Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë miratuar një kuadër të përbashkët për mbrojtjen e biodiversitetit dhe restaurimin e ekosistemeve të degraduara, me objektiva që shtrihen deri në vitin 2030.
Dy dokumentet kryesore, Plani Strategjik për Biodiversitetin 2030 dhe Plani për Restaurimin e Peizazheve Pyjore, u miratuan në Žabljak të Malit të Zi, gjatë Takimit të Tretë Ministror për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Planet synojnë që deri në vitin 2030 të mbrohet të paktën 30% e zonave tokësore, ujërave të ëmbla, detare dhe bregdetare, ndërsa të paktën 20% e ekosistemeve të degraduara të restaurohen. Objektivat përfshijnë gjithashtu ndalimin e humbjes së llojeve dhe përmirësimin e lidhshmërisë ekologjike në rajon.
Plani për Biodiversitetin 2030 synon të forcojë rrjetet e zonave të mbrojtura, të përmirësojë monitorimin dhe mbledhjen e të dhënave për biodiversitetin dhe të integrojë mbrojtjen e natyrës në sektorë si bujqësia, pylltaria, energjia, menaxhimi i ujërave dhe infrastruktura.
Ndërkohë, plani për restaurimin e peizazheve pyjore parashikon një qasje të integruar për rikuperimin e ekosistemeve, duke lidhur mbrojtjen e biodiversitetit me menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve, përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, mbrojtjen e tokës dhe ujërave dhe uljen e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore.
Sipas IUCN, këto dy kuadro janë pjesë e zbatimit të Shtyllës 5 të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, e cila lidhet me mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit. Organizata thekson se zbatimi i planeve do të kërkojë angazhim afatgjatë të qeverive, komunitetit shkencor, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë, si dhe rritje të investimeve për mbrojtjen dhe restaurimin e natyrës. Miratimi i planeve synon të krijojë një përgjigje të koordinuar të vendeve të rajonit ndaj humbjes së biodiversitetit, degradimit të ekosistemeve dhe ndikimeve të ndryshimeve klimatike, duke vendosur objektiva të përbashkëta për veprim deri në vitin 2030.
Qendra Alert/Alert.al


