Menu

Inspektët e AKU-së në të gjithë vendin, më 29 gusht “në rresht” para UBT, nis faza e testimeve. Po nga vleresimi i dosjeve, sa u skualifikuan?

Të gjithë në rresht do të kthehen në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Një pjesë e tyre do të rikujtojnë provimet e dikurshme aty, një pjesë e tyre që ndoshta nuk e dinë se ku bie UBT edhe pse janë inspektorë, do të testohen dhe ata. E sigurt, që shumicës do t’u dridhen këmbët. Më 29 gusht, të gjithë inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe përgjegjësit e sektorëve, janë urdhëruar të paraqitemn në UBT, për të nisur fazët e testimeve, gjë nga e cila varet vazhdimësia e tyre në detyrë, apo largimi. Kjo po ndodh në bazë të urdhërit të Ministres së Bujqësisë, me nr. Protokolli 673, i datës 10 korrik, i cili u komunikua nga vetë Znj.Denaj më 12 korrik 2025. Në atë kohë, Znj.Denaj deklaroi se, “ka urdhëruar pezullimin e të gjitha inspektimeve pa planifikim paraprak dhe të pa miratuara, si dhe ngritjen e një komisioni të posaçëm vlerësimi me 5 anëtarë, 3 prej të cilëve nga Universiteti Bujqësor i Tiranës. Komisioni do të rivlerësojë trupën aktuale të inspektorëve të AKU-së, si dhe do të merret me përzgjedhjen e aplikantëve të rinj, me synim krijimin e një profili të ri inspektues në përputhje me ligjin ‘Për inspektimet’ dhe në mbrojtje të interesit të konsumatorit“.

Në njoftimin që iu ka shkuar të gjithë stafit të AKU, në drejtorinë e përgjithshme dhe në 12 drejtoritë rajonale thuhet se, “në vijim të këtij procesi ju informojmë se, referuar detyrave funksionale të secilit pozicion pune, do të zhvillohet vlerësimi individual i njohurive (me shkrim dhe me gojë)“. “Vlerësimi me shkrim do të zhvillohet më datë 29 gusht 2025, ora 11:00 në ambientet e Universitetit Bujqësor të Tiranës (pranë Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit). Për intervistimin me gojë do të njoftoheni në vijim”, vijon dokumenti.

Ndërkohë që inspektorët e rinj, ata me një karrierë të gjatë, por disa edhe ekselente, si dhe ata që nuk duan shumë kohë të marrin librezën e pensionit, bashkë me shefat e tyre (përgjegjësit e sektoreve), do t’i nënshtrohen provimit me gojë më 29 gusht. Ndërkaq, nga ky testim, nuk dihet ende nëse janë përjashtuar drejtori i përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive rajonale. Nga ana tjetër, të dy drejtoritë, ajo e Vlerësimit të Riskut dhe ajo e Hetimit të Krimit Ushqimor, si mjaftv të rëndësishme, do të kalojnë në test të gjitha nivelet e punonjësve.

Testimi do duhej të ishte faza e dytë. E para, ishte paracaktuar që të bëhej verifikimi dhe vlerësimi i dosjeve të të gjithëve pa përjashtim në AKU. Për këtë fazë nuk dihet ende se çfarë ka ndodhur, si ka qenë ecuria dhe rezultatet. Logjikisht dhe ligjërisht, në bazë të vlerësimit të dosjeve, nuk do mund të shkonin të gjithë në testimet në UBT, pasi një pjesë e inspektorëve në Tiranë apo drejtoritë tjera rajonale, nuk kanë arsimimin e duhur, që t’i përshtaten vendit të punë që ata mbajnë. P.sh., nëse dikush ka studiuar në Fakultetin e Ekonomisë Agrare në UBT, është veçse një ekonomist apo financier dhe s’mund të jetë nëpunës shteti që garanton sigurinë ushqimore në asnjë prej hallkave të zinxhirit. Po ashtu, as një jurist apo diploma tjera që nuk përputhen me vendin e punës në AKU, konkretisht në inspektorit e aq më pak të përgjëgjësve të sektorit e drejtorëve.

Pra, në lidhje me fazën e parë, vlerësimi i dosjeve, çfarë është bërë me kategori punonjësish që nuk iu përshtatet arsimimi me profilin e punës? A do të shkojnë dhe ata për testim, apo janë “skartuar” dhe ende nuk është marrë vesh? Ose faza e parë, do të kalohet në heshtje…?!

Related Posts