Menu

EKSKLUZIVE/ Raporti i KLSH 2018-2020: Skandal në AKU, 3 vjet pa kryer analizat e pesticideve që përdoren në serra dhe pemishte

A e dini se në Shqipëri importohen 350 deri në 400 ton në vit pesticide bujqësore? Lista e importeve të këtyre produkteve që lejohet të importohen përbëhet nga 324 lloje produktesh të tilla. Të gjitha janë jashtë kontrollit!

Pesticidet që përdoren në bujqësi (PMB) një sasi e të cilave përfundon në tryezat tona, nuk janë analizuar për 3 vjet rresht! Skandali zbulohet nga auditimi i Kontrollit* të Lartë të Shtetit (KLSH) në Laboratorin e DRAKU Tiranë (së fundi në varësi të Ministrisë).

Nga shqyrtimi i praktikave të marrjes së mostrave për produktet PMB rezulton se nuk është kryer analizimi në vitet 2018-2019,  nga laboratori  i akredituar, siç parashikohet në ligj.

“Moskryerja e analizimit ka bërë të mundur që PMB-t për përdorim në vendin tonë nuk i nënshtrohen asnjë analize laboratorike për të parë vetitë e tyre fiziko – kimike, përbërjen e lëndës vepruese dhe përnbajtjen e saj ne %, përbërjen dhe përmbajtjen e lëndëve mbushëse (inerte) si dhe përbërjen e aditiveve që ju shtohen formulimeve”, konstaton KLSH.

Dy fjalë për pesticidet

Pesticidet ose produktet për mbrojtjen e bimëve (PMB) janë kimikate ose komponime kimike që përdoren për të kontrolluar ose dëmtuar parazitët ose dëmtuesit e bimëve bujqësore si dhe parazitët e kafshëve dhe njerëzve. Përdorimi i pesticideve në vendin tonë ka një tendencë në rritje vitet e fundit. Aktualisht, përdorimi kryesor i pesticideve vërehet në perimet në fushë dhe serra, në pemëtoret intensive dhe vreshta.

Përdorimi i pesticideve çon në mënyrë të pashmangshme në formimin e mbetjeve në bimë dhe tokë të cilat në kohë degradohen dhe bëjnë që të reduktohet përqëndrimi i tyre. Ky reduktim është i lidhur me llojin e lëndës aktive të pesticidit, bimën ku përdoret dhe kushtet klimatiko-tokësore.

Bazuar në shkallën e toksicitetit të pesticideve, janë përcaktuar ato nivele të mbetjeve të pesticideve që quhen mbetjet maksimale të lejueshme (MML) në produktet me origjinë bimore dhe shtazore të cilat janë të parrezikshme për jetën e njeriut. Mbetjet maksimale të lejueshme janë përcaktuar për çdo lëndë aktive të pesticideve dhe produkt me origjinë bimore dhe shtazore që konsumohen nga njerëzit. Vendi ynë ka miratuar të njëjtat normativa si dhe Bashkimi Europian (BE) në lidhje me MML-të.

Tregtimi i produkteve bujqësore dhe blegtorale në kuadër të sigurisë ushqimore bën që këto t’i nënshtrohen analizës për mbetjet e mundshme të pesticideve në produkt. Në rastet kur këto mbetje janë mbi normat e lejuara ose MML, duhet që produktet ushqimore të mos konsumohen dhe të eleminohet, pasi rrezikojnë shëndetin e njeriut.

Analiza e mbetjeve të pesticideve sidomos në perime dhe fruta është shumë e rëndësishme pasi perimet dhe frutat konsumohen në mënyrë të vijueshme, në sasira të konsiderueshme dhe janë pjesë e dietës ushqimore për të gjithë konsumatorët.

Për më tepër konsumi i tyre i freskët mbart një rrezik të shtuar të mbetjeve të pesticideve pasi koha që ndan përdorimin e një pesticidi në fushë nga koha e konsumit, shpesh nuk është e gjatë dhe e mjaftueshme për degradimin e tyre. Në disa raste është raportuar tregtimi i perimeve, ku përmbajtja e mbetjeve të pesticidive është mbi normat e lejuara. Por edhe kur këto nuk e kalojnë kufirin për një pesticid të vetëm, ato përmbajnë më shumë se një pesticid dhe shuma e mbetjeve të pesticideve është e konsiderueshme.

Rezultati doli pasi njerëzit i konsumuan frutat dhe perimet

Nga ana tjetër kryerja e analizave të perimeve për mbetjet e produkteve PMB duket se nuk ka në ndonjë efekt në mbrojtjen e konsumatorit. Në DRAKU Tiranë për vitin 2020, u konstatua në 10 raste, përgjigjet e analizave laboratorike për perimet, për praninë e pesticideve pranë ISUV, kanë dalë me vonesë prej 3 muaj. Kjo vonesë e ka sjellë humbjen e qëllimit të kryerjes së këtyre analizave, sepse perimet dhe frutat janë shitur plotësisht pasi nuk kanë qenë të bllokuara. KLSH konkludon se për këto veprime nuk ka dalë përgjegjësia. “Veprim në kundërshtim me rregulloren e brendshme të AKU miratuar

me urdhrin e Ministrit Bujqesisë”, vlerëson KLSH, Në fakt ky është një veprim që dëmton shëndetin e njerëzve dhe nuk duhej të kalonte kaq butë.

Rekomandimi

I ndodhur para një situate të tillë, KLSH ka lënë një rekomandim me afat të menjëherëshëm të zbatimit. “DRAKU Tiranë të marrë masat e nevojshme, për analizimin e produkteve PMB, duke përgatitur Planin e Kontrolleve Zyrtare me bazë risku dhe të marrjes së mostrave për ushqimin, ushqimin për kafshë, mbrojtjen e bimëve dhe inputeve bujqësore, si dhe planin e marrjes së mostrave në Pikat e Kalimit kufitar, para hartimit të buxhetit të ISUV për të parashikuar nevojën për reagent dhe standartet e nevojshme për hartimin e tyre”, theksohet në rekomandim.

Sa shumë helme qarkullojnë në treg!

Për plotësuar informacionin e konsumatorit mbi produktet PMB, sipas verifikimeve që bëri Qendra Alert, në listën e pesticideve të miratuara në Republikën e Shqipërisë ka shumë produkte të rrezikshme. Për shembull, disa lëndë aktive të pesticideve si thiacloprid, imidakloprid, fenbuconazole dhe chlorpyrifos janë të ndaluara në BE, por fatkeqësisht tregtohen dhe përdoren akoma në vendin tonë sasi të importuara duke përbërë një rrezik të shtuar për konsumatorët.

Nga ana tjetër, në Shqipëri qarkullojnë 89 produkte PMB të lejueshme për tregtim, por të ndaluara të importohen. Nga këto, janë 26 produkte që duhet të dilnin nga qarkullimi në datën 4 korrik 2021, por nuk ka informacion sa është sasisa e tyre e mbetur dhe si do të asgjësohen!

* KLSH ka kryer një  konktroll në Drejtorinë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Tiranë (DRAKU) për periudhën nga data 1 janar 2018 deri 30 dhjetor 2020. Nga kontrolli rezultojnë shkelje të rënda financiare, të Ligjit për ushqimin dhe vendimeve të qeverisë për kontrollin e cilësisë së produkteve ushqimore, duke mos mbrojtur interesin e konsumatorit.

Qendra Alert

Alert.al/

Related Posts