Menu

Ekonomi

Si po ndikojnë çmimet e larta në sjelljen e konsumatorëve

Çmimet e larta kanë rritur koston e jetesës dhe po ndikojnë në sjelljen konsumatore. Blerjet po orientohen drejt alternativave më të lira, po reduktohen sasitë dhe po shkohet drejt mallrave në oferta.

Orientimi i konsumit drejt produkteve më të lira ka gjasa të cenojë sigurinë ushqimore, sidomos në qarqet e vendit, ku fuqia blerëse është më e
ulët dhe agjencitë e kontrollit kanë ndikim më të ulët.

Që nga prilli i vitit të kaluar, çmimet e ushqimeve u rritën me ritme dyshifrore mbi 10% pas një stabiliteti prej gati dy dekadash. Vitin e kaluar, inflacioni mesatar vjetor shënoi rritje me 6.7%, por çmimet e ushqimeve u rritën me ritme dy herë më të larta, 12.5%.

Rritja e çmimeve në produktet kryesore të shportës ndikon së tepërmi në sjelljen e konsumatorëve në vend, pasi shqiptarët shpenzojnë për blerjen e ushqimeve 41.3% të shpenzimeve mujore. Pesha e madhe që ushqimet kanë në shpenzimet e konsumatorëve po reflektohet në tregtinë me pakicë. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Rritet konsumi i birrës, akciza dëmton prodhimin vendas

Shqiptarë duket se po orientohen më shumë drejt konsumit të birrës. Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, tregojnë për një rritje progresive të importit të birrës nga vitit në vit, duke arritur shifrën më të lartë përgjatë 2022-shit, i cili ishte edhe viti i rritjes së çmimeve, ku përjashtim nuk bëri as ky produkt.

Megjithatë çmimet më të kripura nuk i kanë stepur qytetarët për të konsumuar më shumë birrë se zakonisht duke iu referuar markave të huaja, pa përfshirë këtu prodhimin vendas.

Konkretisht gjatë vitit 2022 janë importuar 51.999 ton birrë, duke regjistruar një rritje prej 4.2 krahasuar me një vit më parë. Ndërsa krahasuar me vitet 2019-2020 sasia e importuar e birrës shënon nivele edhe më të larta.

Ndërkaq, duket se për markat ndërkombëtare, mbarë ka nisur edhe 2023-shui, ku në muajin Janar i cili konsiderohet edhe më i ftohti i vitit, është blerë më shumë birrë nga jashtë kufijve. Kështu, në Janar janë importuar 2949 ton birrë, apo dyfishi i sasisë së të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Dyfishimi i akcizës së birrës në 710 lekë për hektolitër nga 1 janari 2023 duket se ka favorizuar më shumë importin dhe ka filluar të  japë efekte negative për fabrikat e birrës në vend, të cilat u detyruan të rrisnin çmimin e produktit final.  Për shkak të çmimit të lartë nga kostove të shtrenjtuara, birra shqiptare po humbet konkurrueshmërinë, ndërsa sasia e blerë nga jashtë po rritet me ritme të larta. (Scan)

Qendra Alert/Alert.al

Qeveria e Kosovës jep edhe 6 milionë euro për kalimin e krizës energjetike

Qeveria e Kosovës ka ndarë 6 milionë euro për tejkalimin e krizës energjetike. Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se kjo është e nevojshme për të vazhduar subvencionimin e tarifave dhe qytetarëve që e kursejnë energjinë elektrike.

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin e Ministrisë së Financave për ndarjen e 6 milionë eurove, për subvencionim të faturave të energjisë elektrike për amvisëritë të cilat kanë ulur konsumin krahasuar me muajt përkatës të vitit paraprak.

Vendimi është miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës.

“Në kuadër të subvencionimit të energjisë elektrike, bëjmë ndarjen e radhës në shumë 6 milionë euro në mënyrë që të vazhdohet subvencionimi i atyre që kanë kursyer energjinë elektrike”, ka thënë ministri i Financave, Hekuran Murati.

Masa 3.7 e Pakos për Ringjallje Ekonomike parashikon mbështetjen e qeverisë në tejkalimin e krizës energjetike.

Qeveria e Kosovës nga muaji shtator ka filluar të subvencioni qytetarët të cilët kursejnë energjinë elektrike. Ky subvencionim i energjisë elektrike është në kuadër të pakos që është përgatitur nga ekzekutivi për të përballuar inflacionin.

Qytetarët do të subvencionohen për dyfishin e kursimit të energjisë elektrike. Konsumatorët nuk kanë nevojë të aplikojnë pasi do të përdoren të dhënat nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Qendra Alert/Alert.al

Fermerët e Maliqit në vështirësi: Po na shkatërrohet prodhimi

Fermerët e zonës së Maliqit që merren me prodhimin e misrit dhe të grurit po përballen me mungesën e tregut. Ata thonë se shkak po bëhet importi kurse çmimi me të cilin prezantohen tregtarët nuk e justifikojnë as koston e prodhimit.

Fermerët i bëjnë thirrje qeverisë të kthejnë kokat nga ata pasi po iu shkatërrohen prodhimet me të cilat nxjerrin bukën e gojës. Drejtori i Bujqësisë në bashkinë e Maliqit, Arben Dulellari u shpreh se një nga faktorët që ka ndikuar në uljen e kërkesës në treg të misrit është rritja e çmimit të produktit nga fermerët, por pranoi edhe faktin që si nga ana e drejtorisë së bujqësisë, por edhe nga fermerët nuk janë ndjekur skema për të gjetur treg. Maliqi është një ndër kryesoret në Shqipëri sa i përket fushave bujqësore, ku pjesën kryesore e zënë fushat e mbjella me grurë dhe misër.

Qendra Alert/Alert.al

Çmimet e larta, shqiptarët "heqin dorë" nga kafeja

Konsumi i kafesë në lokale është kthyer në një stil jetese për shqiptarët, ku shumë prej tyre nuk mund ta nisin ditën pa kafe.

Por, në këtë fillimvit, importet e kafesë për muajin janar janë ulur 30% krahasuar me muajin janar të vitit të kaluar, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Në fillim të këtij viti janë importuar 534 tonë kafe, sasia më e ulët që nga viti 2019.

Në raport me mesataren e importit të kafesë për muajin janar të 4 viteve të fundit (2019-2022) rënia është 20%. Pakësimi i importeve të kafesë ka nisur që vitin e kaluar. Në total, importet e kafesë për 2022 u ulën 14% krahasuar me 2021.

Shoqata e Bareve dhe Restoranteve pohon se rënia e importeve është ndikuar nga çmimet e rritura të kafesë, ku shumë operatorë kanë magazinuar blerjet në muajin dhjetor.

Fryrja e blerjeve për fundviti theksohet edhe nga kontabilistët, ku sipas Sotiraq Dhamos, bizneset e shërbimit gjithmonë në muajin dhjetor për të amortizuar humbjet nga rritja e çmimeve magazinojnë mallin e blerë.

Përfaqësues të shoqatës gjithashtu shtojnë se në këtë fillimviti ka rënie të konsumit të kafesë 15 deri 20% për shkak të tkurrjes së fuqisë blerëse nga rritja e përgjithshme e çmimeve të produkteve të shportës ushqimore.

Në këtë periudhë në bare dhe restorante ka rënë konsumi edhe për çajet dhe pijet alkoolike .

Vitin e kaluar, rënia e konsumit në këto sipërmarrje nisi që në muajt shkurt-mars kur pati rritje të çmimeve të produkteve të shportës, por edhe të lëndëve të para nga importi për shkak të luftës Rusi-Ukrainë. Ndërsa rritja e çmimeve të ushqimeve rriti presionin për shtrenjtim të çmimeve në bare dhe restorante.

Konsumi pati zvogëlim edhe në 2021, për shkak të kufizimeve të pandemisë.

Sipas të dhënave të regjistrit të bizneseve të INSTAT në vitin 2021 u mbyllën 854 aktivitete të shërbimeve të ushqimeve e pijeve, me rënie 5.2%.

Në vend kanë gjithsej 15,5 mijë bare, nga 22 mijë në vitin 2015, duke qenë aktiviteti i dytë më i preferuar në vend, pas biznesit të pakicës.

Gjithashtu sektori po përballet edhe me një tjetër krizë atë të mungesës së fuqisë punëtore. Deri në 2019-n, sipas të dhënave të INSTAT, të punësuar në bare dhe restorante ishin rreth 45,000 persona, ku megjithatë vlerësohet se sektori ka informalitet të lartë.

Shumë subjekte bare dhe restorante e kanë të vështirë të gjejnë punonjës të rinj. Edhe ata pak punonjës që kanë mbetur në vend kërkojnë pagesa të larta.

Kjo gjendje vështirësoi edhe më tepër aktivitetin e këtyre strukturave për vitin e kaluar. Në bare dhe restorante sipas të dhënave të shoqatës ka mungesa prej 15,000 vende punësh. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Skema Kombëtare, Ministria e Bujqësisë: Numër i lartë aplikimesh

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se kanë aplikuar 13 mijë fermerë për Skemën Kombëtare të Mbështetjes për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural 2023. Në të njëjtën kohë, fluksi i lartë i aplikimeve sapo u hap thirrja për Skemën Kombëtare është një tregues i besueshmërisë që ka fituar skema vitet e fundit.

Provë për rritjen e besueshmërisë është fakti se nga 3-4 mijë aplikime që ishin në vitin 2017, ato janë disafish më të mëdha vetëm në orët e para të hapjes së aplikimeve.

Po ashtu, një element i rëndësishëm që ka kontribuar në rritjen e aplikimeve është edhe lehtësimi i fermerëve në procedura. Fermerët jo vetëm kanë lehtësi pasi nuk u nevojiten dokumente, por mund të aplikojnë online edhe nga shtëpia, pasi tashmë aplikimet kryhen pa vështirësi në e-Abania.

Faktor tjetër i rritjes së aplikimeve në Skemën Kombëtare është edhe diversifikimi i masave të mbështetjes, duke reflektuar nevojat në disa sektorë të rëndësishëm që nuk përfshiheshin në skemat e mëparshme. Këtu përfshihen subvencionet për të dytin vit radhaz në blegtori, rritja e masave mbështetëse në bletari e pemëtari por edhe mundësia për të përfituar nga skema e naftës pa akcizë.

Deri tani 3600 aplikime janë shënuar për skemën e naftës pa taksa për bujqësinë.

Skema kombëtare ofron nëntë masat mbështetëse, me zero dokumente dhe zero kosto dhe që mbulon pothuajse gjithë sektorët: blegtori, bletari, bimë mjekësore, ferma organike, certifikim Global GAP.

Fermerët kanë afat të aplikojnë për mbështetje në Skemën Kombëtare 2023, deri në datën 11 prill të këtij viti.

Fokusi kryesor i dhënies së fondeve këtë vit është për sektorin e blegtorisë, i cili merr 60 % të totalit të skemës kombëtare të subvencioneve në bujqësi, ndërsa fluksi më i lartë i aplikimeve vjen nga zona e Fierit, Korçës, Lushnjës, Vlorës Beratit etj.

Fermerët aplikojnë online në portalin e-Albania, për një nga nëntë masat mbështetëse që ofron kjo skemë, me zero dokumente dhe zero kosto.

MBZHR njoftoi se fermerët mund të aplikojnë për një nga nëntë masat mbështetëse që ofron Skema Kombëtare këtë vit, për sektorët: blegtori, bletari, fermat organike; certifikimi Global Gap; rinovimi i infrastrukturës së anijeve të peshkimit; mbështetje për ndërtimin e tregjeve bujqësore; mbështetje me naftë për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi.

MBZHR njofton se 20 agropika dhe 35 zyra të AREB-ve, pra 55 qendra gjithesej në të gjithë vendin, janë në dispozicion të informimit të fermerëve për çdo paqartësi dhe këshillim.

Gjithashtu të gjithë feremerët se në çdo moment mund të kërkojnë asistencë në numrin pa pagesë 0800 83 83, pranë Agropikave ose nga Agjencitë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor.

Qendra Alert/Alert.al

Rënia e sipërfaqeve me vreshta, fermerët nuk po përballojnë dot kostot e larta

Sipas raportit të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për monitorimin e realizimit të buxhetit të vitit të kaluar numri i njësive vreshta dhe ullishte të regjistruara në 2022 është 22% më pak se vit paraardhës.

Në total për 2022 janë regjistruar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural 10,386 njësi vreshti dhe ullishte, (350 njësi vreshti dhe 10,036 njësi ullishte) kundrejt totalit prej 13,320 njësi të regjistruara në 2021.

Profesori i Universitetit Bujqësor të Tiranës Drini Imami pohoi se rënia e sipërfaqeve me vreshta ka ardhur për disa arsye.

“Në vitin 2022 fermerët u përballën me rritje të lartë të çmimeve të inputeve bujqësore për shkak të luftës Rusi-Ukrainë. Rritja e çmimeve ishte e veçanërisht problematike për fermerë shqiptarë sepse ata kanë shumë më pak mbështetje me subvencione nga shteti, sesa fermerët e vendeve fqinje. ”

Sipas tij përveç shtimit të kostove, faktor tjetër që ka kontribuar në rënien e sipërfaqes me vreshta është edhe rënia në vazhdimësi e konsumit të rakisë.

Rënia e konsumit të pijeve alkoolike është një nga shqetësimit kryesore të prodhuesve vendas.

Përfaqësues të një kantine në Kukës, e specializuar për prodhimin e rakisë tradicionale të rrushit dhe kumbullës thonë se konsumi nuk është rimëkëmbur që nga pandemia. Arsyeja kryesore sipad tyre është emigrimi i popullatës dhe tkurrja e numrit të lokaleve. Qarku i Kukësit rezulton me numrin më të lartë të larguarve.

Sakaq Kadastra me regjistrin e parcelave të vreshtave dhe ullishteve nisi në vitin 2017 dhe përfundoi në 2018.

Gjatë vitit 2018 u planifikuan të regjistroheshin rreth 10,000 njësi vreshtash dhe ullishtash (në kadastrat përkatëse) dhe janë regjistruar në bazat përkatëse të të dhënave 11,500 njësi të tilla (9,250 njësi ullishte dhe 2,250 njësi vreshti).

Në vitin 2018 kadastra e vreshtit konsiderohej e plotësuar dhe në vitet në vazhdim, për këtë pjesë të produktit, do të duhet të planifikohet vetëm rifreskim të dhënash, bazuar mbi ndryshimet në terren. Për vitin 2022 numri i parcelave me vreshta është ulur 5,4 herë krahasuar me vitin 2018 kur përfundoi Kadastra me regjistrin e të dhënave. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Eurostat: Çmimet e ushqimeve në Shqipëri u rritën dy herë më shumë se inflacioni

Sipas Eurostat, rritja e përgjithshme e çmimeve në muajin shkurt ishte 6.8% më e lartë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Sipas njoftimit të INSTAT, ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Shkurt 2023 është 6,8%, por sipas matjeve kombëtare në të njëjtin muaj çmimet u rritën me 7.2%, si rrjedhojë e peshave të ndryshme që kanë grupet e mallrave në shportën e konsumit.

Sipas metodologjisë së Eurostat, rritja më e madhe e çmimeve prej 11,8% vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 7,3%, “Veshje dhe këpucë” me 5,5%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 5,1%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 4,5%, “Transporti” me 4,3%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,7%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 3,5%, “Argëtim dhe kulturë” me 3,4%, “Shërbimi arsimor” me 2,9%, “Shëndeti” me 2,3% dhe “Komunikimi” me 1,1%.

Në muajin shkurt 2023, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 1,3%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,9%, pasuar nga grupet “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,9%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,6%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,3%, “Argëtim dhe kulturë” me 0,2%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Shëndeti” me 0,1% secili.

Të dhënat tregojnë se Shqipëria është ne mesin e vendeve Europiane me rritjen më të ulët të çmimeve. Në muajin shkurt, inflacioni mesatar në BE ishte 9.9%, ndërsa në Shqipëri, 6.8%.

Vendet me rritjen më të ulët të çmimeve ishin Zvicra, Luksemburgu, Belgjika, Spanja, Greqia, me rritje 2-6.2% dhe në krahun tjetër, rritja më e madhe çmimeve ishte në Hungari me 26%, Letoni me 20% Çeki dhe Estoni mbi 18%.

Indeksi i Çmimeve të Konsumit (IÇK) dhe indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) janë hartuar për të matur ndryshimin e nivelit mesatar të çmimeve të paguara për konsumin e mallrave dhe shërbimeve nga të gjithë familjet private, kolektive dhe shpenzimet e turistëve në Shqipëri. IÇK dhe IHÇK përdoren si matës të inflacionit të konsumit.

IÇK është matësi zyrtar i inflacionit në Shqipëri, ndërsa përdoret për monitorimin e lëvizjes së çmimeve me pakicë në vendet Evropiane, duke krahasuar përqindjen e inflacionit ndërmjet vendeve.

Shporta e IÇK përmban 331 produkte dhe IHÇK përmban 329 produkte. Shporta e IÇK mbulohen vetëm shpenzimet e familjeve private shqiptare të kryera brenda dhe jashtë territorit të vendit. IHÇK mbulon të gjitha shpenzimet e bëra brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, përfshirë familjet private, kolektive dhe shpenzimet e turistëve në Shqipëri.

Qendra Alert/Alert.al

Rrapaj: Skema që kemi, jo aq e dobishme sa ajo për njësi prodhimi

I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Agim Rrapaj kryetar i Këshillit të Agrobiznesit ka folur për Skemën Kombëtare, nevojën për aplikim masiv të fermerëve dhe disbursimin e fondeve në kohën e duhur.

“Edhe pak ditë fillon Skema Kombëtare, ndaj fermerët duhet të aplikojnë masivisht që të ndjekin shembullin e atyre që aplikuan vitin e kaluar dhe në një farë mënyre e detyruan qeverinë që nga 3.1 miliardë lekë të shkonte në 5.1 miliardë lekë. Kjo ishte iniciativë e tyre që aplikuan masivisht. Erdhi si rezultat edhe nga formalizimi dhe numri i NIPT-eve që shkoi në 88 mijë, shifër gati 50% më shumë seç ka qenë. E para të formalizohemi, të marrim NIPT-in e të kemi mundësi që të gjithë të aplikojmë. Numri i aplikuesve që do të përfitojnë do të jetë më i madh, pasi do aplikohet vetëm për mbjelljet e para, jo për të dytat se fillon burokraci më mbrapa dhe është bërë mirë. Përgatitja e dokumentacionit të fermerëve që iu duhet në vijim, për të qenë sa më dobiprurës në këtë subvencion. Nuk mund t’i nxjerrë nga situata, por subvencionimi përballon një pjesë të mirë të vështirësive objektive dhe subjektive që ne po kalojmë, që nuk janë të parashikuara nga fermerët, por edhe ato që na shoqërojnë gjatë gjithë kohës. Nëse do arrijmë t’i disbursojmë fondet në kohën e duhur do të kemi dobi për veten tonë, por edhe do kemi mundësi të rikërkojmë alokim të fondeve në proceset në vijim. Nëse nuk e bëjmë këtë do jemi në të njëjtat kushte. Të disbursojmë këtë skemë, Këshilli i Agrobiznesit ka qenë i bindur në propozimin e skemës. Skema që kemi nuk është më e dobishme sesa skema që është për njësi prodhimi. E kanë bërë shumë vende dhe janë stabilizuar, pasi është më e lehtë, më e menaxhueshme dhe me më shumë mundësi për transparencë dhe thith më shumë para”-deklaroi Agim Rrapaj.

Qendra Alert/Alert.al

Eksperti Ilir Pilku: Fondi, i pamjaftueshëm për t’i dhënë një hov bujqësisë

I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Ilir Pilku ekspert i bujqësisë foli për Skemën Kombëtare, a është i mjaftueshëm fondi për mbështetjen ndaj fermerëve dhe sa e mbështetur është bujqësia shqiptare në krahasim me vendet e rajonit.

“Në gjykimin tim ky fond është i pamjaftueshëm për t’i dhënë një hov bujqësisë shqiptare. Fondi në 2-3 vitet e fundit ka patur rritje, ky është fakt që nuk e mohojmë dot. Kemi shkuar në 5.1 miliardë lekë, afërsisht 45 milionë euro, por çështja është a janë të mjaftueshme për kërkesën që ka sot bujqësia shqiptare. Serbia, nëse do të marrim si supozim se fermerët e regjistruar mund të aksesojnë buxhetin e subvencioneve ka një kalkulim prej 1 mijë e 27 euro për fermerë. Maqedonia e Veriut, e cila ka këtë vit një buxhet rreth 200 milionë euro dhe ka numrin më të lartë të fermerëve, rreth 438 mijë fermerë. Del një kalkum prej 457 euro për një fermer. Duke marrë Shqipërinë, llogaris 87 mijë fermerë të regjistruar dhe llogaritet 345 euro për fermerë, duke supozuar se çdonjëri prej tyre mund të përfitojë. Është fond pozitivisht që është rritur, por i pamjaftueshëm për të përmbushur kërkesat. Jemi vend bujqësor, 40% e forcës punëtore është në bujqësi. Kemi patur eksporte me rritje 18% në vlerë dhe sasi. Si ekspert jam kundër subvencioneve, pasi subvencionimi për kokë bagëtie është mbijetesë. Jam për investime në asete fikse, për një periudhë 3-5 vjeçare për  të parë efikasitetin e asaj skeme”-deklaroi eksperti Ilir Pilku.

Qendra Alert/Alert.al