Menu

Sallatë me fruta deti që gjendet në markete tërhiqen për shkak të listerisë

Tre produkte ushqimore janë tërhequr nga tregu në Itali për shkak të pranisë së baktereve të rrezikshme për shëndetin. Njoftimet janë bërë nga Ministria italiane e Shëndetësisë dhe rrjeti i supermarketeve Iperal, duke përfshirë sallatë me fruta deti, produkte me mish derri dhe një seri kërmijsh.

Rastet lidhen me praninë e baktereve Listeria monocytogenes, Salmonella spp. dhe nivele të larta të Escherichia coli, të cilat mund të përbëjnë rrezik për konsumatorët.

Produkti i parë i tërhequr është një sallatë me fruta deti e markës Marevivo, pasi në të është konstatuar prania e bakterit Listeria monocytogenes. Bëhet fjalë për paketime 250 gramë, me numër serie INSM11/11/26 dhe datë skadence 24 nëntor 2026.

Sallata është prodhuar nga kompania Marevivo Srl, në fabrikën që ndodhet në Castro, në provincën e Leçes.

Një tjetër tërheqje është njoftuar nga supermarketet Iperal për kërmijtë e markës Finittica. Arsyeja është konstatimi i niveleve të Escherichia coli mbi kufijtë e lejuar. Produkti shitet në rrjeta me peshë 1 kilogram dhe identifikohet me numrin e serisë 261118F04. Kërmijtë janë prodhuar nga kompania Finittica Srlu, në fabrikën e saj në Goro, në provincën e Ferrarës.

 

Ndërkohë, Ministria italiane e Shëndetësisë ka njoftuar edhe tërheqjen e një serie salçiçesh me mish derri të prodhuara nga kompania Maxi Ges Srl, pas konstatimit të pranisë së bakterit Salmonella spp.

Produkti ka numrin e serisë 04112026A dhe datë skadence 14 nëntor 2026. Salçiçet janë prodhuar në Pedaso, në provincën e Fermos. Autoritetet u bëjnë thirrje konsumatorëve që i kanë blerë këto produkte të mos i konsumojnë. Ato mund të kthehen në dyqanin ku janë blerë, edhe në rastet kur konsumatorët i kanë ende në frigorifer dhe nuk i kanë përdorur. (IlFattoAlimentare)

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts