Menu

Ministrja Krifca bisedë online me ministrin ukrainas: Të forcojmë zinxhirin tregtar

Propozimi i një mekanizmi për të ulur kostot e transportit të grurit nga Ukraina drejt vendeve të tjera, si dhe forcimi i zinxhirit tregtar, ishin temat ku u fokusua biseda online mes ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca me ministrin ukrainas të Politikës Agrare dhe Ushqimit, Mykola Solskyi.

Në kushtet e luftës në Ukrainë dhe vendimit të disa shteteve kufitare me të për ndalim të përkohshëm të importeve të grurit dhe produkteve të tjera bujqësore nga Ukraina, ministri ukrainas ka kërkuar një takim me ministren Krifca, për të kërkuar mbështetje mbi propozimin e tyre ndaj Komisionit Evropian, për pagesën e kompensimit për transportin e drithit nga Ukraina drejt Evropës.

Ministrja Krifca është shprehur se, si vend kandidat për anëtarësimin në BE, Shqipëria mbështet çdo mekanizëm apo politikë të Bashkimit Evropian, e cila ul kostot e prodhimit për fermerët shqiptarë, si dhe garanton qëndrueshmëri çmimesh për konsumatorët në tregjet ushqimore.

Një kompensim i tillë do t’i mundësohej vendeve që ndodhen më larg nga kufiri ukrainas të marrin grurë me çmime të përshtatshme. Në të njëjtën kohë, fermerët në vendet fqinje të Ukrainës do të përjetonin më pak presion në lidhje me politikën e çmimeve duke e transmetuar këtë harmoni çmimesh edhe për vendet e tjera.

Biseda u zhvillua ndërsa mbahet në Luksemburg Këshilli i BE-së për Bujqësinë dhe Peshkimin.

Ministrja u ndal në masat e marra nga vendi ynë, me politikat e brendshme për bujqësinë, por edhe me bashkëpunimin rajonal për përballimin e pasigurive.

“Pas agresionit rus ndaj Ukrainës, me Akt normativ u krijua Bordi i Transparencës për monitorimin e çmimeve të produkteve bazë ushqimore, ku përfshihej edhe gruri. U përcaktua detyrimi për subjektet importues për të mbajtur rezerva 3 mujore. Gjithashtu u vunë në dispozicion garancia financiare shtetërore për të lehtësuar aksesin në financë të importuesve, u monitoruan çmimet e shitjes për të garantuar transparencë. Më tej është bërë dhe një punë e madhe për të përfshirë prodhimin dhe përpunimin e drithërave për herë të parë në programin e investimeve IPARD 3″, tha Krifca.

Minisitrja Krifca theksoi gjithashtu, bashkëpunimin e suksesshëm për furnizimin me drithëra në rajonin e Ballkanit Perëndimor, brenda organizmit të Open Balkan.

Gjithashtu, tha Krifca, për të garantuar prodhimin e të së njëjtës sasi gruri dhe rritjen e prodhimit në vend, në vjeshtën e vitit 2022, nëpërmjet Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi, u nis një masë e re për fermerët kultivues të grurit, nga i cili përfituan mbi 4000 fermerë.

“Marrëveshja e një tregtie të lirë, të pacenuar nga efektet e luftës në Ukrainë, siguron krijimin e pandërprerë të zinxhirit ushqimor në të gjitha vendet e Evropës apo të botës”, u shpreh ministrja.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts

LEAVE A COMMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed