Menu

Miratohet pr.ligji për tatimin mbi të ardhurat

Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi projektligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”.

Projektligji ishte parashikuar të hynte në fuqi nga 1 janari 2023, por u shty në fund të këtij viti, pasi grupi i punës i ngritur nga komisioni parlamentar kërkoi të marrë në shqyrtim ankesat e Institutit të kontabilistëve të Miratuar dhe Shoqatës së Bankave.

Përmes projektligjit të ri “Për tatimin mbi të ardhurat” nga 1 janari 2024 të vetëpunësuarit e profesioneve të lira nuk do të trajtohem më si biznes i vogël me 0 %, por të ardhurat neto (fitimi) nga biznesi për të vetëpunësuarit do të tatohen me normat 15% për fashën 0 deri 14,000,000 lekë dhe mbi 14,000,000 lekë vendoset tatimfitimi 23%.

Projektligji përcakton dy afate zbatimi. Për të vetëpunësuarit e profesioneve të lira tatimi progresiv nga 15% deri në 23% do të nisë zbatimin nga 1 janari 2024, ndërsa për biznesin e vogël (duke përfshirë kategoritë të vetëpunësuarit) efektet e ligjit do të fillojnë të zbatohen nga 1 janari 2029.

“Bëhet fjalë vetëm për bizneset që kanë qarkullim vjetor deri në 10 milionë lekë, pra vetëm për biznese që i kategorizojmë si biznese të vogla. Ky është një nen i ri në legjislacion “Për tatimin mbi të ardhurat” me qëllim lehtësimin e procedurave për mbajtjen e kontabilitetit për bizneset e vogla, t’i lehtësojë ato. Arsyetimi që është përdorur pas përdorimit të përqindjeve të caktuara është në bazë të historikut të deklarimit të këtyre sektorëve. Pra është marrë një historik dhe është bërë një mesatare e shpenzimeve të sektorëve me qëllim të lehtëson në procesin e deklarimit”-tha Ibrahimaj.

Ministrja e Financave Ibrahimaj tha se ligji aktual “Për tatimin mbi të ardhurat” parashikon një afat të kësaj lehtësie fiskale që është dhjetori i vitit 2024. Ibrahimaj shpjegoi nëse subjekte të reja përfitojnë statusin special para vitit 2024, për ta do të aplikohet lehtësia fiskale për një periudhë 10 vjeçare.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts