Në një mbledhje më shumë se dy orë, Komisioni i Përhershëm statutor shqyrtoi mes katër propozimesh idetë reformuese të Lulzim Bashës, Fatbardh Kadillit, Edit Harxhit dhe një anëtari të këshillit Kombëtar, teksa vendosi të kalonte për miratim, vetëm propozimet e bëra nga kryetari i PD.
Nga zgjerimi i kryesisë, shtimi i sekretariateve dhe kalimi i kompetencës së vendosjes për marrëveshjet politike te Këshilli Kombëtar, e deri mos-prekja e mandatit të kryetarit të Partisë, u panë nga 9 anëtarët e Komisionit Statutor si të duhurat për demokratizimin e mëtejshëm të PD.
Anëtari i Komisionit të Përhershëm Statutor, Enno Bozdo tha se ky komision vendosi të kalonte propozimet e Bashës që rregullojnë dhe harmonizojnë statutin aktual, por shprehu skepticizmin e tij lidhur me rrëzimin e propozimeve të lëna nga Fatbardh Kadilli në tryezën e komisionit. Ai tha se propozimet politike të anëtarit të kryesisë kanë vlerë.
Nesër në orën 18:00 do të jetë kryesia blu që do të kalojë një për një në diskutim të 11 propozimet e kryedemokratit Basha, ndërsa të shtunën këto propozime do të duhet të marrin edhe dritën jeshile të Kuvendit Kombëtar.
Të përbashkëtat dhe ndasitë e propozimeve të Lulzim Bashës, Fatbardh Kadillit dhe Edith Harxhit
Në tërësinë e tyre, të tre propozimet kishin në thelb demokratizimin e PD dhe hapjen e partisë, por ndryshe nga Basha, Kadilli dhe Harxhi propozojnë sanksionimin në statut të kufizim të mandatit të kryetarit të partisë në 4 vjet në rast të humbjes së zgjedhjeve, propozim ky që nuk preket aspak nga Basha.
“Kryetari i Partisë zgjidhet për një mandat katër vjeçar, i cili mbaron ose rinovohet automatikisht me shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve; Kryetari i Partisë ose bëhet Kryeministër, ose largohet nga drejtimi i partisë pa pasur të drejtë të marrë pjesë në garën e radhës”, tha Kadilli.
Ndërsa sipas Harxhit dikusht duhet të mbajë përgjegjësi në rast të humbjes së zgjedhjeve dhe për këtë ajo thotë: “Sot, kur ne kemi tre zgjedhje të humbura dhe jemi jashtë pushtetit qendror dhe vendor për arsye të vendimmarrjes së gabuar politike të Kryetarit dhe disa mbështetësve të tij, do të duhej që ne ta kufizojmë mandatin e Kryetarit të Partisë vetëm në një palë zgjedhje të humbura, sepse përfundimisht dikush duhet të mbajë përgjegjësi për humbjet e njëpasnjëshme të partisë sonë”.
Nga ana tjetër, Basha propozon që kreu i PD të zgjidhet me votim të të gjithë anëtarëve të PDSH dhe modalitetet e procesit të përcaktohen nga Rregullorja e Brendshme e PDSH.
“Kryetari i Partisë zgjidhet me votim të të gjithë anëtarëve të PDSH, sipas parimit “Një anëtar, Një votë”. Modalitetet e procesit përcaktohen nga Rregullorja e Brendshme e PDSH”, tha Basha.
Basha e Kadilli bashkohen në një pikë, në hartimin e listave të kandidatëve për deputetë, dhe kandidatët për kryebashkiakë, për të cilën vulën duhet ta japë kryetari i partisë, ndërsa Harxhi kërkon që zgjedhja e kandidatëve për deputetë, anëtarë të këshillave bashkiake, kryetarë bashkish, duhet të jetë e lidhur drejtpërdrejtë me anëtarin e Partisë Demokratike dhe jo të emërohen nga Kryetari i Partisë.
Ndërkohë, si Basha edhe Harxhi kërkojnë që të sanksionohet në Statut se vendimmarrja për çdo marrëveshje politike, koalicion para apo pas zgjedhor dhe nismë të rëndësishme politike duhet të jetë atribut vetëm i Këshillit Kombëtar të PDSH-së.
alert.al/


