Nga janari 2027, mbajtja e një automjeti do të rëndojë më shumë xhepat e qytetarëve. Qeveria propozon zhvendosjen e taksës së qarkullimit nga çdo litër karburant te taksat vjetore të automjetit, duke ndryshuar mënyrën e pagesës, por edhe duke rritur ndjeshëm detyrimin që pronarët do të duhet të paguajnë. Edhe pse kjo ndërhyrje synon të ulë çmimin e naftës dhe benzinës në treg, fatura e re për automjetet në shumë raste do të jetë deri në dyfishin e asaj aktuale.
Projektligji për “Taksat Kombëtare”, pjesë e Paketës Fiskale 2027, parashikon që taksa e qarkullimit të mos paguhet më përmes karburantit, siç ndodh që prej vitit 2011, por një herë në vit, së bashku me detyrimet e tjera të automjetit. Përllogaritja do të bëhet në bazë të vjetërsisë së makinës, fuqisë motorike dhe llojit të karburantit që përdor.
Ndryshimet parashikojnë dyfishimin e tarifës fikse të karburantit që përdoret në formulën e taksës. Për automjetet deri në 2 mijë kubikë, tarifa për naftën rritet nga 12.5 në 25 lekë, ndërsa për benzinën nga 10 në 20 lekë. Për makinat me motor mbi 2 mijë kubikë, tarifa shkon në 26 lekë për naftën dhe 21 lekë për benzinën dhe gazin.
Efekti i kësaj rritjeje duket qartë te një shembull konkret. Një autoveturë nafte, e vitit 2017, me motor 1900 kubikë, që aktualisht paguan 5,423 lekë taksë vjetore, nga viti i ardhshëm do të paguajë 10,925 lekë. Pra, pronari do të duhet të nxjerrë nga xhepi 5,502 lekë më shumë, ose 101.4% rritje brenda një viti.
Fatura e re prek edhe automjetet elektrike, të cilat deri më tani janë promovuar si alternativë më ekonomike dhe miqësore me mjedisin. Projektligji parashikon një taksë fikse prej 15 mijë lekësh në vit për autoveturat elektrike dhe 10 mijë lekë për motomjetet elektrike. Ndërsa për automjetet luksoze, detyrimi vjetor rritet nga 21 mijë në 40 mijë lekë. Në këtë kategori përfshihen autoveturat deri në 6+1 vende që kanë cilindratë të barabartë ose më të madhe se 3,000 cm³, ose vlerë mbi 5 milionë lekë. Por, ndryshimi nuk prek vetëm buxhetin e familjeve. Ai parashikon edhe një rritje të ndjeshme të të ardhurave që shteti pret të mbledhë nga kjo taksë. Për vitin 2027, qeveria llogarit të arkëtojë 33.8 miliardë lekë, nga rreth 7.2 miliardë lekë që parashikohen për vitin 2026. Kjo do të thotë se të ardhurat e buxhetit nga kjo zë zëri fiskal pritet të rriten rreth 3.7 herë.
Në thelb, taksa nuk hiqet, por ndryshon vendin ku paguhet dhe mënyrën se si llogaritet. Qytetarët mund të shohin një ulje të çmimit të karburantit, por në këmbim do të përballen me detyrime më të larta vjetore për automjetet. Një ndryshim që e zhvendos barrën nga konsumi i karburantit te pronësia e makinës, duke e bërë edhe më të kushtueshme mbajtjen e një automjeti në Shqipëri.
Qendra Alert/Alert.al


