Edhe pse mund të duket e çuditshme, përkufizimi i mikroplastikës nuk është i qartë. Ka shumë lloje, në varësi të materialit të origjinës dhe proceseve të prodhimit. Opinione të ndryshme ka gjithashtu për diametrin: në varësi të rastit, ai shkon nga 0,0001 deri në 5 milimetra. Mikroplastika ndahet në dy familje të mëdha: mikroplastikë primare, të bëra me qëllim nga njeriu dhe që janë kryesisht kokrriza dhe copëza polietileni (PE), polipropileni (PP), polistireni (PS), terefhtalat polietileni (PET), polivinil kloruri (PVC) poliamid dhe acetat etilen vinyl (EVA) …, ose sekondare, që vjen si pasojë e reaksioneve kimike të shkaktuara nga degradimi dhe ekspozimi ndaj agjentëve atmosferikë, kimikë dhe fizikë i qeseve, gomave, shisheve, materialeve të tekstilit etj. Bota tani është plot me mikroplastikë, që gjendet sapo të dalësh në kërkim të saj. Ujërat, toka, kafshët dhe njeriu: Asgjë nuk i ka shpëtuar plasitkës. Duke qenë se prodhimi i saj po rritet, nuk mund të pritet një përmirësim afatshkurtër. Një studim i kryer nga studiues të Universitetit të Vjenës dhe i koordinuar nga Instituti Austriak për Sigurinë e Ushqimit, dokumentoi praninë e mikroplastikës në feçet e banorëve të Japonisë dhe Evropës. Plastika ishte e pranishme në organizmin e të gjithë atyre që kishin mbajtur një ditar për mënyrën e të ushqyerit. E njëjta gjë rezultoi për ushqime të tilla si mjalti, por edhe për borën e maleve të ndryshme. Sidoqoftë, shumë aspekte mbeten për t’u përcaktuar. Për shembull në rastin e peshkut: Mikroplastika dihet se grumbullohet në zorrë, megjithëse askush prej nesh nuk konsumon të tilla. Pyetja tani për tani pa përgjigje: A kalon mikroplastika në indet e tjera të peshkut dhe nga atje te njerëzit? Në mënyrë të ngjashme, në lidhje me ujërat minerale, dihet që të gjitha ato përmbajnë mikroplastikë, madje edhe ato në shishe qelqi. Në këtë rast shtrohet pyetja: nga vijnë mikrocopëzat plastike? Nga proceset e prodhimit? Nga pigmentet e etiketave? Nga kapakët? Dhe çfarë roli luan hyrja në organizmin tonë (për shembull, e grimcave të gomave, një burim i rëndësishëm i mikroplastikës sekondare) në sasinë totale të mikroplastikës që ne përthithim?
Metodat e analizës. Të kesh sisteme analize të njëtrajtshme dhe të ndara ndërkombëtarisht është thelbësore për të arritur në konkluzione të kuptueshme që mund të përkthehen në veprime konkrete siç janë, për shembull, rregullore dhe ligje, por tani për tani ky mbetet një objektiv i largët. Kjo varet nga heterogjeniteti ekstrem i mikropjesëzave, të cilat, përveç rasteve specifike siç është uji, shpërndahen në materiale të tilla si ushqime, të cilat, nga ana tjetër, janë përzierje të ndërlikuara. Për të hedhur hapa përpara në përcaktimin e metodave unike analitike, BfR po bashkëpunon me disa institute kërkimore gjermane dhe me agjencitë daneze (DTU) dhe franceze (ANSES) të sigurisë së ushqimit, duke u përpjekur të kuptojë se cila është metoda më e mirë, më e besueshme dhe e zbatueshme kudo.
Efektet shëndetësore. Deri më tani ka pasur shumë pak studime, njëri prej të cilëve është kryer nga vetë BfR në qelizat e zorrëve të njerëzve dhe të minjve. Përfundimi ishte se polistireni nuk duket se shkakton dëm. Asgjë nuk mund të thuhet për llojet e tjera të plastikës. Për të nisur studime që me siguri do të zgjasin për shumë vite, instituti ka ngritur një ekip studimi, i cili gjithashtu do të studiojë plastifikues (të cilët përfshijnë shumë agjentë siç janë bispenolet), dhe aditivët që mbrojnë plastikën nga rrezet UV. Në listën e gjërave që duhen bërë është edhe kontrolli i efekteve të agjentëve të jashtëm të pranishëm në mjedis, siç janë disa hidrokarbure aromatike dhe të fluorinuara, nanoplastikë, baktere që mund të qëndrojnë të bashkëngjitura në mikroplastikë dhe të formojnë struktura të reja, veprimi i të cilave është plotësisht i panjohur.
Në përgjithësi, BfR beson se nuk ka rreziqe të mëdha për shëndetin e njeriut që rrjedhin nga mikroplastika në ushqim, ashtu si OBSH beson se nuk ka asnjë për ato që gjenden në ujë. Sidoqoftë, është e qartë se për momentin nuk dimë pothuajse asgjë dhe për këtë arsye janë opinione të justifikuara nga pamjaftueshmëria e të dhënave, të cilat mund të ndryshohen ose rrëzohen në momentin që studimet të shprehen në bazë të provave shumë më të forta dhe të plota sesa ato që kanë sot. (IlFattoAlimentare)
Qendra Alert/Alert.al


