Menu

Dogana bllokon lëndët e para të fasonëve

Bllokimi i mallrave në doganë për shkak të detyrimeve tatimore të papaguara po ngre shqetësime në industrinë e fasonëve. Shoqata ProEksport Albania paralajmëron se kjo praktikë rrezikon të paralizojë prodhimin, të dëmtojë eksportet dhe të vërë në pikëpyetje kontratat me klientët e huaj, si dhe vendet e punës. Sipas shoqatës, problematika bëhet edhe më e ndjeshme pasi një pjesë e lëndëve të para dhe produkteve të përpunuara janë pronë e klientëve të huaj, të cilët nuk kanë detyrime ndaj shtetit shqiptar.

Shoqata ka kërkuar sqarimin e bazës ligjore për bllokimin e aktivitetit doganor të ndërmarrjeve prodhuese dhe eksportuese. Sipas shoqatës, kjo praktikë ngre pikëpyetje për ligjshmërinë e masës dhe përputhshmërinë e saj me parimet e acquis të Bashkimit Europian.

Shoqata thekson se nuk kundërshton mbledhjen e detyrimeve tatimore, por kundërshton përdorimin e masave shtrënguese që mund të ndërpresin aktivitetin ekonomik dhe të dëmtojnë edhe palë të treta. Bllokimi i lëndëve të para pengon vijimin e prodhimit, ndërsa vonesat në përmbushjen e porosive mund të sjellin pasoja në marrëdhëniet kontraktuale me partnerët ndërkombëtarë dhe në punësimin në sektorin e veshjeve dhe këpucëve.

Përmes shkresës nr. 35-2026, datë 7 tetor 2026, ProEksport Albania ka kërkuar rishikimin e kësaj praktike dhe mbrojtjen e aktivitetit të ndërmarrjeve që respektojnë marrëveshjet për shlyerjen e detyrimeve me këste. Sipas shoqatës, masat për mbledhjen e borxheve tatimore nuk duhet të paralizojnë aktivitetin që siguron të ardhurat për shlyerjen e tyre.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts