Menu

Blog

“Probleme shumëvjeçare në punë”- Sindikata, e vetmja rrugë për punonjësit e medias

Bledar Gilaj

Po shkoj të marr rrogën e dorës”,-thotë duke nxituar Erjoni, i cili prej më shumë se 10 vitesh ushtron detyrën si operator në një televizion privat. “Një pjesë na i kalojnë në bankë, që në fillim të muajit, ndërsa pjesën tjetër nuk na e deklarojnë”,-tregon ai. Ngjashëm me operatorin, edhe Albana, e cila prej më shumë se 15 vitesh punon si gazetare, thotë se punëdhënësi nuk i paguan sigurimet me pagën e saj reale, por zyrtarisht i deklaron në organet tatimore një pagë afër asaj minimales. “Punëdhënësi nuk dëshiron të paguajë shumë taksa në shtet e ndaj nuk na deklaron pagat reale”,-thotë gazetarja, duke shtuar se eksperienca të ngjashme ka pasur edhe në media të tjera ku ka punuar. “Kjo më penalizoi shumë kur mora lejen e lindjes, pasi shteti më paguante mbi pagën e deklaruar dhe kjo ishte një shumë e vogël”,-tregon më tej ajo. Erjoni dhe Albana, të cilët nuk pranojnë të prononcohen me emrat e tyre të vërtetë, pasi i druhen penalizimeve në punë, nuk janë të vetmit që kanë këto probleme. Një raport studimor mbi të drejtat e gazetarëve në punë, i publikuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit gjatë vitit 2020, solli dëshmitë e dhjetra gazetarëve që ushtrojnë profesionin në media të ndryshme, të cilët pohuan problemet me pagat, mungesën e kontratave, mosrespektimin e ditëve të pushimit apo largime të padrejta nga puna. Sipas raportit,“për herë të parë, në vitin 2019, u shënua një rënie e numrit të punonjësve të medias, nga 6200 në 5900 vetë”. Ndërkohë që një nga aryset kryesore ishte largimi i gazetarëve nga profesioni për shkak të pakënaqësive me kushtet e punës. “Gjithashtu, disa studime gjatë viteve 2018-2019 kanë treguar se punësimi në sektorin e medias vazhdon të mbetet problematik, për shkak të mungesës së kontratave formale të punës, vonesës së rrogave dhe pagave të ulëta”,-thuhej ndër të tjera në raport, duke theksuar se këto shkejle u rikonfirmuan edhe në studimin e vitit 2020.

“PUNONJËSIT E MEDIAS TË BASHKOHEN NË SINDIKATË“

Aktualisht, në Shqipëri ekziston Unioni i Gazetarëve apo disa shoqata që operojnë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të gazetarëve, por ekspertët argumentojnë se këto organizime nuk kanë asnjë të drejtë apo kompetencë në drejtim të garantimit të të drejtave në punë. “Ligjërisht, këto organizime nuk i imponohen dot një punëdhënësi. E vetmja mundësi për mbrojtje të gazetarëve nga këto organizma është përfaqësimi në gjykatë”, thotë Ilda Dushi, juriste dhe koordinatore projektesh pranë Komitetit Shqiptar të Helsinkit. “Por gazetarët kanë nevojë për ndihmë dhe garanci paraprake, në mënyrë që të zgjidhen disa çështje edhe me ndërmjetësim, jo domosdoshmërish të shkojnë në gjykatë. Por në këto bisedime me një punëdhënës të caktuar, Unioni ose shoqatat nuk kanë mundësi ligjore”, -thekson ajo. Ndërkaq, edhe ngritja e Urdhrit të Gazetarit, si një mekanizëm mbrojtës, paraqet disa avantazhe për profesionistët e këtij sektori, por avokati Dorian Matlija thotë se “ka disa vende që janë kundër Urdhrit, pasi ky organizëm garanton vetëm certifikimin e gazetarëve profesionistë”. Nisur nga kjo situatë, ekspertët sugjerojnë bashkimin në një sindikatë të punonjësve të medias, si e vetmja formë për të fituar të drejtat e tyre që iu takojnë me ligj. “Urdhri i Gazetarit është një formë licencimi për të ushtruar profesionin, ndërsa sindikata një bashkim i këtyre personave që ushtrojnë profesionin”, thotë Matlija. Edhe sipas ekspertit të të drejtave në punë, Edison Hoxha “zgjidhja e vetme është bashkimi në një sindikatë gjithëpërfshirëse sektoriale për të gjithë punonjësit e medias”. “Nuk shoh zgjidhje tjetër të qëndrueshme dhe afatgjatë në mënyrë kolektive”,-thotë Hoxha.

Sipas Matlijas, “sindikata do iu ofronte gazetarëve mbrojtje ligjore, si dhe do i hapte rrugën përmirësimit të kushteve të punës”. “Përfitimi më i madh i një sindikate është kontrata kolektive, ku përfshihen kushtet e punës, lejet e zakonshme, oraret e zgjatura, lejet e lindjes, që janë të përgjithshme për të gjithë. Të gjitha këto mbrohen me kontratë kolektive”,-thotë avokati. “Në rast se punëdhënësi nuk do që ta nënshkruajë këtë kontratë, ose e ka nënshkruar por nuk e respekton, sindikata ka instrumentin e grevës, mund të kërkojë inspektime nga Inspektorati i Punës, etj., dhe ndërkohë greva quhet e ligjshme. Çdo grevë që bëhet aktualisht mund të cilësohet e paligjshme dhe këta punonjës mund të pushohen nga puna dhe ka të drejtë punëdhënësi”-shpjegon më tej ai.

Sipas legjislacionit në fuqi, e drejta sindikale në Shqipëri mbrohet nga dokumenti më i rëndësishëm që është Kushtetuta, si dhe Kodi i Punës. Dushi, bën me dije se “Neni 50 i Kushtetutës parashikon se të punësuarit kanë të drejtë të bashkohen lirisht në organizata sindikale për mbrojtjen e interesave të tyre të punës”. ” Ndërkohë, Kodi i Punës është akti kryesor që mbron dhe rregullon më pas këtë drejtë sindikale më në detaje, duke parashikuar se liria sindikale mbrohet me ligi dhe se askush nuk ka të drejtë të kushtëzojë punësimin apo të pushojë ose cenojë të drejtën e punëmarrësit për shkak të anëtarësimit në një sindikatë të krijuar në bazë të ligjit”,-shpjegon më tej ajo.

LEKSIONET, NGA VENDET E RAJONIT

Ekspertët janë të vetëdijshëm mbi vështirësisë që ekzistojë në drejtim të bashkimit të punonjësve të medias në një sindikatë. “Nuk është proces i lehtë, por s’ka alternativë tjetër”,-thekson Hoxha. Skepticizmi për ngritjen e sindikatave nuk ka munguar as në vendet e rajonit, por ndryshe nga punonjësit në Shqipëri, ata kanë hedhur hapa të rëndësishëm për shkak të nevojës për të mbrojtur të drejtat e punonjësve të medias. Vendi i parë, që ka arritur të bashkojë punonjësit në një sindikatë është Serbia në vitin 2002, ndërsa në Maqedoninë e Veriut, Sindikata e Punonjësve të Medias u themelua në vitin 2010. Edhe Mali i Zi në vitin 2013 zyrtarizoi bashkimin sindikal të punonjësve. Përfaqësuesit e këtyre sindikatave pohojnë se shkaqet kryesore që çuan në ngritjen e tyre ishin pikërisht kushtet e vështira të punës, me të cilat përballeshin punonjësit e medias. Po ashtu, ata flasin për vështirësitë e bashkimit të punonjësve në një sindikatë, për shkak të skepticizimit apo frikës për largime nga puna. “Është ende një mision shumë i vështirë. Mediat kryesore në Malin e Zi janë politikisht dhe profesionalisht të ndara. Kjo reflektohet tek punonjësit dhe disa prej tyre nuk pranojnë të jenë pjesë e së njëjtës organizatë me kolegët e tyre nga media “kundërshtare””, -thotë, zv.presidenti i Sindikatës së Punonjësve të Medias në Malin e Zi, Radomir Krackovic. “Përveç kësaj, ka pasur disa pronarë të mediave që dekurajojnë punonjësit e tyre për t’u bashkuar me sindikatën e medias në mënyra të ndryshme dhe punonjësit kanë frikë se mund të humbin punën e tyre nëse bëhen anëtarë të sindikatës”,-shton ai. Edhe Darko Duridanski, koorditaor projektesh pranë Sindikatës së Punonjësve të Medias dhe Gazetarëve në Maqedoninë e Veriut thotë që kjo është një punë që nuk ndalet asnjëherë e që varet nga situata në media. “Ne fitojmë më shumë anëtarë në situata kur ka më shumë të drejta të shkelura”,- thotë ai.

Megjithatë, ata tregojnë sesi këto pengesa nuk ishin të pamundura për t’u kapërcyer, ndonëse sfidat janë gjithmonë prezente. “Këto vështirësi mund të kapërcehen duke bërë “punën” tonë kryesore: duke promovuar rëndësinë e respektimit të të drejtave të punës në media, duke luftuar për të drejtat e punës dhe kushte më të mira në punë, si dhe duke promovuar gazetarinë si një e mirë publike”, – thotë Duridanski.

Ndërsa Krackovic tregon se përdorin mesazhe të thjeshta për punonjësit e medias. “Iu themi: Ne nuk duam të ndërhyjmë në politikën editoriale të mediave tuaja dhe qëndrimet tuaja rreth standardeve profesionale, por të gjithë kemi një interes të përbashkët – statusin tonë më të mirë socio-ekonomik dhe mbrojtjen e plotë për të drejtat tona të punës “, – thotë zv. presidenti i Sindikatës. “Çdo vit kemi pasur shumë vizita në media, duke biseduar me punonjësit e medias dhe duke mbrojtur këtë mesazh. Ne gjithashtu u kemi ofruar atyre një numër të madh përfitimesh që përfshin ndihmë juridike falas në mosmarrëveshjet e tyre të punës me pronarët e mediave, pushime falas, blerje me kredi të shumë produkteve, etj.”,-shton ai.

Ndërkaq, ata tregojnë edhe arritjet e deritanishme.  “Një arritje e rëndësishme është nënshkrimi i kontratës kolektive me agjencinë shtetërore të lajmeve MIA. Ndërkohë që, një pjesë e rëndësishme e punës sonë konsiston në kërkimin, negocimin dhe marrjen e ndihmës për punonjësit e medias nga Qeveria, ndaj vitin e kaluar në mes të krizës së koronavirusit arritëm subvencionimin dhe përfitime të mëdha për të gjithë punonjësit e medias në vend”,-thotë Duridanski. “Gjithashtu ne kemi iniciuar në vitin 2017 përmirësimin e sigurisë së gazetarëve dhe më në fund, këtë vit propozimi ynë u pranua nga qeveria dhe së shpejti do të miratohet. Kjo do të thotë që sulmet ndaj gazetarëve do të trajtohen si sulme kundër zyrtarëve, dmth prokurori do të duhet të hapë hetimin kryesisht, dhe jo siç ishte deri më tani vetëm pas një ankese private”, shton ai.

Paralelisht, sindikata malazeze prodhoi një numër më të madh hulumtimesh dhe studimesh të ndryshme në lidhje me çështjet e medias në 5 vitet e fundit në Malin e Zi, teksa mori pjesë në ndryshimin e të gjitha ligjeve të medias. “Falë propozimeve tona të cilat u pranuan nga vendimmarrësit, gazetarët në mediat private në Malin e Zi morën një pavarësi profesionale brenda redaksive të tyre dhe një nivel më të mirë të mbrojtjes së disa të drejtave të punës”,-thotë Krackovic.

Ndërkaq, Sindikata e Serbisë, duket se has vështirësi më të mëdha. Dragana Cabarkapa, presidente e Sindikatës thotë se “pronarët e rinj, pranë autoriteteve shtetërore nuk duan të formojnë një organizatë të punëdhënësve, ndaj nuk është e mundur të vendoset një dialog socio-ekonomik në përputhje me Ligjin e Punës”. Megjithatë, disa arritje janë shënuar. “Ne jemi bashkuar me disa organe që krijojnë skenën mediatike – një grup pune për hartimin e një strategjie mediatike, një grup pune që tani shkruan ligje të bazuara në atë strategji, një grup pune qeveritar për sigurinë e gazetarëve, një grup pune për Mbrojtësin e Qytetarët për të krijuar një platformë mbi sulmet dhe presionin ndaj gazetarëve. Gjithçka shkon ngadalë, por shkon ”, – thotë ajo.

Ndërkaq, në Kosovë ende nuk është ngritur një sindikatë, por gazetarët e këtij vendi thonë se po bëhen përpjekje në këtë drejtim, ndonëse në raport me Shqipërinë respektimi I të drejtave në punë të gazetarëve është më i mirë. “Në Kosovë nuk është aq e thjeshtë të heqësh nj gazetar nga puna sa në Shqipëri. Edhe kushtet e punës janë më të mira”,-thotë Kreshnik Gashi, gazetar pranë Kallxo.al. Por pavarësisht kësaj, sipas tij edhe në Kosovë sytë po hidhen drejt krijimit të sindikatës. “Kjo është forma më e mirë për të mbrojtur të drejtat e punonjësve të medias dhe aktualisht ka përpjekje konkrete në këtë drejtim”,-thotë Gashi.

“S’ka kohë për të humbur”

Ekspertët shqiptarë dhe sindikalistët e vendeve të rajonit thonë se punonjësit e medias ë Shqipëri nuk duhet të humbim më shumë kohë, por duhet të hedhin hapa konkretë në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të tyre. “Solidariteti është shumë i rëndësishëm, dhe në shumë situata instrument kryesor për zgjidhjen e çështjeve të ndryshme. Bashkohuni, organizohuni në mënyrë që të kapërceni sfidat tuaja, pavarësisht nëse ato janë profesionale ose në lidhje me të drejtat e punës”,-apelon Duridanski, nga sindikata e Maqedonisë së Veriut. Edhe sindikalisti malazez apelon për pjesëmarrje në sindikatë. “Kjo anëtarësi nuk kushton shumë, por mund të marrësh përfitime të mëdha kur ke nevojë për ndihmë, si në mosmarrëveshjet me pronarët e tu ose të luftosh për të drejtat e tua të përbashkëta”, – thotë ai. Ndërsa, sipas Cabarkapas “liritë e gazetarëve nuk bie nga qielli”. “Ne duhet të luftojmë për to. Ne do të jemi të lirë për sa kohë që jemi gati të luftojmë për atë liri”,-thotë ajo.

Avokati Matlija nuk e sheh të pamundur ngritjen e një sindikate të punonjësve të medias në Shqipëri. “Unë mendoj se nga rreth 6 mijë punonjës, nuk është e vështirë të gjesh disa dhjetëra, por edhe qindra, që të krijojnë një sindikatë për gazetarët”,-shprehet ai. Edhe eksperti Edison Hoxha thotë se, pavarësisht traditës famëkeqe të funksionimit të sindikatave në vendin tonë, në shumë sektorë po shihen përmirësime të ndjeshme. “Ne aktualisht kemi disa raste suksesi në call center, naftë, miniera, që kanë filluar të kenë kontribut të rëndësishëm në lëvizjen sindikale në Shqipëri”,-thotë Hoxha. “Ndërkohë, gazetarët i kanë të gjitha mundësitë që të fillojnë të organizohen në sindikatë, madje të bëhen një shembull i mirë për organizimin sindikal në sektorë të tjerë”, -përfundon ai.

“Ky artikull/video është realizuar në kuadër të projektit “Media dixhitale në një fushë të re: Rruga drejt vetërregullimit, etikës dhe pavarësisë”, i zbatuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe mbështetur financiarisht nga qeveria holandeze. Artikulli është pronësi e autorit dhe nuk reflekton qëndrimin e KSHH-së dhe qeverisë holandeze”;

Ushqimet e duhura për një mëlçi të shëndetshme dhe çfarë e dëmton atë

Nga Hyrida Basha*

Mëlcia është një organ, më mirë të themi është një gjëndër. Gjëndra më e madhe e trupit tonë. Gjatësia  e saj është rreth 30cm, dhe pesha varion nga 1.2-1.6 kg. Është e pozicionuar në anën e djathtë të kavitetit abdominal, poshtë diafragmës, dhe përbëhet nga dy lobe hepatike. Këto dy lobe, vetë janë të formuara nga hepatocite, të cilat janë vërtet një “laborator kimik” i mëlcisë. Kjo gjendër e madhe, mëlcia, prodhon bilën, një substancë esenciale për tretjen dhe shpërbërjen e yndyrnave por edhe për shumë funksione të tjera vitale. Për hir të aktivitetit të saj funksional, ky organ është shumë i ekspozuar nga dëmi që ushqimet shkaktojnë.

Çfarë funksionesh kryen mëlcia?

Ndër funskionet e saj përmendim:

1-Funksion metabolik. Pjesa më e madhe e proteinave në gjak, prodhohet nga mëlcia, përmendimi këtu, albuminën dhe faktorët e koagulimit.

Magazinon sheqernat në formën e glikogjenit, e cila është rezerva më e madhe e nergjisë në trup. Kur ne kemi nevojë për energji, mëlcia copton molekulat e glikogjenit dhe i cliron sheqernat në gjak.

Ndërkohë, yndyrnat, pasi përdoren, transformohen e një pjesë eleminohet nga mëlcia. Gjithashtu, vetë mëlcia prodhon proteina të domosdoshme për transportin e hormoneve në gjak, dhe menaxhon aktivitetin e tyre duke i aktivizuar apo inaktivizuar.

Sekreti i saj, bila, lejon absorbimin (përthithjen) në zorrë të yndyrnave sëbashku me ushqyesit dhe vitamina si, B12 apo vitamina të tretshme në yndyrna si vitamina A, D, E dhe K, vitamina këto, që për të zhvilluar funksinin e tyre duhet patjetër më parë të jenë metabolizuar nga mëlcia.

2- Funksion detoksifikues

Mund ta quajmë pa frikë një filtër antitoksinë. Është organ jetik dhe esencial për sistemin imunitar. Në ndërtim të këtij organi, gjenden disa qeliza të emërtuara, qelizat Kupffer, të cilat janë të specializuara për njohjen e agjentëve patogjen. Kështu, falë tyre, kjo gjendër eleminon substanca të panumërta toksike të produkteve kimike cilat prodhohen nga konsumi i medikamenteve, aditivët ushqimor, etj. Largon eritricitet (rruazat e kuqe të gjakut) e dëmtuara, redukton kolesterolin e tepërt, përmirëson digjestionin dhe favorizon punën dhe funksionin e zorrës.

E nëse ky organ sëmuret?

Patologjitë kryesore të mëlcisë janë hepatiti, ceroza hepatrike (alkolike dhe joalkolike), tumori i melcisë (përfshirë hepatokarcinoma të ndryshmë) dhe steatosa hepatike (dhjamosja e mëlcisë).

Simptomat që individi përjeton kur është prekur nga një sëmundje  e mëlcisë, përfshijnë;

nauze e të vjella, mungesë oreksi, ulje në peshë, temperaturë e lehtë, dhimbje të forta barku të cilat lokalizohen në anën e djathtë të barkut, kruajtje të lëkurës, fece hipokolike (ngjyrë e qartë), urinë hiperkromike (e errët). Shafqje e hematomave, gjakosje, mavijosje në kofshë, bark, krahë.

Fillimi i një ikteri (zverdhja e lëkurës, kryesisht të syve). Manifestohet kolestaza, pra reduktimi apo ndalimi i fluksit biliar. Nëpërmjet ekografive, rezulton zmadhimi i mëlcisë (Hepatonegalia)

Shaqet hipertension, mbledhje dhe grumbullim i likuidit në cavitetin abdominal.

Në disa raste kemi shfaqjen e encefalitit hepatik, që do të thotë përkeqësim i funksioneve cerebrale si pasojë e akumulimit të subsatncave toksike të larguara nga mëlcia.

Ndërkohë njihet dhe insuficenca hepatike.

Çka e bën të vështirë diagnostikimin, është se simptomat nuk shfaqen herët, dhe ngatërrohen me simptoma të patologjive të tjera.

Ndaj shpesh është e domosdoshme të kryhen analizat e gjakut për kontroll periodik të vlerave të heparit.

Eksiztojnë 5 tipe virusesh të hepatitit, ndër këta hepatiti A, një sëmundje e cila merret edhe përhapet nëpërmjet ujit dhe ushqimeve  të kontaminuara midhje psh apo ushqime të tjera. Virusi i hepatitit E, i transmetuar nëpërmjet rrugëve oro-fekale duke shkaktuar një hepatit hepatik e cila është shumë e rrezikshme sidomos në merret në shtatzani. Hepatiti C (shkaktuar nga virusi HCV) që trasmetohet me kontakt direkt të gjakut të individit të infektuar.

Çfarë duhet të bëjmë që të kemi mëlci të shëndetshme?

Kujdesu për peshën tënde. Kontrollo peshën sipas gjatësisë, moshës dhe statusit shëndetsor.  Llogatit shpesh masën tënde dhjamore dhe atë muskulare. Ruaj një raport kalorik të duhur për nevojat e tua ditore. Konsumo 5 vakte të rregullta dhe konsumo ujë. Evito pangrënien për kohë të gjatë. Bëj të paktën 30 minuta aktivitet fizik. Mos konsumo alkool dhe duhan. Sigurohu të konsumosh ushqime të pastra e të sigurta. Kontrollo shpesh vlerat e gjakut për ta monitoruar funskionin e mëlcisë.

Cilat janë ushqimet armike të mëlcisë?

  • Alkooli, i pari dhe më i egri. Pas konsumit, alkooli etilik absorbohet nga organizmi, me një shpejtësi marramendëse, shpejtësi kjo që influencohet nga faktorë si sasia e pijes, gradacioni i alkoolit, sasia e ushqimit në stomak, etj. Sapo absorbohet, etanoli metabolizohet kryesisht në mëlci  gati në 90%-98% të sasisë së marrë. Ndërkohë pjesa tjetër eleminohet nëpërmjet mushkërive, veshkave dhe lëkurës. Alkooli ka efekt toksik mbi hepatocitet, dhe kjo do të thotë “vdekje” e këtyre qelizave. Duhet kuptuar dicka, konsum të tepruar të alkoolit, nuk quajmë dehjen, por edhe shpeshtësia e konsumit, mjafton të konsumohet shpesh nga rreth 30- 40 gram alkool në ditë (pra dy gota verë në vakt), për të qënë të rrezikuar që më kalimin e kohës të zhvillojmë hepatit kronik apo ceroze hepatike alkoolike.
  • Ushqime shumë të yndyrshme. Fast-food, të quajtura ndryshe, ushqime të pista. Këto ushqime, përmbajnë yndyrna të hidrogjenuara, (transyndyrna), të cilat nëse konsumohen me tepricë, sforcojnë mëlcinë në dyfish të funksionit të saj. Konsumi i përditshëm apo i shpeshtë i këtyre produkteve do të na conte në steatozën hepatike e deri në cerozë hepatike. Përpiqu të konsumosh perime dhe ushqime në avull, furrë apo piastër me sasi të pakta vaji apo gjalpi.
  • Tepria e kripës në ushqime, vec crregullimeve të presionit arterial, sistemit nervor, kardiovaskular, renal etj, na sjell probleme edhe në mëlci duke degraduar në fibrozë hepatike. Kjo sëmundje është faza e parë e cikatrizimit të mëlcisë si pasojë e zhvillimit të cerozës.
  • Sheqernat e thjeshta. Sasia e lartë e konsumit të sheqerit është një ide e keqe edhe për mëlcinë. Kështu rritet depozita e glukozës në nivel hepatik duke e stërmunduar organin.
  • Kryesisht krudo, të pagatuara, janë një ushqim armik i mëlcisë. Kjo, pasi ka disa viruse të cilat infektojnë trupin e njeriut dhe shumohen në mëlci duke shkaktuar inflamacion të rëndë në organizëm

Çfarë të konsumojmë?

  • Ujë. Të paktën, minimumi 1.5 L në ditë ujë natyral oligomineral. Uji pastron organizmin duke mos lejuar tërheqje të ujit. Konsumi i një gote ujë para cdo vakti, ndihmon tretjen dhe pastron organizmin, duke ndihmuar daljen e toksinave.
  • Kryesisht, perime të stinës. Kështu marrim një sasi të mirë të vitaminave, mineraleve, antioksidanteve, dhe fibrave. Mundohu të kosnumosh llje e ngjyra të ndryshme. Disa perime kanë efekt tonik dhe detoksifikues në mëlci si psh erëzat apo argjinarja, cikoria, etj.
  • të paktën dy porcione në ditë. Këshillohet të konsumohet me lëkurë. Kujtojmë se edhe me frutat nuk duhet tepruar pasi përmbajnë fruktozë.
  • Ushqime të pasura me proteina. Kryesisht peshqit blu (sardele, acuge, alice etj). Këta përmbajnë sasi të lartë të yndyrnave të shëndetshme, omega 3. Konsumoni legume 2-4 herë në javë.
  • Drithërat dhe kosi. Zorra dhe flora intestinale luajnë një rol themelor për mirëqënien e organizmit. Në procesin e pastrimit të mëlcisë, është e rëndësishme dhe një funksion i mirë i zorrës.
  • Marinuesit, erëzat, vaji i ullirit apo pak djath, le të zënë vendin e kripës duke i dhënë shije dhe vlera ushqimit. Këshillohet vaji i ullirit, orizit, sojës, lulediellit, misrit, kikirikut etj.

*Autorja është Nutricioniste, e specializuar në Shkencat e të Ushqyerit dhe Dietologji e Aplikuar

Qendra ALERT – Alert.al

Shpërthen gazetari: Të gjithë ju që mbani 10 mijë lekëshin tek leja e qarkullimit, nxituat të hidhnit grurin e parë ndaj 22-vjeçarit

Nga Klevin Muka

Te gjithe nxituan te hidhnin gurin e pare ndaj 22 vjeçarit qe shuajti nje familje te pafajshme sot ne Vlore, mes tyre dhe dy engjej te vegjel.

I madh e i vogel, qe gjithnje mban nje 10-she te leja qarkullimit per çdo polic qe mund t’i ndaloje ne shkelje, sot fshehu mekatet e tij me mllefin me te cilin mallkoi 22 vjeçarin.

Te gjithe ata qe s’ndalojne ne vizat e bardha, as kur shohim gra me femije, u distancuan nga nga rasti me justifikimin se makina e 22 vjeçarit ishte 50-fish me e shtrenjte se e tyrja, dhe me aq mllef sa shkelin gazin mallkuan dhe 22 vjeçarin.

Kembesore, qe adrenalinen e 22 vjeçarit e ndjejne sa here kapercejne autostraden ne kembe per te shmangur 10 shkallet e mbikalimit, sot vollen vrer, nen justifikimin se ata s’kane makine.

Mos u genjeni nga forca e zerit te atyre qe mallkojne 22 vjeçarin! Te gjithe ata qe sot hodhen nga nje gur ndaj tij kane faj, e vrasesi s’eshte as me shume e as me pak, veçse njeri prej tyre!

Edhe unë jam familje me katër persona, ngas një ‘Toyota’, ndihem i vdekur

Nga Edi Oga

Edhe unë jam familje me katër persona!

Edhe unë ngas një ‘Toyota’ familjare!

Edhe unë kaloj nga ajo rrugë 4-5 herë gjatë muajve të verës!

Sot ndihem i goditur nga një makinë me 200 km në orë!

Sot ndihem i pafuqishëm për të reaguar sepse nuk di se si, nuk di se ku!

Sot ndihem i vrarë!

Sot ndihem i vdekur!

Më ngushëlloni mua, sepse ju shpëtuat… unë jo… sepse sot ndihem i pafuqishëm për të jetuar! Jam i pafuqishëm për të bashkëjetuar me vdekjen, në këtë vend ku jeta ime dhe e jotja vlejnë sa një shkarkesë adrenaline e kujtdo injoranti të mallosur, i cili me makinën që nuk i takon të ngasë, i kalon “nën mustaqe” shtetit të korruptuar dhe me 200 km në orë, vjen e na godet, e na merr jetën! Familjarisht!

Frika në Gjykatën Kushtetuese! Në kërkim të të njëjtit opinion "venecian"

Guximi pa arsye është vetëm një nga llojet e frikës! Thënie që i shkon katërcipërisht për shtat trupës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Me frikën që vendimi të mos ketë firmën e tyre, “kushtetuesit” shqiptarë kërkojnë të gjejnë arsyen për mosarsyen tyre tek Komisioni i Venecias për të vendosur pro apo kundër Presidentit të Republikës apo qeverisë socialiste për zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019.

Gjykata Kushtetutese tregoi se, nuk ka këllqe, se para të fortëve të politikës nuk ka guximin të ngre kokë apo të ulet në gjynjë. Kështu që “mishi të piqet dhe helli të mos digjet”, kapërcyen detin dhe kopilin duan ta bëjnë me prindër me këshillat e “Venecias”.

E megjithatë, Komisioni i Venecias e ka thënë një herë fjalën e tij më 14 Tetor 2019 për ligjshmerinë e dekretit të Presidentit Ilir Meta për anullimin e zgjedhjeve lokale të qershorit 2019.

Në opinion, në pikën 94, “Venecia” thotë qartë: “Në përgjigje të kërkesës për një mendim nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Komisioni i Venecias arrin në përfundimin se, në mungesë të një dispozite ligjore për këtë çështje, Presidenti mund të anulojë zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore në një situatë e cila plotëson kriteret për marrjen e masave emergjente. Edhe atëherë Presidentit i duhet një bazë ligjore specifike – ad-hoc – për të shtyrë zgjedhjet”.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Neni 170 i saj përcakton parashikimin e çfarë konsiderohen “Masa të Jashtëzakonshme”, nga ku mund të marrë vlerë juridike edhe një vendim për shtyrje të një procesi zgjedhor.

Neni 170

MASAT E JASHTËZAKONSHME

  1. Masat e jashtëzakonshme mund të vendosen për shkak të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe zgjatin për aq kohë sa vazhdojnë këto gjendje.
  2. Parimet e veprimtarisë së organeve publike dhe shkalla e kufizimit të të drejtave dhe lirive të njeriut gjatë gjithë periudhës së ekzistencës së gjendjeve që kërkojnë marrjen e masave të jashtëzakonshme, përcaktohen me ligj.
  3. Ligji duhet të përcaktojë parimet, fushat dhe mënyrën e kompensimit të humbjeve që vijnë si rezultat i kufizimit të të drejtave dhe lirive gjatë marrjes së masave të jashtëzakonshme.
  4. Aktet që ndërmerren si pasojë e marrjes së masave të jashtëzakonshme, duhet të jenë në përpjesëtim me shkallën e rrezikut dhe duhet të synojnë rivendosjen sa më të shpejtë të kushteve për funksionimin normal të shtetit.
  5. Gjatë gjendjeve që kërkojnë marrjen e masave të jashtëzakonshme, nuk mund të ndryshohet asnjë prej këtyre akteve: Kushtetuta, ligjet për zgjedhjet për Kuvendin dhe për organet e pushtetit vendor, si dhe ligjet për masat e jashtëzakonshme.
  6. Gjatë periudhës së zbatimit të masave të jashtëzakonshme nuk mund të zhvillohen zgjedhje vendore, nuk mund të zhvillohet referendum, si dhe nuk mund të zgjidhet një President i ri i Republikës. Zgjedhjet vendore mund të bëhen vetëm aty ku nuk zbatohen masat e jashtëzakonshme.

E ndër ndërkohë Komisioni shton më pas: “Mungesa e një baze ligjore dhe disponueshmëria e alternativave (shtyrja e zgjedhjeve sipas masave emergjente të caktuana të nenin 170 të Kushtetutës ose rifillimin e dialogut politik pas zgjedhjeve) e bën ndërhyrjen në të drejtat elektorale joproporcionale.”

Komisioni i Venecias, në këtë opinion, shton edhe një qenrim që lidhet direkt me bojkotin e partive opozitare të zgjedhjeve për pushtetin vendor të datës 30 Qershor 2019.

“Bojkoti elektoral nga partitë politike, edhe nëse ato përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të

elektorati, nuk mund të parandalojë zhvillimin e zgjedhjeve të rregullta”, thuhet në Pikën 98 të opinionin të “Venecias”.

Opinioni i 14 tetorit 2019 ka shumë detaje, por këto janë momente që tregojnë shumë edhe për gjykatësve të Kushtetueses, të cilë treguan se nuk kanë këllqe të vendosin vetë.

“Frika ose u jep krahë këmbëve, ose i mbërthen në tokë”

©Alert.al

PD, analizë zgjedhjeve apo analizë vetes?

Çdo qelizë e Partisë Demokratike do të bëhet pjesë e analizës së hollësishme të zgjedhjeve politike të 25 Prillit. E për ta bërë më të prekshme, konkrete dhe faktike analizën, drejtuesit e degëve partiake duhet të plotësojnë një formular, i cili do të shërbjë për të evidentuar faktorët e brendshëm dhe të jashtëm, që ndikuan në rezultatin zgjedhor. Duket se, ky formular më tepër do plotësohet për të të treguar se zgjedhjet u manipuluan dhe sollën çka demokratët e quajtë “masakër elektorale”. Fakte që do të mblidhen nga vetë demokratët.
Që zgjedhjet patën problem, këtë e ka evidentuar edhe raporti paraprak i ODIHR, publikuar një ditë pas zgjedhjeve. Por, paralelisht me sulmet dhe akuzat ndaj kundërshtarit politik, përse lidershipi i Partisë Demokratike nuk kalon në analizë të thellë vendimet e marra vitet e fundit?
A meriton analizë vendimi i skajshëm dhe i paprecedentë i djegies së mandateve për deputetët dhe për pasojë barktistjes së Parlamentit, në shkurt të 2019?
Duhet që demokratët të shohin veten para pasqryrës e të kuptojnë dëmtin që i bënë vetes me bojkotin e zgjedhjeve lokale në qershor 2019?
Pjesë e analizës, a mund të jenë edhe arsyet të cilat shkaktuan copëzimin e së djajthtës në disa parti, të themeluara nga ish-politikanë me peshë në PD?
Nisja e organizimit partiak në terren vetëm dy muaj para zgjedhjeve, duhet jetë pjesë e analizës së vendimeve të krerëve të PD-së?
Largimi i grupit parlamentar nga Kuvendi ndoshta për pak momente mund të ketë trazuar rehatinë e Edi Ramës si kryeministër. Por, ajo lëvizje politike nuk gjeti mbështetjen e ndërkombëtarëve, gjë që e qetësoi Ramën. Zëvendesimi i mandateve, duke çuar numrin e deputetëve të Kuvend në 122, me kalimin e kohës i dha Edi Ramës pushtet absolut. Teksa mbante në duar votat e domosdoshme, Rama ndryshoi Kushtetutën, duke eliminuar koalicionet parazgjedhore, formulë që do ta favorizonte PD-në në zgjedhje dhe rezultatet më 25 Prill mundësisht do ishin ndryshe. PD fajësoi PS-në dhe Ramën për ndryshime të njëashme. Por nëse këtë fat do e kishte Sali Berisha në kohën kur ishte kryeministër, kush mendoni se nuk do ta shfrytëzonte???
Mospjesëmarrja në zgjedhjet lokale ishte një tjetër gabim trashanik, që i kushtuan vota dhe shtrirje të hegjemonisë elektorale në bashkitë ku PD do kishte drejtimin. Pra, mungesë votash në 25 Prill.
Fragmentarizimi i së djathtës, largimi i disa figurave të rëndësishme të PD-së, mospërfshirja në listat e kandidatëve për deputetë të shumë të djathtëve, pati efektin e saj elektoral në dëm të PD.
PS është një forcë politike që organizimin në terren me degët dhe struktrat e ka në “ADN” e saj. Një parti që në aspektin organizativ është nje “perpetum mobile”. Takimet në terren për zgjedhjet e radhës i nis të nesërmen e zgjedhjeve që mbyllen. E ndërkohë që në PD, këto zgjedhje treguan se, shumë syresh, rrinin e yjet vështronin. Për t’u kujtuar vetëm dy muaj para ditës së votimeve.
PD, që të rikthehet, të paktën në atë forcë politike të 2005, me fjalë të thjeshta lidershipi i saj duhet të ftillohet.
Nga Alert.al

“Bane zot andërr”

Nga Bislim AHMETAJ

Të gjithë besoj e kanë dëgjuar fabulën e trishtë të “Gomarit me ujkun”.  Kur ujku ja hante menderen gomarit dhe ai thoshte “bane zot andërr”.

Pa dashur ta  fyej aspak gomarin si qënje infantile apo jo inteligjente sepse e kundërta është e vërtetë, dua të them që njerëzit e vendit tim dhe në këtë rast demokratët po e përsërisin me sy hapë dhe me aq mend sa ju kanë mbetur, gabimin që bënë shqiptarët me 25 Prill duke i dhënë një mandat të tretë qeverisës një “ujku”  që e ka ngrënë Atdheun dhe shtetasit e tij  të mbetur si të ishte një tufë qingjash pa bari, pa stallë dhe pa qen roje.

Po për çfarë duhet ta fitonte ujku Rama mandatin e tretë?!

Pse rriti varfërinë?!

Pse ka shtuar represionin dhe shantazhimin e të gjitha grupeve të interesit në këtë vend?!

Pse detyroj të linin vendin mbi gjysëm milion shqiptarë në 8 vite?!

Pse zerroj investimet e huaja të drejtëpërdrejta?!

Pse amnistoj krimin dhe paranë e pistë?!

Pse shkatërroj atë pak kulturë pune në administratën publike të ndërtuar me  sakrificë dhe mund të jashtëzakonshëm përgjatë këtyre viteve të demokraturës shqiptare?!

Apo ndoshta sepse ai “ujku” Rama ia doli të  blej, të përgjunjë dhe ta shndërroj në zarë bixhozi kreun e opozitës së vendit?!

Ky i fundit e ka vertetuar botërisht që di të humbë me sukses të plotë në çdo përballje me kundërshtarin politik dhe fatkeqësisht përdor të njëjtat mjete për të fituar ” vulën e partisë” me rivalët brenda familjes së tij politike. Çdo humbje e tij ka pasur  faturë të rëndë për demokratët, për shqiptarët e Shqipërisë por edhe për bashkëkombasit tanë në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe diasporë. Personalisht, ai veçse ka korr “suksese” dhe s’ka humbur asgjë.

Përkundrazi ka fituar poste dhe përmes posteve  para, shumë para, bile shumë më tepër para se dhjetra biznesmen së bashku të cilët  punojnë ditën dhe natën për ti shtuar parat  e tyre me punë, vizion dhe investime dhe perdite veç humbasin.

Ky i fundit për fitimet e tij ka vënë në bursën e politikës shqiptare vulën e Partisë Demokratike, mundin, djersën dhe gjakun e qindra mijëra demokratëve, opozitarëve të ndershëm, shqiptarëve të mirë që e duan Shqipërinë zonjë krah vendeve të tjera të Europës së zhvilluar.

Me 25 Prill “ujku” Rama për të disatën herë radhazi ia kafshoi të ndenjurat atij që s’po ia përmend emrin dhe ai prapë tha e thotë përditë “bane zot andërr”.

Po ndoshta atij i pëlqen ky lloj kafshimi more njerëz, more demokratë, more votues të Partisë Demokratike  more shqiptarë indiferentë po a dini që viktima të atij kafshimi jemi ne të gjithë.

Pse u dashka që të bëhemi pre e ujkut Rama rishtazi me 13 Qershor.

Pse u dashka të biem edhe ne viktima të adhurimit që ka ai, kryetari ne detyre për kafshimin nga ujku Rama me 13 Qershor.

Në të gjithë Shqipërinë ku kemi shkuar dhe cilindo kam takuar ta thotë haptazi që nuk e duan dhe nuk e çmojnë Pooor?!?!?!

Po çfarë more bashkëvendasit e mi, po çfarë duhet të bëjë tjetër më keq një njëri që s’dua t’ja përmend emrin që ta çeli rrugën,

të hapë krahun, të kërkojë falje dhe të rrijë në rrjesht nëqoftëse  e ka durimin, pjekurinë, ndershmërinë dhe është pak shqiptarë dhe i pa blemë prej  “ujkut” Rama.

Pse nuk u dashka t’ja hapim rrugën një projekti të ri për Partinë Demokratike, një projekti fitues për Shqipërinë, një projekti që i jep fund tranzicionit të stërgjatur post diktatorjal.

Pse duhet të ngulim këmbë si mushka në një projekt që na ka dhënë vetëm humbje, vetëm dështime jo vetëm ne si demokratë por ne të gjithëve  si shqiptarë.

Ne të gjithë burra dhe gra kemi lindur prej  nënave tona, nënave tona sa të bukura aq edhe heroike, pse nuk u dashka t’ja besojmë partinë e idealeve të studentëve të Dhjetorit, partinë e Azem Hajdarit, partinë e përndjekurve politikë, të pronarëve të ligjshëm, partinë e intelektualëve që se ulin kryet para grazhdit, partinë e sipërmarrësve të guximshëm, partinë e të rinjëve që e duan Shqipërinë si sytë e tyre por që  nuk ju jep shansin e punës dhe të Karrjerës.

Pse more miqtë e mi demokratë nga Vermoshi në Konispol të mos ja japim këtë shans Edit Harxhit një gruaje, një ish studentje të dhjetorit që guxoj të hynte në grevën e parë legale të urisë në 18 Shkurt të 91 për ta çmontuar diktaturën më të zezë të lindjes.

Pse more miqtë e mi nuk i thërrisni ndërgjegjës tuaj, vuajtjes dhe sakrificës tuaj dhe të ndalni furnizimin me  oksigjen të njeriut që s’dua tia përmend emrin sikur nami të bëhet, dhe ja shtoni vuajtjen, agoninë, zhgënjimin dhe dështimin vetës, familjes tuaj, familjes tuaj politike dhe Shqipërisë.

E di që ndryshimi është një proces shumë i vështirë dhe delikat, e thotë edhe  Ainshtajni diku “që më lehtë e kam me thërrmue nji atom, se me ndryshue mentalitetin e njerëzve” por duhet të mendoni dhe të vendosni me mendje të kthjellët dhe jo me zemër të plasur   dhe me shpirt të ndrydhur.

Hapeni mendjen për një moment dhe fitojeni atë qe kemi humbur prej kohësh. Demokracinë, votën e lirë dhe lirinë.

Tirane me 11 Qershor 2021

A mundet një qen të dallojë ngjyrat?

Dr. Gerta Dhamo*

A jeni bërë kurioz ndonjëherë se çfarë ngjyrash shikon qeni juaj? Më herët shumica e veterinerëve mendonin se qentë shikonin bardhë e zi dhe në fakt, shumica prej nesh mendojnë ende se qentë nuk mund t’i shikojnë ngjyrat. Por kjo është vetëm pjesërisht e vërtetë.

Qentë kanë një spektër vizioni ku ata mund të shohin hijen e blusë, të verdhës dhe grisë. Por ndërkaq nuk mund të krahasohet vizioni i tyre me atë të njeriut, sepse njerëzit shikojnë një spektër më të gjerë ngjyrash.

Kuptimi i shikimit të qenit

Për shkak të disa arsyeve biologjike që qentë kanë dhe një karakteristikë e tillë i referohet faktit se, ato kanë vetëm dy tipe të qelizave të receptorëve të ngjyrës, krahasuar me njeriun që ka tre, bota e një qeni është kryesisht më pak e ndritshme sesa e njeriut. Ngjyrat që qentë shohin, i ngjajnë disi botës ku vetëm bluja dhe e verdha përjashtohet dhe pjesa tjetër e saj është grija. Megjithëse ka ndryshime në hijen e grisë, të verdhës dhe blusë, shikimi i tyre nuk është i aftë të perceptojë të kuqen, lejlanë, rozën dhe jeshilen. Ata kanë një shikim dikromatik që i lejon të shohin vetëm tre ngjyra.

Sidoqoftë, nuk duhen nënvlerësuar aftësitë e tyre, përkundrazi, qentë kanë aftësi më të mirë të shohin gjërat në errësirë dhe janë të aftë të zbulojnë lëvizjen më lehtë sesa njeriu. Përveç kësaj, qentë janë më efikasë në kuptimin e hijeve të ndryshme të grisë. Fusha e tyre e gjerë e shikimit i lejon ata të shohin gjëra (objekte) në 240 gradë,  krahasuar me këndin 180 gradë tek njeriu. / UBGreen.al

*Departamenti i Moduleve Klinike, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, UBT

Alert.al

Prindërimi, një detyrë e vështirë, që është ç'orientuar në kohët e sotme!!!

Nga Blerta Brati Kika*

Nisur nga ngjarjet e fundit, nje adoleshent aksidenton nje vajze…..
Prindërimi, një detyrë e vështirë, që është ç’orientuar në kohët e sotme!!
Kërkoni nga vetja, para së të kërkoni nga fëmija!
Mos u habisni me sjelljet e tij, ai është pasqyra juaj!
S’mund të jetoni rininë tuaj të pajetuar, në periudhën e prindërimit!
Edukimi i fëmijes tuaj, është vlerë për të, për ju, për ne, për shoqerinë!
Pamja klasike e roleve të prindërve është si më poshtë: Babai konsiderohet kryefamiljar, ai punon dhe siguron familjen. Mamaja është përgjegjëse për shtëpinë; ajo kujdeset për fëmijët, kujdeset për ta, i edukon, … … Fëmija, nga ana e tij, ruan një vizion më klasik të vendit të prindërve të tij.
Mamaja: Çfarë roli në jetën e fëmijës? Të jesh nënë mund të mësohet dita ditës. Nëna është shumë shpesh figura qendrore në jetën e fëmijës, kontakti i tij i parë me botën…. Nga lindja në adoleshencë dhe madje edhe më tej, amësia ju lejon të krijoni lidhje të forta me fëmijën tuaj.
Të jesh “një nënë e mirë” do të thotë të dëgjosh fëmijën tënd, të dish ta sigurosh, t’i japësh vetëbesim, të jesh bashkëpunëtor me të, por gjithashtu do të thotë të vendosësh kufij (duke e ndëshkuar kur është e nevojshme)), Mësoji “lirinë “(liria e mendimeve / autonomisë së tij, toleranca etj,), jini të shqetësuar për të …
Në adoleshencë, veçanërisht nëse keni qëndrime prindërore që demonstrojnë ngrohtësinë tuaj, dëgjimin tuaj dhe një mendje të hapur, adoleshenti juaj do t’ju respektojë, do t’ju besojë dhe do ta lejojë veten të ndikohet nga ju. Së pari dhe më e rëndësishmja, është që ju të pranoni që fëmija juaj të jetë një person i ndryshëm nga ju.
Një prind duhet të dijë për shëndetin; rregullat për një dietë të mirë, ritmet dhe higjenën e jetës, monitorimin mjekësor…
Edukimin: Karriera në shkollë, të mësuarit në shtëpi, aktivitete jashtë kurrikulës …
Ndaj mos harroni se:
të respektoni dhe dëgjoni fëmijën tuaj;
edukojeni të jetë një model i mirë në sjellje;
kujtoni se fëmijët janë të gjithë të ndryshem;
jeni i durueshëm, inkurajues dhe mirëkuptues me fëmijën tuaj;
vendosni rregulla të qarta dhe precize per sjellje tq pranueshme;
disiplinoni fëmijën tuaj ne një mënyrë pozitive, pa qenë shumë të ashpër;
mësoni më shumë për të ndryshimet, fazat e zhvillimit të një fëmije;
kërkoni ndihmë kur keni nevojë dhe ju duhet;
merrni pak kohë për të, sepse është në interesin më të mirë të fëmijes tuaj të ketë prindër të mirë, te pergjegjshem dhe te gezuar.
*Mjeke Mikrobiologe
Alert.al

Java e nxehtë e politikës shqiptare

Nëse do flitej në gjuhën e parashikimeve yjore, kjo javë për të gjithë politikanët, pavarësisht nëse janë të lindur në pranverë, verë, vjeshtë apo dimër, do kishte një emërues të përbashkët, “ditë të nxehta debati”.

Java që sapo do vendosë politikën në llogoret e retorikës.

Të mërkurën 122 ligjvënësit do të mblidhen në seancë të jashtëzakonshme për të votuar shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës.

Më 28 Maj, komisioni hetimor parlamentar miratoi raportin përfundimtar ku propozohet shkarkimi i Presidentit Meta. Dokumenti voluminoz parashikon shkeljet kushtetutese që mazhoranca pretendon se ka kryer Ilir Meta gjatë fuhatës elektorale dhe ditën e heshtjes zgjedhore. Raporti evidenton se Ilir Meta nuk përfaqëson më unitetin kombëtar, ka mbajtur qëndrime të njëanshme politike, me sulmet kundër mazhorancës dhe mbështetjen për opozitën, duke shkelur parimin kushtetues për paanësi politike. Raporti thotë se me deklaratat e tij Presidenti Meta është përpjekur të krijojë krizë me SHBA. Po ashtu raporti thekson se Presidenti Meta ka kryer shkelje duke përdorur një gjuhë e cila ka nxitur dhunën, pasojë e të cilës ishte edhe vrasja në Elbasan, pak ditë para zgjedhjeve.

Në reagimin e tij, të premten e 4 Qershorit, Presidenti Meta tha nga Elbasani: “Lutja është që Zoti t’i falë ato se nuk dijnë çfarë bëjnë, dhe t’i udhëheqë të gjithë në rrugën e të mirës të përbashkët”

Për shkarkimin e Presidentit Meta, sipas parashikimeve kushtetutese, në seancë nevojiten 94 vota. Duket se mazhoranca socialiste ka bindjen se gëzon mbëhstetjen e nevojshme edhe të deputëteve të së ashtuquajturës opozitë parlamentre për t’ia arritur qëllimi të shkarkimit të Ilir Metës. Megjithatë vendimi final për këtë çështje i takon Gjykatës Kushtetuese.

Ngjarja e dytë që do prekë një pjesë të politikës, ka të bëjë me Kongresin e jashtëzakonshëm të PS-së. Socialistët do të mblidhen të shtunën e 12 Qershorit, një datë jo e zakontë për ta, pasi shënon 30 vjetorin e krijimit të kësaj partie. Kongresi do të analizojë rezultatin e zgjedhjeve të 25 Prillit dhe punën e çdo strukture partiake. Për këtë qëllim, pak ditë më parë, Asambleja Kombëtare e PS-së vendosi ngritjen e një Komisioni të Posaçëm të Analizës. Po ashtu, Kongresi do t’i shërbejë PS-së për të prezantuar edhe prioritetet e programit për mandatin e tretë qeverisës.

Të nesërmen e Kongresit socialist, do jetë dita e demokratëve. PD do të zhvillojë zgjedhjet për kryetarin e ri të saj. Lulzim Bashës mandati në krye të partisë i mbaronte më 22 Korrik, por bashkë me kupolën drejtuese të PD-së u vendos që zgjedhjet të kryhen më herët.

Demokratët do të duhet të zgjedhin kryetarin e 4 viteve të ardhshme, duke votuar një ndër 4 kandidatët: Lulzim Basha, Agron Shehaj, Edit Harxhi dhe Fatbardh Kadilli.

Javët e fushatës zgjedhore në PD kanë treguar retorikë të fortë, ku nga 3 kandidtatët nuk kanë munguar sulmet kundër kreut në detyrë Lulzim Basha, duke e bërë atë përgjegjës për humbjen e zgjedhjeve politike të 25 Prillit. Ndërkohë që ky i fundit akuzon kryeministrin Rama, jo vetëm për manipulim të zgjedhjeve, por edhe si përçarës të demokratëve.

E nëse të gjithë politikanët do kenë një javë të nxehtë, qytetarit të thjeshtë i mbetet të zgjedhë se çfarë do të bëjë, të mendojë se për kë bien këmbanat, apo të mendojë për çatinë e shtëpisë së tij.

alert.al/