Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) po përgatit udhëzime të reja për kufizimin e përdorimit të aditivëve në ushqimet ultra të përpunuara, një nismë që ka shkaktuar reagimin e industrisë ushqimore. Drafti i dokumentit, i publikuar nga organizata është i hapur për komente deri në fund të nëntorit dhe pritet të shërbejë si bazë për masat që mund të ndërmarrin shtetet anëtare.
Për herë të parë, vëmendja e OBSH-së nuk përqendrohet vetëm te përbërja ushqyese e produkteve, por edhe te substancat që shtohen për t’u dhënë atyre ngjyrë, shije, aromë apo një strukturë të caktuar. Në këtë kategori përfshihen ngjyruesit, ëmbëlsuesit dhe aromatizuesit, përdorimi i të cilëve mund të kufizohet kur nuk ka një funksion thelbësor në produkt.
Shqetësimi lidhet me ndikimin e mundshëm të këtyre substancave në shëndet. Studime dhe ekspertë kanë ngritur dyshime se disa aditivë mund të ndikojnë në mikrobiotën e zorrëve dhe të lidhen me rritjen e rrezikut për alergji dhe çrregullime të ndryshme. Megjithatë, provat shkencore për shumë prej këtyre efekteve mbeten ende të paplota dhe nuk lejojnë përfundime të qarta.
Debati është intensifikuar edhe në Shtetet e Bashkuara, ku sekretari i Shëndetësisë, Robert Kennedy Jr., ka ndërmarrë nisma për ndalimin e disa ngjyruesve ushqimorë. Paralelisht, autoritetet në vende të tjera po rishikojnë përdorimin e substancave që industria ushqimore ka përdorur prej dekadash, ndërsa mbeten pikëpyetje mbi efektet e tyre afatgjata dhe ndërveprimet me përbërës të tjerë.
Klasifikimi GRAS nën shqyrtim
Një nga problematikat lidhet me klasifikimin amerikan GRAS (Generally Recognized as Safe), që përfshin substanca të konsideruara përgjithësisht të sigurta për përdorim në ushqime. Disa prej tyre janë pranuar në këtë kategori për shkak të përdorimit të gjatë historik ose mungesës së provave që tregonin rrezik në momentin e vlerësimit.
Por ky klasifikim nuk ka shmangur përfshirjen e disa molekulave që më vonë kanë ngritur shqetësime për sigurinë e tyre. Për këtë arsye, Autoriteti Evropian i Sigurisë Ushqimore (EFSA) po rishikon kategori të ndryshme aditivësh, ndërsa dokumenti i ri i OBSH-së synon të krijojë një qasje më të unifikuar.
Udhëzimet e ardhshme mund t’u japin autoriteteve kombëtare kritere më të qarta për përcaktimin e kufijve të përdorimit të këtyre substancave, vendosjen e taksave specifike dhe detyrimin për etiketime të veçanta. Qëllimi është të kufizohet konsumi i produkteve që, në kuadër të një diete të shëndetshme, duhet të përdoren në sasi më të vogla.
Industria ushqimore kundërshton rregullat e reja
Sipas Reuters, shoqatat e prodhuesve të ushqimeve dhe pijeve kanë shprehur shqetësime për pasojat që mund të sjellë dokumenti i OBSH-së. Aleanca Ndërkombëtare e Ushqimit dhe Pijeve paralajmëron se kriteret e propozuara mund të klasifikojnë si problematike një numër të madh produktesh, edhe kur ato kanë profile ushqyese të kënaqshme.
Sipas industrisë, një qasje e tillë mund të penalizojë kompanitë që po investojnë në përmirësimin e përbërjes së produkteve dhe riformulimin e recetave. Prodhuesit paralajmërojnë gjithashtu për kosto shtesë nga ndryshimi i formulave, paketimet e reja dhe taksat e mundshme. Një tjetër shqetësim lidhet me rrezikun e padive kolektive, të ngjashme me ato të zhvilluara në SHBA.
Megjithatë, drafti pritet të pësojë ndryshime përpara miratimit përfundimtar, ndërsa debati ndërkombëtar për përcaktimin e ushqimeve ultra të përpunuara dhe ndikimin e tyre në shëndet po bëhet gjithnjë e më i fortë.
Kriteret e ndryshme japin rezultate të kundërta
Vështirësia për të përcaktuar se cilat produkte janë realisht të pashëndetshme pasqyrohet edhe në një studim të publikuar së fundmi në British Medical Journal Medicine, që analizoi produktet ushqimore të tregtuara në Mbretërinë e Bashkuar.
Studiuesit shqyrtuan 262 produkte të përpunuara dhe 1,636 produkte ultra të përpunuara, duke i vlerësuar sipas sistemeve të ndryshme të klasifikimit.
Kur u përdorën udhëzimet qeveritare për ushqyerjen, rezultoi se nga 91 deri në 98 për qind e produkteve të analizuara konsideroheshin të pashëndetshme. Ndërsa aplikimi i sistemit të semaforit ushqimor, që përdoret nga kompanitë në mënyrë vullnetare, dha një rezultat krejt tjetër: vetëm 48 për qind e produkteve ultra të përpunuara dhe 46 për qind e produkteve të përpunuara u klasifikuan si të pashëndetshme.
Dallimi i madh mes rezultateve nxjerr në pah mungesën e kritereve të unifikuara për vlerësimin e produkteve ushqimore dhe vështirësinë për të përcaktuar qartë se cilat prej tyre përbëjnë rrezik për shëndetin e konsumatorëve. Udhëzimet e reja të OBSH-së synojnë pikërisht të krijojnë një bazë më të qartë për këtë vlerësim. (IlFattoAlimentare)
Qendra Alert/Alert.al


