Menu

Qindra tabletat e dhuruara nga Ecolog dhe Lazim Destani nisin të shpërndahen për nxënësit në Shqipëri

TIRANË, 12.05.2020 – Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar (Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit), u dorëzuan qindra tableta për nxënësit e shkollave shqiptare, dhuratë nga filantropi Lazim Destani dhe kompania “Ecolog International”. Tabletat e pajisura dhe me karta SIM nisën të shpërndaheshin menjëherë në të gjitha bashkitë e vendit, me qëllim pajisjen sa më shpejt të nxënësve, për të arritur javët e mbetura të mësimit online.

Drejtori i Përgjithshëm i Arsimit Parauniversitar, Z.Selman Hodaj shprehu mirënjohjen e tij për filantropin Destani dhe dhurarën e bërë për nxënësit në Shqipëri, e cila sipas tij, do t’ju shërbejë mjaft atyre fëmijëve që nuk kanë mundësi ekonomike të kenë pajisje ‘smart’ për mësim online. “E falenderoj Z.Destani për dhuratën dhe njerëz të tillë i duhen gjithmonë shqiptarisë”, tha ndër të tjera Z.Hodaj.

Ndërsa Granit Sokolaj, përfaqësues i Z.Destani tha se, ndihma e sotme për nxënësit në nevoja ekonomike në Shqipëri, ishte një dëshirë e donatorit, për të mbështetur fëmijët shqiptar në këto ditë të vështira dhe ky donacion vjen pasi edhe në Maqedoninë e Veriut e Kosovë, janë shpërndarë mijëra tableta të tjerë për nxënësit me nevoja ekonomike, nga i njejti dhurues.

Një dedikim falenderimi për Z.Destani dhe kompaninë Ecolog pati dhe nga Ministrja e Arsimit, Znj.Besa Shahini, e cila postoi në faqet e saj zyrtare në rrjetet sociale, si dhe në ato të institucionit, këtë mesazh: “Jemi shumë falënderues për bujarinë që tregoi kompania Ecolog International, duke dhuruar 500 pajisje digjitale për nxënësit tanë. Ato u dorëzuan sot tek Drejtori i Përgjithshëm i Arsimit Parauniversitar, Selman Hodaj dhe po shpërndahen tek nxënësit. Faleminderit!”

Tabletat janë të pajisura me karta SIM, me qëllim që nxënësit të kenë mundësi të ndjekin mësimin online në programet dhe platformat e ofruara nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Përgjatë periudhës së pandeminë, Ecolog International dhe filantropi Destani u kanë dhuruar për mijëra tableta nxënësve në nevojë në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe tani në Shqipëri, kur për shkak të situatës shkollat u ndërprenë dhe fëmijët u detyruan të përshtateshin me të mësuarit online.

Përtej sasisë së dorëzuar sot në Ministrinë e Arsimit, Ecolog dhe Z.Destani, po dhurojnë dhe një sasi tjetër pajisjesh elektronike, nëpërmjet konkateve të tyre dhe bashkëpunëtorëve në Shqipëri.

Lazim Destani, një filantrop dhe biznesmen i njohur, është Anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës në Shqipëri dhe President Nderi i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare. Gjithashtu, Z.Destani është Kryetar i Bordit Mbikqyrës të Ecolog Internationational, një ndër kompanitë më të mëdha në botë e veçanërisht në fushën e shërbimeve.

Qendra Alert / Alert.al

Related Posts