I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, juristi Altin Kaziaj ka folur mangësinë e institucioneve për mbrojtjen e të dhënave personale të shqiptarëve dhe mosndërgjegjësimin e konsumatorin mbi të drejtat e tij.
“Çështjet e kapacitetit të drejtësisë shqiptare janë në nivele të ulëta, alarmante. Shqiptarët si popull nuk kanë një kulturë të dijes se çfarë duhet të mbrojnë nga të dhënat e tyre personale. Jemi me kulturë të mangët, ne kemi dhe një institucion Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe të Drejtës së Informimit, i cili sipas meje ka një staf të reduktuar për të bërë “detyrën” si institucionet simotra në të gjithë botën. Kemi patur çështje të natyrës së konsumatorit, jo të shumta fatkeqësisht. Konsumatori duhet të ndërgjegjësohet, të ketë dijeni mbi të drejtat e veta. Nuk flasim vetëm për konsumatorë që kanë të bëjnë me blerjen e produkteve ushqimore, por konsumatori ka shumë të drejta, të shpërblimit, informacionit, aksesit në drejtësi etj. Shpeshherë edhe vetë instancat gjyqësore nuk e kanë të qartë, pasi nuk ka shumë praktikë në mbrojtjen e konsumatorit si individ në vetvete. Pavarësisht mangësive të theksuara të sistemit të drejtësisë, 50% e tij është për t’u riformatuar dhe dosjet po rriten duke folur që nga reforma në drejtësi e deri tani. Viti i shkuar na dha një leksion negativ që të drejtat dhe të dhënat tona nuk mbrohen nga institucionet që e kanë për detyrë. Të dhënat personale, sensitive të shqiptarëve kanë shkuar në duar të pasigurta, duhej investuar në pjesën e mbrojtjes dhe filtrave për të moslejuar aksesin e hakerave”-tha juristi Altin Kaziaj.
Qendra Alert/Alert.al


