Menu

32 mijë të huaj kërkuan leje qëndrimi në Shqipëri

Tregu shqiptar i punës po mbështetet gjithnjë e më shumë te fuqia punëtore e huaj. Sipas INSTAT, gjatë vitit 2025, afro 32 mijë e 361 shtetas të huaj kërkuan leje qëndrimi në Shqipëri, gati dyfishi i një viti më parë. Më shumë se gjysma e tyre kanë si motivacion punësimin, duke dëshmuar rritjen e rolit të emigrantëve në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Por, krahas mundësive për punësim, për shumë prej tyre realiteti në tregun shqiptar të punës shoqërohet me shkelje të të drejtave dhe kushte të pasigurta. Në veçanti, gratë e huaja që punojnë në shërbime, fasoneri, pastrim dhe sektorë të tjerë përballen me forma të ndryshme shfrytëzimi.

Një nga problematikat e evidentuara është mospagimi i plotë i pagës për të cilën punonjëset kanë rënë dakord në momentin e punësimit. Krahas kësaj, raportohen edhe raste të mosrespektimit të të drejtave të tyre në marrëdhëniet e punës.

Përballë këtyre problematikave, organizatat e shoqërisë civile janë bashkuar në një nismë për mbrojtjen e të drejtave të grave të huaja që punojnë në Shqipëri, duke kërkuar më shumë vëmendje institucionale dhe mekanizma efektivë për të parandaluar shfrytëzimin.

Në një takim ku morën pjesë përfaqësues të Inspektoratit Shtetëror të Punës, Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, u kërkua shtimi i inspektimeve në vendet e punës, kontrolli i kushteve të punësimit dhe parandalimi i praktikave abuzive.

Në fokus të diskutimeve ishte edhe garantimi i procedurave të drejta të punësimit dhe respektimi i të drejtave të punëtorëve migrantë, veçanërisht grave, të cilat për shkak të pozitës së tyre të cenueshme mund të përballen me vështirësi më të mëdha për të denoncuar shkeljet.

Rritja e numrit të shtetasve të huaj që zgjedhin Shqipërinë për të punuar kërkon jo vetëm politika për plotësimin e nevojave të tregut, por edhe mbikëqyrje reale të punëdhënësve, në mënyrë që emigrimi për punë të mos kthehet në një mundësi për shfrytëzim.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts