Menu

Misri me aflatoksinë, Salla: Ngarkesat do t’i nënshtrohen analizave në doganë

Pas misrit me aflatoksinë, Ministria e Bujqësisë ka nxjerrë një urdhër që çdo ngarkesë me misër të importuar t’i nënshtrohet analizave në doganë.

“Kemi vendosur që çdo sasi që vjen nga importi të kalojë në analizë në mënyrë që ne të kontrollojmë standarde. Çdo ngarkesë importi kalon në analizë në doganë më pas nëse ka probleme merren masa nga AKU, si asgjësimi apo kthimi në vendin e origjinës” tha Salla.

Drejtoresha e AKU, Blerina Gjylameti tha se 13 ngarkesa misri të importuara nuk kanë rezultuar konform standardeve. Gjylameti sjellë rastin e një subjekti ushqimor në Shkodër i cili kishte importuar 130 tonë misër me aflatoksinë dhe pavarësisht se kishte detyrim bllokimin e sasisë, deri në përgjigjen e analizave, ai e kishte përdorur për ushqim për pulat.

“Në rastin e misrit me aflatoksinë kemi patur për 398 ton misër të importuar nga Serbia, nga Kroacia dhe nga Greqia, nga të cilët vetëm 13 raste kanë rezultuar të jenë jo konform, pra kanë rezultuar me aflatoksinë, nga të cilët në rastin e Shkodrës ka patur 130 ton misër të importuar nga ky operator i biznesit ushqimor dhe ka patur një bllokim të tij, derisa të dilte përgjigja e analizave të marra për të parë me çfarë përbërje kishte misri. Ndërkohë nga operatori i biznesit ushqimor kishte cenuar të gjitha shenjat e bllokimit dhe ishte dhënë për konsum pulave ky misër. Në këtë aspekt përsëri nga ana e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit ka patur një kallëzim në prokurori për operatorin e biznesit ushqimor dhe përfaqësuesit e tyre dhe ndërkohë ka patur masa të largimit nga detyra të shtatë inspektorëve dhe largimin e drejtorit të drejtorisë rajonale të Shkodrës” tha Gjylameti.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts