Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit në shtëpinë e fëmijëve shkollorë “Zyber Hallulli” në Tiranë zbardh se kuota ushqimore e miratuar për ta është dhënë në normë më të ulët duke mos garantuar kështu normat kalorike normale. Raporti vlerëson se nga stafi i Shtëpisë së Fëmijëve Shkollorë Tiranë, nuk është zbatuar niveli i kuotave financiare për shpenzimet ditore të ushqimeve, në kundërshtim me kërkesat e pikës 1 të Udhëzimit nr. 689, datë 02.10.2018 “Për nivelin e kuotave të shpenzimeve për Ushqime, në institucionet publike rezidenciale e komunitare të përkujdesjes shoqërore”. Audituesit nënvizojnë se lidhur me nevojat ditore të fëmijëve për lëndë ushqyese dhe kalori, menuja ushqimore përgatitet për të gjithë fëmijët e institucionit pa dallim grup- moshe, gjinie ose gjendjeve të veçanta. Në hartimin e menusë sipas raportit nuk merr pjese ekipi multidisiplinar, në mospërputhje me kërkesat Rregullores së Brendshme të Organizimit dhe Funksionimit të Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli”.
Referuar udhëzimeve për kuotat e ushqimit, KLSH konstaton se Shtëpia e Fëmijëve “Zyber Hallulli” duhet të shpenzonte 19.400 lekë në ditë për jetimët rezidentë pranë saj. Por, në të vërtetë, drejtuesit e Shtëpisë së Fëmijës kanë shpenzuar vetëm 11.900 lekë në ditë, ose rreth 7.500 lekë të reja më pak. Diferenca është jashtëzakonisht e madhe, duke mbajtur në konsideratë faktin se ajo u është hequr nga goja e fëmijëve pa prindër çdo ditë për tre vite rresht.
Skandali vijon edhe me cilësinë e ushqimeve, sigurinë ushqimore. KLSH konstatoi se Proces Verbal/et e pranimit të produktit mish, (sallam, proshuta, etj.) nuk përmbajnë të dhëna mbi vulën e kontrollit veterinar, të dhëna mbi certifikatën veterinare.
– Proces Verbal/et, e pranimit të bulmetrave (qumësht, djathë, gjalpë) nuk e kanë të evidentuar certifikatën e cilësisë për çdo furnizim, certifikatën e analizës, ambalazhin e paketimit te produktit me të dhëna mbi datën e prodhimit, masën dhe origjinën e prodhimit.
– Për furnizimin me vezë nuk është përcaktuar nëse furnizimi është në zbatim të rregullores për normat e tregtimit për vezët;
– Për furnizimin me bukë gruri nuk evidentohet nëse furnizimi plotëson kërkesat e standardit shtetëror; nuk përcaktohet nëse ambalazhimi i bukës është sipas kërkesave ligjore.


Qendra Alert/Alert.al


