim Sota, i cili ndodhet në masën “arrest shtëpie”, pas operacionit të koduar “Shpirti”. KLP është njohur me vendimin e Prokurorisë së Posaçme dhe sot pritet që të pezullojë Sotën, deri në përfundim të hetimeve, ashtu siç e parashikon ligji. Ka qenë vetë Sota, ai i cili ka paraqitur kërkesë në KLP për pezullimin e tij nga ushtrimi i detyrës, pasi konstatoi se është subjekt i një procedimi penal dhe këtë herë jo si prokuror, por si person nën hetim.

Dosja

Prokurori Maksim Sota u vu në pranga në kuadër të operacionit “Shpirti”. Ai akuzohet për shpërdorim detyre dhe sipas dosjes së prokurorisë, Sota kishte jetuar dhe në një shtëpi me një nga trafikantët e prangosur si dhe ka ndihmuar kreun e grupit, Ilirjan Ducellarin (Zaimi), që të eliminonte problemet me drejtësinë. Vetë prokurori ka ka mohuar përfshirjen e tij në grupin e strukturuar kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Sipas dosjes, roli i supozuar i prokurorit Maksim Sota rezulton nga deklarimet e bashkëpunëtorëve të drejtësisë Donial Droli dhe Maringlen Shusha, sipas të cilëve drejtuesi i grupit kriminal shqiptar Ilirjan Duçellari (Zaimi), arrestuar në Shqipëri në korrik 2020, kishte lidhje me prokurorin, madje i kishte siguruar një shtëpi me qira të cilën e paguante trafikanti, kur Maksim Sota jetonte bashkë me Maringlen Shushaj. Megjitjatë, ai i ka mohuar këto akuza duke thënë se ka jetuar te shtëpia e vëllait të tij në Vlorë. Mbi bazën e këtyre dëshmive, u krijua dyshimi për “infiltrimin e grupit kriminal në radhët e përfaqësuesve që ushtrojnë ndjekjen penale në emër të Shtetit me pasojë të drejtpërdrejtë vështirësi dhe pengesa shtesë në drejtim të parandalimit dhe luftimit të këtyre veprimtarive kriminale”. Gjykata mbi këto elemente ka bazuar akuzat ndaj prokurorit Maksim Sota për shpërdorim detyre.

I njëjti grup i ka paguar edhe shtëpinë ku ka qëndruar me familjen në Romë të Italisë ku kanë kuruar fëmijën e tyre të sëmurë. Sota ka qenë kandidat për t’u bërë pjesëtar i SPAK, por nuk arriti ta realizonte ëndrrën e tij, përkundrazi është prangosur nga ky institucion.

Ai vu në krye të të Prokurorisë së Vlorës në vitin 2010 dhe ka qëndruar aty deri në vitin 2019. Prokuroi Sota ende nuk e ka kaluar vettingun. Ai po hetohej prej viti, por ende nuk ka dalë në seancë dëgjimore, pasi në 2019 u shkëput me leje të KPK-së për t’u kthyer sërish në 2020-ën.

alert.al/